• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Drejtësia franceze dhe lajthitjet serbe

March 1, 2017 by dgreca

Drejtësia franceze të mos bie pre e presioneve dhe lajthitjeve të Serbisë në rastin Haradinaj/
Fetnete-Ramosaj

Nga Fetnete RAMOSAJ/ 

Nesër Gjykata e Apelit në qytetin Colmar të Francës lindore, pritet të vendosë lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.Që nga 4 janari kur u ndalua nga autoritetet franceze në Aeroportin ndërkombëtar të Basel-Mulhouse (në pjesën franceze të këtij aeroporti), në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, përkatësisht nga Unioni Serbi-Mali i Zi në vitin 2004, union që si i tillë nuk ekziston më që nga viti 2007, Serbia ka vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e saj institucionalë dhe ata ndërkombëtarë ku mund të ushtrojë ndikim, për ta përndjekur Ramush Haradinajn dhe për të ndikuar politikisht në rastin e tij.

Zbatimi dhe marrja si të mirëqena i urdhërarresteve të këtilla, të motivuara politikisht, të lëshuara nga aparati shtetëror i kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, të ricikluara dhe të aktivizuara nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Millosheviqit, të cilët sot e udhëheqin Serbinë, me qëllim të përndjekjes ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, si dhe ndaj ish-luftëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është padrejtësi dhe tallje me drejtësinë ndërkombëtare, aq më tepër është mosnjohje dhe mosrespektim i vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, pjesë e vendimmarrjes së të cilave ishte edhe vet Franca, sikurse që më 1999 ishte pjesë e luftës së përbashkët të botës demokratike – Aleancës Veri Atlantike të NATO-s kundër regjimit kriminal të Serbisë së Millosheviqit për të ndërprerë gjenocidin që po e kryente Serbia ndaj popullit të Kosovës.

Siç dihet, Ramush Haradinaj, në të dy nivelet e gjykimit në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës (që është mekanizmi më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare i themeluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë) është shpallur i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për periudhën e luftës në Kosovë, ndonëse për t’u përgjigjur në ato akuza të fabrikuara të Serbisë, e të trajtuara në Tribunalin e Hagës, u desh që për më shumë se tetë vjet (mars 2005-nëntor 2012) të përballet me drejtësinë ndërkombëtare. Duhet përmendur se në mars të vitit 2005, sapo ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës, Ramushi kishte dhënë dorëheqjen nga pozita e Kryeministrit të Kosovës dhe ishte vetdorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Natyrisht se gjatë dy proceseve gjyqësore në Tribunalin e Hagës, mbrojtja e Haradinajt nuk pati nevojë të thërriste asnjë dëshmitar të mbrojtjes për ta dëshmuar pafajësinë e tij.

Po çfarë po ndodh sot? Me gjithë fabrikimet dhe vënien në përdorim të dëshmitarëve të montuar e të përpunuar nga Beogradi, në shumicën e rasteve nën forcën e dhunës e të kërcënimeve, por edhe të joshjeve dhe të pagesave të larta në këmbim të dëshmive akuzuese, në Tribunalin e Hagës, maskat u çjerrën. Një armatë e tërë ushtarakësh, policësh, mjekoligjorësh, agjentësh të shërbimeve civile e ushtarake serbe, të gjithë të implikuar në krime të luftës kundër popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë,  ishte vënë në sulm kundër Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, por përpjekjet për fabrikime dëshmish dhe montime akuzash u shkuan kot.

Mjafton të përmendim rastin e agjentëve të Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë (BIA) Igor Juçinac (Igor Jučinac), Millutin Radanoviq (Milutin Radanović) e Predrag Zhelkoviq (Predrag Željković), të cilët në qershor të vitit 2009, ishin kapur në vepër nga Policia e Kosovës në Çagllavicë derisa ishin në aksion për mbledhjen e dëshmive të rrejshme për të materializuar shpifjet dhe fabrikimet e Beogradit zyrtar “për trafikim organesh të serbëve”. Siç u dokumentua edhe përmes deklaratave dhe videoxhirimeve të transmetuara publikisht, këta pjesëtarë të BIA-s kishin nxitur familjarë të serbëve të zhdukur, por edhe qytetarë shqiptarë, për të dhënë dëshmi të rrejshme me qëllim të trillimit të aferës për gjoja trafikimin (transplantimin) e organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, duke u ofruar të paktën shumat prej 100 mijë deri në 300 mijë euro vetëm për një deklaratë të tillë. Aso kohe, agjentët e shërbimit sekret serb BIA, deklaruan para organeve të hetuesisë se shumat e premtuara për dëshmitarët e tillë (të rrejshëm) i paguante shteti.

Për ata që i njohin sadopak rrethanat e luftës në Kosovë, e dinë se kush është viktima e kush xhelati, ndonëse Serbia dhe aleatët e saj kanë investuar aq shumë nëpërmjet propagandës që shqiptarët t’i paraqesin si viktimizues. Kur i shohim reagimet që vijnë nga Serbia, dhe atë nga aparati shtetëror të cilin e përbëjnë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Millosheviqit, detyrimisht të shkon mendja të mendosh se ç’kohë është?! Serbia, në vend se të kërkojë falje dhe të përgjigjet penalisht për të bëmat kriminale e gjenocidin e shkaktuar gjatë luftërave në Kosovë, Bosnjë e Kroaci, gjatë të cilave i kreu krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit deri në shkallë gjenocidi, të papara në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, ajo sikur të mos kishte ndodhur asgjë, pa u distancuar fare nga e kaluara kriminale, po tenton t’i imponohet Europës për t’u rehabilituar në pozitën e kryexhandarit të Ballkanit, duke i akuzuar të tjerët për ta shfajësuar veten. Po ajo klasë politike që kreu gjenocid gjatë një dekade të fundshekullit XX ndaj shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve e të tjerëve, sot e udhëheqë Serbinë. Pozitat më të larta në shtet i mbajnë persona të tillë që vetëm pak po të funksiononte drejtësia, do të duhej të ishin në burg e jo në poste publike udhëheqëse.

Shtrohet pyetja: Cilët janë ata që po vazhdojnë ta akuzojnë dhe përndjekin Ramush Haradinajn? Cilët janë ata që po bëjnë presion politik mbi mekanizmat e drejtësisë në Francë, duke bërë rolin e viktimës?!

Ivica Daçiq (Ivica Dačić), tash Ministër i Jashtëm i Serbisë, apo “Slloba i Vogël”, siç kishte preferuar ta thërrisnin derisa ishte përkrah kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević), në të gjitha ndërmarrjet gjenocidale kundër popujve joserbë, në cilësinë e zëdhënësit të partisë SPS të Millosheviqit, shpesh herë nuk dihet a është ministër i Serbisë apo ambasador i Rusisë. Riardhjen e tij në pushtet që nga viti 2012, Daçiq ia dedikon gjuhës së ashpër, arrestimeve dhe keqtrajtimeve ndaj shqiptarëve. (Mjafton të kujtojmë arrestimin dhe poshtërimin e policëve të Kosovës në kufirin me Serbinë në kohë zgjedhjesh). Daçiq në cilësinë e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, pas arrestimit të Haradinajt, kishte deklaruar se “rasti i ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj është test për Europën se a është legale vrasja e serbëve”, duke e akuzuar edhe për vrasjen e dëshmitarëve! Të ndalemi këtu. Daçiq është një nga personat kompetentë që mund dhe duhet të japë përgjigje në akuzat e parashtruara. Ndër të tjera duhet të sqarojë veprimtarinë e  të ashtuquajturës Drejtoria e Gjashtë (Šesto odeljenje Centra DB-Beograd) e njohur si “Drejtoria për Vrasje” (Odeljenje DB za ubistva), e formuar zyrtarisht por në mënyrë të jashtëligjshme në vitin 1999 në kuadër të Qendrës së Sigurimit Shtetëror serb në Beograd, e cila ka operuar edhe në Kosovë gjatë kohës së luftës dhe të pasluftës. Nën përkujdesjen e kësaj “drejtorie” rezulton të jenë kryer krime të shumta monstruoze dhe ekzekutime enigmatike në Serbi dhe jashtë saj. Ndonëse “Drejtoria e Gjashtë”, për shkaqe konspirative përbëhej vetëm nga pesëmbëdhjetë persona, siç është bërë publike, kishte fuqi të jashtëzakonshme dhe të drejtë që të angazhonte në operacionet e saj çdo pjesëtar aktiv të Shërbimit Shtetëror serb, e në veçanti pjesëtarët e Njësisë për Operacione Speciale (JSO).  Sipas kryeshefit të kësaj “Drejtorie” Ratko Romiq (tashmë i dënuar me 40 vjet  burgim për vrasje politike të kryera në Serbi), kjo drejtori sekrete ishte formuar “për kryerjen e shërbimeve të fshehta dhe aktiviteteve operative jashtë vendit”. Krahas likuidimeve misterioze, ekipet e kësaj drejtorie njëkohësisht mësohet se janë marrë me zhdukjen e dëshmive dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, pra edhe në Kosovë. Pra, është një mekanizëm që me “dekret” të shtetit serb është marrë me zhdukjen e dëshmive dhe të dëshmitarëve. Është e ditur publike se dy pjesëtarëve të këtij  njësiti sekret për likuidime, iu dhanë pozita të larta në Qeverinë Daçiq.

Kur jemi këtu, duhet theksuar se është mirë që Daçiqi ta sqarojë rastin e paradokohshëm të një dëshmitari pjesëmarrës në krime kundër shqiptarëve, likuidimi i të cilit ka kaluar fare në heshtje në Serbi. Daçiq është mirë të tregojë se çfarë ka ndodhur me dëshmitarin Radoslav Ognjenović (58 vjeç), i cili u gjet i vdekur më 4 janar 2017, në rrethana të pasqaruara në periferi të Beogradit, pasi që paraprakisht dy ditë më herët ishte zhdukur gjatë orarit të punës. Ognjenović ishte shoferi i kamionit me të cilin i transportoi për në Serbi trupat e 86 civilëve shqiptarë (në mesin e tyre edhe 49 anëtarë të Familjes Berisha nga Suhareka). Tashmë dihet se ky kamion u gjet në lumin Danub në Serbi, më 6 prill 1999. Kamioni ishte pa targa, kishte vetëm një logo që tregonte se i përkiste thertores “PIK Progress Export” nga Prizreni. Siç është dokumentuar, më 7 prill 1999, 53 trupa si dhe tri koka të prera nga trupat e tyre u dërguan me një kamion në qendrën stërvitore të policisë serbe në Batajnicë, ku i hodhën nëpër gropa dhe i dogjën, ndërkaq të tjerët përfunduan në varrezën masive në Petrovo Sello. Ky dëshmitar u likuidua vetëm disa javë para publikimit të raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) me seli në Beograd “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë, Operacioni i fshehjes së trupave” (i publikuar më 1 shkurt 2017), sipas të cilit, zyrtarët më të lartë të qeverisë së Serbisë, më saktë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe departamentet e ushtrisë së ish-Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë, kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë. Mbetjet mortore të qindra prej tyre u gjetën në varrezat sekrete masive në Serbi (Batajnicë, Petrovo Sello, Peruçac, Rudnicë etj.).

Zoran Stankoviqi (Zoran Stanković), gjithashtu njeri i afërt i Sllobodan Millosheviqit, i cili për një kohë të gjatë ka qenë në krye të VMA-së (Akademisë Mjekësore Ushtarake) në Beograd, i shpërblyer me poste të larta ministrore (ministër i shëndetësisë, ministër i mbrojtjes), në cilësinë e “patologut” ka shprehur gatishmërinë që të dëshmojë pranë autoriteteve franceze kundër Ramush Haradinajt! Falsifikimeve dhe fabrikimeve të Stankoviqit dhe të tjerëve si ai, të bëra në emër të “profesionalizmit”, ka kohë që u ka dalë boja! Janë zhvlerësuar shkencërisht edhe në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. Por në vend të gatishmërisë për të dëshmuar kundër Ramush Haradinajt, është mirë që Stankoviqi të dëshmojë e të japë llogari për mbi 5 mijë obduksione të dyshimta mjeko-ligjore të kryera në VMA dhe të zbardhë dyshimet e bazuara për eksperimentimet që janë bërë gjatë luftës (1998-1999) me shqiptarët në vend të minjve në bodrumet nëntokësore të VMA-së dhe të Institutit për Siguri të ish-RSFJ-së në Beograd. Nuk është e rastit pse Stankoviqi sot gjendet në pozitë për “përkujdesjen” ndaj shqiptarëve në krye të Trupit Koordinues të qeverisë së Serbisë për komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë!

Edhe Lubisha Dikoviqi (Ljubiša Diković), Shefi aktual i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, i akuzuar publikisht nga Fondi për të Drejtën Humanitare për vrasjen e të paktën 1400 civilëve shqiptarë në pranverën e vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës ku ka operuar në krye të Brigadës 37 të Motorizuar të UJ-së me seli në Rashkë, duke i mohuar akuzat për këto krime ka thënë se nuk ka ardhur në Kosovë për të vrarë, por se atij i takuakan meritat se paska mbrojtur 15 mijë civilë shqiptarë! (Çuditërisht të njëjtën përgjigje e kanë dhënë edhe kriminelë të tjerë serbë nga Beogradi kur janë pyetur për arsyen e dërgimit të njësive speciale nga Beogradi në Bosnjë! Sipas kësaj logjike del se  edhe në Srebrenicë njësitet e Serbisë paskan shkuar për të mbrojtur popullin e atjeshëm! E kanë mbrojtur duke vrarë mbi 8000 civilë).  Komandanti i Brigadës 37 të Rashkës, Lubisha Dikoviq, gjatë luftës në Kosovë ka pasur nën komandën e tij 4500 veta. Është e vërtetë se në rajonin e Drenicës, në të cilin ka operuar, Dikoviq ka përdorur një taktikë paksa më të ndryshme ushtarake në krahasim me njësitet tjera të ushtrisë serbo-jugosllave. Dikoviq, nuk i ka rrethuar fshatrat e Drenicës në formë “patkoi” (siç planifikohej në planin e famshëm sekret serb për spastrimin etnik të Kosovës dhe siç u veprua praktikisht në fushëbeteja), por ato i ka vënë në rrethim të plotë, pa ua lënë asnjë shtegdalje. Ndaj popullsisë civile të këtij rajoni, të cilën Dikoviqi thotë se e ka mbrojtur (!), forcat ushtarake-policore dhe paramilitare serbe i aplikuan format më të tmerrshme të gjenocidit. Mbase Dikoviqi mund ta konsiderojë “mbrojtje” okupimin e Drenicës, pasi që në ndërmarrjet antinjerëzore e antishqiptare edhe gjatë luftës në Kosovë kisha dhe shteti serb krimin ndaj joserbëve e kanë konsideruar si “ndëshkim që vjen nga Zoti”!

Mjafton që secili të shohë raportet sekrete të Dikoviqit të bëra gjatë kohës së luftës, apo edhe sot të shkojë në Drenicë: në Qirez, Rezallë, Likoshan, Vërbovc, Izbicë, Çikatovë të Vjetër, Gllanasellë, Drenas, Poklek, etj., për të parë nga afër “humanizmin” e Dikoviqit, e pse jo të shohin edhe varrezën sekrete masive në Rudnicë të Rashkës, e zbuluar pikërisht në rajonin e përgjegjësisë së Dikoviqit. Dy vite më parë në Rudnicë u gjetën mbetjet mortore të 53 civilëve shqiptarë nga rajoni i Drenicës, ku kishte vepruar Dikoviqi. Ende nuk janë kryer të gjitha gërmimet në këtë lokalitet, ku dyshohet se ka edhe shumë trupa të tjerë (shifrën se në këtë varrezë masive gjenden trupat e 250 deri në 400 civilëve shqiptarë, e ka deklaruar vet prokuroria për krime lufte e Serbisë).

Velko Odalloviq (Veljko Odalović), tash sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, duke e ditur se është i pamundur ekstradimi i Haradinajt në Serbi, insiston që megjithatë autoritetet franceze Haradinajn ta dërgojnë në Gjykatën Speciale! Velko Odaloviq, para të gjithëve personalisht duhet të përgjigjet për krimet e shumta të kryera ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj serbëve e të tjerëve para dhe gjatë luftës në Kosovë. Anëtari i SPS-it dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Sllobodan Millosheviqit, Velko Odaloviq, gjatë luftës në Kosovë ka qenë kryetar i të ashtuquajturit Qarku i Kosovës, i emëruar prej qeverisë së Serbisë. Qarku të cilin e ka kryesuar Odaloviq ka përfshirë dhjetë komuna: komunën e Podujevës, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit, Shtimes, Shtërpcës, Ferizajt, Kaçanikut dhe të Lipjanit, prandaj si përgjegjësi kryesor i pushtetit serb në këtë qark ishte urdhërdhënësi kryesor për krimet e kryera në komunat e lartpërmendura. Për këtë ka dëshm, dëshmitarë dhe prova të pakontestueshme. Në të njëjtën linjë janë vënë edhe zyrtarë të tjerë serbë. Është interesant se të gjithë ata rezultojnë të jenë të përfshirë në krime lufte në Kosovë. Sa u përket Nikoliqit e Vuçiqit është kuptimplotë dhe e ditur publike deklarimi i Sheshelit, i bërë një vit më parë, kur deklaroi se në të gjitha që ai i ka bërë, i ka pasur bashkëpunëtorë Aleksandër Vuçiqin e Tomislav Nikoliqin. “Maja Gojkoviq, Tomislav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq kanë marrë pjesë në të gjitha që unë kam qenë i përfshirë. Ata ishin bashkëpunëtorët e mi”, u deklaroi Shesheli medieve të Beogradit më 28 mars 2016.

Nuk është mirë që edhe tetëmbëdhjetë vjet pas humbjes së luftës në Kosovë, Serbia të vazhdojë ta mbajë peng dhe ta terrorizojë rajonin duke mos e pranuar të vërtetën, duke mos i pranuar përgjegjësitë e krimeve të luftës dhe të gjenocidit ndaj shqiptarëve e të tjerëve në dekadën e fundit të shekullit XX. Deri më tani Serbia jo vetëm që asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj popullit shqiptar, por asnjëherë nuk e ka bërë publike të vërtetën për luftën e Kosovës as para popullit të vet. Nuk i ka bërë publike humbjet reale që i pësoi si agresor në Kosovë, nuk e ka dhënë numrin e saktë të dëmeve në njerëz që ka pësuar gjatë luftimeve. Janë bërë bajat fabrikimet, falsifikimet, montimet e gënjeshtrat me të cilat po shërbehet.

Serbia duhet ta dijë se barrën e krimeve e të gjenocidit të kryer si shtet gjatë luftës në Kosovë nuk mund t’ia bartë Ramushi, nuk mund t’ia bartë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk mund t’ia bartin shqiptarët as të tjerët. Është barrë e rëndë e krimeve mizore që nuk ia merr përsipër askush. Përndryshe, serbizmi si ideologji raciste që po vazhdon ta kultivojë dhe ta aplikojë Serbia, po del t’ua kalojë të gjitha ideologjive raciste, të shfaqura në Europë gjatë shekullit XX.

Me rastin Haradinaj drejtësia franceze po e humbë prestigjin që e gëzon në botë si shtet i të drejtës dhe i demokracisë, prandaj nuk guxon të bie pre e lajthitjeve dhe e presioneve të Serbisë. Nesër duhet ta lirojë pa kusht Ramush Haradinajn dhe t’i kërkojë falje për ndalimin e padrejtë! Shqiptarët dhe bota demokratike dhe liridashëse nesër presin drejtësi!

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe lajthitjet serbe, Drejtësia franceze, Fitnete Ramosaj

NJË LIBËR I RRALLË, KU TRAJTOHEN çështjet më të ndjeshme të sigurisë në Kosovë

September 20, 2013 by dgreca

Përkitazi me botimin e librit “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, i autores mr. Fetnete Ramosaj, botoi Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri, Prishtinë, 2013, 182 faqe. /

Nga Faton Mehmetaj*/

Ne Foto”Pamje nga promovimi i librit me 18 shtator 2013/

Libri i mr. Fetnete Ramosajt “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë” është një libër me tematikë të rrallë, pak të trajtuar nga studiues dhe hulumtues të ndryshëm vendorë e të huaj, sepse megjithatë konsiderohet si “temë e nxehtë”. Edhe përkundër kësaj, Ramosaj ka bërë një punë të shkëlqyer, në radhë të parë hulumtuese e mjaft argumentuese, duke e faktuar në mënyrë të përsosur veprimtarinë e këtyre organizatave në Kosovë. Faktikisht, libri është një përmbledhje e fakteve, e provave dhe e argumenteve, është një libër i dokumentuar që tregon në mënyrë kronologjike për aktivitetin e këtyre organizatave, të cilat datojnë qysh para 100 vjetësh e që janë aktive edhe sot, me shtrirje në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, por edhe në vende të ndryshme të Europës dhe të botës.

Edhe në këtë kohë kur rajoni po synon të integrohet në Unionin Europian, kur bota dhe Europa po bëjnë plane për një Evropë të bashkuar e unike, megjithatë organizatat ekstremiste dhe terroriste serbe, si një instrument shtetëror i Serbisë, vazhdojnë të veprojnë në Kosovë dhe në disa shtete të Europës e të botës. Përmendim këtu vetëm rastin e terroristit Breivik në Oslo të Norvegjisë, i cili deklaroi haptazi se për të kryer këtë akt është inspiruar nga organizatat sekrete serbe. Nga po të njëjtat organizata u vra ministrja e jashtme suedeze Ana Lind, pastaj gazetarja e BBC-së Jill Dando etj., për mbështetjen që i dhanë Kosovës, u vra edhe boshnjaku Shefko Sallkoviq në pjesën veriore të Kosovës etj. Duhet përmendur sulmet e njëpasnjëshme mbi popullatën civile, sukmet mbi strukturat politike serbe, që kanë kanë shfaqur çfarëdo shenje për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës, sulmet dhe vrasjet e policëve vendorë e ndërkombëtarë, sulmet e vazhdueshme me eksploziv, ku ka pasur edhe viktima, të plagosur dhe dëme të shumta materiale, vrasjet e vazhdueshme të civilëve shqiptarë, në mesin e të cilëve ishte edhe Selver Haradinaj, në pjesën veriore të Mitrovicës, pastaj sulmet e organizuara kundër disa pikave doganore të Kosovës, duke mos e anashkaluar as sulmin e 17 marsit 2008, në të cilin u plagosën rëndë e lehtë 63 pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut, 45 pjesëtarë të KFOR-it, dhe 70 protestues serbë. Ky sulm ishte përgatitur nga pjesëtarët e MUP-it dhe ushtarakët rezervë të ushtrisë së Serbisë.

Këto organizata vazhdimisht kanë bërë agresion ndaj Kosovës dhe pjesëve të caktuara të saj. Ishte pikërisht organizata e parë sekrete terroriste serbe me përmasa ndërkombëtare “Dora e Zezë” (“Crna Ruka”), që nëpërmjet degës së saj me veprim në Bosnjë “Mlada Bosna” (“Bosnja e Re”) organizoi vrasjen e Arkidukës Franc Ferdinandi, në Sarajevë, më 28 qershor 1914, për shkak se ai e kishte penguar daljen e Serbisë në Detin Adriatik. Kjo vrasje u mor si shkak për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Duhet nënvizuar se në atentatin kundër Arkidukës Franc Ferdinand,  kishte marrë pjesë pos tjerëve edhe shefi i shërbimit zbulues-kundërzbulues të Ushtrisë Serbe dhe kryesori i “Dorës së Zezë”, koloneli Dragutin Dimitrijeviq – “Apis”-i dhe Vasa Çubrilloviqi, më vonë kryetar i Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe përpiluesi e disa elaborateve famëkëqija, në të cilat në detaje parashihej shfarosja e shqiptarëve.

Për të treguar pajtueshmërinë dhe lidhshmërinë historike me veprimtarinë e organizatave ekstremiste e terroriste sekrete e gjysmësekrete serbe që trajtohen në këtë libër, me iniciativën e Vuk Jeremiqit, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u këndua kënga “Marshi mbi Drin”, nën tingujt e të cilit 100 vjet me parë u vranë e u masakruan qindra mijëra banorë shqiptarë e popuj të tjerë të ish-Jugosllavisë.

Përderisa në njërën anë, në këtë kohë kur Europa dhe bota po na sugjeron t’ia shtrijmë dorën e pajtimit Serbisë e t’ia falim krimet e terrorin që e ka bërë mbi popullin shqiptar për më shumë se 100 vjet me radhë, në anën tjetër deri më tani në asnjë rast Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por po vazhdon të na terrorizojë, të na shantazhojë e diskreditojë me të gjitha mjetet, sikurse herëve të tjera, edhe përkundër marrëveshjeve të arritura, të cilat po i përdorë vetëm për të përfituar në kohë. Në këtë prizëm duhet parë edhe nismat e institucioneve më të larta të Serbisë për rehabilitimin e Drazha Mihajloviqit, Aleksandër Rankoviqit e të tjerëve, të cilët në vazhdimësi bënë krime mbi popullin shqiptar.

Në këtë libër argumentohet se nën orkestrimin e shërbimeve sekrete serbe, në pajtueshmëri të plotë edhe me elitat politike të cilat gjithnjë kanë qenë të koordinuara me Akademinë e Shkencave të Serbisë, janë planifikuar vrasjet e krerëve dhe prijësve të popullit shqiptar, duke filluar nga Hasan Prishtina, Shtjefën Gjeçovi, albanologu i shquar Millan Shuflaj, Nazim Gafurri, Ymer Berisha, Xheladin Hana, Halim Spahia, Enver Hadrit etj. Nga kjo strukturë janë bërë planet për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë nga trojet e veta, është bërë spastrimi i kohëpaskohshëm etnik nga popullsia shqiptare, nëpërmjet terrorit dhe gjenocidit që e kanë zhvilluar në kohë lufte apo edhe në rrethana të tjera. Me qëllime të tilla organizuan ndërrimin e dhunshëm të fesë tek shqiptarët, mbylljen e shkollave dhe burgosjet dhe vrasjet e intelektualëve në zë, mohuan kombësinë dhe autoktoninë e popullit shqiptar, ua uzurpuan pronat disa herë nëpërmjet “reformave agrare”, i burgosën të gjithë ata që patën guxim t’i ngritin çështjet kombëtare, shkruan qindra libra për ta tjetërsuar e mjegulluar të kaluarën dhe historinë e shqiptarëve, bënë gjithçka për të na e mohuar gjuhën dhe flamurin. Edhe sot pa ndryshuar në asnjë dimension Serbia i vazhdon politikat e veta ndaj Kosovës, pa kurrfarë korrigjimi edhe pse në luftën e fundit bëri tmerre të papara ndaj popullit shqiptar. Për këtë arsye me të drejtë, Hasan Prishtina, në artikullin me titull “Kush e sundon Jugosllavinë”, të botuar në gazetën “Kosova” (1933) thoshte se Jugosllavia ka qenë qysh në fillim shtet i sunduar prej shoqatash të fshehta terroriste. Pothuajse të gjitha këto organizata atëherë e sot, qëllim kryesor e kanë bashkimin e të gjitha territoreve që kishin pakica të kombësisë serbe në një shtet me Serbinë dhe serbizimin e tyre. Këto organizata atëherë e sot janë përpjekur për aneksimin e Kosovës, Maqedonisë, Vojvodinës, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe tërë bregdetit Adriatik.

Duhet nënvizuar se organizata sekrete terroriste serbe “Dora e Zezë” nga e cila i kanë marrë orientimet organizatat tjera simotra, në programin dhe statusin e vet  (përkatësisht në “kushtetutën” dhe “rregulloren”), moto e kishte sloganin: “Ujedinjenje ili Smrt” (“Bashkim ose Vdekje”). Kjo organizatë dhe organizatat tjera deri në ditët e sotme përbëheshin kryesisht nga ushtarakët serbë të dalluar për aksione e sakrifica, udhëheqës të grupeve militante çetnike si dhe intelektualë të dalluar, të gjithë të kombësisë serbe, nënshtetas serbë dhe banorë të Serbisë, të përbetuar për ta kryer detyrën që parashtronte motoja e programit të kësaj organizate.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e këndej këto organizata shpesh e kanë cenuar sigurinë tokësore duke hyrë “ilegalisht” dhe me dhunë në territorin e Kosovës, siç është rasti me organizatën “Garda e Car Llazarit” e dhjetëra të tjera si kjo. Këto organizata jo vetëm që kanë bërë thirrje të vazhdueshme për luftë, por kanë kryer edhe aksione konkrete brenda territorit të Kosovës, kanë marrë përgjegjësi për aktet e kryera terroriste etj. Shumica e pjesëtarëve të këtyre organizatave kanë qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës 1998-1999, kanë marrë pjesë në masakra e në vrasje, sepse dihen me emra e me mbiemra. Të tillët sot pritet të hyjnë në Policinë e Kosovës, në MPB, në AKI e në organe të tjera të sigurisë. Kjo nuk është për t’u habitur ngase edhe pas mbarimit të luftës shumica e çetnikëve dhe kriminelëve serbë të luftës i morën pozitat më të larta në shoqëri.

Ekstremizmi serb, radikalizmi dhe nganjëherë aktet e dhunshme terroriste edhe më herët edhe gjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve kanë qenë të pranishme në Kosovë. Shpesh e kemi anashkaluar praninë e këtyre organizatave, e kemi anashkaluar, e kemi minimizuar, e kohëve të fundit e kemi bërë praktikë të mos flasim fare për to.

Megjithatë kur ndodhemi përballë argumenteve, vlerësojmë ndryshe dhe adresimet janë të qarta. Kështu ndodh kur kemi në duar librin ekskluziv “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, në të cilin adresohen çështjet më të ndjeshme të sigurisë në Kosovë. Ky libër i rrallë do t’u shërbejë strukturave të inteligjencës, AKI-së, policisë, gjyqësisë, qarqeve shkencore e politike, opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm, për të ditur realisht për ngjarjet që kanë ndodhur dhe po ndodhin në të vërtetë në Kosovë dhe rreth saj.

*Faton Mehmetaj (Dr. Kandidat i Shkencave Politike dhe  Marrëdhënieve Ndërkombëtare)

Filed Under: Kulture Tagged With: Fation mehmetaj, Fitnete Ramosaj, Organizatat ekstremiste, serbe en Kosove

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT