• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria ka bashkuar zërin e saj me nismën e rreth gjashtëdhjetë vendeve të tjera të OKB-së

September 26, 2014 by dgreca

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara/
I nderuar Zoti President, /
Shkëlqesitë Tuaja, /
Zonja dhe zotërinj!/
Është kënaqësi e madhe për mua të flas në Sesionin e 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sëpari, më lejoni t’ju përgëzoj Ju, zoti President, për zgjedhjen Tuaj në këtë post. Duke ju siguruar për mbështetjen e plotë të vendit tim gjatë këtij sesioni, unë besoj se nën udhëheqjen tuaj dhe falë përvojës së mëparshme, ju do t’i çoni më tej arritjet e paraardhësit tuaj, Sh. T. Z. John W. Ashe, i cili ka punuar me përkushtim për të arritur rezultate konkrete.
Gjithashtu, unë do të doja të përfitoj nga rasti për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për Sekretarin e Përgjithshëm, për vizionin dhe udhëheqjen e tij në krye të Kombeve të Bashkuara dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për të gjallëruar dhe reformuar organizatën.
Zoti President,
Shqipëria është e angazhuar për një OKB të efektshme dhe koherente në përshtatje me qëllimin e një sistemi shumëdimensional. Ne mbështesim forcimin e rolit dhe kontributit të Organizatës për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, për të çrrënjosur varfërinë dhe pabarazinë e për të arritur zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor dhe ekonomik si dhe për të promovuar, respektuar e mbrojtur të drejtat e njeriut si një vlerë universale e njerëzimit. Një OKB edhe më e përshtatur, me një aftësi për t’iu përgjigjur menjëherë krizave natyrore apo të shkaktuara nga njerëzit si dhe për të përdorur në mënyrë efikase burimet financiare dhe njerëzore në dispozicion, është kyçe për arritjen e këtyre objektivave në një botë gjithnjë e më të përçarë e të uritur.
Zoti President,
Mbajtja, rikthimi dhe forcimi i paqes dhe sigurisë përbëjnë njërën prej tri shtyllave të punës së Kombeve të Bashkuara. Është e pamundur që të mos njihet dhe pranohet kontributi që kjo Organizatë ka dhënë në botë, vit pas viti dhe dekadë pas dekade me kaq shumë burime, dije dhe fuqi njerëzore të investuara për t’u përballur me kriza të ndryshme e të ndërlikuara. Megjithatë, 2014-ta ka qenë e mbushur me sfida për paqen, sigurinë dhe vlerat njerëzore, duke sjellë nevojën për një përgjigje më të shpejtë e të koordinuar nga Kombet e Bashkuara.
Ndiejmë keqardhje për ngjarjet dramatike në Sudanin e Jugut, të cila kanë ndodhur atje dhe vazhdojnë të turbullojnë ndërgjegjen njerëzore. Luftimet pakuptim dhe urrejtja etnike i kanë shkaktuar aq shumë vuajtje popullsisë së pafajshme. Vetëm një zgjidhje e negociuar politike, ku të drejtat e të gjitha komuniteteve në fjalë të merren parasysh, të garantohen e të respektohen, mund të ndihmojë në rikthimin e besimit e të mirëkuptimit duke ofruar një të ardhme më të mirë për vendin më të ri në botë.
Është vështirë të gjesh fjalët e duhura për të përshkruar situatën në Siri. Pas më shumë se tre vjet luftimesh vdekjeprurëse, është bërë jashtëzakonisht e vështirë për të jetuar në atë vend. Atje kanë akte të tmerrshme. Më shumë se 170 mijë njerëz kanë vdekur, miliona të tjerë janë refugjatë, dhe pjesë të mëdha të vendit janë kthyer në gërmadha. Me vazhdimin e luftimeve dhe krimet në masë që ndodhin çdo ditë, shpresa për t’i dhënë fund luftës mbetet ende një ëndërr e largët për ata që janë ende të zënë në çark atje.
Shqipëria ka bashkuar zërin e saj me nismën e rreth gjashtëdhjetë vendeve të tjera të OKB-së për të referuar situatën në Siri në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve. Për fat të keq, si me shumë iniciativa të tjera për Sirinë, kjo përpjekje mori veton në Këshill. Ne përsërisim dhe rikonfirmojmë fuqishëm e me bindje se autorët e krimeve në Siri duhet të mbajnë përgjegjësi dhe populli i Sirisë meriton qetësi dhe drejtësi.
Zoti President,
Shumë ngjarje shqetësuese kanë ndodhur në Ukrainë gjatë këtij viti. Ajo që ne menduam se e kishim lënë pas një herë e mirë, që besonim se u përkiste vetëm në librat e historisë dhe shërbente si një mësim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, akte që shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të një vendi tjetër, që haptazi cenojnë dhe minojnë Kartën e OKB-së, u kryen për fat të keq nga një anëtar i OKB-së, një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, nga Federata Ruse. Pavarësisht nga propaganda e përhapur nga Rusia, kriza në Ukrainë nuk kishte të bënte fare me mbrojtjen e të drejtave të rusëve etnikë. Ishte shumë më e thjeshtë; ajo kishte lidhje, që nga momenti i parë, me ambicien e një vendi për të ndryshuar kufijtë e tij e për të kënaqur oreksin territorial të një fqinji më të fuqishëm.
Edhe pse Këshilli i Sigurimit nuk ka qenë në gjendje të ndërmarrë ndonjë veprim për këtë çështje, Asambleja e Përgjithshme votoi me shumicë dërrmuese për të mos pranuar aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia. Shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe Shqipërinë, e bënë të qartë mbështetjen e tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, për normat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Shqipëria ripërsërit se marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të qeverisen nëpërmjet respektimit të plotë të normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Deklaratës së Kombeve të Bashkuara. Rasti i Ukrainës nuk bën përjashtim nga kjo.
Zoti President,
Zhvillimi ka qenë i vështirë duke pasur parasysh që krizat dhe fatkeqësitë kanë shpërthyer në mënyrë të frikshme dhe bota po përjeton pasiguri. Kombet e Bashkuara kanë kontribuar duke rritur ndërgjegjësimin global ndaj sfidave, me të cilat përballet zhvillimi si dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që do të sjellin rritje ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirje sociale dhe mbrojtje mjedisore për planetin tonë.
Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (MDG) përbëjnë një nga nismat më të suksesshme globale kundër varfërisë së të gjithë kohërave. Qëllimet që mbulojnë një gamë të gjerë indikatorësh të varfërisë, urisë, shëndetit, barazisë gjinore, arsimit dhe mjedisit, Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit kanë shënuar përparim të rëndësishëm në nivel global, rajonal dhe kombëtar duke përmirësuar jetën e miliona njerëzve. Që nga viti 2005, bota ka arritur të përgjysmojë numrin e njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme, por megjithatë mbeten ende shumë gjëra për t’u bërë duke qenë se kemi vetëm disa muaj kohë nga mbarimi i afatit.
Është duke u hartuar një tjetër agjendë ambicioze afatgjatë dhe e qëndrueshme që zëvendëson MDG. Shqipëria ka marrë pjesë në mënyrë aktive në konsultimet globale të përqendruar në përfshirjen e zërit të njerëzve në agjendën e zhvillimit të pas- 2015-s. Shqipëria ka rënë dakord të testojë një objektiv të propozuar zhvillimi mbi qeverisjen dhe sundimin e ligjit, si një mjet për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm. Ne shpresojmë se përvoja shqiptare në monitorimin e qeverisjes, sundimit të ligjit, institucioneve të efektshme dhe të afta, do të kontribuojë për të informuar agjendën e ardhshme të pas-2015-ës të Kombeve të Bashkuara.
‘E Ardhmja që duam’, siç u përcaktua në Rio de Janeiro në vitin 2012, dhe puna e suksesshme e kryer nga ‘Grupi i Hapur i Punës për SDG-të’ prodhuan një propozim të mahnitshëm për objektivat e qëndrueshme të zhvillimit. Ne kemi tani, si fryt i punës së madhe për më shumë se tetëmbëdhjetë muaj, një set Objektivash të Qëndrueshme, transformuese dhe gjithëpërfshirëse, të cilat do të përbëjnë thelbin e agjendës së re pas 2015 më ambicioze me qëllim adresimin e çështjeve të papërfunduara të MDG-ve. Bota ka nevojë një herë e mirë të zhdukë varfërinë e të gjitha formave, kudo; ajo duhet të trajtojë seriozisht, me angazhim konkret dhe të vazhdueshëm, sfidat gjithnjë e më të mëdha globale të zhvillimit të qëndrueshëm si degradimi i mjedisit dhe të nxisë rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, të sigurojë akses për të gjithë në drejtësi dhe të ndërtojë institucione efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet.
Ndërkohë që kjo agjendë e re e zhvillimit ambicioz është duke u finalizuar, Sistemi i OKB-së duhet të jetë në gjendje të përgjigjet shpejt, të përshpejtojë procesin e reformave dhe të përshtatet në situata dhe realitete që të maksimizojë rezultatet. Ne kemi përkrahur gjatë të mirat që qasja e Programit “Një OKB” sjell për efektshmërinë dhe përkatësinë e Kombeve të Bashkuara në të gjitha nivelet. Përshëndesim miratimin e Procedurave Standarde të Veprimit të UNDG për ‘Arritjet si Një OKB’ dhe planin e saj të lidhur të veprimit për thjeshtimin dhe harmonizimin e procedurave. Është koha për t’u përqendruar në mënyrë të vendosur mbi rezultatet dhe shpërndarjes së bazuar në rezultate për të rritur parashikueshmërinë e financimit të Programit ‘Një OKB’ të Kombeve të Bashkuara.
Zoti President,
Terrorizmi mbetet një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe lufta kundër terrorizmit mbetet një përparësi që kërkon një angazhim më të madh. Ne jemi të vetëdijshëm se ky kërcënim global mund të adresohet vetëm me veprime kolektive dhe një përgjigje të fuqishme. Shqipëria dënon në mënyrën më të fuqishme të gjithë aktet terroriste kryer nga grupet dhe organizatat terroriste në Irak dhe Siri, përfshirë dhe veçanërisht ato nga ISIS-i. Të vetëdijshëm se terrorizmi është një kërcënim që s’njeh kufij, një kërcënim për vendet dhe rajonet e veçanta por gjithashtu për vlerat dhe parimet njerëzore, Shqipëria i është bashkuar koalicionit ndërkombëtar të krijuar së fundmi me qëllim frenimin dhe shkatërrimin në fund të ISIS-it.
Zoti President,
Integrimi Evropian dhe bashkëpunimi në rajon si dhe situata gjeopolitike dhe e sigurisë në Evropë ka ndryshuar dukshëm në muajt e fundit. Ballkani Perëndimor, pjesë e të cilit është vendi im, është një rajon shumë i rëndësishëm gjeostrategjik evropian dhe një rajon që është plotësisht i angazhuar kohët e fundit në rrugën e forcimit të stabilitetit politik, progresit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm, forcimit të bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe konsolidimit të paqes. Perspektiva evropiane është garancia më e mirë për arritjen e këtyre objektivave në rajonin tonë. Ne jemi të angazhuar për të zgjidhur çështjet dypalëshe sa më shpejt të jetë e mundur, në interes të popullit tonë dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se një sërë masash duhen miratuar për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne, si të gjitha vendet e rajonit, kemi shprehur gatishmërinë tonë për të kryer reforma të përbashkëta që do të rrisin stabilitet ekonomik, rritjen e begatisë për qytetarët tanë, hapjen e tregjeve dhe thithjen e investimeve të huaja.
Nga këndvështrimi ynë, zgjerimi i Bashkimit Evropian është një proces i bazuar në rezultate, që do të mundësojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti përbën një inkurajim të rëndësishëm për intensifikimin e procesit të reformave për vendin tim, që do të çojë në hapjen e bisedimeve të pranimit në Bashkimin Evropian.
Zoti President,
Republika e Kosovës është një nga anëtarët e komunitetit tonë të Ballkanit Perëndimor, dhe shteti më i ri i rajonit. Në më pak se 6 vite, Kosova ka mundur, nëpërmjet një agjende transformuese zhvillimi, të sigurojë njohje të pandërprerë ndërkombëtare dhe të integrohet në mënyrë të suksesshme në organizatat ndërkombëtare rajonale dhe globale si Banka Botërore, FMN-ja, BERZH-i, BEZH-i, Komisioni i Venecias, SEECP-i, etj. Kosova është kthyer në një faktor të rëndësishëm të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Shqipëria mbështet plotësisht zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës ashtu si dhe stabilitetin dhe stabilitetin e integritetin territorial të Kosovës me kufijtë aktual.
Përparimi i Kosovës, atmosfera e re në rajon dhe nevoja për të shtyrë përpara mbarë rajonin drejt rritjes së bashkëpunimit dhe begatisë, kanë shtruar rrugën për bisedime të suksesshme të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë, si dy partnerë të barabartë në gjetjen e zgjidhjeve konkrete për çështjet teknike të rëndësishme për qytetarët e tyre. Koha ka treguar se angazhimi në dialog ka qenë një vendim i mençur. Dialogu ka prodhuar rezultate konkrete, i ka sjellë të dy vendet më afër njëri-tjetrit dhe ka lehtësuar e përshpejtuar rrugëtimin e integrimit evropian për të dyja shtetet. Shqipëria mbështet plotësisht procesin e dialogut dhe bën thirrje për zbatimin e plotë për marrëveshjeve të arritura.
Kosova është njohur deri më sot nga 108 anëtarë të Kombeve të Bashkuara, shumë më tepër se gjysma e anëtarësisë së OKB-së. Njohja ka qenë pa dyshim një faktor i rëndësishëm në përparimin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse, sikurse dhe më parë, ne u bëjmë thirrje vendeve që ende nuk kanë njohur Kosovën, ta njohin atë, sepse kështu ata do të ndihmonin jo vetëm popullin e Kosovës të përparojë drejt të ardhmes, por do të kontribuonin gjithashtu për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ne mbetemi të bindur se zbatimi i plotë dhe i shpejtë i Marrëveshjes së Ohrit është kusht i domosdoshëm për stabilitetin e qëndrueshëm të Maqedonisë, konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si edhe për të përmbushur dhe vënie në jetë të të drejtave të shqiptarëve.
Shqipëria inkurajon vazhdimin e dialogut ndërmjet autoriteteve në Beograd dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës për promovimin e të drejtave të tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare, me fokus të veçantë zgjidhjen e problemeve ekonomike, sociale, arsimore dhe kulturore.
Zonja dhe zotërinj,
Gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria u transformua nga një shtet totalitar në një demokraci funksionale. Përparimi është i qartë, mbi të gjitha, në fushën e të drejtave të njeriut. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut është një nga përparësitë kombëtare dhe pjesë e politikës së jashtme të Shqipërisë. Shqipëria ofron një model të vlefshëm të respektit për larminë, tolerancën dhe bashkëjetesën për rajonin e Ballkanit e më gjerë.
Për popullin shqiptar, toleranca dhe mikpritja janë vlera të qenësishme që rrjedhin nga tradita jonë kombëtare.
Prezantimi i kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësim në Këshillin e të Drejtave të Njeriut për periudhën 2015-2017 është i lidhur ngushtë me rrugën tonë drejt ndërtimit të një shoqërie të bazuar tek të drejtat e njeriut. Ne jemi të bindur se Shqipëria mund ta ndajë përvojën e saj të vlefshme demokratike të grumbulluar ndër vite me vendet e tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara. Për më tepër, duke rikonfirmuar unversalizmin, pandashmërinë dhe ndërvarësinë e të drejtave të njeriut, Shqipëria është e përkushtuar për të sjellë në diskutimet e Këshillit një perspektivë kombëtare dhe rajonale në shqyrtimet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën.
Ne jemi të vetëdijshëm se anëtarësimi në Këshill për periudhën 2015-2017, përbën një sfidë dhe përgjegjësi të madhe për të justifikuar mbështetjen e shteteve anëtare të OKB-së. Nga ana tjetër, anëtarësimi në KDNJ (HRC) do të shërbejë si një shtysë për vendin tim në demokratizimin e tij të mëtejshëm dhe në rritjen e standardeve të të drejtave të njeriut. Prandaj, Shqipëria, pasi të ketë marrë miratimin nga grupi i vendeve të Evropës Lindore, mirëpret dhe vlerëson mbështetjen e të gjitha vendeve të tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara për kandidaturën e saj në këtë Këshill.
Në përfundim, Zoti President, dua të konfirmoj edhe një herë se Shqipëria është plotësisht e vendosur të vazhdojë të mbështesë agjendën e OKB-së dhe të forcojë rolin e Kombeve të Bashkuara në rrafshin global.
Ju faleminderit!
25 shtator 2014-New York

Filed Under: Featured Tagged With: e Pergjithshme, Fjala ne Asamblene, OKB, presidenti Nishani

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT