• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOMBËTARJA- Flet traineri Reja:”Objektivi ynë është për të fituar dhe t’u kualifikuar”

November 9, 2020 by dgreca

Përgatiti:Albano Kolonjari-

Kombëtarja kuqezi do të luajë tre ndeshje gjatë muajit nëntor në Shqipëri. Me Kosovën miqësore më (11/11) në stadiumin “Elbasan Arena”. Dhe dy ndeshje zyrtare të vlevshme pëe Ligën e Kombeve kundër Kazakistanit (11/15) dhe Bjellorusisë (11/18) në stadiumin kombëtar “Air Albania” në Tiranë. Por për teknikun Reja dhe Kombëtaren kuqezi, telashet nuk kanë të sosur. 10-të lojtarë nuk do të jenë të pranishëm për këto tre takime, dhe pritet që kjo listë të zgjerohet për shkak të situatës të krijuar nga Covid-19. Portieri Strakosha është “izoluar” nga ekipi i Lacios (së bashku me Immobile dhe Leiv ) pasi konfuzionit të krijuar gjatë testit për Covid-19, kur një herë dolën pozitiv dhe një herë negativ. Në listën e atyre që nuk mund ti bashkohen Kombëtares janë edhe Mihaj, Dermaku, Roshi, Lenjani, Kamberi, Çekiçi, Mersinaj, dhe Bare për shkak dëmtimesh ose rregullve të krijuara nga klubet dhe vendet në të cilat ata luajnë.  Në pikëpytje është edhe Trashi për shkak të rregullave të shtetit të Kuëaitit për Covid 19. Tekniku Reja ka thirrur në kombëtare Ledian Memushaj për të “dirixhuar” mesfushën dhe Sokol Çikalleshi në sulm. Kombëtares Shqipëtare për të siguruar kualifikimin në Ligëen e Kombeve do ti duhet të fitojë të dyja ndeshjet me Kazakistanit dhe Bjellorusisë. Në Ligën C në grupin e katërt udhëheq Bjellorusia me shtatë pikë, ndërsa Shqipëria dhe Lituania kanë nga pesë pikë. 

– Mister, ju shqetëson fakti që një pjesë e lojtarëve kryesisht që luajnë në repartin ofensiv, nuk kanë minuta? A keni një diskutim me klubet nëse do të kemi situatë si muajin e kaluar ku një pjesë e lojtarëve nuk iu bashkuan kombëtares për shkak të rregullave të vendosura prej pandemisë?

– Sigurisht që jam i shqetësuar për këtë situatë dhe për problemet që kemi me klubet. Është e vërtetë, sidomos klubet italiane që kanë rregulla të veçanta dhe mund të na nxjerrin probleme. Dhe pikërisht aty kemi edhe disa lojtarë që luajnë, të repartit të mbrojtjes. Ne kemi pasur kontakte vazhdimisht gjatë këtyre ditëve, edhe Federata ka kontaktuar nga ana e saj, edhe unë, edhe Presidenti është angazhuar për zgjidhjen e këtyre problemeve, por është një problem i përgjithshëm që e kanë të gjitha vendet dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Kemi tre ndeshje, përpara kemi ndeshjen me Kosovën që është një miqësore por pastaj kemi ndeshjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë që janë ndeshje zyrtare. Janë ndeshje shumë të rëndësishme.

Sigurisht, unë dua të kem të gjithë lojtarët më të mirë të gatshëm për këto ndeshje, por patjetër që kam dyshime sa i përket listës, për mundësitë që do të kenë të gjithë lojtarët për të ardhur për t’u grumbulluar me ekipin. Uroj të mos kemi, thashë që kemi probleme në aspektin mbrojtës, pra lojtarët që mund të mos vijnë, mund të bllokohen nga klubet.

Dhe do të presim, kam besim që deri të martën, te kem një panoramë të qartë siç e thashë të lojtarëve që do kem në dispozicion. Sigurisht do kem shumë pak kohë për të përgatitur ndeshjen miqësore me Kosovën. Por shpresoj dhe kam besim që do kemi lojtarët më të mirë në grumbullim.

– Janë dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve. Në qoftë se nuk arrihet objektivi për të dalë të parët, a mund të cilësohet si një dështim dhe si e komentoni përgjigjen e qeverisë, e cila nuk lejoi rikthimin e tifozëve për këto tre ndeshje?

– Lidhur me objektivat që ka kombëtarja, dy ndeshjet e fundit që ne patëm në Nations League, objektivi ishte për të marrë katër pikë por morëm dy pikë. Në ndeshjen e parë bëmë një paraqitje diskrete ndërsa në ndeshjen e dytë bëmë një paraqitje më të mirë. Patëm shumë raste për shënim, por nuk arritëm të finalizonim, gjë që na penalizoi.

Sa i përket dy ndeshjeve të ardhshme zyrtare, janë dy ndeshje që ne duhet t’i fitojmë. Pra objektivi ynë është për të fituar, pavarësisht problemeve që kemi me lojtarët. Sigurisht, objektivi ynë ka qenë vendi i parë dhe mbetet akoma ai objektiv që ne të arrijmë në vend të parë. Kemi mundësi të marrim pikët e duhura që na sigurojnë këtë vend. Do të japim maksimumin për të arritur këtë objektiv deri në fund.

Sa i përket tifozëve, unë kam parë edhe në Itali, duken ndonjëherë sikur shikojmë ndeshje miqësore kohët e fundit, për shkak se nuk ka tifozë në shkallët e stadiumit. Sigurisht, nuk është një futboll natyral pa publik. Më vjen shumë keq, për shkak se në ndeshjet në shtëpi ndihet shumë mungesa e tifozëve. Por ky është realiteti, është një problem i përgjithshëm dhe duhet të mësohemi me këtë situatë. E rëndësishme për ne është të luajmë futboll. Është një futboll ndryshe por tani jemi mësuar dhe shpresoj që të mos na krijojë probleme mungesa e tifozëve.

– Mister, në këto ndeshje, do të jetë një sulm i ri apo një sulm me përvojë duke qenë se në listë kanë ardhur Cikalleshi dhe Balaj?

– Ne në ndeshjet e fundit kemi pasur mundësi të bëjmë disa testime, disa prova sa i përket sulmit. Kemi parë Brojën, i kemi dhënë mundësi, e kemi parë në fushë, në ndeshje, ka bërë një paraqitje të mirë. Dhe me klubin po bën shumë mirë. Pastaj, kemi provuar edhe Kallakun, të cilin më në fund arrita ta shoh në aksion. Por ndeshja me Kosovën do të më shërbejë për të bërë disa vlerësime për situatën e grupit dhe për lojtarët e rinj sigurisht. Por ndeshjet vendimtare për ne janë ndeshjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë. Absolutisht nuk e nënvlerësojmë Kosovën, është një ekip shumë kompetitiv, do jetë një ndeshje vëllazërore. Kjo ndeshje ka rëndësinë e vet, sidomos për disa lojtarë që nuk kanë luajtur shumë në ndeshjet e fundit dhe është një mundësi e mirë për mua që të shoh prapë lojtarë të rinj, të bëj disa prova. Gjithsesi shqetësimi im siç e thashë është të shoh të gjithë lojtarët që do të kem në dispozicion. Të hënën do kem thuajse të gjithë grupin dhe do të kem vetëm një ditë për të përgatitur këtë ndeshje kështu që shpresoj të marrim maksimumin.

– Historinë e lidhjes së Shqipërisë me Kosovën, trajneri e ka të qartë. Gjithsesi, nuk e di nëse e ka të qartë që në vitin 2018, pas miqësores me Kosovën, filloi të shkërmoqet edhe projekti i Panuçit. Pra, përpos dy ndeshjeve të fundit dhe detyrimit për të fituar Ligën e Kombeve, a mendon se dhe kjo miqësore përballë Kosovës mund të ndikojë te projekti që trajneri Reja ka me kombëtaren shqiptare?

– Nuk e shoh me vend krahasimin me atë që ndodhi pas ndeshjes me Kosovën dy vjet më parë. Sigurisht, Kosova ka rëndësinë e saj si takim. Shqetësimi im kryesor është të kem të gjithë lojtarët në dispozicion, të kem të gjithë grupin dhe siç e theksova, dy ndeshjet zyrtare për mua kanë rëndësi më të madhe, sigurisht pa i hequr rëndësinë miqësores me Kosovën. Unë e shoh realitetin në sy, pra duke parë situatën në të cilën jetojmë, me pandeminë, me dëmtimet etj., punoj me të rinjtë, por sigurisht që projekti vazhdon. Duam që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë, sigurisht sa herë zbresim në fushë, objektivi ynë është që të fitojmë. Këto tre ndeshje kanë ardhur, sërish në një moment shumë të vështirë për të gjithë. Jemi Shqipëria! Shqipëria gjithmonë luan për të fituar dhe unë jam i bindur që lojtarët që do zbresin në fushë në ndeshjet e radhës do japin maksimumin dhe të marrim prapë maksimumin në të tria ndeshjet.

-Mister, në listë ka 7 sulmues dhe vetëm 4 qendërmbrojtës, duke mos e harruar edhe Çepelen që bëhet i pesti. Mos ndoshta do jeni i shtrënguar që të ndryshoni skemën në dy ndeshjet zyrtare?

– Po, sigurisht që skema mund të ndryshojë. Skema bëhet në varësi të lojtarëve që ne kemi në dispozicion. Sigurisht, nëse disa nga lojtarët e mbrojtjes që i përmendëm pak më parë, nuk do kenë mundësi të bashkohen me skuadrën, për shkak se mund të bllokohen nga klubet, do të na duhet të gjejmë një zgjidhje tjetër. Deri tani mund të them që Veseli, Ismajli dhe Gjimshiti kanë dhënë ok për të ardhur. Trashi është akoma në pikëpyetje, Hysaj e kemi llogaritur, por gjithçka mund të ndodhë deri në momentin e fundit. Sigurisht nëse do kemi mungesa të tjera, unë do ta rishikoj skemën nuk diskutohet. Gjasula mund të vijë të martën ose të mërkurën në mëngjes, kështu që mund të mos e llogaris për ndeshjen me Kosovën, pra është gjithmonë me pikëpyetje, por sigurisht do jetë për dy ndeshjet e tjera. Mund të bëj ndonjë provë, mund të provojmë skemën 4-3-1-2.

Skema bëhet nga trajneri, por varet nga lojtarët që kemi në dispozicion. Moduli i lojës që kemi përdorur deri tani, na ka dhënë garanci, edhe në ndeshjet e fundit, skema ka funksionuar por thjesht nuk kemi pasur fat përpara portës. Unë dua që mesfushorët dhe krahët të shtyjnë shumë përpara dhe të kemi 5-6 lojtarë që janë të pozicionuar në fazën mbrojtje, por sigurisht ta mbështesin, ta shtyjnë ekipin përpara. Patjetër, mund të ketë ndryshime të skemës.

Sigurisht, unë në karrierën time kam përdorur shumë skema, nuk është se jam i fiksuar pas njërës skemë, por për ndryshimin e një skeme duhet kohë, duhen testuar lojtarët, duhen provuar në ndeshje etj. Ajo që mund t’ju them është që lojtarët janë përshtatur me këtë skemë, ndihen të sigurt. Nuk është se unë kam vendosur këtë skemë dhe ekipi nuk është përgjigjur. Jo, ekipi është përgjigjur mirë, por janë situata që do t’i shohim në vazhdimësi. Për skemat jam i hapur, por varet nga lojtarët.

Lista e plotë

Etrit Berisha

Alban Hoxha

Marko Molla

Elseid Hysaj

Ardian Ismajli

Berat Gjimshiti

Marash Kumbulla

Frederik Veseli

Rramen Cepele

Albi Doka

Lorenc Trashi

Hysen Memolla

Ledian Memushaj

Klaus Gjasula

Enis Cokaj

Amir Abrashi

Lindon Selahi

Qazim Laci

Sherif Kallaku

Ylber Ramadani

Bekim Balaj

Xhakomo Vrioni

Armando Broja

Taulant Seferi

Sokol Cikalleshi

Rei Manaj

Myrto Uzuni

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Flet Reja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT