Nga Fahri Dahri/
Kam ecur nëpër vende të ndryshme gjatë jetës. Kam banuar dhe shikuar në shumë fshatra si të varfra dhe të begata, qytete të niveleve të ndryshme për nga madhësia dhe bukuria. Kam parë dhe jetuar në shtete të ndryshme brenda dhe jashtë kontinentit tonë. Jam rritur me familje të plotë, me prindër, motra dhe vëllezër. Kam mësuar në disa shkolla me mësues e pedagogë të vendit dhe të huaj. Po ashtu kam punuar me njerëz të niveleve kulturore dhe arësimore, me bindje politike dhe besime fetare të ndryshëm, me asnjanjës, moskokëçarës, të pavëmëndshëm, po dhe me karaktere të kundërt, gënjeshtarë, shpifës, grindavecë, kapriçiozë, egoistë, mëndje mëdhenj, karagjozë, shkatërrues, mosmirënjohës, sikundër kam punuar edhe me njërës të humorit, shakaxhinj, tolerues, dashamirës, seriozë, të drejtë dhe të përgjegjshëm. Kjo është e vërteta. Sigurisht kjo nuk është vetëm e vërteta ime, por e shumë njerëzve, të djeshëm dhe të sotëm, sepse kjo është vetë jeta.
Kështu po mendoja një ditë i ulur në karrike në sallën e një aeroporti madhështor në pritje për të udhëtuar drejt vendit tim. Me këto realitete të shkuara vazhdova duke i risjellë ndërmend me përfytyrim edhe gjatë tre orë e gjysëm fluturime, kur piloti njoftoi se mbas 20 minutash do të fillonte ulja në aeroportin e Rinasit.
Të nesërmen u ndesha me shqetësimet, telashet, hallet dhe dëshpërimet e njerëzve, të cilat për orë dhe ditë të tëra diskutohen nëpër tavolinat e “Bareve”, duke pirë kafe, apo qoftë dhe një gotë ujë. Të gjitha këto, sipas shokëve dhe miqve të mi, bëheshin për të mposhtur hidhërimet, sikletet, recetë e sajuar për lehtësimin e anktheve të pashërueshme.
Njëri nga shokët, i menduar filloi të fliste me vargjet e Millosh Gjergj Nikollës, nga “Apoteozat e misrit” (hyjnizim). E shikuam me dhimbje, por dhe me një buzëqeshje të lehtë, shprehje miratimi; njëkohësisht të dëshpëruar ndaj gjendjes së mjeruar, “statukuosë” të këtij vendi dhe populli, si atëhere, në fillimet e “Shekullit të Ri” migjenian.
Gjatë ditës, javës, muajit, apo vitit, ndodh diçka në jetën e njeriut, e cila lë mbresa të forta, ngulitëse, që nuk të shqiten nga mendja, bile pa e fetarizuar, ndjen shqetësime në gjumë, përpëlitje, siklete, pse jo, të shfaqen ëndrra palidhje, efektet e ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur dhe që të therin në shpirt. Nuk ka njeri nga shoqëria shqiptare që të mos ndjejë shqetësim, ankth, dëshpërim për situatat që po kalon vendi dhe banorët e saj. E shkuara iku si iku, të gjithë e dimë. Për fëmijët tanë, mbi 30-vjeçarët e sotëm u gëzuam se “ u hodh lumi”, menduam se shpëtuan nga varfëria, nga ndrydhja, nga çensura e djeshme deri edhe brenda familjes, nga spiunllëqet, nga “burgjet” klasore e mbiklasore, dhe u “turrëm” drejt demokracisë së shumëpritur.
Sa shpejt na ikin vitet, kemi kaluar njëçerek shekulli me “demokracinë”, përsëri vuajtje, varfëri, papunësi, skamje ekonomike, politike, skamje dhimshurie, pa e tepruar edhe hapa mbrapa nga ana sociale, e dukshme tek largimet e afro gjysmës së popullisë. Shqetësime të të gjitha llojeve, janë të pranishme tek mbi 85 % e familjeve shqiptare, duke filluar nga uji, buka, shtrenjtësi kudo, papunësi, vjedhje, korrupsion, ryshfete, trafiqe disallojesh, padrejtësi e vendosur nga “drejtësia”, pasiguri e vendsosur nga “siguria”, jopolitikë e bërë nga “politika”, ekonomi e vjedhur nga “eko-bankierët”, arsimim nga “të paarsimuarit”, morali diktohet nga “imoralitetet”, etj.
Të përmbledhura, sipas të veçantave, specifikave, individëve, grupeve apo shtresave të popullsisë, rezultatet e arritura janë të prekshme, të dukshme dhe të pranishme tek të gjithë, ashtu siç dhe dihen. Shqipëria e pas nëntëdhjetës, përballë shpresave, synimeve, përpjekjeve për të ndryshuar gjithçka, ka arritur të shfaqet me forma të reja, ashtu siç ishte në realitetet e vjetra, gjendja ekonomiko-sociale, me gjithë programet, projektet, premtimet, ka ngecur tek shkallët e grupeve shoqërore të korrupsionit, të trafiqeve, të nepotizmit, militantizmit, të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë.
Sot, duam nuk duam, na vjen mirë, apo nuk na vjen mirë, Shqipëria është ndarë në dy pjesë (jo të barazpeshuara). Shqipëria qeveriset (në fakt duhet thënë çqeveriset) nga dy pushtete paralele, njëri ligjor dhe tjetri partiak. Kuvendi i ndarë në dy pjesë, të cilat nuk shprehen për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit, por flitet me zëra të çjerrë për parimet demokratike, të cilat çdo forcë politike kur merr pushtetin i anashkalon dhe kur ikën nga pushteti vazhdon dhe ligjëron me patos të madh për ato parime, duke sulmuar palën në pushtet edhe për veprimet e mos veprimet e saj kur ishte në pushtet.
Një lëmsh i endur në vegjet e djallëzisë, një labirinth i ndërrtuar me pasqyra të zeza. Është kjo gjendje e rëndë, që shqetëson shqiptarët dhe që krijon vuajtje, ligështi, ankth, dëshpërim. Nisur nga realitetet e dukshme, në analizë të pavarur, më tërhoqën vëmëndjen tre objekte ndërrtimi shekullore, mesjetare, të cilat na vijnë në ditët tona, veç realitetit ekzistues edhe në formën e legjendave, baladave. Mendoj se këto duhen gjykuar dhe analizuar me kujdes, pikërisht për qenien e tyre vërtet si legjenda, balada apo janë profecira që na kanë treguar dhe tregojnë fatin e banorëve të trevave Ilire deri në mesjetë dhe shqiptarëve sot? Le të njihemi me to.
Ura e Mitrovicës, tregon veriun e banorëve etnikë shqiptarë. Kështjella e Rozafës, është mesi i banorëve shqiptarë dhe Ura e Artës, jugun e etnisë shqiptare.
Çfarë na tregojnë baladat apo legjendat për këto tre objekte të ndërtuara në hapësirën ku prehen, dergjen dhe jetojnë shqiptarët. Të tre këto objekte janë ndërrtuar secila nga tre vllezër, nga një nuse për flijim dhe nga tre vjet punë?
I.- Ura e Shenjtë, në veri.Nja tre vllazën, tre t’hasjanë; kankan çue e janë ra n’Gjakovë; të tre mjështër ishin kanë; shum haletet po i tubojnë; n’stom të Drinit ata po shkojnë; Urën e Shejt kanë nisë p’e marojnë. Nja tri vjet n’to po punojnë; nja tri vjet n’to kanë punue; hiç qemer s’po mujnë me i vnue; dishka natën jav kish rrxue; Të tre vllaznit shka kanë punue; nërmjet yeti janë kuvenue;- Domë m’u nalë ni natë m’e rue; me pa zidin kush â tuj na rrxue; -që tri vjet jem tuj punue; puna marë s’asht tuj na shkue; qemer ures s’po mujmë me i vnue; trupi i jonë krejt ka marue…
II.- Kalaja e Rozafës në Shkodër. Dihet se emri i kështjellës është i lidhur me Legjendën e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës ishte kushti për të pranuar sakrificën, ishte lën’ja e anës së djathtë të trupit: «sýnin e djathtë që t’shoh birin t’em, krahun e djathtë qi t’a mbâj, gjinin e djathtë qi t’a ushqej, kâmben e djathtë qi m’e përkûnd djepin», që të kujdesej për të birin e sapolindur. Ndër tre nuset e tre vëllezërve, nusja e vëllait të vogël, sapo kishte lindur fëmijën, u bë fli për qendresën e punimeve të kalasë.
III.- Ura e Artës, qytet jugor në Çamëri.Fat të njëjtë gjejmë edhe gjatë ndërtimit të urës së Artës, e cila po nga tre vëllezër ndërtohej ditën dhe prishej natën, dhe për të siguruar qëndresën duhej flijuar një nuse. Në rastin e Urës së Artës, ndodhia na vjen me vargje, në dialektin e shqiptarëve të Çamërisë, e cila këndohet edhe në ditët e sotme, sidomos gjatë bregdetit të Artës: “Tre vllezër kaha Lluri; Ki Panua, ki Mihal Guri; Kiçua i vogël si nuri; Të tre vllezër jemi; Dizet punëtorë kemi; Urën e Nartës dërtojmë; Natë e ditë nuk pëshojmë; Dot në këmbë se qëndrojmë; Tre vllezër duarartë; Po dërtonin urë në Artë; Ura ditën lartësonej; Vinte nata e rrëzonej; Vjen atje një plak magjistar;“O fatkeqër punë të barë; Kur një nuse të flijoni; Urën e Artës do mbaroni!…”
Siç vihet re, në të tre rastet kemi ngjashmëri baladash lidhur me ndërtimet, që tregon se zakoni i murosjes së gruas ka qenë i egër, por me kohë, kaloi shkallë-shkallë në flijim bagëtish apo shpendësh. Më pas dihet, murimi i njeriut të gjallë u zëvendësua me murimin e hijes së tij, duke murosur një fill pe, në masën e një trupi, ose kanë murosur një bust druri të një vajze të re.
Edhe gjatë ndërtimit të një shtëpie, të një ndërtese tjetër apo të një ure, theret zakonisht një dash, por edhe një gjel ose pulë, kokat e të cilave zakonisht i hedhin në themelet e shtyllave të urës. Në çdo themel të banesave shqiptare është patjetër koka e një “flije”, zakonisht e një dashi. Ditën kur kryhet “flija” dhe muroset koka e kafshës, ndërtuesit dhe pjesëtarët e familjes e festojnë. Sidoqoftë, në të tre rastet kemi tre vëllezër, tre nuse, tre ndërtime në tre vjet dhe që kryhen tre “flijime”.
Pavarësisht kalimit nga tradita e vjetër në një të re, qëllimi nuk është tek përqëndrimi i murosjes, por tek ekzistenca e një veprimi që siguron mbijetesën, qëndrueshmërinë e një objekti, në rastin tonë të shoqërisë shqiptare për të siguruar ecjen përpara të saj.
Legjendat që shtrihen në trupin e shqiptarizmës, vallë mos duan të na kujtojnë diçka që neve e kemi harruar? Mos vallë ka diçka që fshihet pas tyre dhe që ne duhet ta zbulojmë? Mos vallë është profeci, që shqiptarizma të jetë e bashkuar duhet të sigurojë unitet të qëndrueshëm, e, për këtë duhet të sakrifikojë në emër të prishjes së “syrit të keq”? Nëse shkëputemi për një çast nga të thënurit se janë bestytni, le të ndalemi për të parë realitetet në sy se ku qëndron “syri i lig” për ne!
Dikur ilirët i bënë karshillëk romakëve. Romakët përdorën metodën “përça dhe sundo”, joshjen dhe stimuluan tradhëtinë brenda mbretërisë ilire. Në përfundim ata fituan. Iliria u nda në katër pjesë, ku pjesa veriore e këmbës së urës ilire u shkërmoq, u asimilua.
Mesjeta e gjeti Arbërinë dhe Epirin të përfshirë në Perandorinë Bizantine, e cila u drejtua edhe nga perandorë të racës me prejardhje ilire, por u shërbyen interesave perandorake dhe privilegjeve vetiake. Ishte koha kur “syri i keq” ra në letargji, në saje të bashkimit dhe unitetit të fiseve u lidh “besa” mes principatave. Arbëroro-epirotët mbrojtën jo vetëm feudet e tyre por dhe Europën nga shembja e “urave” dhe “kështjellave”.
Më pas përsëri “syri i keq” apo “magjia e zezë” u rizgjuan, kur Arbëria dhe Epiri u gjendën mes dy pashallëqeve të mëdha dhe të fuqishëm, me mbështetje të sigurtë nga sulltanati. Të dy pashallarët shqiptarë u përfshinë nga egoizmat ndaj njërit-tjetrit, me vizion deri tek hundet e tyre, të joshur nga “gradat” i shërbyen interesave perandorake, gëlltitën kapadaillëkun, mendjemadhësinë duke dëmtuar popullin me shkatërrime, vrasje, tradhëti.
Po kështu vazhdoi historia edhe me periudhën prej Pavarësisë deri në vitin 1944. Luftë për pushtet personal, ndarje dhe copëtim të Shqipërië mbi baza fisnore, apo feudale deri në tradhëti, duke e dorëzuar vendin pa rezistencë shteteve të huaja. Erdhi epopeja e Luftës për Çlirimin nga okupatorët. U ngrit i madh e i vogël në mbrojtje të vendit. U çlirua Shqipëria. Përsëri nuk na u shqit “syri i keq” i shoqëruar edhe me “magjinë e Zezë”. Hasmëri dhe ndasi mes vetvetes. Disa “komunistë”, disa “Ballistë”, disa “Legalistë”. Ligjërata nga më të shëmtuarat për të ulur prestigjin e njëri-tjetrit, luftë klasash, gjykime, pagjykime, vrasje, burgosje, internime, deri në eliminimin moral dhe fizik edhe të vetë “elitës udhëheqëse” nga njëri-tjetri. Iku dhe epopeja e komunisto-socialistëve. Populli dhe vendi, ecte me shpirt nëpër dhëmbë, i vrarë, i sakatosur, i ngjyrosur me nofkat komunist, ballist, legalist, kulak, armik.
Epope e vuajtjeve, mjerimit, izolimit dhe e përçmimit mes të dy palëve, si e komunistëve ndaj ballisto-legalistëve ashtu dhe e ballisto-legalistëve ndaj komunistëve, pa gjykuar se veçimet specifike rëndonin në shpirtin, zemrat e vllezërve të një gjaku, të të njëjtit popull, të së nëjëjtit fis apo familje, ku njëri ishte armik, kulak dhe tjetri komunist dhe për hir të së vërtetës, spiunoheshin, akuzoheshin mes tyre, për idealet e partive përkatëse. U arrit krijimi i një “morali” deri antifamiljar. Tymi fjollë i “Magjisë së Zezë”.
Erdhi demokracia. I gjithë populli, “i pangjyrosur” doli në rrugën e shpresës, në sheshet e përbashkëta, brohoriste për demokracinë, për një jetë pa vuajtje, larg burgosjeve politike, ideologjike apo fetare, për lirinë e fjalës, për shkëputjen nga intrigat, tradhëtitë, internimet, dallimet klasore, për të hyrë në epokën e dëshiruar të “Rilindasve”, drejt një shoqërie të denjë, europiane demokratike. Po besonim në mbytjen e “syrit të keq”, atë që na kish shembur urat, kështjellat, unitetin vllazëror, që na kishte lidhur “duar” e “këmbë”. Po gëzonim se “Urat”, “Kështjellat“ që do ndërtonim në vazhdim, nuk do të kërkonin më flijime, por do të siguronin qëndrueshmëri e siguri edhe për brezat.
Por nuk ishte e thënë. “Syri i keq” i bashkuar me “magjinë e zezë”, nuk u shqitën po thuaj gjatë këtij çerekshekulli. E njëjta sëmundje, urat, kështjellat nuk kanë qëndrueshmëri, në mos njëra këmbë, tjetra do rrëzohet, jo se mungon uji, çimento, hekuri, apo mjeshtëria, jo asnjëra. Na mungon “flijimi” për të mposhtur “syrin e keq”, dhe “magjinë e zezë”.
Ku ta gjejmë këtë “flijim”, për të hequr “syrin e keq”, “magjinë e zezë”? . “Syri i keq”, ashtu si gjahtari, e drejtoi shënjestrën tek orientimi i vazhdimit të fenomenit “luftë klasash”, por në drejtimin e hakmarrjes ndaj të së djeshmes.
Njerëzit vazhduan toprrotullimin sa majtas, djathtas, para, mbrapa, duke u marrë orë e çast me të djeshmen. Mllefi, ndasia vazhdojnë me epërsi, herë të njërit krah dhe herë të tjetrit, pa e kuptuar se këta njerëz që toprrotullohen janë po vetë ata, por është “syri i keq” që shemb urat e unitetit vllazëror, kështjellat e qendrueshmërisë. Mjerisht nuk kuptohet se baza e të vepruarit me këtë mënyrë, gjendet tek ndjenjat e ushqyera nga e djeshmja, për të penguar të ardhmen. Nuk kuptohet se e djeshmja duhet të jetë e kaluara. Jo e sotmja, si tërësi e shoqërisë njerëzore, të veprojë kundër të djeshmes, por ndaj së keqes së djeshme të veprojë ligjshmëria, e bazuar në parimet e shoqërive demokratike me përvoja.
Të etur për t’u shkëputur nga skamja, varfëria, boshllëku i krijuar në ndjenjat e shoqërisë nga e djeshmja, e kanë rrëmbyer shoqërinë tonë, e cila ka kaluar, pa e kuptuar në ekstremet e etapave frenuese për zhvillimin ekonomiko-shoqëror. Dëshirohet për të luftuar varfërinë dhe për tu pasuruar sa më parë, por nuk arrijmë të njohim, ose nuk duam të respektojmë normën e fitimit. Krijojmë bisnese, por nuk njohim, ose nuk duam të respektojmë kërkesën dhe ofertën. Krijohen institucione të pavaruara që mbikqyrin fushat e zhvillimit ekonomik e shhoqëror, mungojnë aftësitë profesionale, etike, morale. Ligjet për konsolidimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve të pavarura, të shoqërive anonime, shoqërive me përgjegjësi të përkufizuara, etj. nuk gjejnë zbatim, gjë që i kthen ato në institucione personale, private!. Ndasitë e djeshme të shtresave shoqërore, shfrytëzohen sot për të frenuar zhvillimin dhe të ardhmen. Përplasje serioze, të ashpra, konfliktualitet i acaruar në ekstrem, na shoqëron këto 27 vjet.
Ekstremizmi i individualizmit personal, apo i grupimeve nepotike dhe militante, të glorifikuar me hakmarrjen ndaj të djeshmes, me shtritje konfliktesh mes shtresave, gjoja të trashëguara nga e kaluara, janë bazat e ngecjes së përparimit tonë shoqëror. Asgjë nuk justifikon veprimet e gabuara trashanike në dëm të shoqërisë shqiptare, kur shqelmohen shanset historike të favorshme që ofrohen, as heshtja ose mos marrja e përgjegjësive për zgjidhjen e traumave, qoftë dhe ato të ndodhura në brezin e djeshëm. Nuk do ndalem këtu për shanset e shumta historike të humbura, por për korrektësi ndaj lexuesve dhe gjithë shoqërisë do përmendim veprimet e pajustifikuara nga të dy krahët e politikës, të realizuara haptazi kundër përmbushjes së kritereve për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Opozita e djeshme i vinte kushte pozitës së atëhershme për të kaluar miratimin e tre ligjeve, ndërsa pozita nuk toleronte, nuk pranonte konsensus. Koha kaloi, Shqipëria mbeti në klasë. Elektorati shqiptar gjykoi dhe vendosi për rrotacionin politik, me shpresë se klasa politike do të kuptonte qëndrimet e pakuptimta kundër njëra-tjetrës në zgjidhjen e problemeve kombëtare me ndikim të drejtpërsëdrejti në interes të mbarë shoqërisë, do të merrnin fund, do arrihej bashkëpunimi politik në përmbushjen e kritereve të caktuara.Por asgjë nuk ndryshoi. Kundërshtitë u shtuan, u forcuan, u sofistikuan më tej. Pengesa serioze herë të justifikuara, herë jo, as politikisht, por të motivuara në interes sa personal, aq dhe në interes grupimesh politike.
Disa institucione të rëndësishme shtetërore dhe grupime profesionistësh, në konflikte interesi, rrjedhojë e amullisë, e lejimit të zhvillimit liberal të ekonomisë, mos zbatimit të normave ligjore, stimulim i korrupsionit, trafiqeve, mos kontroll për lulëzimin e tregit të zi, përfitime pasurish të siguruara në mënyra korruptive, mungesa e llogaridhënies etj. Të gjitha këto janë bërë barrikadë për mos kalimin e disa reformave tepër të rëndësishme, jo aq për integrimin e Shqipërsië në BE, sa për shndërrimin e shoqërisë shqiptare, nga një shoqëri e mbytur në errësirat perandorake e diktatoriale, në një shoqëri të lirë, të hapur demokratike.
Në këto situata, ku “urat”, “kështjellat” nisim për t’i ndërrtuar, por nuk i përfundojmë, padyshim kërkohet të gjejmë objektin e përshatshëm për qëndrushmëri. Mesa duket qenka “flijimi” për të shkatërruar “syrin e lig”, “magjitë e zeza”, që përmbysin synimet tona. “Flijimi” duhet gjetur dhe realizuar me doemos. Dhe “flijimi” nuk kërkohet të bëhet me koka njerëzish(koka burrash, grash, djemsh apo vajzash), koka kafshës apo shpendësh, ato le të mbeten për legjendat, baladat. Koha kërkon që të “flijojmë” dhe objekti i flijimit gjendet brenda nesh. Janë veset brenda qënies dhe ndërgjegjes tonë.
Së pari, për të arritur në “flijimin” e domosdoshëm, detyrimisht duhet të realizohet institucioni i dorëheqjes nga postet, detyrat dhe profesionet, prej të gjithë atyre, që kushtet e krijuara në këto 25 vite, kanë lejuar përlyerjen gjatë kryerjes së detyrave. Të realizohet pendimi publik, i shoqëruar me kthimin e pasurive të paligjëshme, me baza të vullnetshme dhe ligjore. Pas këtyre “flijimeve”, deomos shoqërisë shqiptare i duhet të realizojë institucionin e faljes. Vetëm atëhere do të arrihet të shpëtojmë nga “syri i keq” dhe nga “magjia e zezë”.
Nga legjendat, baladat, e dy urave dhe kalasë Rozafa, të cilat kanë arritur deri në ditët tona, del profecia e popullit, e cila na këshillon të rigjejmë unitetin dhe qendrueshmërinë e bashkimit mes nesh, të cilat janë harruar nga lodhjet e shumta, ankthet, çoroditja, pabesia, të ndikuara nga pushtimet dhe agresivitetet e ndryshme. “Urat” ti ndërrtojmë dhe tu sigurojmë qëndrueshmëri, sepse lidhin unitetin mes nesh, eliminohen ndasitë klasore që na kanë nxirë dhe shkretuar jetën; ndërsa “kështjellat” na duhen të qëndrushme, sepse tregojnë pathyeshmërinë, forcën e unitetit, ruajtjen, sigurinë ndaj veseve të këqia brenda nesh, apo ndaj agresioneve të ndryshme që vijnë nga faktorë të jashtëm shoqërorë dhe natyrorë.
Kështu arritëm tek domosdoshmëria e “Flijimit”,i cili sa ka filluar të veprojë në jetët tona me emërtimin “Vetting”.Efektet e pushtetit të “Vettingut”, do të çlirojnë shoqërinë njerëzore nga oligarkët politiko-ekonomikë joformalë, do na shkëpusin nga nepotizmi dhe militantizmi.
Zbatimi me rigorozitet i Vettingut, sipas mendimit tim do të na çojë, në një “Rend të ri ekonomiko-shoqëror”, nëpërmjet të cilit pasuria e përqëndruar në disa miliarderë dhe “super miliarderë”, do të rishpërndahet nëpërmjet vendosjes së disa normave, që sigurojnë raporte të drejta fitimi ndërmjet punës dhe kapitalit.
Vettingu apo “Rendi i Ri ekonomiko-shoqëror”, erdhi si kërkesë objektive e kohës, si i tillë nuk mund të kushtëzohet vetëm në hapësira të caktuara gjeografike, politike, ekonomike, shtrirja e tij, për nga epërsitë pozitive, do gjej përshtatshmëri dhe shtrirje në gjithë shtetet e Europës dhe më gjërë. Një epokë e re sapo ka filluar!
Urojmë të arrihet sa më shpejt bashkimi dhe qëndrueshmëria mbarëshqiptare!
Itali, më 25/maj/2018.-