Fondi Shqiptaro-Amerikan për zhvillim dha kontribut të rëndësishëm për ndërtimin e Pazarit të Ri të Tiranës/
Të Martën me 14 Mars 2017, në Ditën e Verës,u përua Pazari i ri i Tiranës. Ky Pazar përveç se një hapësirë e re publike për qytetarët përmban tre komponentë: tregun e fruta-perimeve, merkatën e peshkut dhe të mishit dhe sheshin e eventeve. Këtu qytetarët do të blejnë produkte të freskëta të zonës së Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. “Në merkatën e gjelbër do të jenë tregtarët e fruta perimeve, ku janë 135 tezga dhe ku do të akomodohen 135 tregtarë. Përballë është merkata e mishit dhe peshkut, ku janë 25 njësi shërbimi, restorante dhe kafene. Është edhe sheshi rekreativ, ku do të organizohen evente të ndryshme”. Aktiviteti në këtë zonë do të vijojë gjatë gjithë 24 orëve, në varësi të shërbimeve. Po si do të funksionojë ky kompleks i ri, ku për herë të parë pronar do të jenë vetë tregtarët?
“Që nga momenti i hapjes, Pazari i Ri si kompleks do të regjistrohet si OJF, që do të jetë në pronësi të vetë tregtarëve. Gjithashtu, pazari do të ketë një administratë që do të kujdeset jo vetëm për mbarëvajtjen e punës këtu, por edhe për evente, apo për të sjellë turistët e huaj dhe vendas”, sqarojnë përfqasuesit e Bashkisë. Për ndërtimin e këtij kompleksi, Fondi Shqiptaro- Amerikan i Zhvillimit, Bashkia e Tiranës dhe qeveria kanë investuar 6.5 milionë euro, ndërsa vlera e pronës, sipas bashkisë është rritur në masën 40-50%. Dy muaj më parë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj u shpreh se, kemi hyrë në një fazë të re të bashkëpunimit, ku nuk jemi aty thjesht për të kërkuar ndihmë, por si bashkëpunëtorë dhe partnerë. Kjo do të thotë se, Fondi Shqiptaro-Amerikan po financon pazarin, tregun e fruta-perimeve dhe sheshin, Bashkia e Tiranës po bën tregun dhe markatën e mishit dhe të peshkut, kurse qeveria qendrore me anë të FZHR-së, po na ndihmon me fasadat dhe rritjen e vlerës së gjithë pronave përreth”. Ditën e fillimit të punimeve, Drejtori i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, zoti Michael Granoff theksoi se, ky është një projekt dhe një shembull jashtëzakonisht i mirë për të treguar se si puna në ekip mund të përmirësojë jetën e qytetit dhe qytetarëve. “Siç e shihni, ky është një projekt mjaft ambicioz, që ka mundësinë të transformojë, jo vetëm këtë zonë, por të fillojë gjithashtu transformimin e gjithë qytetit të Tiranës. Është një projekt goxha i madh, që askush nga ne nuk mund ta bënte vetëm dhe shembulli më i mirë që jep ky projekt është bashkëpunimi dhe partneriteti i krijuar midis Bashkisë, ekipit tonë dhe midis qeverisë qendrore, për të arritur një përfundim dhe një rezultat sa më të mirë. Ky nuk është vetëm një projekt publik, është një projekt i një partneriteti publik dhe privat. Ideja është që të gjithë personat që jetojnë dhe punojnë këtu, të jenë pronarë të kësaj hapësire”, theksoi zoti Granoff. {Pergatiti per Diellin: Shefqet Kërcelli}