–(Përsiatje rreth Letrës së Papë Françeskut të datës 17 prill 2020)/
Shkruan: Fra Gazmend Tinaj, ofm/
Ditë më parë Papa Françesku, në një Letër drejtuar bashkësisë së Kishës, shpalos pamjen që shquan gëzimi i Ngjalljes, i cili përbën njëmendësinë e jetës në Kishë, si një mundësi e re për t’u përballur dhe me rrethanat e pandemisë që bart Covid-19. (Shih: Papa Francesco, “Il coraggio di una nuova immaginazione del possibile”, në Osservatore romano, dt. 17. 04. 2020). Gjithë përmbajtja e Letrës merr shkas nga Gëzimi që buron nga Misteri i Mishërimit dhe i Ngjalljes së Jezu Krishtit. Një përfytyrim i një mundësie të re.
Përshëndetja e të Ringjallurit: “Gëzohuni – χαίρετε” (Mt 28, 9), është e njëjta folje me të cilën Engjëlli Gabriel i drejtohet dhe Marisë: “Gëzohu – Χαῖρε” (Lk 1, 28). Janë fjalët e para të Lajmërimit të Mishërimit që i drejtohen Marisë, që në të njëjtën kohë janë dhe fjalët e para të të Ringjallurit pas vdekjes, që Ai ua drejton grave tek varri.
Në Lajmërim, Engjëlli i Zotit zbret nga qielli dhe takon një grua, duke i sjellë Lajmin e gëzueshëm. Pas ringjalljes është vetë i Ngjalluri, që i takon dy gra tek varri dhe ua shpall Lajmin e gëzueshëm të Ngjalljes së Tij.
Në Lajmërim Maria ngjiz në kraharor Fjalën dhe bëhet djep i saj. Pas ringjalljes së Jezu Krishtit, Trupi i tij bëhet Djepi i ri, i jetës së amshuar.
Në Misterin e Lajmërimit përshëndetja e Engjëllit, zgjedhohet përmes foljes në vetën e dytë njëjës të kohës së tashme, në mënyrën urdhërore, pas ringjalljes, e njëjta folje zgjedhohet në shumës, në të njëjtën kohë dhe mënyrë, por nga numri njëjës: “ti” kalon në shumësin e bashkësisë: “ju”. Nuk mbetet pra, një përshëndetje që përfshin vetëm njërin, por bëhet domosdoshmëri e gëzimit, që përfshin të gjithë, ashtu siç përhapen rrezet e dritës, por që Rrezja e re e Dritës vjen nga Ngjallja e Krishtit, që dhuron Ditën e re, e cila nuk njeh as lindje as perëndim.
Lotët e grave, prej dhimbjes së vdekjes së Jezusit, bëhen lotët e gëzimit të ringjalljes, nga shpërthen thirrja: “Gëzohuni”. Ngjallja bëhet ngushëllim. Pra, kur mendohej se çdo gjë ka përfunduar, lind ngushëllimi dhe drita, e cila mendohej se mbaroi, bëhet dritë shprese e jete, që përflak zemrën në gëzim të Jetës se re, në Krishtin e Ngjallur.
Edhe sot në ditët tona, shkaku i lotëve përballë varreve janë të shumta, sepse duket sikur fjalën e fundit e ka virusi i quajtur: Kovidi-19, një hije e vdekjes, që nuk lejon të gëzohemi, të marrim frymë lirshëm, të përqafojmë të dashurit tanë, të përcjellim në varreza të afërmit tanë. Profetët e ditëve të sotme duket se janë virologët. Të gjithë varemi nga fjala e tyre duke pritur ndonjë fjalë shprese, që do shpallë mbarimin e këtij virusi.
Nga ana tjetër, janë ekonomistët që shpallin falimentime me përmasa të mëdha që përkthehen në varfëri dhe vdekje. Gjithçka duket, sikur guri që zë frymën e jetës në grykën e varrit, e jo vetëm që është tejet i rëndë, por thuajse nuk mund ta shmangë askush. Pesha e tij rëndon tepër në jetët tona dhe kërcënon ashpër të ardhmen. Nevojitet pra, DIKUSH që ta heqë këtë gurë (Mk 16, 3).
Pra, nuk duhet t’i harrojmë fjalët ngushëlluese të Jezusit: “Tani jeni të trishtueshëm, por prapë unë do të vij t’ju shoh e zemra juaj do të galdojë dhe askush nuk do t’ua marrë gëzimin tuaj” (Gjn 16, 22).
Gratë, simbol i nxënësve dhe i Kishës, nuk rrinë të mbyllura, nuk dorëzohen përballë pasigurisë. Ato lëvizin, shkojnë tek varri, nuk kanë frikë vdekjen dhe nuk mbyllen nga frika (Shih: Ungjilli i të dielës së II të pashkëve). Nuk ngurrojnë as nga tmerri, as nga rreziku, ose nga ndonjë urdhër i jashtëm. Kjo s’do të thotë që ato janë mospërfillëse, por janë bartëse të vajit erëmirë, që e ruan trupin nga të kalburit edhe në varr. Besnikëria e dashurisë së tyre për Dhëndrin, bëhet forca lëvizëse për t’i shkuar në takim Atij edhe në varr prej nga Dhëndri i tyre i Ngjallur, shuguron mbarë krijesën me lavdinë dhe shkëlqimin e Ringjalljes.
Sikurse edhe gratë, dishepulle të vërteta, morën me vete vajrat erëmirë, ashtu edhe Kisha është e ftuar të marrë me vete vajin erëmirë të Ungjillit për të lyer, jo trupin e Krishtit të vdekur, por plagët e Krishtit në njerëzimin e plagosur e të vuajtur (Lk 10, 34). Ky vaj nuk është vetëm shenjë balsamosjeje dhe dorëzimi ndaj vdekjes, por është vaj shërimi i trupit, i mendjes, i zemrës dhe i shpirtit, që mbjell në botën tonë Gëzimin e të Ringjallurit dhe jetën e re që i Ngjalluri solli. Vaji erëmirë është balsami që bartin gratë në varr, por Krishti i ringjallur e kthen vajin e tyre në burim të vajit të Gëzimit dhe të Shpresës së Jetës së re, vaj i cili e shndërron dhe e tejfiguron veprimin tonë. Gëzimi që vjen nga i Ngjalluri, nuk infektohet nga asnjë virus, është gëzimi i vërtetë që ushqen shpresën e sigurt në Atë i cili e mundi vdekjen dhe vdekja nuk ka më pushtet mbi të.
Janë gjithmonë aktuale fjalët e Ezekielit profet, të cilat Zoti ia drejton Izraelit (në hebraisht fjala Izrael është në gjininë femërore): “Ti kur linde […] s’qe mbështjellë me shpërgënj. Asnjë sy s’pati dhembshuri […] as s’pati mëshirë, por ditën e lindjes sate të përbuzur të hodhën përmbi faqen e dheut. Ndërsa unë po kaloja të pashë duke u zhgërryer në gjakun tënd e të thashë ndërsa ishe ende në gjakun tënd: Jeto! […] por ishe lakuriq dhe e mbuluar me turp. Kalova përbri teje e të pashë. E hodha mbi ty mantelin tim dhe e mbulova lakuriqësinë tënde; atëherë unë t’u përbetova dhe lidha besëlidhjen me ty ‑ thotë Zoti Hyj ‑ e ti u bëre e imja. Unë atëherë të lava me ujë dhe ta pastrova gjakun dhe të leva me vaj”(Ez 16, 4-9).
Kisha është Trupi mistik i Krishtit, Nusja e Qengjit. Mbarë gjymtyrët e saja të shtrira tek secili njeri, bëhen pjesëmarrëse e kësaj Besëlidhje dashurie të amshuar dhe Kisha është e thirrur të pastrojë e të lajë Trupin e Krishtit me ujë e me vaj tek secili njeri.
Sot njerëzimi ngjan në njeriun e shtrirë përdhe, të cilit Samaritani ia lidhi plagët dhe ia shëroi me vaj. Etërit e Kishës, shohin në këtë lidhje: fenë, shpresën dhe dashurinë, përmes të cilave Kisha lidh plagët e njeriut dhe njeriun e lartëson në Besëlidhjen e re të dashurisë që vjen nga Krishti i Ngjallur.
Duke ia larë me vaj e me verë plagët, njeriu lyhet, shugurohet dhe bëhet Mbret. Plaga e tjetrit është tabernakulli i pranisë së Krishtit në mesin tonë. Vera është Fjala e Zotit, Lajmi i gëzueshëm, simboli edhe i eukaristisë, i gjakut të Krishtit që i lanë mëkatet dhe lejon Shpirtin e Zotit të banojë në ne. Ky vaji i ri i dhuruar nga Dhëndri hyjnor, duhet shpërndarë në plagët e tjetrit.
Pas gjithë kësaj që po ndodh, është e nevojshme të nxjerrim dritën nga rrezet e Shpirtit të Zotit, që të kthehemi me mendje, zemër dhe shpirt të ri, të ngjizur tashmë me farën e Ringjalljes, që dhuron gjithmonë hov dhe zell të ri, e që nuk lejon asnjë lloj rastësie e improvizimi, por bindje feje të rrënjosur në Lajmin e Mirë të Ngjalljes.
Me siguri nuk do të mungojnë lajthitjet që përcjellin frikën përballë tjetrit, si të ndonjë armiku që duhet shmangur se e kërcënon jetën tonë, si i infektuar, (i gërbuluri Mt 8, 2). Do të shpikin luftëra reale apo virtuale për të thënë dhe bindur, që kjo është gjëja e duhur që duhet bërë. Do të pushtojnë çdo hapësirë publike dhe private, deri që të na mbyllin në unin tonë.
Mos është ky njeriu i ri? Jo, ne nuk jemi bijtë e territ, por bijtë e ditës dhe të dritës, të njeriut sipas imazhit dhe përngjasimit të Atij që e krijoi, e deshi dhe e dha jetën për ne. Njeriu i ri është Krishti. Kush pranon Krishtin e Ngjallur, përqafon edhe jetën e re përmes Tij në secilin person. Përgjigjja jonë si gjymtyrë të trupit të Krishtit është dashuria dhe zotimi për një qytetërim të dashurisë. Vetëm dashuria është infektimi më i përsosur që sjell jetë dhe jo vdekje. Vetëm dashuria është ajo që sjell gëzimin e vërtetë. Këtë gëzim, shpresë dhe siguri nuk do të na e marrë askush dhe asgjë nga zemra jonë. Është limfa e jetës sonë.
Në Ditën e Krishti të Ngjallur, Kisha këndon nëpërmjet psalmistit: “Zoti e bëri këtë gjë, sa mrekulli në sytë tanë (Ps 118, 23). Pra, “galdo bija e Sionit […] gëzohu me gjithë zemër bija e Jerusalemit” (Sof 3, 14).
Krishti i Ngjallur është galdimi ynë dhe shpresa e jetës së re.
“Misteri i Pashkëve është i ri dhe i vjetër, i amshuar dhe i përkohshëm, i shkatërrueshëm dhe i pashkatërrueshëm, i vdekshëm dhe i pavdekshëm. I vjetër sipas Ligjit, i ri sipas Fjalës; i përkohshëm në figurë simbolike, i amshuar në hir; i shkatërrueshëm për flinë e qengjit, i pashkatërrueshëm për jetën e Zotit; i vdekshëm për varrosjen e tij në dhé, i pavdekshëm për ngjalljen e tij prej të vdekurve. Ligji është i vjetër, por Fjala është e re, e përkohshme është figura, i amshuar hiri; i shkatërrueshëm është qengji, i pashkatërrueshëm është Zoti, i cili u flijua porsi qengji, por u ngjall porsi Hyj […] Pra, flija e Qengjit, kremtimi i Pashkëve dhe Shkrimi i Ligjit patën për qëllim Krishtin Jezus. Në Ligjin e vjetër gjithçka ndodhte duke parashikuar Krishtin. Në rendin e ri, gjithçka përkon para së gjithash, me Krishtin.
Ligji u bë Fjalë dhe nga Ligj i vjetër u bë Ligji i ri, por të dytë dolën nga Sioni dhe Jerusalemi. Rregullorja u shndërrua në hirin, figura në të vërtetën, qengji në Birin, delja në njeriun dhe njeriu në Hyjin.” (Melitoni nga Sardi, Nga “Predikimi i Pashkëve”. Në: Liturgjia e Orëve, II, f. 467).
Shkodër, 19 prill 2020