Përkushtuar atyre grave që mposhtën vështirësitë dhe sot janë vetvetja./
Skicë nga Nimfa Hakani/
Jeta shpesh është e padrejtë, e dashur mike… ku do që je. Kur sistemi totalitar i dyzet e pesë vjetëve, u mundua ta thyejë shpirtin e shumë njerëzve pa arsye, nuk mundi të ndrydhë shpirtin dhe forcën e karakterit tënd. Nuk mundi të shkatërrojë atë që ti ishe dhe u formove. Nuk mundi të transformojë atë që ti zotëroje si njeri sado që u përpoq. Ai sistem nuk ta ndrydhi dhe tjetërsoi dot forcën tënde, sa do që u mundua me çdo lloj mohimi dhe mënyre. Qoftë ty që të shtypi, qoftë ty që të “emancipoi” nëpër ledhet e aksioneve. Ti përsëri ia dole mbanë. Shumë njerëz që u trajtuan keq në atë sistem, humbën. Sot nuk ndihen e nuk i njeh njeri. Shumë prej tyre janë të thyer, të humbur, apo mbase nuk janë më. Ndërsa ti arrite të mbijetosh, ti arrite të kapërxesh pamundësitë, arrite të shkëlqesh si njeri, si grua, dhe si letrare në fushën e letërsisë, të shtypit, në familje duke rritur fëmijët e tu, në qënësinë tënde personale duke i thënë jo një lidhje të keqe në jetën tënde, apo në politikë falë durimit që të karakterizon ty si grua, falë personalitetit tënd, forcës tënde shpirtërore, inteligjencës tënde. Ti sot je një personalitet në qytetin tënd, në lagjen tënde, në komunitetin tënd e më gjërë. Madje respektohesh e nderohesh nga të dyja anët e ngastrave. Ti mbase, shpesh qëndron me thjeshtësi brënda mureve të shtëpisë tënde duke përhapur fjalën e shpirtit tënd në eter për të gjithë ata që ta dëgjojnë, apo vetëm duke rritur dhe mëkuar fëmijët e tu, duke përçuar fjalën dhe shpirtin tënd tek ata dhe nipërit e tu.
Sot je në një nivel që mund të ndihmosh të tjerët, pa patur pushtet, pa fituar asnjë post administrativ, por vetëm me forcën e karakterit tënd, të fjalës tënde, dhe të ngrohtësisë që buron nga qënia jote si grua. Ti jep një ndihmë të thjeshtë, një këshillë, thua një fjalë të ngrohtë që del nga shpirti yt. Ti i zgjat dorën dikujt që duket se po rrëzohet. Ato janë fjalë dhe duar që mbajnë, jo forcën e pushtetit, por forcën e shpirtit tënd femëror si nënë, si grua, si gjyshe, si vajzë. Dhe në këtë përkrahje, ti harron dhimbjen tënde, ti arrin të kapërcesh vetveten, të kapërxesh lëndimin tënd, të harrosh plagët, dhe i “zhduk” ti ato, në mëndjen tënde, ato ura e barriera që të dalin para në çdo çast në jetë për t’i kaluar dhe kapërxyer, për të ndihmuar dikë tjetër. Ti përçmon ngastrat blu dhe të kuqe që ndajnë shumë shpirtra në Shqipëri. Ti i përçmon ato ngastra me barriera që po vazhdojnë ta dëmtojnë kombin, po ashtu si e dëmtuan, dhe e kufizuan për 45 vjet që të ecte me hapin e Europës, por që edhe sot vazhdojnë ta mbajnë atë peng, në një ngujim që po kthehet në një mur ndarës të shëmtuar pothuaj treçerek shekullor. Ti si grua ngrihesh mbi këtë mentalitet. Ti lufton që ato barriera të mos arrijnë kufirin e shekullit. Ti i thyen ato sa herë mundesh kur të tjerët mundohen t’i bëjnë më të larta se janë. Ti i kapërcen dhimbjet e tua njerëzore. Ti ngrihesh mbi nivelin e kohës dhe shikon të ardhmen në sy. Ti lufton çdo çast për jetën.
A e kupton lartësinë që ke arritur si njeri, mikja ime? Vështro rreth e qark dhe vur re ku ke arritur vetëm me aftësitë e tua pamvarësisht gjithë atyre pengesave që tu desh të përballosh në jetë.
Kurrë mos e harro këtë sado keq që mund të ndjehesh sot për çfarëdo arësye shqetësimi apo zhgënjimi, dhimbje për fëmijët larg, apo për nënën që ke vite që nuk e ke parë se tu desh të mërgosh larg trojeve mëmë, për djalin e papunë, apo për vajzën që nuk të trajtohet mirë në folenë e re që krijoi. Gjëndja e sotme ekonomike dhe politike i bën shumë shqiptarë të ndihen keq dhe të përjetojnë pasiguri të madhe për jetën në ditët e sotme.Por ti nuk i lë ato hije të të mposhtin! Ti nuk i lë ato dhimbje të vrasin shpirtin tënd! Ti e mban kokën lart, mikja ime, motra ime! Ti ke arritur të mbijetosh Epokat dhe sot jeton përsëri më larg hijes dhe më afër dritës! Ti bëhesh forca buruese e familjes tënde. Ti gjen forcë të mbash të tjerët kur nuk ke forcë për të mbajtur veten.
E dashur motër, ti e ke bërë Shqipërinë tashmë një vënd më të mirë, duke dhënë shpirt nga shpirti yt, zemër nga zemra jote, ngrohtësi kur shpesh ti nuk e ke pasur për veten. Ti i ke dhënë gjithëçka të mirë e të bukur që ti zotëron, i ke dhënë dashurinë tënde, fjalën tënde shpresë-dhënëse, dorën tënde të ngrohtë kur ty shpesh të janë shterruar forcat. Je bërë mbështetje për të tjerët kur ti vetë nuk ke pasur kush të të mbështesë. Le të shpresojmë për më mirë! Le të shpresojmë që ekonomia shqiptare do ta marrë veten, që fëmijët e tu do të punësohen, që vajza jote nuk do të keqtrajtohet më, që ti nuk do të kesh gjithë këtë barrë të rëndë për të mbajtur, që shpesh thith krejtësisht energjitë e tua. Të shpresojmë që ty nuk do të të duhet të ngrihesh përsëri e përsëri si sfinksi nga hiri duke kaluar në mohim të vetvetes dhe shuarje të të shpirtit tënd për t’i dhënë gjithçka të tjerëve. Le të shpresojmë që politikat shqiptare nuk do të jenë më ndarëse, që ngujimit ku e kemi futur veten për shkak të bindjeve politike do t’i jepet fund së shpejti. Atëherë, asgjë nuk do ta ndrydhë dhe lodhë shpirtin tënd, energjinë tënde, thelbin tënd si grua, dhe ti do të shpërthesh në dimensione më të paarritëshme se ke shpërthyer, që ti të mundësh të arrish potencialin tënd të plotë si grua dhe si njeri, dhe të ndihmosh me forcën tënde si GRUA, që të gjithë ne ta shohim njëri – tjetrin drejt në sy pa mbrapshtësinë me të cilën e shohim sot, që ne të ecim në rrugën e demokracisë pa barriera dhe ngastra. Shqipëria ka nevojë për ty, për shpirtin tënd të gjërë, për përkëdheljen e dorës tënde, për ninullën tënde nanuritëse, për fjalën tënde të ngrohtë, për mëndjen tënde të mprehtë.
Ti je GRUAJA! Ti je DHIMBJA dhe SHPIRTI !
Ti je GUXIMI ! Je e PAMUNDURA ! Je LINDJA dhe RILINDJA! Je GËZIMI DHE LUMTURIA !
Ti je DASHURIA! Ti je FEMRA ! Je MOTRA dhe VAJZA!
Ti je NËNA dhe GJYSHJA!
Ti je e ARDHMJA e Shqipërisë!
Ti je EPIQËNDRA e EKZISTENCËS !
Ti je vetë JETA!
Nju Jork,
7 Mars, 2014
Shënim: Ky shkrim është frymëzuar nga një prej grave që mbijetoi persekutimin 45 vjeçar.