• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si u asgjesuan pionierët e së majtës anglo-amerikane në Shqipëri

March 3, 2017 by dgreca

Dossier/

Hasan Reci, intelektuali antikonformist i dënuar tre herë më vdekje në një cerek shekulli/2 ok Hasan Reci

Ja si u asgjesuan pionierët e së majtës anglo-amerikane mbas vitit 1939 në Shqipëri/

Pjesa e dytë dhe e fundit/

Nga Shefqet Kërcelli/

Dënimi i dytë me vdekje i Hasanit

Kur Hasan Reci u kthye në Tiranë, “Grupi Komunist i Tiranës”, pothuajse ishte shpërbërë. Kështu Xhevdet Doda dhe Isuf Kambo kishin kaluar me “Grupin e të Rinjve”, disa të tjerë me “grupin e Shkodrës”, kurse shumica  midis tyre Demir Godelli, Anastas Plasari dhe Uan Filipi kishin kaluar me “Grupin e Zjarrit”, me të cilin ishte bashkuar dhe Selim Shpuza. Mbas kthimit nga Jugosllavia, Hasan Reci dhe Mustafa Gjinishi bënë përpjekje për të riorganizuar grupin e tyre, por tashmë ishte vonë. Grupet e tjera, sidomos ai i Korcës, mbajtën ndaj tyre një qëndrim të ftohtë. Shkak kryesor i kësaj ftohje ishte teza e H.Recit dhe M.Gjinishit se, lufta e shqiptarëve për clirim nga zgjedha fashiste duhej të zhvillohej në aleancë me fuqitë perëndimore, në radhë të parë me Britaninë e madhe, në atë kohë e angazhuar në luftë me Gjermaninë hitleriane, kurse BS ende nuk kishte hyrë në luftë. Këtë tezë komunistët bolshevikë shqiptarë e lidhnin me takimet që M.Gjinishi kishte bërë me majorin britanik O.Hill, një nga organizatorët e xhandarmërisë shqiptare, i cili dyshohej se nga kryeqyteti jugosllav drejtonte qendrën e agjenturës britanike në Shqipëri. Për “bolshevikët” shqiptarë, emir i H.Recit ishte i lidhur ngushtë me atë të M.Gjinishit, aq sa meritat ose mëkatet e njërit i atriboheshin dhe tjetrit. Të nderuar lexues, hija si agjentë anglo-amerikanë i ndoqi të dy këta militantë revolucionarë deri në fund të jetës së tyre, traditë që vazhdon ende për vijuesit e botkuptimit të tyre mbi demokracinë dhe shtetin ligjor. Por, le të ecim me historinë e personazhit tonë. Pasi filloi lufta gjermano-sovjetike, në qershor 1941, H. Reci dhe M.Gjinishi e zgjeruan tezën e tyre, duke shpallur se shqiptarët duhej ta lidhnin luftën e tyre clirimtare  të barasvleshme si me lindjen, BS ashtu dhe me perëndimin,  Britani e Madhe, SHBA-të. Por, kjo tezë nuk u pëlqye nga krerët e grupeve komuniste që morrën përsipër barrën e formimit të PKSH. Sipas tyre PKSh-ja duhej të pranonte publikisht se rreshtohej në koalicionin anglo-sovjeto-amerikan. Kjo ishte arësyeja përse H.Reci dhe M.Gjinishi nuk u thirrën të mernin pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH, në fillim të nëntorit 1941, megjithë veprimtarinë e tyre të pasur revolucionare.Gjithsesi, nga sedra dhe bindjet e tij, pa e shprehur pakënaqësinë dhe kundërshtimin ndaj PKSH, Hasani vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike në përputhje me direktivat që kishte lëshuar PKSh. Kështu krahas agjitacionit politik antifashist, ai krijoi pa dijeninë e PKSh –së, një njësit guerril për të kryer aksione kundër pushtuesve fashistë. Një ditë ai mori guximin për të kryer një nga aksionet e para: ti vinte zjarrin depozitave të karburantit që kishte grumbulluar ushtria fashiste në fushën e aviacionit, në afërsi të Kasharit. Ishte nga aksionet e para kundër fashistëve. Por plani për realizimin e këtij aksioni, dukej i pastudjuar mirë. Në mars 1942, kur H.Reci së bashku me Hamit Shijakun {Librashitës}, një komunist tiranas , ju afruan fushë së aviacionit për të kryer aksionin, u arrestuan nga rojet ushtarake italiane duke u kapur me armë në brez. Arrestimi i tyre ndodhi në rrethana politike tepër interesante. Mbas themelimit të PKSh-së, qeveria kolaboracioniste e Shefqet Vërlacit ishte zvëndësuar, më 2 dhjetor 1941, me qeverinë kolaboracioniste të Mustafa Krujës, i cili konsiderohej si dorë e fortë e pushtetit fashist në Shqipëri. Në qeverinë e M.Krujës bëntë pjesë si Ministër i Drejtësisë Hasan Dosti. Zoti Dosti njihej në opinion si jurist patriot me pikpamje demokratike, ndaj ngjalli habi në postin e bashkëpunëtorit të M.Krujës. E habitshme  ishte dhe mbështetja e zotit Dosti për dekretin e propozuar nga Kryeministri M.Kruja, njëkohësisht dhe Ministër i Brendshëm, dekret i miratuar nga mëkëmbsi Jakomoni, më 6 prill 1942, me këtë përmbajtje: “Mbi propozimin e Ministrit Sekretar Shteti për punët e Brendshme, dekretojmë : Neni1.Cilido që, pa pasur leje, gjendet me armë zjarri ose me mjete plasëse jashtë banesës në qytete me 4000 banorë e sipër, dënohet me burgim të rëndë prej 5 deri në 20 vjet burgim dhe nqs ka rrethana rënduese mund të zbatohet kundër tij dhe dënimi me vdekje, {Fletore Zyrtare, nr.38. Tiranë, 7 prill 1942}. Bazuar në këtë nen, gjykata fashiste dënoi H.Recin dhe H.Shijakun me vdekje, vetëm se u kapën me armë pa leje. H.Dosti u step kur pa se H.Reci, shoku i tij i lëvizjes antizogiste, u dënua me vdekje në bazë të nenit që ai kishte mbështetur. Si Ministër i Drejtësisë, ai refuzoi ta nënshkruante vendimin e gjykatës për të dy të dënuarit me vdekje. Hezitimi i tij shkaktoi një debat të ashpër midis kryeministrit M.Kruja dhe ministrit të Drejtësisë H.Dosti. Kruja e zuri ngushtë Dostin, duke i treguar se gjykata po zbatonte një vendim të mëbështetur nga vetë Dosti. Përfundimisht, H.Dosti, në shenjë proteste, paraqiti dorëheqjen. Ndërsa Kruja e mbylli cështjen duke i kërkuar Jakomonit të nënshkruante dënimin me vdekje vetëm për H.Shijakun, kurse dënimin e H.Recit ta kthente në burgim të përjetshëm.  Pak ditë pas nënshkrimit të këtij dekreti, H.Shijakun e varën në litar, gjë që i shkaktoi H.Recit një dhimbje, të cilën nuk e harroi derisa vdiq. Nënvizojmë se gjatë kohës që në qeverinë kuislinge zhvillohej debate për dënimin me vdekje të H.Recit, në Tiranë u mblodh fshehtas Konsulta e I-rë e Aktivit të PKSh-së, {6-8 prill 1942}. Enver Hoxha, i cili ndërkohë mori në dorë drejtimin e PKSH, jo vetëm nuk e kundërshtoi dënimin e padrejtë të H.Recit, por e sulmoi ashpër atë bashkë me M.Gjinishin. Ai u rekomandoi anëtarëve të aktivit që ti mbanin sytë hapur si ndaj H.Recit ashtu dhe ndaj M.Gjinishit dhe të vëzhgonin cdo hap të veprimtarisë së tyre. Me këtë hap, PKSH shkeli programin e saj të miratuar që në rezolutën themeluese, ku thuhes se partia duhej të afronte dhe bashkëpunonte me të gjitha rrymat antifashiste, pamvarësisht nëse e quanin veten komunistë ose nacionalistë. Përkundrazi në Konsultën e I-rë të PKSH, Hasan Reci dhe M.Gjinishi u shpallën armiq të PKSH. Fill mbas dënimit nga Gjykata fashiste, Hasani u dërgua duarlidhur në burgun famëkeq të Barit. Mbas disa ditësh, qëndrimi e dërguan në ishullin Ventotene, larg Napolit, ku vuanin dënimin krerët kryesorë të lëvizjes socialiste e demokrate italiane. Në burgun e Ventotenes, H.Reci qëndroi më shumë se një vit, deri sa armata e 8-të e Forcave Aleate të Mesdheut zbarkoi në Napoli dhe cliroi midis të tjerave dhe ishullin Ventotene. Pasi u lirua, H.Reci së bashku me shumë shqiptarë të tjerë që ndodheshin të burgosur ose të internuar në Italinë e Jugut, u dërguan në kampin e ngritur posacërisht për ta, në pritje të kushteve të favorëshme për riatdhesimin e tyre në Shqipëri. Në kampin e Barit, oficerët anglo-amerikanë të armatës së 8-të, pasi morën vesh se H.Reci e fliste rrjedhshëm anglishten, e morën në zyrat e tyre, me qëllim që ta kishin si përkthyes në kontaktet e tyre me Ushtrinë NACL. H.Reci u kthye në Shqipëri me një ND-se së bashku me oficerët anglo-amerikanë, të cilët vinin në Shqipëri me detyrë pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNACL. Në këtë mision Hasani ishte angazhuar si përkthyes. {Kështu Hasani bëhet një nga bashkëpunëtorët e parë të luftës antifashiste me aleatët anglo-amerikanë}. Edhe pse përkthyes ai shkaktoi habinë e E.Hoxhës, kur u takua me të në Odrican, Përmet. Ky takim ishte një fatkeqësi tjetër e H.Recit, i cili në vend të ngrohtësisë që shpresonte të gjente në zonat e lira, u ballafaqua me fytyrën e vrenjtur të E.Hoxhës.

Dënimi i tretë me vdekje

Pasi u ritadhesua, H.Reci e la detyrën e përkthyesit në misionin ushtarak anglo-amerikan. Ai u rreshtua në radhët e ushtrisë NACL, por gjithmonë i ndjekur e vëzhguar nga partia e tij. Me këtë qëndrim të ftohtë të PKSH dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NACL, e gjeti Hasan Recin, clirimi i plotë i Shqipërisë. Pas clirimit qeveria “demokratike” e E.Hoxhës i dha atij një detyrë modeste e pa peshë në strukturat administrative të shtetit të ri shqiptar. Ai u emërua Drejtor i konvikteve në Ministrinë e Arësimit, në një kohë kur në Shqipëri nuk funksiononte asnjë konvikt. Atij ju tha të organizonte konviktet e shkollave, pa pasur asnjë lloj fondi për ndërtimin e tyre. Por, ajo që preku dhe indinjoi më shumë intelektualin majtist, ishte rruga që ndërmori PKSH për të ndërtuar Shqipërinë e re.Vizioni i tij për ndërtimin e Shqipërisë ishtë ai perëndimor, konkretisht anglo-amerikan, me të cilin ai ishte njohur që në shkollën “Harry Fultz”, dhe jo modeli sovjetik që po zbatohej në Shqipëri. Dukë lënë mënjanë detyrën që do kryente Hasani këto vite, shqetësimet politike të personazhit tonë në vitet e para të clirimit, ishin katër. Sipas tij, Shqipëria, së pari duhej të hapte dritaret e kulturës jo vetëm nga Lindja, por dhe nga Perëndimi, pikërisht ashtu sic e kishte parashikuar Komiteti i Clirimit Nacional, Gjenevë.{Cuditërisht anëtarët e këtij komiteti të majtë u eleminuan të gjithë në vite, ndërsa ata të Kominternit, mbijetuan?!}. Së dyti, Shqipëria duhej të shpallte liritë demokratike dhe të lejonte veprimtarinë e disa partive, përfshirë dhe ato opozitare. Së treti, Shqipëria duhej të fillonte nga reformat ekonomike, që ti siguronin asaj jo përqëndrimin e ekonomisë në duart e shtetit, por veprimtarinë e lirë të ndërmarrjeve private. Në fund, Hasanit, si intelektual patriot, nuk i pëlqeu gjunjëzimi i skajshëm i qeverisë së re “demokratike” ndaj Republikës Federative të Jugosllavisë, e cila po cënonte sovranitetin dhe aspiratat e Shqipërisë, sic thonte ai. Mbështetur në idealet e tij, H.Reci ra shpejt në kontakt me personalitetet që kishin marrë pjesë në Luftën NACL, por që nuk ishin dogmatikë, në mënyrë të vecantë me ata që dikur ishin Konaristë, Komiteti Nacional Revolucionar, ose clirimtaristët, të cilët dëshëronin një Shqipëri demokratike e të pavarur. Natyrisht, në kohën kur dara e diktaturës komuniste vinte duke u shtrënguar nga dita në ditë, H.Reci ra shpejt në kurthin e Sigurimit të Shtetit. Ai u arrestua  më 1947, së bashku me një grup jo të vogël patriotësh demokratë. Ndër ta mund të përmendim Kostandin Boshnjakun, Riza Danin dhe figura të tjera të shquara të ideve demokratike shqiptare. Më 23 dhjetor 1947, prokurori Nevzat Haznedari, kërkoi nga trupi gjykues dënimin me vdekje  të më tepër se dhjetë të pandehurve, midis tyre dhe atë të Hasan Recit. Ibrahim Hasnaj, i cili merte pjesë si i pandehur në këtë process gjyqësor dhe u dënua me 20 vjet burg, ka shkruar për qëndrimin që mbajti H.Reci para trupit gjykues, kur u pyet për të thënë fjalën e fundit: “Pas  Riza Danit u cua Hasan Reci, i cili me trimërinë që e ka karakterizuar gjithmonë, i drejtoi një pyetje kryetarit të gjyqit, {Niko Cetës}: “Unë jam dënuar me vdekje në rregjimin e Zogut si antizogist, në okupacionin fashist Italian si antifashist, e prapë sot në rregjimin e Partisë po dënohem si armik i partisë. Unë ju bëj një pyetje: Cfarë jam unë atëherë?!

Kryetari {Niko Ceta}, ju përgjigj ashpër:- “Cfarë je ti?! Ti je një dallaveraxhi politikan, armik i popullit dhe i Partisë! Ulu aty! Po atë mbrëmje, afër mesnatës trupi gjykues dënoi me vdekje  H.Recin dhe demokratë të tjerë si, Kostandin Boshnjaku, Riza Dani, Uan Filipi, Faik Shehu, Islam Radovicka, Syrja Selfo, Ilmi Hysi, Mestan Ujaniku, etj. Me ndërhyrjen e ambasadorit sovjetik në Tiranë, D.Cuvakin, vetëm dënimi i Kostandin Boshnjakut, u kthye në burgim të përjetshëm. Pas vendimit të dënimit me vdekje, Hasan Reci u mbajt gati dhe një muaj në burg. Ato ditë pranë tij, në qelitë e burgut ndodhej i burgosur dhe shoku i tij i vjetër, Petro Marko, bashkë me të cilin kishin vuajtur internimin në Itali. Për momentet e fundit të jetës së Hasanit, shkrimëtari bregdetas Petro Marko, shkroi:-“Hasan Reci u dënua me vdekje për të tretën herë. Por kësaj radhe e treta e vërteta thanë, kur të marrin për të të ekzekutuar, nuk i shpëton dot vdekjes”. I tërë aktiviteti i tij patriotik e revolucionar bashkë me ëndrrën e popullit për një Shqipëri demokratike e clirim kombëtar, të lidhur e mbështetur në aleatët, jo vetëm ata lindorë, por dhe me aleatët anglo-amerikanë, u quajt një tradhëti e lartë. Në katin e parë të burgut të ri, karshi birucës sime ishte në izolim edhe Hasani, shkruan zoti Marko. Para ekzekutimit, shkëmbyem dy fjalë: “po dole i gjallë këtej, amanet vajzën, është 7 muajshe”. Hasan Reci u ekzekutua më 22 janar 1948. Ashtu si për shumicën e të ekzekutuarve, vendi ku u varros u mbajt i fshehur. Tashmë pas këtij jetëshkrimi të aktivitetit të Hasan Recit, mund ti përgjigjemi shkurt pyetjes së fillimit: po, kush ishte Hasan Reci? Në dëshminë {1}216 të Rregjistrit të Gjendjes Gjyqësore, lëshuar nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë më 22 korrik 1993, thuhet:

“Për të quajturin Hasan Reci, biri i Selim dhe i Rukije, lindur më 1904 në Tiranë; me vendim të Gjykatës së Lartë Ushtarake nr.25 dt.22 janar 1948, me akuzën: ka zhvilluar aktivitet dhe ka vepruar kundër popullit dhe shtetit në bazë të neneve 2 e 3, nr.2-7-8-9-10-12-13-14, të ligjit: “Mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit dhe nenit 4-të të po kësaj ligje, dhe e dënoi me vdekje me humbjen e të drejtave civile e politike baraz me kohën e ndëshkimit dhe konsfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme”. Pra, intelektuali patriot, Hasan Reci u dënua me vdekje si “armik i popullit dhe i shtetit”, pa cilësuar se cilat ishin këto faje kaq të rënda që justifikuan dënimin e tij kapital. Nga sa u parashtrua mund të thuhet me bindje të plotë se H.Reci, ishte një patriot i përkushtuar ndaj atdheut, një demokrat revolucionar me prirje majtiste, një adhurues i përparimit Lindor dhe Perëndimor. Ai ishte, sic e ka përcaktuar Petro Marko, “luftëtar i radhëve të para, midis plejadës së shquar së antifashistëve”. Mbi të gjitha shkaqet e dënimit, kryesore ishte se, Hasan Reci ishte një socialdemokrat i shkollës perëndimore, pra, një kundërshtar i vendosur i Diktaturës së Proletariatit. Këtë fakt e ka evidentuar më së miri një nga historianët më të mirë të shqipëtarëve, Prof.Dr.Kristo Frashëri, i cili i ka kushtuar intelektualit patriot majtist Hasan Reci, një monografi të tërë. E pra, nuk ka vlerësim më të madh, kur studjuesi ynë i madh i historisë i është përkushtuar këtij heroi. Por, ajo që më shqetësoi gjatë gjithë kësaj historie është nënvletësimi dhe mënjanimi i këtij personazhi demokrat, me pikpamje të qarta majtiste-perëndimore dhe qytetari të hershëm tiranas nga institucionet tona. Si ka mundësi që qyteti i stërmadh i Tiranës, djepi ku u lindi, u rrit dhe zhvilloi veprimtarinë Hasan Reci, ky bir tiranas, nuk ka një emër rruge, thjesht të asaj rrugice afër shtëpisë së tij?! O ju këshilltarë të djathtë e të majtë të Bashkisë Tiranë, bashkë me drejtuesit tuaj, nqs nuk jeni njohur me ketë person, kini mirësinë të lexoni këto rreshta. Ndjesitë e mija pozitive për këtë hero, u shtuan nga dita në ditë duke u njohur me fakte, dokumente, dëshmi e tregime të bashkëkohësve të këtij heroi që jeton në cdo familje tiranase, por cuditërisht jo në mëndjet e ofiqarëve tanë. Madje gjatë gjithë kohës kur shkruaja më shoqëruan një duzinë pyetjesh, të cilat po ja parashtroj dhe lexuesit:

-Pse s’ngritën kokë kuadro dhe intelektualë të Shqipërisë së Mesme e më gjerë, ku ndikimi i shkollave Amerikane dhe angleze ishte më i fuqishëm?

-Pse për mëse një shekull, Shqipërisë së Mesme, më shumë se kudo ju eleminuan trimat me bindje majtas-djathtas?

-A e dinë lexuesit se baza e Cetës së Pezës ishin nxënësit e shkollës amerikane të Kavajës.{do e sjellim në shkrimet e mëvonëshme}.

-Gjatë luftës antifashiste, anglo-amerikanët donin aksione konkrete, jo llafe, këtë bëri dhe Hasan Reci me shokë.

-Sa institucione, rrugë, etj. mbajnë emra të  kuadrove, intelektualëve e trimave të kësaj treve në Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan?

-A i kanë evidentuar mirë studjuesit dhe historianët tanë këto, dhe t’ja japin të shkruara bashkive dhe institucionit të presidentit, apo vazhdojnë të ndjekin damarët  bizant-post bizant dhe individë që ju interesojnë.

-Si shpjegohet që këta të rinj si Hasan Reci me shokë, që në emër të idealeve atdhetare, komuniste perëndimore sakrifikuan jetën, rininë, shoqërinë, miqësinë, të qënurit tiranas, etj, s’kanë një gur vari e një emër rruge në Tiranë e gjetkë, ndërkohë që janë vënë me qindra emra anonimë me tepri.

-Deri tani opinioni shqiptar ka njohur si viktima të komunizmit më tepër të djathtë e antikomunistë, por ka dhe të majtë që për shkak të debateve të brendshme në PKSH, ideve dhe qëndrimit properëndimor u goditën që në vitet e para pas clirimit. Këta persona të papërsëritshëm, këto mendje të hapura të kombit tonë, duhet të zenë vendin që i takon në historinë e popullit shqiptar, madje tani që po hapen dosjet është mundësi e mirë që populli ynë të njihet me veprën e tyre përmes dokumentacionit që ekziston në arkivat tona.

-theksojmë se këta patriotë e intelektualë të shquar shqiptarë nuk ishin agjentë të anglo-amerikanëvë sepse dinin anglisht dhe kishin kulturë të gjerë, por ata forcuan themelet e miqësisë shekullore Shqiptaro-Anglo-Amerikane.

-Ne si shqiptarë kudo që jemi i gëzohemi faktit që diplomatë, ushtarakë, personalitete, studentë, qytetarë amerikanë dhe anglezë mbrojnë cështjen shqiptare që nga OKB e në cdo cep të globit, investim i pamatë, na vjen mirë për këto, por harrojmë se rrënjët e kësaj mbështetje janë miqësia dhe lobimi që kanë krijuar këta shqiptarë të thjeshtë në vite, atje në terren, në sajë të integritetit e erudicionit të tij tyre të pashoq. Dhe kush është shpërblimi, diskriminim politik-ekonomik-social, burg ose një plumb mbas koke.

-Është për të ardhur keq të dashur lexues, që ai mentalitet e sjellje brutale e zbatuar ndaj këtyre intelektualëve të cmuar para 70 viteve, vazhdon dhe sot. Të jesh i aftë, i zoti në fushën tënde, ta duash vendin tënd me shpirt, të kesh afeksion për demokracinë anglo-amerikane, ende sot je i diskriminuar. Edhe po të qasën në administratë do të japin një rrogë qesharake, {200-300% $ në muaj se, pagat e majme i marrin halldupët që i ke më shumicë gjithandej}, cfarë do që të bësh në sektorin dhe për vendin tënd; ndërsa për të tjerat ruhu, ruhu se, të japin nonjë helm, ty ose fëmijëve të tu. E pra, kjo është Katovica shqiptare, e realizuar 300% , nga strategët rrotull nesh dhe sahanlëpirësit e tyre në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, e gjetkë.

Porosia e nipërve Reci në New York

Si korespondent i gazetës më të vjetër shqiptaro-amerikane “Dielli”, jam interesuar të pasqyroj jetën e cdo familje shqiptari që ka lidhje me SHBA. Ndërkohë si historian, fusha ime e studimeve historike është detaria shqiptare, por, si jugor që ¾ e jetës po i kaloj në Shqipëri të Mesme, ndjej një detyrim moral për të evidentuar mjaft figura qytetare e intelektuale të kësaj treve. Në këto kërkime me coi rasti të takoj dhe dy qytetarë tiranas, që banojnë në SHBA, bashkë me familjet e tyre, zotërinjtë Bardhyl e Rexhep Reci. Ata tashmë me fëmijët e tyre, me punë e djersë kanë ndërtuar një jetë të lumtur në SHBA, pa harruar traditat tiranase. Familje të integruara shumë mirë me realitetin amerikan. Dihet që banorët e Shqipërisë së Mesme, nuk i pëlqejnë shumë daljet dhe ekspozimet në media, cështje modestie dhe mentaliteti, të cilin unë e njoh mirë. Gjithsesi, më në fund arrita ti mar një intervistë dy vëllezërve Reci, të cilën do e botoj më vonë. Por, gjatë intervistës e pashë që ata kishin një merak,- Shefqet më thanë, para se të shkruash për ne, duhet të shkruash për xhajën tonë, të ndjerin Hasan Reci, ndaj të cilit kemi shumë detyrime jo vetëm ne, por gjithë Tirana. Kështu mori udhë ky dossier.

A do marë fund brenga e znj.Fatmira Reci?

Duke ndjekur porosinë e miqve të mi Rexhep e Bardhyl, për të marë më tepër informacion për figurën e Hasan Recit, takoj të bijën e tij, zonjën Fatmira Reci. E lodhur nga hallet e jetës, sëmundja e diabetit dhe diskriminimi 70 vjecar, pijmë një kafe tek librari “Agolli”, ku qëndroj sa herë shkoj në Tiranë. E kishte të vështirë të fliste për jetën e babait, por në duart që i dridheshin mbante një zarf me dokumente dhe foto të heroit tiranas, Hasan Reci. Nuk doja ta lodhja me pyetje, se pamja e saj fliste shumë? Ajo ishte vetëm 7 muaj, kur ja pushkatuan të atin. Si Hasani dhe ajo, nuk mundën të shijonin gëzimin bijë-babë e ansjelltas. A e kuptoni, o njerëz?! Vuajtjet e kësaj zonje trime dhe fisnike, nuk kanë përfunduar këtu. Ka kërkuar gjithë jetës varrin e babës dhe nuk e ka gjetur. Shyqyr që e kanë lënë gjallë. Ajo tashmë po i afrohet 70-ve dhe ende s’ka ku ti vendosë një buqetë me lule babës së vet. Mbase po të ishtë gjallë shkrimëtari i njohur Petro Marko, mund t’ja kishte cuar deri në fund amanetin. Fatmira Reci, kjo bijë tiranase, po jeton mes lotësh në brengën e saj shumëvjecare:- mirë një varr ose një gur për babën e saj se gjeti, po një pllakë ku të shkruhet emri i babës së saj, nuk ka vallë?! Këtë shumë mirë mund ta zgjidhë Bashkia e Tiranës, këshilltarët e saj, duke vendosur emrin e këtij biri hero të Tiranës, në rrugicën ku lindi dhe u rrit Hasani, ose njërit nga konviktet e shumta që ai ngriti mbas clirimit të vendit? Gjithashtu me një akt administrativ të thjeshtë të bashkisë, ose të institucionit presidencial, vendoset nderi dhe dinjiteti i mohuar i intelektualit të shquar Hasan Reci. Zotërinj ofiqarë të majtë e të djathtë e keni mundësinë t’ja hiqni brengën dhe ti pakësoni lotët kësaj gruaje fisnike, që bën apel për babën e saj. Ndërkohë ky akt ju nderon ju.

Filed Under: Politike Tagged With: anglo-amerikane, asgjesimi i se majtes, Hasan reci, Shefqet Kercelli, shqiperi

I dënuar 3 herë me vdekje

February 17, 2017 by dgreca

Dossier/

Hasan Reci, intelektuali antikonformist i dënuar tre herë më vdekje në një cerek shekulli/1 zoti Hasan Reci

Në Foto:Hasan Reci/

Ja si u asgjesuan pionierët e të majtës anglo-amerikane mbas vitit 1939 në Shqipëri/

Nga Shefqet Kërcelli/

Intelektuali Hasan Reci, është i vetmi shqiptar dhe ndoshta i vetmi person në botë që është dënuar tre herë me vdekje, një rast unikal ky për dënimet botkuptimore-politike. Herën e parë, në shtator 1935, si udhëheqës në kryengritjen antizogiste të Fierit, vendim i cili si pasojë e presionit popullor u kthye në burgim të përjetshëm. Herën e dytë u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë ushtarake në maj 1942, pasi u kap në flagrancë në një orvatje për një aksion në një bazë ushtarake italiane në afrësi të Kasharit. Edhe këtë radhë, për arësye që do i shpjegojmë më poshtë, vendimi u shndërrua me burgim dhe internim në ishujt e Italisë. Herën e tretë u dënua me vdekje nga Gjykata e lartë ushtarake e regjimit komunist, në janar 1948, me akuzën si armik i popullit dhe i shtetit. Mbasi prokurori Nevzat Haznedari kërkoi në pretencë dënimin e tij me vdekje, kryetari i gjykatës Niko Ceta e pyeti të pandehurin sipas procedurës,  për të thënë fjalën e fundit. Hasani me gjakftohtësi e pyeti kryetarin e gjykatës: “Unë jam dënuar me vdekje në regjimin e Zogut si antizogist. Në okupacionin fashist italian, jam dënuar me vdekje si antifashist. Prapë sot në regjimin e Partisë Komuniste po dënohem me vdekje si antikomunist. Ju pyes: Cfarë jam unë atëherë?!… Kryetari Niko Ceta, nuk ishte në gjendje ti jepte përgjigje, përvec frazës bajate : ti je një armik i popullit! Por, këtë herë, sic u tha në atë kohë, ishte e treta e vërteta, sllavo komunistët s’të falin. Kështu,  Hasan Reci u ekzekutua me pushkatim, pa marrë përgjigjen për pyetjen që bëri. Qysh atëhere po mbushen gati 70 vjet dhe pyetja ka mbetur ende pa përgjigje. Nëpërmjet këtij shkrimi historik do përpiqemi ti japim sadopak përgjigje pyetjes: Kush ishte intelektuali tiranas Hasan Reci dhe pse u pushkatua nga rregjimi komunist?

Hasan Selim Reci ka lindur në Tiranë më 17 janar 1904, në një familje të varfër tiranase, e cila banonte në periferi të saj. Babai i tij Selimi, punoi gjithë jetën për tu siguruar fëmijëve ushqim dhe shkollim. Dikush nga të moshuarit e lagjes thotë se, Hasani ka lënë dicka të shkruar rreth jetës e familjes së tij, mbase ato janë kycur në arkat metalike të Arkivit Qendror të Shtetit. Gjithsesi nga kujtimet e miqve dhe kolegëve të tij kemi mësuar se, Hasani mbasi kreu shkollën  në Tiranë, në fillimvitet 1920 ndoqi Normalen e Elbasanit, saktësisht një kurs për mësuesi në shkollën fillore shqipe. Mbasi punoi si mësues për pak kohë e ndërpreu atë dhe ndoqi shkollën teknike amerikane të Harry Fulltz-it, e cila hapi dyert më 1922. Në moshën 20 vjecare, bashkë me Reshat Këllicin dhe shokë të tjerë, aderoi në shoqërinë “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Mbas përfundimit të Shkollës teknike të Fulltz-it, Hasani u emërua përsëri mësues i shkollës fillore.  Në vitin 1928, Hasani me mikun e tij Qemal Kadesha hodhën hapat e parë për krijimin e lëvizjes sindikaliste në Tiranë. Me shkathtësinë, angazhimin dhe përpjekjet e tyre kryesisht jashtë orarit të punës, të dy bashkëmoshatarët tiranas, krijuan dy shoqata sindikaliste profesionale, “Shoqatën e Mësuesve” dhe “Shoqatën e Rrobaqepësve”.  Me këto organizime theksojmë faktin se, Hasan Reci dhe Qemal Kadesha janë themeluesit dhe pionierët e lëvizjes sindikaliste në Shqipëri. Ndërkohë Hasani nuk hoqi dorë nga problemet e arësimit kombëtar shqiptar. Një nga shokët e ngushtë të Hasanit ishte Ramazan Jarani, gjithashtu mësues, i cili kishte përfunduar Robert Kollexh në Stamboll, {pionierja e shkollave amerikane në Ballkan e më gjerë}, madje ka qenë dhe n/prefekt i Durrësit në vitet ’20. Pamvarësisht nga bindjet politike, dy mësuesit u pajtuan në lidhje me karakterin laik që duhej të kishte shkolla shqipe. Madje për realizimin e kësaj marrëveshje midis tyre u ra dakord që zoti Jarani të merrte përsipër botimin e një reviste pedagogjike me titullin “Shkolla laike”, kurse  zoti Reci do të drejtonte përmbajtjen e saj. Në vitet ’30, murtaja komuniste kishte mbërthyer Evropën. Idetë komuniste depërtuan dhe në Shqipëri dhe prekën të gjitha shtresat e popullsisë. Si dicka e re për kohën preh e kësaj murtaje rranë dhe intelektualë, të pasur e përfaqësues të shtresës së mesme, se pjesa e varfër po e po. Që të gjykojmë gjakftohtë qëndrimin e cdo personi duhet ta vendosim atë në kohën e rrethanat që jetoi, në Shqipërinë e kohës dhe jo me grahmat e këndvështrimet e sotme, se kështu i largohemi të vërtetës. Në Shqipërinë e koklavitur të viteve ’30 dhe personazhi i këtij dossieri, zoti Hasan Reci, nuk i shpëtoi ndikimit të këtyre ideve revolucionare. Kështu në vitin 1931, Hasani kontaktoi me Hysni Lepenicën dhe Skënder Mucon, asokohe anëtarë të Komitetit të Clirimit Nacional, të cilët kishin lidhje me Halim Xhelon, përgjegjës i fraksionit komunist që vepronte në përbërje të komitetit të Gjenevës. Gjithashtu Hasan Reci kryesonte në Tiranë një celulë komuniste, që përbëhej kryesisht nga të rinj, të cilët qenë nxënës dhe ishnxënës të Shkollës amerikane “Harry Fultz”, të cilët e quanin veten komunistë si: Xhevdet Doda, mësues, Mustafa Gjinishi, nënpunës, Mustafa Kacaci, nënpunës, Uan Filipi, infermjer, Isuf  Kambo, dezinjator, etj. {Si shpjegohet që këta përfaqsues të së majtës shqiptare që dinin anglisht, gjatë viteve 1941-1950, u asgjësuan të gjithë???}. Dhe prova e parë për të ardhmen e lëvizjes komuniste u dha që në hapat e parë. Në vitin 1929, Kominterni nëpërmjet shefit të Sekretariatit të Federatës Komuniste në Ballkan, Gjergj Dimitrov, dha porosi që të ngrihej një “Qendër organizative”, prej tre personash, të cilët të merrnin barrën e krijimit të Partisë  Komuniste Shqiptare. Mos me u zgjat në këtë histori, mbas përpjekjesh u vendos që anëtari i tretë i kësaj qendre, që duhet të ishte komunist vendas u caktua Hasan Reci, madje për këtë u morr pëlqimi nga Kominterni. Por, Hasan Reci nuk u pajtua që në fillim me të gjitha pikat e programit të lëvizjes komuniste. Ajo që e bashkonte Hasanin me Ali Kelmendin ishte aspirata e njëjtë për të cliruar vendin nga prapambetja dhe shtresat e varfëra nga mjerimi. Dy pionierët e lëvizjes komuniste në Shqipëri kishin një ndryshim të madh për rrugët dhe mënyrat e triumfit të revolucionit socialist në Shqipëri. Së pari, ndërsa A.Kelmendi e barazonte socializmin me Diktaturën e Proletariatit, ashtu si zbatohej në ishBashkimin Sovjetik, Hasan Reci, përkundrazi e konceptonte socializmin si një rregjim demokratik, i cili do të luftonte varfërinë jo me anë të Diktaturës së Proletariatit, por nëpërmjet demokracisë popullore. Cështja e dytë themelore që e ndante Alinë me Hasanë, ishte rruga që duhej ndjekur për realizimin e idealit socialist. Qysh në vitin 1932, në lëvizjen majtiste shqiptare brenda dhe jashtë vendit, ishin përvijuar në mënyrë të qartë dy programe strategjiko-taktike që duhej zbatuar në shqipëri. Këto dy vija morën emrin vija “bolshevike” dhe vija “clirimtariste”. Vijën e parë e kishin miratuar krerët e “Grupit Komunist të Shqipërisë” në Bashkimin Sovjetik, Ali Kelmendi, Sejfulla Maleshova, Koco Tashko, Tajar Zavalani, Llazar Fundo, etj. Sipas këtij grupi, PKSH që do formohej në Shqipëri, duhej të ecte në gjurmët e partisë bolshevike, pra, të punonte për përgatitjen e revolucionit socialist sipas shembullit të revolucionit të tetorit dhe me fitoren e tij të vendosej diktatura e proletariatit si në BS. Kjo taktikë nisej nga teza se, në Shqipëri  ekzistonte një rend kapitalist sadopak i zhvilluar dhe një klasë punëtore e aftë të mbështeste revolucionin socialist. Si rrjedhim PKSH-ja duhej të bashkëpunonte me të gjitha forcat majtiste antikapitaliste dhe antiimperialiste, me kusht që revolucionin socialist ta drejtonte PKSH, pa bërë lëshime me ta. Ndërsa Platformën e dytë, atë  “clirimtariste” e kishin miratuar krerët e Komitetit të Clirimit Nacional {Halim Xhelo, Kostandin Boshnjaku, Omer Nishani, Lano Borshi, Riza Cerova}, etj. Ndryshe nga “bolshevikët”, militantët  “clirimistë” niseshin nga teza se Shqipëria ishte një vend i prapambetur, se nuk ishte cliruar ende nga hallkat e feudalizmit, se rendi kapitalist ende nuk ishte vendosur plotësisht, se klasa punëtore ishte në fillimet e saj, se Shqipëria ishte një vend gjysëm kolonial dhe se detyra kryesore e lëvizjes majtiste në Shqipëri ishte fitorja e plotë e pavarësisë, revolucioni demokratik përparimtar, përmbysja e rregjimit totalitarist zogist, zhdukja e mbeturinave feudale, madje edhe realizimi i bashkimit  nacional të trojeve etnike. E kush shqiptar me mëndtë e sotme s’do e përqafonte këtë program të një të majtë shqiptare?!  E kur?! Në vitet e turbullta 1930-1940.  I dashur lexues! Le ti ndjekim me kujdes këto zhvillime të lëvizjes komuniste të atyre viteve, për ta dalluar “engjëllin” nga “djalli”, për të parë se si kjo e majtë që aspironte Hasani me shokë mori goditje të vazhdueshme për një tre cerek shekulli, deri në eleminimin fizik të pionierëve të këtyre ideve. Madje nqs flasim për fillesat e socialdemokracisë në Shqipëri, themeluesit e saj janë burrat e sipërpërmendur të grupit të “clirimtaristëvë”. Zonja Musinë Kokalari, etj, për mendimin tim shënojnë brezin e dytë të këtyre idealeve. Për të realizuar qëllimin dhe programin e tyre “clirimistët” kërkonin aleancë me të gjitha forcat antizogiste, antifashiste dhe demokratike  përparimtare për të përmbysur bashkarisht regjimin zogist dhe për të vendosur jo një diktaturë të proletariatit, por një regjim demokratik përparimtar në gjirin e të cilit PK të ushtronte ndikimin e saj. Sipas “clirimistëve” peshën e komunistëve në regjimin demokratik do ta përcaktonte vota popullore. Këtyre ideve, programeve dhe pozicionimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri i mëshon fort dhe Prof.Doktor i ndjerë, Kristo Frashëri, në monografinë kushtuar jetës dhe veprës së Hasan Recit, botuar në vitin 2005.  Të dyja rrymat e lëvizjes majtiste shqiptare ishin pranuar nga Kominterni, si dy rrugë të mundshme dhe të përshtatshme për kushtet e Shqipërisë së prapambetur. Madje Kominterni  bënte presion që këto dy rryma të bashkëpunonin mes tyre. Kjo është arësyeja që Ali Kelmendi u lidh ngushtë me Hasan Recin, duke parë dhe ndikimin e tij në Tiranë, si bir tiranas. Sepse Hasani drejtonte një celulë komuniste ku bënin pjesë dhe Anastas Plasari, nënpunës, Kolë Berisha, gazetar dhe Pjetër Deda, përkthyes. Regjimi zogist duke parë ndikimin e kësaj celule, ra në gjurmë të saj që në vitin 1933. Pamvarësisht se me veprimtarinë e tyre ata nuk paraqisnin rrezik imediat për regjimin zogist, anëtarët e celulës, përshi Hasanin u arrestuan, por në mungesë të provave mbas disa muajsh u lanë të lirë. Në raportin që dërgoi në Komintern në dhjetor të vitit 1936, Ali Kelmendi midis të tjerave propozoi që anëtar i qendrës të jetë Hasan Reci, bashkë me Selim Shpuzën, Demir Godellin, Ali Kelmendin dhe Ymer Dishnicën. Në gusht të v.1934, në qytetin e Korcës u mbajt një konferencë, në të cilën morën pjesë dy anëtarë të qendrës së Korcës bashkë me Demir Godellin, Selim Shpuzën dhe Hasan Recin. Në këtë takim një ditor u vendos që të punohet për organizimin e lëvizjes komuniste ndër qendra dhe prefektura, ku aktualisht nuk ka asnjë organizatë komuniste, si në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë e Veriut, gjithashtu në Vlorë, Gjirokastër e gjetkë, si dhe përgatitja e terrenit për thirjen e një kongresi kushtetues të PK. Kur u kalua në pika të ndryshme, Hasan Reci njoftoi se në Tiranë ekzistonte një organizatë e fshehtë nacionaliste , e cila kishte për qëllim të përmbysej monarkia dhe të zvëndësohej me një republikë demokratike, propozim që u kudërshtua nga pjesmarrësit e tjerë.

{Dënimi i parë më vdekje}

Pamvarësisht kësaj kundërshtie, Hasan Reci forcoi lidhjet me grupin e Korcës dhe u mobilizua për kryengritjen antizogiste. Për organizimin e kryengritjes, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte krijuar tre komisione, të cilat kishin për detyrë të merreshin me përgatitjen e kryengritjes së armatosur në tre sektorë të ndryshëm, në popullsinë civile, në ushtri dhe xhandarmëri. Për mobilizimin e popullsisë civile, qytetarë dhe fshatarë, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte ngarkuar dy përgjegjës kryesorë, Kostë Cekrezin për antizogistët e djathtë dhe Hasan Recin, për antizogistët e majtë. Në zbatim të këtij plani, Hasan Reci, së bashku me Tajar Zavalanin, Demir Godellin, Riza Cerovën, M.Gjinishin, Uan Filipi, M.Macaci, Isuf Kambo, etj, u angazhuan seriozisht për të zgjeruar rrjetin e pjesmarrësve në kryengritjen e Fierit. Krerët e “Organizatës së fshehtë” vendosën që kryengritja e armatosur të shpërthente në vjeshtën e v.1935, pasi të kishte filluar pushtimi i Abisinisë nga Italia e Duces. Sipas tyre, Italia fashiste e angazhuar në fushatën luftarake të Afrikës Lindore, nuk mund të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, në bazë të traktatit të Tiranës, të nënshkruar me qeverinë zogiste të v.1927. Por, ngjarjet nuk rrodhën sic ishin planifikuar. Më 14 gusht 1935, sapo krisën në Fier dhe Skrapar armët e para, kryengritja u shtyp. Në Fier revolta u shtyp po atë ditë, ndërsa në Skrapar vazhdoi disa ditë, derisa u vra udhëheqësi i saj, Riza Cerova. Policia kreu arrestime në masë. U burgosën jo vetëm pjesmarrësit e revoltës së armatosur, por dhe qytetarë e fshatarë të thjeshtë. Në mes tyre u arrestuan dhe simpatizantët dhe anëtarët e kryesisë së “Grupit Komunist të Tiranës”. Listën e tyre policia zogiste e kishte përgatitur më pare. Kështu që të nesërmen e dështimit të kryengritjes, më 15 gusht 1935, midis qindra të arrestuarëve ishte dhe Hasan Reci me 92 anëtarët majtistë. Më 16 gusht 1935, H.Reci u torturua egërsisht në hetuesi, derisa nuk kishte fuqi për të folur. Ai nuk e pranoi akuzën. Prej tij hetuesia nuk nxorri asnjë njoftim për pjesmarrësit e tjerë. Gjyqi kundër të pandehurve u zhvillua nga 22 gushti deri më 17 shtator 1935. Ai dha dënime me vdekje për të gjithë ata që u konsideruan krerë të “Organizatës së fshehtë”, Ali Shkupi, Ramiza Dibra, Nuredin bej Vlora, Ahmet Shehu, Bektash Cakrani, Neki Starova, Muhamet Këlcyra, Pilo Papa, Gegë Marka Gega, Mustafa Kacaci, Jaja Bace. Njësoj u dënuan dhe anëtarët e grupit komunist të Tiranës, Hasan Reci, Mustafa Gjinishi, Uan Filipi, Kostë Kollumbi. Midis vendimeve të gjyqit, ai që la përshtypjen më të thellë, sidomos ndër qytetarët e Tiranës, ishte dënimi me vdekje i Hasan Recit. Dhjetra lutje, të nënshkruara nga qytetarët e tiranës vërshuan në pallatin e Zogut, në të të cilat kërkohej anullimi i dënimit me vdekje për H.Recin. Protestoi gjithashtu Komiteti i Clirimit Nacional në Gjenevë, njëkohësisht pati protesta nga qarqet intelektuale majtiste evropiane. Biles një nga protestat mbante nënshkrimin e shkrimtarit të njohur francez Hanri Barbys, {Henri Barbusse}. Për këto dënime të rënda reaguan dhe diplomatë perëndimorë në Lidhjen e Kombeve. Nën presionin e brendshëm dhe të jashtëm, mbreti Zog u tërhoq dhe dekretoi për të gjithë krerët e organizatës së fshehtë, shndrimin e dënimit me vdekje me burgim të përjetshëm, me përjashtim të 11 xhandarëve, të cilët kishin marrë pjesë direkt në kryengritje dhe u pushkatuan. Hasan  Reci u dërgua në burgun kështjellë të Gjirokastrës, burg i sigurisë së lartë, ku qëndroi 5 vjet, deri më 7 prill 1939, kur mbas pushtimit fashist u arratis nga ky burg  për në Jugosllavi. Atje u bashkua me shokun e tij të ngushtë, Mustafa Gjinishin dhe më pas u takuan me Myslym Pezën e Haxhi Lleshin, me të cilët lidhën dhe miqësi. Të katër u kthyen në Shqipëri më 1940, ku Myslymi qëndroi në Pezë, Haxhi Lleshi në Dibër, ndërsa  Hasan Reci dhe Mustafa Gjinishi u rivendosën në Tiranë. Theksojmë se pamvarësisht gjithë këtyre ngjarjeve Hasani nuk ndryshoi bindjet e tij të formësuara dekadën e kaluar.

{Fund i pjesës së parë, pjesa e dytë vijon në numurat e ardhshëm të “Diell-it”}

Filed Under: Politike Tagged With: 3 herë, Hasan reci, I dënuar, me vdekje, Shefqet Kercelli

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT