• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në shtëpinë-muze të patriotëve Marigo e Jovan Posio

November 27, 2023 by s p

Përgatiti: Helena Lubonja Ujkaj dhe  Zef Ujkaj/

Gjatë vizitës sonë në Shqipëri, ndaluam në fshatin Hoçisht të Devollit, ku vizituam shtëpinë – muze të atdhetarëve Jovan dhe Marigo Posio. Shtëpia – muze e rindërtuar me shumë mund e sakrificë nga pasardhësja e familjes Posio, znj. Violeta Pojani dhe bashkëshorti i saj z. Bardhyl Lubonja kishte ruajtur origjinalitetin e shtëpisë së vjetër të kësaj familjeje. Që në momentin e parë që pamë shtëpinë nga jashtë, mbetëm të impresionuar nga madhështia e saj, arkitektura autentike dhe dekorimi me simbole kombëtare. Flamuri kuqezi valëvitej krenar në ballë të shtëpisë së “vajzës së flamurëve”, Marigosë, asaj që qëndisi me duart e saj të arta simbolin tonë kombëtar.

   Marigo Posio lindi në Korçë, më 2 shkurt 1882, në një familje me origjinë voskopojare.

Ajo ishte bija e Papa Kosta Poçit dhe Lenka Ballaurit. Familja e saj kishte lidhje farefisnie me shumë atdhetarë të shquar korçarë. Që në vegjëli u brumos me dashuri për gjuhën shqipe dhe atdheun. Marigoja ishte vajza e 27-të e regjistruar në shkollën e parë të vashave në Korçë e për mësuese kishte atdhetaren e shquar Sevasti Qiriazi. Në moshë të re u martua me Jovan Posion nga fshati Hoçisht i Devollit, me të cilin pati katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë. 

Rreth vitit 1904, së bashku me bashkëshortin e saj, u detyrua që të largohej drejt Vlorës, pas përndjekjeve të shovinistëve grekë dhe reaksionit turk. 

   Marigoja, si simbol i qëndistares së flamurit, është mjaft e njohur, por në fakt ajo është një figurë shumëdimensionale. Ajo ka qenë veprimtare e shquar e çështjes kombëtare, aktiviteti i së cilës është shtrirë në dy periudha historike me rëndësi të veçantë për vendin tonë, atë të Rilindjes dhe  atë të Pavarësisë. Kjo grua intelektuale, me horizont të gjerë e kulturë, me ide iluministe, që ia kushtoi jetën lirisë dhe flamurit, punoi pa u lodhur për përhapjen e gjuhës shqipe, përparimin e Shqipërisë si dhe emancipimin e gruas shqiptare. Roli i saj në shtypin e kohës, si drejtuese e gazetës “Shpresa Shqiptare”, ishte shumë domethënës. Artikujt e saj do t’i shkruante me pseudonimet “Sapi” dhe “Shqiponja”. Ajo mbronte idenë se hapja e shkollave në gjuhën shqipe, do të shërbente si ndritje e mendjes së shqiptarëve dhe do t’iu zgjonte atyre ndërgjegjen kombëtare. Kjo patriote e flaktë ishte nga të paktat gra që do të aktivizohej në veprimtaritë patriotike të kohës. Marigo Posio mori pjesë në Komitetin e Parë, që u formua në Vlorë për shpëtimin e atdheut, të cilin e ndihmoi dhe  me të holla. Ajo e njihte mirë letërsinë e Rilindjes Kombëtare. Marigoja shumë shpejt u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare. Mes plaçkave që solli nga Korça do të ishte edhe  një flamur i qëndisur me dorën e saj. Ajo i këshillonte vajzat vlonjate, që në pajën e tyre të kishin patjetër një flamur, me shkabën dykrenare. Nga Vlora ajo do të ndiqte me vëmendje veprimet e çetave patriotike kundër forcave osmane, greke dhe serbomalazeze. Me krijimin e klubit “Labëria” në vitin 1908, Marigoja u aktivizua në rolin e këshilltares. 

   Duke vizituar shtëpinë -muze u njohëm me fakte të reja, dokumenta me rëndësi historike, fotografi të vjetra, objekte të përdoruara nga familja Posio si dhe me pemën gjenealogjike të familjes. Vlen për t’u përmendur se kjo shtëpi nuk do të ishte shndërruar në muze pa ndihmesën e çmuar të studiuesit dhe historianit z. Niko Kotherja . Falë përkujdesjes së tij dhe punës së palodhur shtëpia- muze e atdhetarëve Marigo e Jovan Posio është perfeksionuar e pajisur me materialin e posaçëm historik. 

   Biseda jonë me znj. Violeta do të vazhdonte dhe pas shtrimit të një dreke tradicionale me gatime të zonës së Devollit. Ajo na foli rreth përkushtimit të familjes Posio lidhur me lëvizjen për çlirim kombëtar. E gjithë familja iu përkushtua kësaj lëvizjeje duke sakrifikuar jetën dhe pasurinë monetare në shërbim të atdheut,  përparimit të kombit, zhvillimit të kulturës e arsimit. Shtëpia e çiftit Posio ka pritur e përcjellë patriotë nga të katër anët e atdheut. Jovani, bashkëshorti i Marigosë mori pjesë në veprimtari të shumta patriotike për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe ndjenjën e atdhedashurisë. Ai ishte gjithashtu mbështetës i flaktë i arsimimit të popullit nëpërmjet shkollave shqipe, duke kundërshtuar me fanatizëm hapjen e shkollave greke në jug të Shqipërisë. Gjithashtu ai financonte sipas mundësive disa prej gazetave përparimtare të kohës dhe shkollën shqipe të Korçës. Shpërndante libra e gazeta shqip. Në qytetin e Vlorës, ai u bë anëtar i klubit “Labëria”.

   Marigoja e Jovani i kishin brumosur fëmijët e tyre me ndjenja të larta patriotike. Evridhiqi, vajza e madhe e Marigosë, e studiuar jashtë Shqipërisë, ishte pjesë e orkestrinës së klubit “Labëria”, ku këndonte me mandolinë kënget shqipe. Zëri i saj melodioz dëgjohej edhe në kishën katolike të Vlorës, të drejtuar nga Dom Mark Vasa teksa këndonte në gjuhën amtare. Vajza tjetër Fereniqi do të ishte krahu i djathtë i së ëmës duke e ndihmuar atë në rolin e redaktores së gazetës “Shpresa Kombëtare”. Ajo do të luante një rol shumë të rëndësishëm me anë të shkrimeve së saj për emancipimin e femrës shqiptare. Edhe i biri Vasoja, muzikant i studiuar në SHBA do të dallohej si atdhedashës, që kontibuonte për kombin në rrugë të ndryshme, si me të holla ashtu dhe me anë të kapacitetit të tij intelektual. Në moshë fare të re ai mori pjesë në dramën historike “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos.

   Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së Rilindjes do të kurorëzohej me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912 në qytetin e Vlorës. Lufta e pandalshme e popullit shqiptar dhe përpjekjet e njëpasnjëshme të patriotëve, arriti kulmin pikërisht në këtë moment, kur Shqipëria fitoi mëvetësinë nga pushtuesi shekullor osman dhe u bëri fakt të kryer fqinjëve grabitqarë që kishin shkelur kudo mbi territoret shqiptare me dhunë e terror. Pas shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë dhe firmosjes së Deklaratës nga përfaqësues të të gjitha krahinave shqiptare, kulmoi me ngritjen e flamurit kombëtar mes brohorimave dhe euforisë së popullit shqiptar. 

Prezenca e flamurit ishte pikërisht meritë e punës dhe  përkujdesit të patriotes Marigo Posio. Përgjatë muajit nëntor, shtëpia e Posiove, ishte kthyer në një punishte për stamposjen e flamujve kombëtarë. Ajo, së bashku me Petro Fotografin dhe Thanas Floqin, përgatiti me qindra flamuj për ditën e pavarësisë kombëtare. Thuhet se ajo ka qenë e pranishme edhe në ngritjen e flamurit dhe e ka parë me sytë e saj firmosjen e dokumentit të shpalljes së pavarësisë. 

…………………………………..  https://konica.al/wp-content/uploads/2022/08/89398996_1376599585868913_8892870691360079872_n.jpg                     

   Megjithatë, nga sa thamë më sipër, kontributi i Marigosë qëndron përtej qëndisjes së flamurit kombëtar. Më 1914-ën, ajo u vu në krye të përpjekjeve për të ndihmuar muhaxhirët çame të dëbuar nga vatra e tyre nga shovinistët grekë. Më 1920-ën ngriti zërin në mbrojtje të Avni Rustemit. Në vitin 1924, së bashku me të shoqin, Jovan Posio mbështetën me të gjitha forcat e tyre  Revolucionin e Qershorit dhe Fan Nolin. Dhe këto nuk do të ishin angazhimet e saj të fundit. 

   Megjithatë sëmundja e tuberkulozit që e preku në vitin 1924 dhe vdekja e  fëmijëvë të saj nga po kjo sëmundje ia ndalën  hovin për t’i shërbyer interesit kombëtar deri në fund.Në vitet e fundit të jetës Marigoja jetoi  në Tiranë, pranë motrës së saj, Uranisë, e cila ishte martuar me patriotin e shquar Kristo Floqi. Në gjendje të mjeruar, Marigo Posio vdiq më 23 gusht 1932 dhe u varros në Manastirin e Zvërnecit.   

Marigo Posio është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e Lirisë së Klasit të Dytë”, më 7 mars 1960 dhe  nga ish-Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Rexhep Mejdani me “Urdhrin e Flamurit” më 15 prill 2002. 

Znj Violeta Pojani fliste plot pasion për portretin e çiftit Posio, duke dhënë një shembull të shkëlqyer në përjetësimin e jetës dhe veprës së paraardhësve të saj atdhetarë, që sakrifikuan çdo gjë për Shqipërinë. Në çdo përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, ajo do të kujtohet ndër breza me respekt e dashuri. Kujtimi i familjes Posio qoftë i përjetshëm! 

Përgatiti: Helena Lubonja Ujkaj dhe  Zef Ujkaj

Filed Under: Reportazh Tagged With: Helena Lubonja Ujkaj, Zef Ujkaj

HISTORIANI ZEF UJKAJ I BASHKOHET FAMILJARISHT FEDERATËS VATRA

October 4, 2021 by s p

Dielli

Historiani Zef Ujkaj nga Tuzi i Malësisë së Madhe familjarisht iu bashkua Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ai së bashku me bashkëshorten Helena dhe djalin Glauk erdhën plot gëzim e krenari për tu bashkuar me Vatrën, familjen më të madhe patriotike në diasporën shqiptare. Familja Ujkaj u prit nga Editori i Diellit Sokol Paja i cili u shpjegoi imtësisht rolin dhe etapat në të cilat ka kaluar Dielli dhe Vatra që nga krijimi e deri në ditët e sotme. Historiani Zef Ujkaj shkollimin fillestar dhe të mesëm e ka kryer në vendlindje. Shkollen e lartë për Histori pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ndërsa ato pasuniversitare në Institutin e Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike. Zef Ujkaj ka qenë pjesëmarrës në disa konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe po ashtu artikullshkrues i parë dhe në bashkëpunim në disa raste. Për një periudhë pothuajse 10 vjeçare është marrë me aktivitet politik në Mal të Zi, duke dhënë kontribut të konsiderueshëm në luftën për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi. Për 1 vit punoi si mësimdhënës në Tuz dhe më pas u transferua për të jetuar e punuar në New York. Bashkëshortja e Zefit Helena studimet e larta i ka kryer pranë Universitetit të Janinës, në degën Filologji, specializuar në Gjuhën bizantine dhe moderne greke. Studimet pasuniversitare i ka kryer pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, në degën Gjuhësi. Vatra dhe Dielli i shprehin mirënjohje familjes Ujkaj për angazhimin në Vatër dhe i falenderojnë për mbështetjen e pakufijshme.  

Filed Under: Politike Tagged With: Helena Lubonja Ujkaj, Zef Ujkaj

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT