Intervistë e posaçme me Kastriot Dervishin historian dhe studiues i historisë moderne të Shqipërisë dhe veçmas i asaj politike
Intervistoi – Beqir SINA/
Ish – drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, flet për gazetën tonë, me gazetarin Beqir SINA, në Nju Jork, rreth debatit të hapur pas 29 Nëntorit për dekorimin e më shumë 90 personave ish punonjës të Sigurimit dhe për ish- funksionarët e PPSH- Për çështjen Çoku, zoti Dervishi thotë se :” Në atë intervistë Çoku – mohonte të kishte qenë oficer i Sigurimit të Shtetit. E pra gënjente vetëm për një fakt të thjesht. Deri në vitin 1974 hetimin e krimeve politike e bënte vetëm Sigurimi i Shtetit.”
Ndërkohë, lidhur me “krenarinë’ e tyre dhe të bijëve të tyre, duke thënë sot me mburrje “se ne kemi kryer detyrën – i kemi shërbyer atdheut” zoti Dervishi tha se “Në lidhje me “pendimin” e tyre, unë mendoj se ata asnjëherë nuk do kërkojnë falje sepse krimin e kanë kryer me gjakftohtësi e pasion. Edhe sot janë të gatshëm ta ribëjnë nga e para atë që kanë bërë në atë kohë. Para se të vdesin nuk rrinë pa lëshuar edhe helmin e fundit duke shkruar ndonjë libër me kujtime.
Si ish- drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, dekadën e fundit – zoti Dervishi, si e shikoni ju debatin e hapur rreth 90 ish oficerave të sigurimit të dekoruar nga qeveria Rama ? në mesin e dekoratave të ’29 Nëntorit’, për ish- funksionarët e PPSH …
Gjykimi im këtë rast është si qytetar edhe si studiues, pa lidhje me funksionet shtetërore. Krimet e enverizmit janë njësoj të dënueshme si ato të kohës së luftës, ashtu edhe ato të pasluftës. Vetë Enver Hoxha, ka thënë në sesionin shkencor me rastin e 40 vjetorit të mbledhjes së Pezës (Tiranë, 15 shtator 1982), se e ashtuquajtura “luftë nacionalçlirimtare” ka qenë “në radhë të parë çështje pushteti”. Më qartë e më bukur se kaq nuk mund ta thotë njeri. Nisur nga fakti se komunistët e Shqipërisë nga viti 1941 e deri në vitin 1944 janë drejtuar nga tre jugosllavë si Miladin Popoviç, Dushan Mugosha e në fund nga Velimir Stojniç, përforcon më shumë bindjen se nuk jemi përpara evidentimit të vlerave, por përpara antivlerave. Dënimi i enverizmit të luftës dhe i atij të pasluftës duhet bërë njësoj. Ata që u çuan me yll të kuq në ballë për “një botë të re”, e dinin çfarë bënin. Ju kujtoj vetëm një fakt. Ne kemi një listë prej rreth 6 mijë të zhdukurish nga komunistët. E dini se rreth gjysma e tyre i përkasin viteve 1943 – 1944, pra të vrarë nga komunistët? Nuk ka shumë lavdi te e ashtuquajtura luftë, e cila vetëm nacionalçlirimtare nuk ka qenë. Jo rastësisht ata që bënë krimet e luftës vazhduan edhe pas lufte të njëjtën rrugë, tashmë në rrugë shtetërore e partiake.
-Po për çështjen Çoku, dhe dekorimin e tij pas denoncimit se ai ka torturuar edhe At Zef Pëllumbin dhe profesorin e njohur Sami Repishti ?
Çoku është njëri prej shumë të tillëve. Në dijeninë time ka shumë procese politike. Nuk më rezulton të ketë qenë hetuesi i Sami Repishtit, pasi i tij ka qenë Fadil Kapisyzi. Nëse ka torturuar Sami Repishtin si polic, këtë mund ta dëshmojë vetëm z.Repishti. Njihet fakti që hetuesit, sidomos në proceset politike e kanë pasur mjet pune torturën.
Javën e kaluar patëm një intervistë në një gazetë të afërt me qeverinë Rama, ku flet Shyqyri Çoku dhe thotë se: “Nuk e kam torturuar At Zef Pllumin, dhe se Profesor Repishti gënjen” Ju çfarë keni gjetur në Arkivit të Ministrisë së Brendshme, për të treguar të vërtetën ?
Në atë intervistë Çoku – mohonte të kishte qenë oficer i Sigurimit të Shtetit. E pra gënjente vetëm për një fakt të thjesht. Deri në vitin 1974 hetimin e krimeve politike e bënte vetëm Sigurimi i Shtetit. sa “veteran” mund të ishte Çoku kur deri në vitin 1944 u ka shërbyer ushtrive italiane e gjermane, duke u shitur fruta për t’i tretuar ushqimin e duhan për t’i qetësuar.
Pse mbas një viti të mbajtura “nën syrtar” lista të tilla – tani shpërthyen me dekorimet e disa eksponentëve të sigurimit të Shtetit dhe ata ose bijtë e tyre, me mburrje thonë këto ditë “se ne kemi kryer detyrën – i kemi shërbyer atdheut”?
Urdhrat e këtij lloji jo domosdoshmërisht botohen në “Fletoren Zyrtare”. Mund të ishin kërkuar nga të interesuarit qysh kur dolën emrat një vit më parë. Ju kujtoj se shtypi shqiptar ka nxjerrë qysh vjet disa emra të kësaj liste. Në lidhje me “pendimin” e tyre, unë mendoj se ata asnjëherë nuk do kërkojnë falje sepse krimin e kanë kryer me gjakftohtësi e pasion. Edhe sot janë të gatshëm ta ribëjnë nga e para atë që kanë bërë në atë kohë. Para se të vdesin nuk rrinë pa lëshuar edhe helmin e fundit duke shkruar ndonjë libër me kujtime.
A mendon se kjo bëhet për marrë elektorat ? sidomos nga pushtetarët sepse ata e luajnë gjithmonë këtë kartë!
Pa dyshim që arsyeja e parë, dhe kryesore sigurisht që është ajo elektorale.
Zoti Dervishi mos hapja e dosjeve të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, a ka të bëjë tani me manipulimin e tyre ?
Nuk e di për çfarë dosjesh e keni fjalën, por çështjet kryesore në lidhje me diktaturën komuniste kanë dalë. Prej vitesh njihen hetuesit, prokurorët, gjykatësit, oficerët e Sigurimit, etj. E them këtë se shumë herë shtrohet pyetja sikur na mbulon ndonjë mungesë e madhe informacioni.
Në një intervistë vitin e kaluar ju keni deklaruar se :”Mos prisni që me hapjen e dosjeve, të zbulohet se “filani ka vrarë filanin”, Pse?
Sepse shoqëria shqiptare është mësuar prej 25 vjetësh me histori të paqena. Në radhë të parë pak kanë të qartë se për çfarë dosjesh bëhet fjalë. Që të jem i qartë, natyra e dosjeve që lidhen me Sigurimin kanë dalë nga sekretaritë dhe kartotekat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga sekretaritë kemi dosje në të cilat përmendet aktiviteti i përditshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ndërsa nga kartotekat kanë dalë dosjet e personave që ndiqeshin dhe rrjetit sekret.
Te të dy grupet, asgjësimi i dokumentacionit ka qenë shumë i madh dhe katastrofik në vitin 1991 nga degët e punëve të brendshme në rrethe. Sot asnjë person që jeton dhe që ka qenë i ndjekur nga Sigurimi, nuk ka dosje që do të mund të lexojë çfarë është thënë për të. Në raste të tilla vetëm specialistë të mirëfilltë (që Shqipëria i ka shumë të paktë) mund të shfrytëzojnë të dhëna të dyta e të treta për të ndërtuar një histori.
Po ju jap një rast të thjeshtë. Në Shqipëri janë dënuar rreth 25 mijë persona për arsye politike. Shumë prej tyre kanë pasur një dosje ndjekjeje operative. Këtu janë të shënuara denoncimet që i janë bërë personit para se të arrestohej. Por këtë dosje mund ta kenë jo më shumë se 500 persona dhe sigurisht asnjë që jeton. Në këtë mënyrë rasti i Shqipërisë nuk ngjan me asnjë rast tjetër të Europës lindore dhe natyrisht ekspertiza e tyre është krejt e pavlerë.
Po ashtu, në grupin e dosjeve që “do hapen” nuk ekzistojnë dosje të zhdukurish, skica varresh, të nisur jashtë shtetit etj. Unë do t’i rekomandoja atyre që kanë në dorë çështjet financiare, një investim të thellë e të menjëhershëm për rrjetin arkivor të vendit. Sa më vonë të zgjatet ky proces aq më të rënda do të jenë pasojat.