Nga Alma LICO/
E ulur në një karrike, me kokën mes duarve , ajo qëndron e heshtur. Nuk dëshiron të flasë. Madje as të kthjellojë vështrimin e përhumbur në zbrazëtirë. Atë e ka fiksuar në një pikë të pakuptimtë të tavolinës që ndodhet aty pranë. Dukshëm, mendimet e saj rendin kush e di se ku. Nuk e dalloj dot nëse bota e saj imagjinare ka ndonjë pikë të përbashkët me atë realen, me atë brutalen, me atë ciniken, që ka shoqëruar në vite rrugëtimin e kësaj vajze të vetmuar.
Përpos një pamjeje të lodhur, ndën qepallat e zeza, arrij të dalloj sytë e bukur që nuk shprehin asgjë. Ndoshta një refleksion i mjegullt, ndërthurur zbehtë me një pasiguri të flashkur. Flokët e gështenjta i ka gjysëm të lidhura pas kokës. Një dorë e pakujdesshme dhe aspak e vëmendshme, i ka lëshuar ato mbi supe. Trupi i saj i hijshëm mbulohet nga një bluzë e pambuktë dhe pantallona të çngjyrosura, ndërsa lidhëset e këpucëve sportive prekin dyshemenë.
Ulem pranë saj. Për një moment, ajo ngre shikimin e përhumbur mbi tryezë dhe më vështron ftohtë, për të humbur sërish në botën e asgjësë. Duket si një gonxhe, që në mungesë të dritës, nuk ka arritur të lulëzojë. Përpiqem të tërheq vëmendjen e saj. Si për të thyer akullin, i ofroj një gotë ujë. Ajo nuk e refuzon, madje më falenderon ftohtë. Sërish heshtje. Hesht dhe unë bashkë me të.
Një ditë më parë jam njohur me historinë e saj të trishtë. Por dëshiroj ta dëgjoj atë, të rrëfyer nga goja e saj. Mbase do i bëjë mirë ta ndajë atë me mua. Por ajo nuk flet. Ndoshta ndjehet e sfilitur nga përballja aspak e këndshme me autoritetet policore të dy shteteve. Ndoshta………
………E lindur në një fshat të largët, ishte fëmija e parë e familjes. Një sëmundje e rëndë i kishte rrëmbyer të ëmën, kur ishte vetëm katër vjeçe. Përveç disa fotove të dala boje, ajo nuk ruante asnjë kujtim tjetër të saj. Vajza jetime kishte mbetur në përkujdesjen e gjyshes, dhe të atit. Ai ishte katandisur në një burrë mjaft të lodhur e dëshpëruar nga sëmundja dhe humbja e së shoqes. Si të mos mjaftonte kjo, dy vite më pas, pat ndërruar jetë dhe gruaja e moshuar. Kishte mbyllur sytë e ligështuar për fatin e vogëlushes, të mbetur pa kujdesin e duhur, e vetme, në duart e të atit. Atij të ngrati i duhej të punonte nga mëngjesi, deri në mbrëmje në punët e fshatit. Kurimi i së shoqes i kishte kushtuar shumë dhe qe mbytur në borxhe. Sistemi i korruptuar shëndetësor e kishte “rrjepur të gjallë”.
I vetëm nuk ja dilte dot. Vogëlushja mbetej tërë ditën në shoqërinë e një qeni që lihte kot së koti, dhe të disa pulave që kakarisnin e vërtiteshin të shkujdesura në oborrin e shtëpisë përdhese, që ndodhej rrëzë një kodre. Pas një viti, ai u rimartua. Në jetën e tij dhe të së bijës u shtua prania e një gruaje që nuk arriti dot kurrë të bëhej nënë për të. Ajo nuk mundi të zëvëndësojë aspak dashurinë dhe ngrohtësinë e munguar të së ëmës. Madje, as u përpoq. Në jetën e familjes mbërritën njeri pas tjetrit dy fëmijë të tjerë, dhe jetimja fatkeqe, teksa rritej, po shndërrohej në një “Hirushe” të pafat. Duart e vogla i gjakoseshin çdo ditë nga punët e rënda, ndërsa shpina e njomë po i harkohej nga kovat me ujë që ishte e detyruar t’i mbushte në një pus, diku në fshat. Duhej gjithashtu të kujdesej për vëllezërit e vegjël dhe të duronte kritikat e herëpashershme të njerkës. Mbrëmjeve, kur nuk kishte më asgjë për të bërë, kridhej në melankoli për panatyrshmërinë e ditëve që nuk kishin aspak lidhje me ato që duhej të jetonte një fëmijë. Ajo mekej për dashurinë e munguar të së ëmës dhe vëmendjen e pamjaftueshme të të atit.
Kështu, mes vuajtjesh e mundimesh të pazakonta për moshën, vajza mbaroi arsimin e ciklit të ulët. Tashmë, në horizontin e përhimtë të jetës së saj, shihte një rreze drite. Të ndiqte shkollën e mesme, që ishte gjysëm ore larg nga fshati. Shpresonte aq shumë në hapësirat e reja që do të sillte ky ndryshim në përditshmërinë prej skllaveje të vogël. Por nuk qe e thënë. Ndonëse me nuanca hezitimi dhe keqardhjeje, i ati ia ndaloi kategorikisht frekuentimin e shkollës. Sipas tij, familja kishte shumë nevojë për kontributin e saj. Varfëria e kishte gjunjëzuar atë burrë, dhe në mënyrë të papërgjegjshme po tërhiqte të bijën në vorbullën e trazuar. Mbi shpatullat e tij rëndonin ende borxhet e pashlyera të parave që kishte shpenzuar për kurimin e gruas së tij të ndjerë. “Hirushja” e vogël ndjehej në faj për këtë barrë që duhej ta mbante e gjithë familja. Mbase i ati kishte të drejtë. Fundja, ajo që kishte futur në borxh familjen, e më pas, për fat të keq kishte ndërruar jetë, ishte nëna e saj. I duhej të pranonte fatin e paracaktuar të një vajze të varfër, që po rritej pa nënë. Ndërkohë që njerka ndihmonte sa mundej të shoqin në punët e bujqësisë, “Hirushja” duhej të kujdesej për vëllezërit, të kulloste lopën aty rrotull, të ushqente pulat e rosat, të mbushte ujë në pusin më të afërt të fshatit……e të tjera……e të tjera……deri sa një ditë….
…….Me krahë të zgjatur nga pesha e kovave, teksa po kalonte në rrugën gjarpërushe të fshatit, u ndesh me zërat e hareshëm të shoqeve të saj, të cilat prej disa muajsh frekuentonin shkollën e mesme. Në shenjë keqardhjeje, ato i ndërprenë të qeshurat, dhe e përshëndetën me dhëmshuri. Sfondi i mëshirës në sjelljen e tyre, zgjoi instiktin e mospranimit dhe të rebelimit. Ishte një ndjenjë e papritur refuzimi që tronditi të gjitha grimcat e shformuara që përbënin jetën e saj. Sakaq, përmes gulçimesh të revoltuara, ajo hodhi tej kovat, dhe ja krisi vrapit në drejtim të kundërt nga ai i shtëpisë.
Iku…. Endrrat e shtypura e shtrënguara si në morsetë, e shtynin pa orientim drejt kërkimit të diçkaje ndryshe. Një hap i hedhur kuturu, një vrapim spontan i një vajze të vuajtur, ende të mitur, ishte si të thuash…një reagim.
Iku…. Një orë më pas, po vërtitej në rrugët e qytetit më të afërt. Nuk njihte askënd. Madje, nuk njihte më as veten e saj. Përmes një pështjellimi që po i zinte frymën, nuk dallonte dot nëse ajo rendje e beftë, pasuar nga ai fluturim i çekuilibruar, ishte e vërtetë, apo vetëm një arratisje imagjinare.
Ashtu, pa kuptuar rrokullisjen e orëve, po afrohej mbrëmja. Ajo filloi të ndjejë frikë. Si nuk e kishte menduar më parë?? Ku do ta kalonte natën?? Më kot ëndërronte se në njërën prej rrugëve që po zbrazeshin gradualisht, të haste të atin. Më kot priste që t’i ledhatonte flokët, e t’i premtonte se do ta lejonte të shkonte në shkollë, si gjithë shoqet e saj. Më kot…. Asnjë nga burrat që vërtitej në ato rrugë të panjohura, nuk ishte ai.
Ashtu, në gjysëm errësirë, këmbët e çuan pranë një ndërtese të rrënuar, që ndodhej në të dalë të qytetit. E pushtuar nga tmerri i pasigurisë dhe vetmisë, hyri brenda dhe zuri vend mbi disa arka të thyera. Nga dritaret e shqyera pa xhama, përcillej ndriçimi i yjeve, që atë mbrëmje shkëlqenin si asnjëherë. Dukej sikur dëshironin të fashitnin tmerrin e “Hirushes”, dhe t’i bënin asaj pak shoqëri. E zhytur në paqartësi, ndjente t’i zvarriteshin, e më pas t’i bllokoheshin të gjitha mendimet. Ashtu, duke numëruar yjet, e mbledhur kruspull, e mundi gjumi. Bota e ëndrrave e mbështolli në krahët e saj të mahnitshëm……
…me një uniformë shkolle dhe çantë në shpine, nisi të vraponte…..duhej të mbërrinte shoqet që ishin nisur para saj…….ato u ndalën dhe po e prisnin me entuziasëm…….sa shumë e kishin pritur…….teksa nisi të përqafohej përmallshëm me to, magjia mbaroi….
….Ajo hapi sytë dhe ndjeu se po dridhej nga të ftohtit. Më në fund errësira ishte larguar, për t’i lënë vendin mbërritjes së muzgut mëngjesor. Duke lëvizur energjikisht gjymtyrët, doli jashtë godinës dhe filloi të vrapojë për t’u çmpirë sado pak. Kësisoj, arriti të ngrohej disi, dhe u ul mbi trungun e një peme. Mbylli qepallat dhe në luftë me kotësinë, provoi të kuptonte domethënien e arratisë së saj. Ndjehej aq konfuze. Por, për diçka ishte e kthjellët dhe e vendosur. Nuk do kthehej më në jetën e mëparshme prej skllaveje.
Hapja e ditës e riktheu në rrugët e qytetit. Ecte e hutuar ku ta shpinin këmbët. Nuk ishte mësuar të endej mes aq shumë njerëzve. Kishte filluar ta gërryente edhe uria. Ndaloi para një shitësi ambulant, i cili mesa duket ia kuptoi hallin dhe i ofroi një panine. Pas një hezitimi fëminor, e pranoi, dhe pasi e falenderoi me zë të mekur, u largua duke e gllabëruar atë menjëherë. Herë pas here, ndalej përpara ndonjë vitrine, dhe pastaj sërish nxitonte për të mbërritur askund.
Instikti vetëmbrojtës dhe vëmendja gradualisht e shtuar, e bëri të ndjente se prej mëse dy orësh po e ndiqte një djalë rreth të njëzetave. Ai nuk ngjasonte aspak me princin që ndoqi e bëri të lumtur Hirushen. Jo, ajo nuk ishte jetimja e vogël e përrallës. Sa herë kthente kokën në krahun e kundërt të rrugës, e shihte atë disa metra larg. Dukej si një gjuetar në kërkim të presë.
Ndonëse ishte një pesëmbëdhjetë vjeçare, e zhvilluar mirë dhe mjaft tërheqëse, ishte e para herë që një djalë i vihej pas. E frikësuar, ajo nisi të vrapojë, me qëllim që t’i humbiste atij nga sytë, madje dhe duke u fshehur pas ndonjë peme, apo pallati. Por, pas disa tentativash foshnjarake, kjo gjë rezultoi e pamundur. Në një rrugë ku lëvizjet ishin më të rralla, ai iu afrua dhe me ton konfident e disi urdhërues, i kërkoi të ndalej……Pas një refuzimi të ndrojtur, ajo qëndroi dhe u kthye në drejtim të tij. E ndjeu se ishte shumë e pafuqishme ta kundërshtonte. Sa do dëshironte që në atë çast të kishte pranë të atin, ose ndonjë të njohur, cilido të qe ai. Por ishte vetëm, në një rrugë pa krye. Djali me pamje prej kokoroshi, me vetësigurinë që të jep përvoja, i shprehu simpatinë për pamjen e saj të bukur….. se ajo meritonte një jetë më të mirë se sorollatja pa kuptim në rrugët e atij qyteti……..me sa dukej bukuroshja ishte në kërkim të një ardhmeje ndryshe…….gjithsesi, e vetme nuk mundej……por ai mund t’ja siguronte atë……
Ndonëse në paqartësi bllokuese për rrugën e panjohur që po i propozohej, pas disa hezitimesh dhe kundërshtish të pafuqishme “Hirushja” e zënë në çark, u detyrua të pranonte. Me intuitën e saj, ajo kishte kuptuar se nuk mundej të refuzonte. Gjithsesi, ishte mëse e dukshme që ai do ta detyronte atë. Madje dhe me forcë. Arroganca dhe agresiviteti në sjelljen e atij djali ishte i dallueshëm. Atë pasdite e hipi në një makine të mbyllur, dhe ajo ndjeu lëkundjet e një udhëtimi shumë të gjatë. Më pas…..një dhomë në hotel…….persona të panjohur…….sharje dhe fyerje……..veshje ekstravagante…..nxjerrje me detyrim në trotuar…….dhe kontakte të pështira me persona që nuk flisnin shqip………
Kësisoj, “Hirushja” ra viktimë e një skllavërie të re, të cilën as e kishte imagjinuar. Disa përpjekje për t’ja mbathur kishin dështuar, deri sa një ditë, një makinë me fenelina që ndizeshin e fikeshin, e kishte marrë e dërguar në ambientet e një rajoni policie. Vajza e djem me uniformë hynin e dilnin me nxitim. Pyetje, intervista të lodhshme për gjithçka kishte përjetuar në ato tre vite që punonte në rrugë……dhe disa muaj më pas, në shoqërimin e tyre, rikthim në atdhe…..
……Gjithë këto ngjarje të trishta i kisha mësuar nga relacioni i hedhur në një cep të tavolinës. Ajo nuk pranon të rrëfejë sërish të njejtën histori rrënqethëse. Gjithçka e shkruar në atë copë letër dhe e firmosur prej saj, shprehte të vërtetat e dhimbshme që kishte përjetuar.
Vërtet jeta është një mister që lundron mbi valë të papriturash?? Nuk e di. Në rastin e asaj fatkeqeje, gjithçka dukej mizorisht e paracaktuar. Një dhimbje që përplasej e përpëlitej në udhëkryq. Bashkëudhëtare fatkeqe me vuajtjen e shfrytëzimin.
Disa orë më pas, ajo u largua nga ato ambiente. Në mungesë totale të mbështetjes psikologjike dhe financiare të institucioneve të shtetit, një krijesë e pafat do të humbiste sërish në labirintet e frikshme të jetës, asaj të padrejtës, asaj gllabërueses, viktimë e së cilës është dhe ajo vajzë e heshtur e zemërvrarë.
Si për ironi, nga salla hotelesh luksoze, mbërrinin çdo ditë mesazhe hipokrite në mbrojtje të “Hirushes”, dhe gjithë vajzave të tjera që kanë patur fatin e saj. Përveç shumave marramendëse që përfundojnë në xhepat e “kukullave të pispillosura të shoqërisë civile”, asnjë ndikim stimulues nuk kanë të tilla spekullime në jetën e tyre. “Hirushet” ishin dhe mbeten viktimë e varfërisë, injorancës, babëzisë, demagogjisë së pushtetit banditesk, dhe cinizmit të kohës që jetojmë.