• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dy botë…sa afër…sa larg!!!

July 17, 2018 by dgreca

1 alma Lico2

BRENGE – Vallë, a do të bëhet ndonjëherë Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve?/

Nga Alma LIÇO/

Të ulur në sediljet e përparme të tramvajit, po ndiqnim qetësisht rrëshqitjen e njëtrajtshme mbi shinat mes platformave të mbuluara nga dëbora. Për shkak të mosnjohjes së gjuhës gjermane, prania e tim shoqi, më ofronte një relaks dhe siguri të veçantë.

Sapo kishim lënë pas stacionin Kirchheim – Rathaus. Flokët e bardhë preknin lehtas  xhamat  e dritareve, për t’u shformuar butësisht, e krijuar më pas bulëza të shëndritshme uji, të cilat rrëshqisnin ngadalë përgjatë tyre. Ato bulëza të kristalta, tentonin të krijonin gropëza të vogla në sipërfaqen e shkrifët të dëborës që shtrihej njëtrajtshmërisht përgjatë shinave.

Disi të përgjumura, para syve tanë dukej sikur fluturonin godina mbresëlënëse të stilit “Gotik”. Çatitë e tyre të pjerrta, ishin zbardhur pjesërisht nga dëbora. Dritaret e papafingove, fasadat dhe ballkonet e mahnitshëm, shpalosnin vlerat arkitektonike të ruajtura me aq kujdes e dashuri.

Dhjetë minuta më pas, tramvaji u ndal në stacionin  “Montpellierbrücke”, i cili ndodhej disa minuta larg qendrës së Heidelbergut. Zbritëm nxitimthi prej tij, për të mbërritur orarin e caktuar të takimit në njerën nga zyrat e rregjistrimit. Isha ndër banoret më të reja të atij qyteti.

Ndonëse kisha çadër me vete, preferova të mos e hapja. Dëshiroja të kisha kontakt të drejtpërdrejtë me qiellin e përhimtë, që ngjasonte i mbuluar nga një vello e bardhë që shtrihej mbi supet e tij gjigande. Doja të shijoja freskinë e kristaleve të dëborës, që si flutura të bardha më preknin e përkëdhelnin fytyrën. U mjaftova me kapuçin e xhupit që vendosa për të mbrojtur flokët, si dhe mbylljen e kujdesshme të zinxhirit të çantës së dorës.

Disa metra më tej, dalluam semaforin me llampë të kuqe. Ecëm drejt tij. Sakaq, dy vajza bjonde ishin ndalur e po prisnin sinjalin e blertë. Çantat shumëngjyrëshe që mbanin mbi supe, ishin nga ato që përdoren për të vendosur librat e shkollës. Spontaniteti dhe çiltërsia rinore dallohej lehtësisht në sjelljen e tyre. Me sa dukej ishin përfshirë në një bashkëbisedim të këndshëm, pasi herë pas here qeshnin hareshëm.

Drita e gjelbërt e semaforit na ftoi të kalonim në anën tjetër të rrugës. Buzë trotuarit ndodhej godina me zyrat e rregjistrimit. Fasada prej xhamash të errët i jepte asaj një hijeshi të veçantë, duke krijuar një kontrast të magjishëm me bardhësinë rreth e rrotull.

Disa minuta më pas, mbërritëm në hollin që ndodhej në pjesën e pasme të saj. Ajo ishte një sallë e ngrohtë, në të cilën ishin vendosur disa tavolina dhe karrike për personat që duhej paraprakisht të merrnin kontakt në sportelet e informacionit. Në krahun e djathtë të saj zhurmonin lehtësisht, në mënyrë ritmike dy aparate fotokopjimi. Aty pranë ndodheshin zarfa të madhësive të ndryshme, letra dhe një kuti postare, të gjitha këto në shërbim gratis të qytetarëve. Dallova katër-pesë persona të ulur qetësisht, teksa prisnin të pulsonte numri i tyre në monitorin që ndodhej përkarshi. Ishte mëse e dukshme se i përkisnin nacionaliteteve të ndryshme.

E rrethuar nga një ambient komod e mikpritës, mezi u kujtova të çvishja xhupin, i cili në atë sallë të ngrohtë ishte vërtet i tepërt. Nuk kaluan as dy minuta të ulur në ndenjëset pranë zyrës ku ishte planifikuar takimi ynë, kur një vajzë e këndshme, e veshur thjeshtë, na ftoi në zyrën e saj.

Pasi na uroi mirëseardhjen, u ul para kompjuterit dhe vijoi me proçedurën e rregjistrimit. Pyetjet që drejtonte, ishin të shprehura me një ton të kujdesshëm e miqësor.

Ishte kontakti i parë imi me një zyrë në shtetin gjerman. E mësuar me arrogancën fyese dhe sorollatjen denigruese të nëpunësve të institucioneve të vendit tim, isha befasuar nga ai trajtim aq njerëzor që po na ofrohej. Syve të saj të vëmendshem nuk i shpëtoi kjo gjë, dhe si për të qartësuar habinë time, u shpreh:

-Zonjë, unë ndodhem këtu për t’ju shërbyer, pikërisht për këtë paguhem.

Sado që dëshiroja të mos kujtoja trajtimin mizor, të shtrirë në vitet e mundimshme të një jete të mbushur me fshikullime dhe privacione, përballja me një model krejtësisht të ndryshëm, në një vend të huaj, që nuk më detyrohej aspak, ma bëri të pamundur këtë gjë. Në atë mozaik vuajtjesh e padrejtësish të pësuara, para syve të mi u çfaqën padronët e zinj të diktaturës dhe post diktaturës. Endërroja të ishte ndryshe, por më kot, hijenat ogurzeza të së kaluarës së largët, por dhe asaj të afërt,  ishin bashkëqytetarë të mi………….

……Ishte një ditë vere, kur drejtori më telefonoi se më priste urgjentisht në zyrën e tij. E parandjeva se diçka të keqe do të më komunikonte. Madje e prisja. Muajt e fundit ishin hedhur në rrugë shumë kolegë dhe miq të mi. Një furtunë e çmendur kundër gjithë atyre që nuk militonin për partinë e ardhur rishtas në pushtet, kishte përfshirë çdo qelizë të administratës shtetërore. Ndonëse puna që bëja nuk kishte aspak lidhje me politikën, kjo gjë nuk i pengonte ata, pinjollët e ricikluar të diktaturës, të shtypnin e përjashtonin nga e drejta dhe nevoja për të punuar e jetuar, të gjithë ata që nuk ishin shërbëtorë apo mbështetës të tyre. Në atë gjueti shtrigash që kishte nisur e nuk dinte të ndalej, në atë luftë të padrejtë përjashtuese, ashtu siç vetëm komunistët dijnë ta bëjnë, mbase më kishte ardhur rradha mua. Ndjehesha e pambrojtur, e angështuar, e fyer, ndërkohë që prisja ekzekutimin e dënimit tim të pa apelueshëm.

Hamendësimi nuk më “zhgënjeu”. Me një vetpërmbajtje vështirësisht të kontrolluar trokita në derën e zyrës së tij. Pa pritur të më përgjigjej, e hapa atë, dhe pasi shqiptova një “Mirëmëngjes” të thatë, u ula në njerën nga karriket që ishin vendosur përballë skrivanisë. Po prisja të më bënte të ditur përse më kishte thirrur. Disi nervoz, me sy gjysëm të ulur, të fiksuara pa asnjë kuptim mbi një stilolaps të vendosur mbi disa shkresurina të hedhura kuturu,  me një ton hipokrit, më tha:

-Motra! Nuk mund të vazhdosh më funksionin që kryen. Të tillë e kam urdhërin. Ti e di, kështu e kanë këto punë……….

Heshti për një çast. Dukej qartasi që nuk kishte mbaruar. Mezi po gëlltisja neverinë e asaj konfidence të pështirë  dhe tërësisht të pavend….Motra…..Unë motra e tij???… Cili vëlla do të sillej kësisoj??

I jargavitur, më tej vijoi……Ekziston një mënyrë që mund të vazhdosh punën, por duhet të paraqitesh një kërkesë transferimi prej këtu, në një funksion tjetër të një niveli  më të ulët…….kupton????……..Jam i bindur se do ta vlerësosh këtë sugjerim miqësor……po pres ta përgatisësh sa më parë këtë kërkesë dhe të ma sjellësh …..

Pasi shqiptoi këto fjalë,  mori një pamje disi triumfale. Mbase priste ta falenderoja për mundësinë “e artë” që po më ofronte. Duhej të ndjehesha e lumtur dhe mirënjohëse për propozimin fyes që më ofrohej si një lëmoshë mjerane. Ngriti sytë drejt meje, dhe po priste….. Çuditërisht, dukej mëse i sigurt se do pranoja pa hezitim propozimin e tij …….fundja, nuk isha e para që bëhesha viktimë e këtij  kalvari të turpshëm….kompromis për bukën e gojës….shumë e thjeshtë për të……e kishin pranuar përulësisht, shumë hallexhinj përpara meje. Kishin rënë të ngratët në këtë lloj gracke bllokuese, për t’u hedhur më pas pabesisht në rrugë,  por me një status e nivel shumë më të pafavorshëm nga ai që mbanin më parë. Dy herë të mashtruar e viktimizuar.

Ai burrë rreth të pesëdhjetave, në atë moment m’u duk i vogël, gati i padukshëm. Mjegulla e pabesisë e kishte shformuar tërësisht atë. Ishte shëmbëlltyra e skllavit mjeran të ideologjisë mizore të idhujve të tij, të cilët ideuan dhe zbatuan me zell në dhjetëra vite luftën përçarëse e vëllavrasëse të klasave. Ndjeva një pështjellim që po më merrte frymën. U ngrita nxitimthi nga karrikja, dhe prerazi i thashë se nuk kisha asnjë arsye të kërkoja me vullnetin tim “të lirë”, transferimin në një punë me status e pagë më të ulët.

– Bëni ç’të doni – i thashë, dhe tërhoqa derën pas vetes…………

Ashtu siç pritej, disa ditë më pas, më përjashtuan nga puna, duke më ndërprerë për rrjedhojë  edhe të ardhurat e përballimit të jetës modeste që bëja. Kësisoj, iu bashkova armatës së të papunëve që endeshin pa dobi me vite gjykatave, në kërkim të së drejtës së tyre të shkelur nga shteti dhunues neodiktatorial. Për gjithë ata të pashpresë, epilogu i kësaj lufte të pabarabartë mbyllej me një valixhe të mbushur me lot, zemërim e zhgënjim….majë një avioni apo trageti…..për t’ja mbathur  larg, larg.

…..Sakaq, nëpunësja gjermane kishte përfunduar detyrën e saj, dhe me të njejtën dashamirësi e mirësjellje, më ofroi një çantë me mbishkrimin “Willkommen”. Brenda saj ndodhej një katalog me pamjet më të bukura të qytetit. Me sa duket, këto dhurata simbolike, me mesazhe të vyera mbështetjeje dhe mikpritjeje njerëzore,  i rezervoheshin të gjithë banorëve të rinj të tij.  Kisha fatin të isha njera prej tyre dhe ta shijoja me emocion atë trajtim njerëzor të munguar.

Sakaq, dëbora e kishte ulur intensitetin e saj. Një diell që herë çfaqej e herë zhdukej pas reve të përhimta, i jepte asaj një vezullim të veçantë. Ndjehesha e ngazëllyer për eksperiencën emocionuese të asaj dite. Madje e mallëngjyer. Në mënyrë të pashmangshme, ajo ballafaqohej me padrejtësinë e vendit ku linda dhe kalova mes vuajtjeve dhe privacioneve gjithë jetën time.  Me një shtrëngim në zemër dhe vaj të kapërdirë, më mundonte dhe vijon të më trazojë pyetja e dhimbshme, për të cilën nuk arrij të formuloj dot një përgjigje:

-Vallë, do të bëhet ndonjëherë Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve?????

 

Filed Under: Opinion Tagged With: a do te behet Shqiperia, Alma LIÇO, Atdhe, i gjithe shqiptareve

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT