• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

I HUAJ NË VËNDIN TËND

November 11, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

I HUAJ NË VËNDIN TËND/

Tani më duhej të ballafaqohesha me punën e krahut. Isha i dobët nga trupi, por vullneti nuk më mungonte. Babai punonte në ofiçinën e fermës si tornitor. Puna e tij e ndershme dhe cilësore vlerësohej nga eprorët e tij, nëpërmjet të cilëve munda të gjej një vend pune në Investimin e fermës si puntor ndërtimi, për të mos qenë puntor bujqësie. Aty kisha shokët e mij, moshatarë ose më të rritur, me të cilët na bashkonte rruga e gjatë e vuajtjeve të përbashkëta, privacionet, dëshirat e pasendërtuara, miqësia e sinqertë…

Mbas disa muajsh, së bashku me prindërit, un shkova përsëri në sektorin e Plukut, gjithmonë familjarisht në gjëndje interrnimi. Tashmë jeta kishte pak ndryshime; ditët, muajt, vitet kalonin të njëjtë. Format e luftës së klasave, që peshonin mbi ne, ishin nga më të ndryshmet. Ato shfaqeshin dhe në banesën e pamjaftueshme, gjë që nuk u zgjidh kurrë në jetën time dyzeteshtatë vjeçare. Kam jetuar gjithmonë në kasolle të ndërtuara vetë me kallama e baltë. Kam fjetur tre vjet në dhomën e beqarëve, mbasi kishim vetëm një dhomë, në të cilën flinin prindërit, hanim, rrinim, prisnim ndonjë mik të rrallë që kujtohej të vinte. Një tjetër formë ishte veçimi, trysnia mbi ata që na rrethonin për të mos marrë e dhënë me ne, një racizëm para të cilit Soveto nuk vlen për t’u përmendur. Sa e sa njerëz paguheshin për të “vigjëluar” jetën tonë, kush vinte, kush na fliste, kush na përshëndeste, kush na bënte ndonjë të mirë. 

T’a  ndjesh veten të huaj në Vëndin tënd, pa i bërë të keqe askujt, është një gjëndje që nuk ja uroj asnjërit në botë. E tillë ishte gjëndja jonë që zvarrisej kështu me dhjetra vite, me batica e zbatica, simbas tekave të “Zeusit”. Dallimi, urrejtja, pabesia mbilleshin e kultivoheshin në të gjitha drejtimet, kudo, në rrethin shoqëror, por dhe në farefisni, brenda familjes, deri në ndërhyrjet në marrëdhëniet dashurore. Ne nuk kishim të drejtën të dashuronim vajza  me tjetër origjinë shoqërore e as të mendonim të lidhnim jetën me to. “Aristokracia” komuniste e pushkës kishte huajtur nga simotrat e saj të shpatës  mendësinë e ruajtjes së kastës nga përzierja e gjakut. Rastet e pakta të thyerjes së këtij ligji “madhor” të Enver Hoxhës kishin pasojat e tyre me shkëputjen përgjithmonë të prindërve nga fëmijët. Sa tragjedi të heshtura ka shkaktuar në Vendin tonë kjo mënyrë veprimi, sa plagë ende të pambyllura në shpirtërat e djemve e vajzave që shihnin dhunën e regjimit të diktonte, nëpërmjet trysnisë së saj, ligjet e zemrës… 

Mbas dy vitesh interrnimi, papritmas, m’u hoq kjo masë. Kur m’u komunikua zyrtarisht kjo gjë, emrit tim i ishte shtuar një “i”mbrapa që i ndryshonte seksin. Ndofta ndonjë shpirtmirë në ata organe të dhunës, mund të ketë menduar t’i japë “liri” një vajze nëntëmbëdhjetë vjeçare, që i ka prindërit me masa interrnimi. Kështu un rastësisht u gjenda formalisht jashtë rrethit të shokëve të mij, të cilët masën e interrnimit e mbajtën dhe për disa pesëvjeçarë pa shkëputje, ndërsa un do të takohesha  përsëri me të, por për këtë do të flas më vonë.

Gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjetë solli acarime të mëtejshme të luftës së klasave. U kopjuan të gjitha marrëzirat e të ashtuquajturit Revolucion kultural kinez, si dalja para kolektivave për të paraqitur biografinë, fletë-rrufetë, dacibaot shqiptare, ku teorikisht ”cilido pa frikë e me shkronja të mëdha mund të shkruajë ç’mendon ai për punën dhe për njerëzit.”. U dha kushtrimi për prishjen e kishave e të xhamive, një veprim barbar, i pashembullt në shoqërinë moderne, me pasoja shkatërrimtare për botën shpirtërore të shqiptarëve e për prishjen  e vlerave kulturore e artistike që qëndronin në objektet e kultit. U fol me të madhe për luftën kundër Kanunit, duke i hequr kështu themelin e disa prej traditave e ligjeve morale, që kishin qeverisur këtë popull prej shekujsh të gjatë. U lakua shumë “emancipimi” i femrës shqiptare, për t’a futur plotësisht në ingranazhet marramendëse të një ideje, në dukje përparimtare, që e ngarkonte aqë shumë sa të meritonte përcaktimin “skllave e shoqërisë moderne “. “Heroizmi“ popullor, i mishëruar në figura qesharake si Fuat Çela, u propagandua me art, duke vënë në shërbim dhe artin zyrtar, për të krijuar një brez të tërë skllevërish,  të aftë vetëm të punonin si kafshë për shtetin, mbasi vetëm aty do të gjenin “lumturinë”. Kanalizimi i të gjitha dëshirave e interesave të rinisë tek puna përbënte thelbin e strategjisë së krijimit të “njeriut të ri” që duhej të ishte një robot në trurin e të cilit të ishin vetëm “veprat” e Enver Hoxhës. Përpjekja për të ndryshuar natyrën njerëzore nëpërmjet dhunës e ligjeve të saj, nuk mund të kishte tjetër përfundim veç dështimit, e nuk mund të vërtetonte më mirë marrëzinë e autorëve të saj.

Në bllokun Lindor lulëzonte teoria e “sovranitetit të kufizuar” të Brezhnjevit, më vonë u sulmua Çekosllovakia e Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës. Në Kinë vazhdonte anarkia e pasojat ndiheshin dhe këtu. U krijua një atmosferë e nderë, në të cilën u shtua puna e hafijeve, që përpiqeshin të kapnin copa bisedash për t’i regjistruar në dosjet vetiake të arkivave të Sigurimit, në pritje të proçeseve të panumurta për agjitacion e propagandë të viteve shtatëdhjetë.

Në këtë kohë, në vitet 1967-1969 kreva shërbimin ushtarak. U mobilizuam për të plotësuar porosinë e Partisë: “T’u qepemi kodrave e maleve t’i bëjmë ato pjellore si fushat”. U caktova me shërbim në efektivin e NBU së së Burrelit. Me uniformën e ushtarit kishim për detyrë të shpyllëzonim e të mbillnim patate në malet e Martaneshit, të Lurës, Steblevës etj. Un, me zanatin tim të muratorit, mbas pesë gjashtë muajsh fillova të punoj në repartin e ndërtimit të banesave të Korpusit, si pasojë e nismës së marrë në shkallë Vendi, për të ndërtuar banesa me kontribut vullnetar. E kreva shërbimin ushtarak pa bërë asnjë qitje, dhe sot e kësaj dite nuk kam shtënë asnjëherë me armë.

Pranvera e Pragës më 1968 ishte përkohësisht një “rreze drite” në mbretërinë e errësirës së kampit socialist. I gjithë brezi im kujton ende me shumë mall emrat e Dubçekut, të Smerkovskit, të Çernikut etj., që u bënë për ne të dashur, sinonime të një ere të re , që na ushqente shpresën se mund të vinte ora e ndryshimeve dhe në botën tonë. Por fatkeqësisht 21 gushti i përmbysi të gjitha iluzionet e brezit tim që vazhdon të nderojë kujtimin e gjestit heroik të Jan Palashit. Logjika e tankeve rivendosi atë rend gjërash që bazohej mbi dhunën dhe shtypjen e lirive vetiake e shoqërore.

Atje, gjatë shërbimit ushtarak u njoha me shokë të tjerë. Në kujtesën time mbetet imazhi i një poeti, të cilin un e quaja mjaft të talentuar. Talenti shoqërohej me një vështrim objektiv e të saktë të jetës  dhe një karakter të fortë e pozitiv .Ndoshta këto qenë arsyet  që nuk njohu podiumin e suksesit si shumë kolegë të tij. Më kujtohet se si një ditë të ftohtë dhjetori, në pyll, anës një zjarri  ku kishim pjekur patate, ai më lexoi dy poezi  që kishte shkruar për Shkurte Pal Vatën dhe për Skënderbeun. Nëntekstet e poezive ishin shumë të thella, të guximshme e të reja për kohën. Ato më pëlqyen shumë e mbas një bisede të hapur në lidhje me to, ai bëri ndonjë ndryshim të vogël dhe i çoi për botim. Me të më lidhi një miqësi e sinqertë, që nuk shihej me sy të mirë nga kolegët e tij ushtarakë, ca poetucë të dështuar, mbi të gjitha shpirtërisht. Ata në emër të artit dhe dëshirës për t’a “ruajtur” shokun tim nga “infeksioni” i mbushën mëndjen atij se un do të arrestohesha dhe e ndanë përkohësisht prej meje. Kjo shkaktoi një gjëndje tensioni tek un, por fatmirësisht ishin muajt e fundit të shërbimit ushtarak. Më vonë me shokun u spjeguam dhe mbetëm miq, por ka shumë vite që nuk dëgjoj më për të. Më vjen keq se ishte me talent e me zemër të madhe e parashikoja një të ardhme letrare të sigurtë për të.

Vitet e para të dhjetëvjetëshit të shtatë ishin më të qetat. Njerëzit nëpër plazhe dëgjonin së bashku Hit parejdin me këngët e Çelentanos, Milvës, Iva Xanikit, Massimo Ranierit e të tjerë këngëtarë italianë që, në përgjithësi, ishin ata që pëlqeheshin më shumë. Të rinjtë filluan të vishen më ndryshe, vajzat zbuluan minifundet e pantallonat, djemtë zgjasnin basetat e flokët. Diskutohej hapur për muzikën dhe sportin e huaj. Por më 1973, papritmas ,në skenën e shoqërisë shqiptare filloi tufani i luftës kundër”shfaqjeve të huaja”. Në fillim u kujtua se ishte thjesht një çështje e pamjes së jashtëme, por regjimi e kishte synimin shumë më thellë. Duhej përdorur shtypja për të shmangur në embrion çdo prirje shkëputjeje ose vënieje në diskutim të dogmave dhe ideologjisë zyrtare. Pasuan vite të tmerrshme ankthi, me goditje lart e poshtë. Fluturonin ministra e funksionarë të lartë, të akuzuar për tradhëti, por shpata binte e fortë edhe mbi ne që kishim në dorë vetëm mistrinë.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, I HUAJ, NË VËNDIN TËND

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT