-Me Kyeqëndër Kolloninë e Bukureshtit-
Prej Lasgush Poradecit- Ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kollonisë-
Shqiptarët duhet të këthehen me mirënjohje kundrejt popullit rumun dhe qeverisë rumune, për ndihmën e gjithënjëshme që kanë patur në lëvizjet e tyre kombëtare. Pa këtë ndihmë, e cila ka qënë njëkohësisht morale dhe lëndore, çështja shqiptare në Rumani dhe Shqipëri nuk do kish marë atë sulm të fortë, themeltar, aq të nevojitur asisoj për kohët e robërisë. Nuk do kish qënë e mundur pa mbështetjen fisnike të Shtetit rumun ngritja e Shoqërive zë-mëdhaja të Bukureshtit – Drita, Diturija, Shpresa, Bashkimi – dhe të qyteteve të tjera të Rumanisë, të mirëmerituara plotërisht me veprat e tyre ndaj Atdheut. Kësaj mbështetjeje i ka hije mirënjohja më e fellë e gjithë Shqiptarëve. Sepsë një përkrahje e këtillë nuk i-u dha atyre as në Greqi, as në Turqi, as në Serbi dhe as në Bullgari. Këtu, në Bullgari përpjekja e Shqiptarëve u lejua vetëm më von në kohën e Kristo Luarasit. Kur Shqipatrët patnë të drejtë të shtypin paqeta dhe libra për mësimin e gjuhës shqip. E vërteta istorike është, se Shqiptarët e Sofjes u organizuan shoqërisht që më 1893, më një të Kollozhegut (Janarit), dyke themeluar shoqërinë e tyre të parë Dëshira. Po ky lejim nuk mund të krahësohet aspak me përkujdesjet vëllazërore të gjithë Qeverrive të Rumanisë ndaj Shqiptarëve. Qeverrija bullgare e asikohëshme pranoj, më në fund, t’i lerë të lirë Shqiptarët, si një kundërpeshim të përkrahjes rumune, si një rast dhe një mjet përfitimi që të shpëtojë po të ish e mundur Bullgarët e Maqedhonisë. E kundërta ngjet me Shtetin rumun; këtu, me gjithë kundërshtimin e shpallur të kryetarit të famshëm të Shoqërisë Drita Nikoll Naço-Korça ndaj Apostol Margarit-in, inspektor-dhe diktator i përgjithshëm i shkollave dhe i çështjes rumune në Maqedhoni, lëvizja kombëtare shqiptare mbahet dhe përmbahet zyratrisht e padobësuar në asnjë mënyrë kurrë; Naçua boton me nënshkrimin e drejt-për-drejtshëm të vet broshura të trasha parimërisht të drejtuara kundër Rumunëve të Ballkanit- po burrat shtetorë më të mëdhenj të Rumanisë, mi kryen e tyre mbreti Carol, janë kurdoherë për mendimet e Naços, për sgjidhjen e çështjes së pamohuarshme shqiptare. Që më 1880, dhe më përpara, Rumanija ishte ajo që lejonte të shkruhet shqip, të shtypen gazeta dhe libra, të hapen shkolla- siç ishte ajo e famëshmja e Naços – të shentërohet Kisha e meshimit kombëtar shqip në qëndër të Bukureshtit. Vërtet se për Kishën shqipe s’duhet harruar asnjë ças therrorija dhe përpjekjet e veteranëve Nikoll Naço, Vasil Zografi, Marko Qiriazi, Jani Danga, po si do kish mbetur kjo çështje dhe këto çështje sikur të mungonte simpathija spontane e Udhëheqësve të popullit rumun kundrejt gjithë ndërmarjeve kombëtare shqiptare? Kundrejt gjithë veprave të Kollonisë të kryera në Bukuresht si në një kryeqytet shqiptar të dytë, dhe të cilat nër shtetet e tjera ballkanike jo vetëm që ishin të palejuara, po dhe të ndjekura me rreptësi?
ISMAIL QEMALI NË BUKURESHT
Në Bukuresht u bë dhe Mbledhja për evenimentin më të shkëlqyer shqiptar pas pesëqind vjet robërije, Kuvëndi i nëntorit më 1912 në hotelin Continental, kur ardhi Ismail Qemali dhe u vendos të vejë të ngrerë Flamurin në Vlorë dyke proklamuar vetë qeverimin e Shqipërisë Komisioni i posaçmë i Kollonisë i përbërë prej Dhimitër Zografit (i vëllaj i Vasil Zografit), Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Spiridon Ilos, Dhimitër Emanolit, Pandeli Emanolit, Dhimitër Berattit. Pse s’u muar në Stamboll ay vendim, pse s’u muar në Sofje, në Kajro, në Athinë ose kudo gjetkë?-Kurorëzim përfundimtar i lumtur i të cilave përkrahje dhe mundime të Kryeveteranëve të Bukureshtit ka qënë Njëzetepesëvjetori i Vetëqeverimit, që u kremtua më 28 Nëntor 1937 në Shqipërinë e lirë. Aq e përzemërt, e pakufizuar ka qënë përkrahja e popullit rumun ndaj Shqipëtarëve, sa që Kollonija e Bukureshtit kishte – me vendim qeveritar – prerogativa shteti në kohën e luftës së përbotëshme. Ishte si shtet më vete në shtet të huaj. Dhe më 1916, pas ardhjes së Gjermanëve në Kryeqytet, shteti rumun dhe me këtë shteti gjerman i njojti Kollonisë Shqiptare të Bukureshtit të drejtën e të dhënit pashaporta, e ratifikuan si të theshim de fakto atë mëvetësi shtetërore. Ergo: nga prestigji i Kollonisë, Shqiptarët nuk vinin ushtarë as për Rumaninë as për Gjermaninë. Po ata vajtnë ushtarë për Shqipërinë, më 1914, në kohën e mbretit Ëied, kur ra dëshmor prej rebelëve dhe kushëriu i parë i të nënëshkruarit, Stavre Gusho, i ardhur vetëdashës midis vetëdashësve të tjerë të Kollonisë në mes me vjershëtorin Asdren.
Me këto fjalë hyrjeje, që fryjnë siç duket frymën e ngrohët të vëllazërisë rumuno-shqiptare, kemi dashur t’a paraqitim tregimin t’onë mirënjohës mi Kolloninë e Bukureshtit kryesisht, qëndër e parë e lëvizjeve të Rilindjes në Rumani.
ZËRI I GJAKUT: JAM SHQIPTAR
Sikur të deshim të përshkruajmë ndodhjen e Shqiptarëve, ose fillimin e Shqiptarëve në dherin mik të Rumanisë, do t’a ngjitnim mburimën që në kohësinë e bashkëjetesës së të dy popujve, ose që në çasin e çfaqjes së gjakut shqiptar të përvetshëm në istorinë e shtetit rumun dhe të letrave rumune. Sepse kështu, për të vërtetësuar këtë vëllazërim atavik, do të kuptonim dhe spjegonim më mirë bashkësinë e tyre thrako-ilire dhe do të ndjenim edhe më mirë qëndrimin frymor të pendëtarëve të gjuhës rumune me gjak shqiptari nër rremba dhe me tipare shqiptari në fizionomi. Kështu do të dilnim më faqeza, edhe për kombin tonë, raportet gjuhësore dhe racore midis Shqiptarësh dhe Rumunësh, si dhe shprehjet e nënëvetëdijshme të njerësve të shkrimit rumun -në krye me poetin e math Mihail Eminescu- brënda simpathisë dhe dashurisë shqiptare. Ky Eminescu, vigani i artit dhe i shpirtit rumun, mi Shqipëtarësinë e të cilit është shënuar dhe shkruar me rast dhe duhet vëzhguar themeltarisht, nër çaset e këthjellta të errësimit të tij mendor çfaqte haptas – si për të simbolizuar njëjtësinë shpirtërore të të dy popujve – atë që i diktonte në fshehtësi zëri i fëllë i vetëdijes, dhe që quhet zëri i gjakut: Jam Shqiptar!.
Për të parashtruar gjindjen dhe çfaqjen e Shqiptarëve në tokë të popullit mik, lënda e bibliotekave të akademive rumune dhe të instituteve ngjajtëse jep gjithë mjetet diturore sa-për-kaq rreth çështjes. Në shkrimet e vjetra, në kronikat e pasura të vëndit, është e pamundur të mos gjesh dëndur dhe përzjerjen e Shqiptarëve gjatë çvështjelljes politike ose kulturore të Rumanisë.
Vëzhgimi këtu i fenomenit Shqiptar, është lehtësuar jashtëzakonërisht nga karakteri i hapur, i pa mistifikuar, i ndershmërisë së kronikarit rumun. Objektiviteti i këtyre tregimtarëve të kohës, del me këtë shkak vërtet për t’u admiruar. Sepse ata, kurdoherë, vepëronjësin ose sundimtarin shqiptar kanë patur kujdes t’a përgjyrësojnë brenda cilësimit të emrit të tij ethnik. Kanë bashkëndihmuar kësisoj mjaftërisht nga ana e tyre në kryerjen e detyrës aq të bukur të studijonjësit në qoftë se ky do të jetë një vëzhgimtar shqiptar, për të nxjerë në dritë veprat e Kombit t’onë të shpërndara në të katër skajet e botës.
Këto vepra të shënuara me kujdes prej Shqiptarëve të Italisë – Arbëreshëve – për sa i përket çfaqjes në jetën politike dhe kulturore të popullit italjan, kanë qënë lënë qëllimërisht thuajse krejt në hije nga të tjerët.
Në perandorinë otomane krijonjësit e këtyre veprave janë identifikuar nga shkrimtarët me racën vëndase, dyke u fundosur dhe çdukur në istorinë e saj shpesh herë vetëm si Turq.
Gjithashtu ata të Greqisë, që janë dëftyer si Grekër të thjeshtë prej istorishkronjësve të saj, shtrembëronjës të fakteve shqiptare dhe të shkaktonjësve dhe mbajtësve shqiptarë të tyre.
Në këtë gjëndje errësire hyn Egjipti, përkrah me Vënde të tjera që i përgjajnë.
Jo kështu dhe populli fisnik rumun; ay qëndroj i ndershën në sjelljen e tij istorike kundrejt burrave shqiptarë që u përzjenë me fatet ku u përshkua, dyke i ritur dhe vlerësuar zotësisht ato fate. Shkrimtarët e Rumanisë as i-a-u kanë mohuar dhe as i-a-u kanë fshehur kurrë racën dhe kombësinë protagonistëve shqiptarë në istori të vëndit të tyre. Shqiptari, për kronikëshkronjësin ose istorikun rumun, është dhe quhet gjithnjë haptas Shqiptar. Vasile Lupu (Vasil Ujku), Zoti i Moldovës në shekulllin e XVII, shtëpija Gjika, zotëronjëse dhe princëronjëse në Rumani si dhe Duka dhe shumë personalitete shqiptare me famë, për shkencëtarin rumun janë gjithnjë Shqiptarë dhe lëvdohen dhe lartësohen për veprat e mbëdha që i falnë popullit aq nga pikpamja politike sa dhe kulturore, dyke u kujtuar dhe sot e kësaj dite me mirënjohje. Një vragë të shënuar në rrjedhën e istorisë rumune kanë lënë pas shoqëronjësit e sundimtarëve të dërguar nër krahinat e Rumanisë prej Stambollit, Ata, me ikjen e kryezotërve, mbeteshin të shumtët në Vënd dyke nxjerë me kohë prej fisit të tyre njerës të aftë dhe të shquar për çdo lloj administrimi, në punët qeveritare të Rumanisë.
Prej këtij elementi shqiptar të vërshuar me kohë në Rumani u brumos, aty si para nj’a tri qindvjetorësh, dhe stërgjyshërija e poetit Eminescu, brezlindjen e të cilit do t’a marrin nënë kqyrje më von veçanërisht. Dhe kur ky eksponent i shpirtit rumun e rrethoj me aq simpathi kujdesonjëse emrin shqiptar, si të mos kishin bërë kështu pasonjësit e tij, vazhdonjësit e frymës udhëheqëse të tij.
Mërgimtarët e Kollonisë Shqiptare të Rumanisë me kryeqëndër në Bukuresht kishin, kësisoj, gjithë paravëniet e trashëgimit anasjelltas të të dy popujve, dhe prandaj ata muntnë t’i përvishen asaj Lëvizjeje së Propogandës së Madhe Kombëtare prej më shumë se gjashtëdhjet vjetësh e këtej, përfundimet e së cilës kanë vëndin e tyre nga më të parat në ndërtimin e Shqipërisë së lirë.
Me një program sa të thjeshtë, aq të gjërë dhe këmbëngulur e filluan anëtarët e Kollonisë Përpjekjen për Kombësi dhe Shqipëri: me shvillimin e ndjenjës shqiptare, të vetëdijes kombëtare, të cilën e pasonte dyke e shoqëruar mësimi i gjuhës shqip, hapja e shkollave shqipe, krijimi i shoqërive dhe klubeve nacionaliste, organizimi i çetave kryengritëse të Lirisë për të fituar autonominë dhe administrimin krejt shqiptar të Vëndit; ëndra e fundit, e shikuar larg nga shkaku i fuqisë édhe së pashkatëruar të perandorisë otomane, ish Vetëqeverimi i Shtetit Shqiptar të pavarrur dhe suveran-qëllimi fundor i gjithë organizatave.
THEMELIMI I SHOQËRIVE SHQIPTARE NË RUMANI
Themelimi i shoqërive shqiptare në Rumani është i dokumentuar nëpër arkivat përkatëse, mburim i pashterrur atdhedashurije, të plotësuara në hollësirat e tyre nga kujtimet dhe shkrimet rastore të veteranëve.
Nga këto arkiva dhe kujtime dhe shkrime, burimi kryesor i të cilave për të nënëshkruarin është këtu ajo biblioteke e gjallë e Kollonisë që quhet Asdren po ngjizet dhe rrëfimi pasonjës:
E para Shoqëri që u fillua në Bukuresht ka qënë themeluar zyrtarisht më 30 të Vjeshtës së parë 1879, sikundër shënon dhe e përkohëshmja Diturija e Bukureshtit, botuar më 1916.
Pak kohë passi kish filluar punën e saj Shoqërija e Stambollit, vjen një letërkëmbim nërmjet udhëheqësve të kësaj dhe shqiptarëve më me rëndësi të Bukureshtit, të mbledhur rreth shoqërisë së tyre me vendim po pa bujë. Letërkëmbimi, i nënëshkruar nga Stambolli prej Sami Frashërit, Jan Vretos dhe Naim Frashërit është një dokument mallëngjenjës për çdo shqiptar të kohës s’onë. Dituraku i math Sami Frashëri, kryeatdhetari i Shoqërisë së Stambollit bashkë me shokët e tij flet me aq thjeshtësi dhe bindje në këto letra, me aq shentëri për vëllazërimin e përgjithshëm shqiptar, për Idealin e Shqipërisë së arthme, sa, dyke lexuar dhe sot fjalët dhe këshillat e tija të mburuara prej të vetmit parim të vërtetë kombëtar që është parimi i Vëllazërimi, nuk habitemi se si Kollonija e Bukureshtit, edhe pas tretjes së shpejtë së Shoqërisë në Stamboll, e vazhdoj gjer në fund përpjekjen e madhe drejt Qëllimit Kombëtar, të fuqizuar dhe të ndritur në atë parim nga qëndra e Stambollit.
Pa mbaruar viti 1880 ardhi në Bukuresht kryeveterani i palodhur Jan Vreto Posténani, përfaqësonjës i Shqiptarëve të Stambollit, me mision organizimi shoqërirash kombëtare jashtë Atdheut. Shoqërija e Kollonisë Shqiptare të Bukureshtit, që kishte për kryetar Vangjel Geçon nga Korça me arkëtar Llazar Andonin nga Kolonja, s’kish filluar édhe jetën e saj të lëvizur, në fushën e gjërë të vepërimeve të mëpastajme. Po që tashi qëndronte me vullnet gati për punë. dyke patur në krye një burrë që u shqua kurdoherë në jetën sa vinte më të gjallë të shoqërisë.
Ky veteran i radhës themeltare të Lëvizjes, Vangjel Geçua, është dhe ay në shtëpi të të cilit u bë – siç del nga dokumenti përkatës – e para mbledhje për një Degë Shoqërije, më 18 të muajit Korrik 1881.
Jan Vretua shvillonte një vepërim të palodhur, të pathyer, dyke përmbushur detyrën kombëtare të tij si nisjator dhe organizonjës i çështjeve. Ay punonte me atë durim dhe me atë ëmbëlsi të karakterit të tij, që e kish për vetije. Kësaj i detyrohet dhe fakti se i-a hariu kurdoherë qëllimit dyke përhapur idenë e madhe të Rilindjes, dhe dyke i dhënë asaj veglat e nevojshme, konkrete, për një zbatim dhe sendësim të dobishmë; këto vegla ishin shoqëritë e vëna në udhë organizimi prej tij, dhe të cilat u patnë rrëfyer të plotvlerëshme nër veprat e kryera më pas pavarrursisht. Nuk rinte Vretua kurrë në vënd, gjithnjë ish në vepërim, gjithnjë i paqetë. Qetësohej, përkohësisht, vetëm passi e mbaronte punën e tij, passi e vinte në udhë të mirë për t’u ndjekur dhe për t’u ritur ajo punë pastaj prej vetiy. Kështu bëri dhe për Shqiptarët e Rumanisë në Bukuresht, ku organizoj aty Shoqërinë më të parë të Mërgimtarëve, të mbushur me lavdi ndaj Atdheut për veprat lartësisht të merituara. Ay mbeti vetëm pak kohë në kryeqytetin Rumun pas themelimit të Shoqërisë, dyke u kënaqur me vajtjen e regullshme, shpresëdhënëse, të përpjekjeve të Komitetit të saj. Sepse pa durim, nga fillimi i vitit 1882, u hoth shpejt-e-shpejt në Egjipt, për të bërë propagandë kombëtare nër Shqiptarët e atjeshmë.
Vajtja e Jan Vretos prej Bukureshti në Egjipt me mision kombëtar dhe propagandistik, nuk ish e mundur të mos japë ato pemë, që sicilido e priste pa as më të voglin dyshim prej fuqisë bindëse të zemrës së tij të bardhë. Sepse Vretua kishte jo vetëm durimin dhe ëmbëlsinë e karakterit, po ish dhë mëndje-urtë dhe elektrizonte bashkëfolësit dal-nga-dal si me një magji të pakuptuar. Magjija e tij, ishte besimi i tij në ato që fliste. Aq kulluar dhe aq bukur e parashtronte ay idealin kombëtar të Shqipërisë, sa dëgjonjësit i-a rrëmbenin si të thuash fjalën nga goja, dhe fjalën dhe qëllimin e tij e bënin fjalën dhe qëllimin e tyre. Kështu udhëtimi që bëri Jan Vretua në Egjipt – në Egjiptin e Eftim Mitkos, të Spiro Dines, dhe të Çajupit- lëshoj farën e dëshëruar dhë të pritur të fillimit dhe atje të një Shoqërije Kombëtare, për të cilën u nënëshkruan menjëherë sumëra të mjaftuarshme nga Shqiptarët e mërguar. Midis nënshkrimeve dalin në pah, për sumën e derdhur dhe veprën e mirënjohur, emëra veteranësh që kanë vënë sicili gurin e vet në ndërtesën e Kombit: Eftim Mitko-Korça, Jovan Mitko-Korça, Spiro Dine-Korça, Mandi Peci-Korça, Kristo Dako-Korça, Thanas Dako-Korça, dhe – gjë e vetëkuptuar – në krye të gjithë këtyre me sumën më të madhe prej dhjetë napolonash flori Nikoll Naço Korça, kryetari i famshëm i Shoqërisë Drita (1884) të Bukureshtit, i cili asikohe gjëndej edhe për pak në vëndin e tij të parë të Mërgimit në Egjipt.
Këta Dërgimtarë të Idesë shqiptare të Egjiptit, të cilët, me t’i-u përveshur detyrës derthnë një-herë përmbajtjen e pasur ose të vobektë të kuletës së tyre, kapnin numurin e habitshëm prej nëntëdhjetenëntë vetash, dhe ky numër kapi sumën e katërmijë-e-nëntëqind frangave, të holla e të dhuruara që me rastin e mbledhjes më së parë.
Përpjekja nacionalistike në Egjipt nuk e ka mburimin aspak nga Shoqërija e Stambollit, njëjt dhe me përpjekjen e Shqiptarëve të Italisë, atyre të Rumanisë dhe të Greqisë. Ajo daton istorikërisht, me këto të tjerat, që përpara vepërimit të Stambollit. Sikundër Jeronim De Rada kish filluar mbledhjen e Rapsodive shqiptare të tija nër Arbëreshë më 1833, sikundër Naum Veqilharxhi botoj abetaren shqipe të tija më 1844 dhe shkruante për propagandë kombëtare në Bukuresht më 1846, sikundër P.D.Kupitori kishte shkruar në Athinë më 1868 mi abecenë shqipe, ashtu dhe Eftim Mitkua kish botuar Bletën Shqiptare në Aleksandri të Egjiptit që më 1878.
VLERA E JAN VRETOS, ËSHTË AJO E MISIONARIT TË SHQIPES
Vlera e Jan Vretos, është ajo e Misionarit të shqipes: ajo qëndron në frymën shtytëse dhe organizonjëse të tija, një frymë fisnike me parime krejt të njerëzishme, siç u shfaq paras në Bukuresht dhe tashi dhe këtu nër të mërguarit e Egjiptit.
I kënaqur me zemër nga puna aq e mirë e përfunduar në Egjipt, Jan Vretua niset e këthehet edhe njëherë në Bukuresht për hollësira që vështronin degën e atjeshme dhe ri vetëm gjashte javë dyke ikur pastaj për në qëndër në Stamboll.
Duhet të shënojmë, me qënë që flasim mi Kolloninë e Shqiptarëve të Rumanisë dhe për veprat e therroritë e tyre, se shpenzimet e vajtjes së Vretos për në Egjipt nuk u bënë as prej Qëndrës së Stambollit as prej Shqiptarëve të Egjiptit, po vetëm prej Shoqërisë idealiste të Bukureshtit e cila, përpara se t’a nisë për në Egjipt, Vretos i dorëzoj për nevojat lëndore të Misionit të tij katër-qind franga ar të dhëna vetëdashërisht nga disa anëtarë të saj më të zellshëm.
Në Stamboll Shoqërija zhvillonte me punë dhe pa bujë vepërimin e saj, e lejuar siç ishte nga qeverija otomane që e kish ngritur vetë dyke u shtrënguar në mes të rethanave politike të kohës. Qeverija i-u kish dhën Shqiptarëve dhe një ndihmë për qëllimet e Shoqërisë – tre-qind napolona – dhe ata dijtnë t’i përdorin me vënd, si çdo send e gjë tjetër që vështronte Shoqërinë.Vepërimin e tyre ata e kishin përfunduar tashi-për-tashi dyke shtypur një Abetare, dhe dyke e shpërndarë dhe përhapur në Rumani, Shqipëri dhe kudo gjetiu ku mundnin. Bëhej dërgimi më shumë vetërisht, kjo ish mënyra më e përshtatur dhe më e sigurtë e kohës, po dhe posta e Konsullatave të huaja përdorej dëndur nga shkaku i mënjanimit të çdo kontrolli të padëshëruar qeveritar. Dyke marë para sysh se Abetarja u botua në dhjetë-mijë copë, kuptohet vetiu përhapja fillimërisht e mjaftuarshme e saj. Sepse në këtë kohë ishin të pakët lexonjësit – lexonjësit me dashuri të vërtetë për shqipen dhe për këtë libër shqip, e cila qe shtypur me shkronjat e Jan Vretos të qojtura përgjithërisht si abeceja e Stambollit. Këto shkronja që kanë për themel shkrimin latin, mëmëdhetarëve të parë të shqipes i-u sillnin pak vështirësi me shenjat slavishte dhe gërqishte të futura aty-këtu midis tyre, dhe ishin një shenjë përbuzëse të idesë shqiptare nga ana e kundërshtarëve. Të metën e tyre të dyfishme – praktike dhe politike – e hoqi Nikoll Naçua. Ky, nër aqe çështje të zjarrshme të hapura dhe të përfunduara prej tij më qëllim më të pastër kombëtar, shkakëtoj në Bukuresht, që me rastin e parë, dhe bisedën e përdorimit ose jo të shkronjave të Vretos; kjo dokumentohet nga letra e rëndësishme e Kostandin Kristoforidhit që i dërgoj Naços në Bukuresht prej Elbasani më 15 Janar 1888, ku preket ajo bisedë. Si njeri me personalitet të fortë dhe me vendim që ishte Naçua, jo vetëm që ay u shpall për-një-herësh kundër abecesë së përzjerë të Jan Vretos dhe për një shkrim krejt latinisht të shqipes, po e vuri në zbatim këtë bindje të tij dhe dyke botuar gazetën Shqiptari në Bukuresht, më 1884. Koha e rrëfeu, se gjykimi i Naços rreth abecesë shqipe kish qënë një gjykim dhe një larkshëkim themeltar.
Gjith dyke zhvilluar vepërimin kulturor e përhapjen e gjuhës shqip të shkruar, udhëheqësit e Shoqërisë në Stamboll nuk linin prej dore letërkëmbimin me burrat e Bukureshtit, dhe i-u shkruanin përhera rreth vajtjes së punëve të Degës dhe mi nevojat e Qëndrës. Aq me dashuri ishin këto letra për atdhetarët e Bukureshtit, të cilëve i-u drejtoheshin, dhe për çështjen e ndritjes së Kombit, që kishin për të vetëm ideal, sa vraga që ato linin në shpirt ishte shumë e fellë dhe nga ky shkak dhe shtoheshin anëtarët e rinj të kollonisë dita me ditën.
Kryetarët e Stambollit, kishin gjetur barin shëronjës të plagës së kombit shqiptar: bashkimin e shenjtë. Dhe për t’a ungjillizuar këtë bashkim, me tërë shënjtërinë që kërkonte, ata kishin dhe tërë virtutat.
Prandaj dhe sot si ahere dhe si përhera, ata që me afsh e duan Vëndin, siç e kanë dashur dhe siç do t’a duan, mbajnë për zemre gjithnjë Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë e bashkimit vëllazëror të të gjithë Shqiptarëve, që është Shqipërija e Naim Halit Frashërit, e Jan Vreto Postenanit, dhe e Pashko Vasë Pashë Shkodranit.
Përkrah me kujdesimin e pafjetur të kryetarëve të Stambollit , ritej në Bukuresht, më shumë nga gjallërija vetijake e Shqiptarëve të këtushmë sesa prej shpirtëzimit tërthoras së andejmi, dhe nevoja e Kollonisë për të pasur Shoqërinë-domethënë nisjativën dhe vepërimin krejt të pavarur të vetin. Anëtarët e Kollonisë deshin t’i përvishen punës një-her-e-mirë nga vetëvetja e tyre dhe jo ashtu dyke u hequr zvarë mengadal, ose dyke pritur udhëzime nga Qëndra. Pret i mefshti jo njeriu i pajosur me temperament. Kjo gjindje e solli çështjen ashtu që tashi të gjithë në Bukuresht kërkonin të organizoheshin në liri, të punojnë të lirë, sepse ndjenin kësisoj me lirinë e vepërimit vajtja e përpjekjeve të tyre për Atdhe do dilte më e dobishme.
Lëvizja e çlirimit kishte harirë në kulm, dhe pregatitjet për një Mbledhje të madhe qenë mbaruar. Po qarkullonte parola e përgjithëshme se shoqërija e Bukureshtit do bëhet autoqefale.
E vërteta istorike është, siç pamë në radhët më lart, se autoqefalija e Shoqërisë Shqiptare të Kollonisë në Bukuresht ishte fakt i mbaruar që përpara përzjerjes së Stambollit me anën e Jan Vretos. Shënuam aty paras një ngjarje të Bukureshtit, me plot kuptim për mëndësinë dhe gatishmërinë patriotike të shqiptarëve të atjeshmë: Shoqërija Kombëtare e Kollonisë qe themeluar zyrtarisht në Bukuresht që më 30 të Vjeshtëssë Parë 1879, siç thamë me kryetar Vangjel Geço-Korçën dhe arkëtar Llazar Andon-Kolonjën; domethënë përafërsisht dy vjet më parë se të vijë në Bukuresht nga Shoqërija e Stambollit me mision Jan Vreto Postenani, aty si nga fundi i vitit 1880, dhe se sa të bëhet, siç është dokumentuar, e para mbledhje për një Degë Shoqërije në Bukureshtmë 1881, 18 korrik – edhe kjo në shtëpinë e kryetarit të Shoqërisë së parë Vangjel Geços.
Mbledhja e madhe e paralajmëruar u bë me të vërtetë pa as më të voglin vonim më 27 Dhjetor 1884, dhe u themelua zyrtarisht Shoqërija e pavarur-autoqefale-e Kollonisë Shqiptare të Bukureshtit me kryetar plakun milionar Anastas Avramidhi Lakçe-Korçën; ky, i pari mi të gjithë, fali një sumë prej dy-qind napolonash që në krijim të Shoqërisë, kur u mblothnë më tepër se pesë-mbëdhjetë-mijë franga ar. Si pas Kanunores origjinale, Komiteti nënë kryesinë e Lakçes ka qënë i përbërë prej veteranëve të poshtëshënuar:
Nënëkryetar: Kostandin Eftimiu-Drenova; shkronjës: Vasil Kanash-Frashëri dhe Gjergj Vangjel Geço-Korça; pleq: Vasil Abdulla-Dibra, Gjergj Doko-Korça, Spiro Eftimiu-Drenova, Abdrea Mborja dhe Irakli Duro-Drenova; kqyrtarë të punës: Kostandin Naumesku-Drenova, Llazar Duro-Drenova dhe Vangjel Geço-Korça.
Emëri i Shoqërisë i pranuar midis enthuziazmës me zëra të përbashkëta u vendos të jetë Drita, simbol i ndritjes që sot e tutje të popullit shqiptar nga errësira shekullore.
Përveç kryetar Lakçes dhanë njëkohësisht sumëra të mira të hollash dyzet-e-nëntë anëtarë nga më të flaktit, midis tyre vëllazërija Hr.Tërpo tre-qind franga, Vangjel Geçua-kryetari i shoqërisë më së parë së Bukureshtit më 1879-dyqind, Sotir Manua dy-qind, Anastas Raci një-qind-e-pesëdhjetë, vëllazërija Vasil Marko një-qind, Vasil Hr. Kosma Bermashi një-qind, Themistokli Geçua një-qind, Gavril Pema një-qind, si dhe dy atdhedashës të fisit Vreto- Gjergj Vreto dhe Kostandin Vreto-me kamje lëndore të vogël po me shpirt shqiptari të math, nga një dhuratë sicili.
Një gëzim dhe një fryme e re gjallëronjëse i-u hyri tashi për zemre gjithë atyre që ishin prganizuar në këtë shoqëri më-vete, mbledhjet ndiqnin njëra tjetrën, dhe dëshira më e parë e tyre ishte: të shtypen libra shqip, të shtypin libra shqip, të ndërtojnë një shtypëshkronjë për të shtypur sa më parë libra shqip.
(PJESA E PARË)