Piktori durrsak Ilir Dosari, mjeshtër i teknikës pirografike/
Nga Shefqet Kërcelli/ Korespondent i Diellit ne Shqiperi/
Nga dita e shtunë, datë 19 gusht, në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” eshte celur ekspozita personale e piktorit durrsak, pirografia, {arti i punimit me zjarr}, e cila po tërheq mjaft vizitorë, qytetarë durrsakë, dashamirës të artit, turistë të huaj, shqiptarë nga diaspora, etj. Janë 28 piktura me përmasa e tematikë të ndryshme, që tërheqin cdo qytetar që kalon pranë kësaj ekspozite brilante. Me duart e tij të arta, Iliri na ka dhënë nëpërmjet teknikës së pirografisë portrete të arrira të fëmijëve, të rinjve, burrave e grave të gjithë moshave, të zanateve e profesioneve të ndryshme, të gërshetuara këto me pamje nga qyteti bregdetar i Durrësit. Iliri mbas përfundimit të liceut artistik ka kryer punë të ndryshme si, ndërtim, marangoz, peshkatar, kamarier,etj. pa u shkëputur nga pasioni dhe dëshira e tij e fëmijërisë, piktura, posacërisht zhanri i vecantë i saj, sic është teknika e pirografisë.
Si qytetar dhe artist i dashuruar me Durrësin dhe detin, Iliri sjell portrete e ngjarje nga më tipiket të këtij qyteti, ku afeksioni i qytetarëve durrsakë për detin shoqërohet dhe me ngjarje kulmore sic është esksodi viteve 1990-91-92, nëpërmjet anijes “Vlora”, në momentit para nisjes nga porti i Durrësit. Spikasin dhjetra portrete të qytetarëve, fëmijës buzë detit, peshkatarit në momentin e hedhjes së rrjetës, kuajt në startin e vrapimit, portreti i Deas, i katundarit, etj. mjaft prej të cilëve Iliri i ka njohur gjatë jetës, ka qëndruar me ta, ose zanate që i ka ushtruar vetë si burim jetese.
Në një ekspozitë të thjeshtë, me pak ngjyra, Iliri na ka dhënë, shumë art e dashuri, kolor, plot nota gëzimi, paqe e shprese. Këtë e sheh në sytë e cdo personazhi të pikturave të tij.
Piktori i vjetër durrsak Fatos Mati, konsulent dhe dashamirës i punimeve të Ilirit, na flet për vlerat e Ilirit si njeri e piktor. E kam ndjekur Ilirin në punën e tij që në rini, thotë mjeshtër Fatosi. Lëvrimi i teknikës së pirografisë, do pasion, durim, kujdes, imagjinatë dhe punë konkrete me drurin. Këto aftësi, rrallë i kanë piktorë në Shqipëri. Thjeshtësia dhe sinqeriteti i Ilirit shkon me nivelin dhe cilësinë e pikturave të tij, nëvizoi zoti Mati. Ndaj unë e përshëndes dhe inkurajoj punën e këti artisti që meriton vlerësim, jo vetëm nga artdashësit por dhe institucionet shtetërore.
Ndërsa autori i këtyre veprave na tregon me modesti se si ka aritur deri këtu. Më është dashur shumë punë e përkushtim për të kompletuar ekspozitën, por dhe meraku si do pritet nga vizitorët dhe kolegët, shprehet Iliri. Është ekzpozita e dytë që unë hap në qytetin tim, ndërkohë bashkë me një kolegun tim kemi hapur një ekspozitë në qytetin e Beratit. Pirografia është një teknikë e vështirë që do kohë, mund e djersë. Por unë po përpiqem t’ja dal, të arrij dicka në këtë fushë pak të njohur për artdashësit tanë. Nuk na mbetet gjë tjetër vecse ti urojmë suksese të mëtejshme piktorit Ilir Dosari, për të na dhënë punime të reja në fushën e pirografisë. Kjo ekspozitë që e pasuron jetën artistike të qytetit të Durrësit në këto dite vere, do qëndrojë e hapur deri më 10 shtator 2017.