• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

APES ME PRESIDENTIN E ZVICRËS, Z.DIDIER BURKHALTER ….

September 12, 2014 by dgreca

….KRIZA UKRAINASE & IDENTITETI ZVICERAN I DIALOGUT DHE KOMPROMISIT…/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ/
Këtë vit takimi i gazetarëve të APES – l’Association de la presse étrangère en Suisse, me presidentin e Zvicrës u zhvillua në Gjenevë, në Pallatin e Kombeve. Ky takim është i përvitshëm. Herë zhvillohet në Bernë, e herë në Gjenevë, por për shkak të mandatit një vjeçar, presidenti ndryshon çdo vit. Pra Zvicra nuk ka presidentë me mandat 4,5 ose 7 vjeçar, apo që qëndrojnë në këtë post për dy mandate rresht. Presidenti i Zvicrës zgjidhet nga radhët e Këshillit Federal, që luan rolin e ekzekutivit, i përbërë nga shtatë anëtarë, ministra, të cilët përfaqësojnë pesë partitë kryesore në Parlament mbështetur në konkordancën, pra e kanë në themel marrëveshjen, ku karrikja e presidentit ndërrohet me rotacion çdo vit. Aktualisht Këshilli Federal përbëhet nga tri gra e katër burra. Gruaja e parë presidente e Konfederatës ka qenë zonja Ruth Dreifuss më 1999, pastaj Micheline Calmy-Rey më 2007, Doris Leuthard më 2010, Evelinë Widmer-Schlumpf më 2012 dhe më 2015 presidentja e Zvicrës do të jetë zonja Simonetta Sommaruga, që drejton aktualisht Departamentin Federal të Drejtësisë dhe Policisë.
APES është organizata më e vjetër dhe me emër në Zvicër. Selinë e ka në OKB. Aty janë mbledhur pjesa më e madhe e gazetarëve, si përfaqësues të agjencive, gazetave dhe mediave kryesore botërore. APES dhe institucionet e Zvicrës kanë një komunikim të shkëlqyer reciprok, bilateral, i cili vazhdon pa u ndalur prej 85 viteve. Shprehje e këtij komunikimi permanent janë aktivitetet e ndryshme. Natyrisht takimi i përvitshëm me Presidentin e Zvicrës është ngjarje e rëndësishme për APES.
Z. Didier Burkhalter, presidenti aktual i Konfederatës Helvetike është shefi i Departamentit të Punëve të Jashtëme dhe këtë vit edhe kryesuesi i OSBE-së. Që do të thotë një vit i ngarkuar, nisur edhe nga ngjarjet si brenda dhe jashtë, në lidhje me raportet Zvicër-BE, sidomos pas referendumit të shkurtit, emigracioni apo kriza Izrael-Palestinë, ajo e Ukrainës, ku z.Burkhalter në krye të OSBE-së ka rolin e ndërmjetësuesit.
Pikërisht me këto tema u hap edhe konferenca për shtyp e organizuar në Sallën Lozana të Pallatit të Kombeve,e cila drejtohej nga Presidentja e APES, Emilia Nazarenko, gazetare nga Ukraina, që ndërkohë është duke përgatitur një udhëtim të gazetarëve të organizatës tonë në Odesa.
Në fjalën e hapjes z.Burkhalter nënvizoi rolin e Zvicrës si një vend i hapur, duke e cilësuar me të drejtë Gjenevën si zemrën e botës. Zvicra e ka kulturë dialogun, ndërtimin e urave.
Takimi i APES me z.Burkhalter bëhej menjëherë pas deklaratës së tij për të mos izoluar Rusinë. Zvicra nuk është anëtare e NATO-s, por Burkhalter mori pjesë në samitin e NATO-s në Wales si shefi i rradhës i OSBE-së, ku u diskutua edhe për armëpushimin e nënshkruar më 5 shtator midis Kievit dhe seperatistëve. Një nga temat e konferencës me gazetarë ishte pikërisht armëpushimi, për të cilin ai nuk është optimist dhe nuk e konsideron të mjaftueshëm, duke nënvizuar si të domosdoshëm rolin e dialogut. Kirsi Hyytiäinen, një kolege finlandeze shkruante se OSBE e drejtuar nga presidenti i Zvicrës kërkon t’i vendosë në tryezë negociatash Putinin dhe Poroshenkon. Ndërkaq Ukraina ka bërë kërkesë anëtarësimi në NATO dhe presidenti i saj pritet të fluturojë në Washington D.C. për t‘iu drejtuar Kongresit dhe kërkuar ndihmën Amerikane.
A nuk duket sikur bota po i ngjan një topi futbolli gati për të plasur diku. A nuk tha kështu Papa Francesco gjatë vizitës së tij në Azi, se jemi në prag të një Lufte të Tretë Botërore, 100 vite pas asaj të parës dhe 75 vite pas paktit Paktit Molotov-Ribbentrop. Nisur nga konflikti Ukrainë-Rusi, a nuk jemi në prag të luftës pyeti një nga gazetarët veteranë të APES, Gordon Martin, nga The Daily Telegraph dhe Radio Vatikani.
«Duhet të jemi realistë», tha shefi i Departamentit Federal të Punëve të Jashtëme. «Nuk dua ta ushqej këtë psikozë, 100 vjet pas shpërthimit të Luftës të Parë Botërore. Ka probleme të vjetra, të rrënjosura thellë, që përbëjnë vështirësi në arkitekturën e sigurisë europiane. Por kjo nuk do të thotë se unë ndaj idenë e një lufte të re botërore. Mendoj se mund të gjendet një zgjidhje, duke diskutuar me Rusinë. » Pastaj duke iu rikthyer sanksioneve ai theksoi idenë e shprehur disa ditë më parë se “problemet nuk zgjidhen vetëm me sanksione, të cilat mund të jenë të dobishme për t’i sjellë të gjitha palët në tryezë për negociata».
NATO, nga ana e saj mban qëndrim të prerë, duke i bërë thirrje Rusisë që të largojë trupat nga kufiri ukrainas, por disa vende anëtare të NATO-s i kanë të lidhura interesat ekonomike me Ariun rus. Ekonomia zvicerane me statusin e shtetit neutral, që i është bashkuar OKB-së më 2002, është e shëndetëshme. Kjo ekonomi është konfirmuar për të gjashtën herë radhas si ekonomia më konkuruese në botë. Në klasifikimin e bërë nga Forumi Ekonomik Botëror, Zvicra paraprin, e ndjekur nga Singapori, SHBA që zë vendin e tretë, Finlanda të katërtin, e pesta vjen Gjermania, e gjashta Japonia e me rradhë.
«Kultura e konsensusit dhe kompromisit i jep shans paqes», e citon Tribune de Geneve shefin e diplomacisë zvicerane, njëkohësisht President i Zvicrës. Alain Jourden, për Tribune de Geneve, do të shkruante: «se Burkhalter i hodhi kartat në tavolinë“.
Zakonisht, shkruan Jourden, takimi i përvitshëm midis presidentit të Konfederatës Helvetike dhe shtypit të huaj është një shkëmbim diplomatik qytetërimesh, që do të thotë se nuk përbën lajm. Paçka se nuk përbën lajm, si APES, ashtu edhe Zvicra i jep rëndësi këtij takimi. Presidenti shoqërohet me zyrtarët më të lartë të Departamentit nga vjen, nga Ambasadorë dhe drejtues të institucioneve kryesore.
Por takimi i sivjetshëm bëhej në kohën e krizës në Ukrainë, ku z.Burkhalter kryeson misionin e OSBE-së. Pavarësisht kësaj, Zvicra është një vend që merr vazhdimisht inisiativa të tryezave ndërkombëtare. Gjeneva është një Metropol ku dialogohet gjithmonë për Paqe.
Ndërsa Olivier Grivat,gazetar dhe esseist zviceran për l’AGEFI që në titull e cilësonte qendrimin e z.Burkhalter si « Një ekuilibrizëm me dy këmbë në tokë ». Grivat shkruan se « kriza ukraine dhe kultura politike zvicerane ishte edhe menyja » e drekës të pasur e cila u servir në sallën me emrin Gjeneva aty ngjitur ku u zhvillua konferenca për shtyp, në katin e tetë të Pallatit të Kombeve, buzë me një taracë fantastike nga ku shihej liqeni, i cili shfaqej i madhërishëm nën rrezet e një dielli vere, i qetë, i patrazuar dhe me kontraste tamam si shkruan për të tek Childe Haroldi – Lake of Geneva – Calm – i madhi Lord Byron.
Në tavolinën e drekës presidenciale ne ishim bashkë me Lisa Schlein, nga ABC News dhe Zëri të Amerikës, me zyrtarë të departalentit federal të punëve të jashtme dhe Tom Miles nga Reuters, kolegun e mikut tonë Bob Evans. Ne gazetarët a nuk flasim vetëm për politikë. Kështu edhe kësaj here, pak a shumë. Folëm pak nga të gjitha: për luftën në Siri, për ISIS, për mercenarët nga Ballkani, shqiptarët, flm Zotit një numër i pakët, i krijuar jo për arsye ideologjike, për shkak të varfërisë dhe papunësisë, por prapë assesi nuk duhet ta tolerojmë. Pastaj folëm për referendumin në Skoci. Kush e ka lexuar Sir Walter Scott, monumenti i të cilit, më i madhi në botë i një shkrimtari, që ndodhet në zemrën e Edinburgut apo kush ka lexuar poezitë e Robert Burns, My Heart’s In The Highlands, e di se skocezët mezi e kanë pritur këtë ditë, për të votuar. Për Skocinë e pavarur ka qenë gjithmonë Sir Sean Connery, pavarësisht titullit të Kalorësit dhënë nga Mbretëresha Elisabeth II. Ish-agjenti 007 tani është 84 vjeç dhe thonë se vuan nga Alzheimer, por presupozohet se do të ishte i pari që do të shkonte në kutitë e votimit. Ndërkohë një lajm tjetër ka përfshirë botën, ku rreth 2 milionë kanë zbritur në Barcelonë, duke kërkuar mbajtjen e një referendumi për t’i thënë « Good bye Spain » dhe kërkuar shkëputjen e Katalonës.
Jo takimi nuk ishte i elektrizuar, ishte më i gjallë se zakonisht. Nuk ishte aspak monoton.
Olivier Grivat në shkrimin e tij më tutje shkruan se “presidente e Asosacionit të gazetarëve të huaj në Zvicër është gazetarja ukrainase Emilia Nazarenko, por shoqata ka edhe gazetarë rus. » Mëse e vërtetë ky fakt. Në tavolinën kryesore, bashkë me z.Burkhalter ishte Emilia nga Ukraina dhe një gazetar rus nga agjensia ITAR-TASS. Por ky është stili zviceran në fund të fundit.
Për krizën në Ukrainë, z.Burkhalter foli edhe gjatë drekës. Ai iu referua edhe Ballkanit. Ndofta nisur nga prania jonë, e dy gazetarëve që kanë rrënjët prej andej. Janë kriza, nënvizoi shefi i Departamentit Federal të Punëve të Jashtme që janë krijuar me kohë, jo sot, sepse një grusht njerëzish grumbullojnë në duart e tyre gjithë pushtetin politik. Pastaj ai iu referua temës së tij të preferuar, të rinisë, që e ka përcaktuar si prioritet të mandatit të tij.
Pas drekës me APES, po në pallatin e Kombeve presidenti i Konfederatës dhe shefi i diplomacisë zvicerane do të takohej me një grup prej 150 të rinjsh, pjestarë të konkursit «1914-2014» në kujtim të Luftë të Parë Botërore,konkurs ky i lançuar pikërisht nga z.Burkhalter në fillim të vitit të tij presidencial. Po në Pallatin e Kombeve dhe në të njëjtën ditë, ai do të nderohej me një çmim nga Fondacioni për Gjenevën, një nder që i bëhej për herë të parë në historinë e fondacionit një zyrtari të lartë në detyrë.
Rinia, e ardhmja e saj është refren i z. Burkhalter. Promovimi i paqes dhe demokracisë, mbrojtja e të drejtave të njeriut, lufta kundër varfërisë, mbrojtja e ambientit gjithçka është në funksion të ardhmërisë dhe rinisë. Këto tema i hapin edhe tek ne politikanët shqiptarë, por vetëm gjatë fushatave elektorale, si sloganë hipokrizie, shplarje trush, sepse i harrojnë menjëherë posa marrin pushtetin. Në Zvicër demokracia është realitet, kujdesi për rininë është realitet. Natyrisht nuk është parajsë, por një model për t’u ndjekur.
Dreka bashkë me desertin dhe kafenë espresso kërkonte një mbyllje shpenguese, nonchalante, informale. Burkhalter foli pak për foton e tij publikuar këtyre ditëve në Twitter duke pritur trenin si qytetar i zakonshëm në stacionin e Neuchatelit, qytetit të tij të lindjes. Pastaj si kryediplomat dhe shef i OSBE-së nuk kishte si të mos fliste prapë për krizën, duke evokuar kësaj here fjalët e presidentit Amerikan Barack Obama, se « në një marrëveshje apo akord nuk ka as fitues dhe as të humbur ». Tamam në stilin zviceran. «Barak Obama duhet të vijë në Zvicër e ta shpallë me zë të lartë : Ich bin ein Schweizer, je suis un Suisse, jam një zviceran»

Filed Under: Reportazh Tagged With: ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ, identiteti zviceran

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT