-Presdenti Thaçi mori raportin e parë të FSK-së, komandant i përgjishëm i së cilës është. Ishte ky raporti për gatishmërinë e Gardës së Nderit për ceremoni, ku më pastaj u intonua Himni i Shtetëror i Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Prill 2016/ Në Sheshin Skënderbej të Prishtinës, nisi para mesditës ceremonia shtetërore e inaugurimit të Presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi, ku marrin pjesë edhe Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta e përfaqësues tjerë të Shqipërisë dhe mëse 1000 të ftuar nga vendi dhe bota.Presidenti i ri Hashim Thaçi, i betuar dje në seancën solemne të Kuvendit ku është zgjedhur në seancë të jashtëzakonshme në 26 shkurt, dhe Presidentja që ka përfunduar mandatin pesëvjeçar, Atifete Jahjaga, parakalojnë para Gardës së Nderit në shesh, ku është edhe Filharmonia e Kosovës. Simbolika dorëzimit të detyrës Presidentit të ri është një kopje solemne e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumentit themeltar të shtetit.
Presdenti Thaçi mori raportin e parë të FSK-së, komandant i përgjishëm i së cilës është. Ishte ky raporti për gatishmërinë e Gardës së Nderit për ceremoni, ku më pastaj u intonua Himni i Shtetëror i Kosovës.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, pas betimit Presidenti Thaçi është shprehur se ky është një moment i krenarisë, i përgjegjësisë dhe i veçantë në jetën tij.
“Karriera ime politike dhe jetësore pasqyron zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova në tre dekadat e fundit. Jam angazhuar në të gjitha proceset që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Jam i nderuar që jam pjesë udhëheqëse e të gjitha vendimmarrjeve për lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern të Kosovës. Kosovën bashkërisht e kemi ndryshuar”, ka thënë Thaçi.
Ai ka theksuar se edhe në detyrën e re si President i Republikës do të vazhdojë të angazhohet për një Kosovë të re, demokratike, evropiane dhe multietnike.
“Të jesh President i Kosovës është nder dhe përgjegjësi e madhe politike, kombëtare dhe kushtetuese”, ka vijuar Thaçi.
Duke folur për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova do të punojë në mënyrë edhe më aktive, për t’u bërë anëtare në nismat rajonale, evropiane dhe ato botërore.
Ceremonia e inaugurimit të presidentit të Republikës së Kosovës zhvillohet në hapësirën e dedikuar vetëm për të ftuarit, siç thekson edhe njofimi i dërguar nga Policia, e cila bën të ditur se ka masa të shtuara të sigurisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Pas betimit në Kuvend, Hashim Thaçi ka zhvilluar aktivitetet e para si President i Republikës së Kosovës dhe në mbrëmjen e djeshme ka pritur në Presidencë drejtorët politikë dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit, të cilët marrin pjesë edhe në ceremoninë e sotme të inaugurimit.
Përfaqësuesit e shteteve të Kuintit e uruan Presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së re dhe i shprehën përkrahje në angazhimin e tij për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në NATO dhe BE.
Shtetet e Kuintit u përfaqësuan nga ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, nga drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë pranë BE-së, Angelina Eichhorst, pastaj nga drejtoresha për Ballkanin Perëndimor dhe për Zgjerim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mcilwham. Gjithashtu, pjesë e këtij takimi ishin edhe i dërguari i posaçëm i MPJ-së gjermane për Evropën Juglindore, Ernst Reichel, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zbogar, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ambasadorja franceze në Kosovë, Maryse Daviet, si dhe ambasadori italian në Kosovë, Andreas Ferrarese.
Në takim me përfaqësuesit më të lartë të shteteve të Kuintit për rajonin tonë, Presidenti Thaçi theksoi se do të jetë garantues i respektimit të Kushtetutës, funksionimit të institucioneve të shtetit dhe promovues i dialogut ndërpartiak dhe ndëretnik.
“Do të jem garantues i funksionimit të institucioneve të shtetit të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Si president unifikues do të promovojë dialogun ndërpartiak dhe ndëretnik”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se i mirëpret liderët e të gjitha partive politike dhe se do të lehtësojë dialogun dhe komunikimin mes tyre. Presidenti Thaçi theksoi se do të përkrahë fuqizimin e drejtësisë dhe sundimit të së drejtës.
Ndërkohë, sot ka edhe axhenda të tjera takimesh të paralajmëruara. Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan përgjegjës për Çështjet Europiane, Hoyt Yee, në vizitën në Kosovë, pas pjesëmarrjes nga ora 11:00 në ceremoninë e inaugurimit e pranim-dorëzimit të detyrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, sipas axhendës së dërguar nga Ambasada e SHBA, do ketë takime të veçanta me kryeministrin Isa Mustafa (ora 13:40), me zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç (14:30), kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli (15:15) dhe me Presidentin Hashim Thaçi (16:00).
Ndërsa njoftimi i dërguar nga Kuvendi i Kosovës bën të ditur se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë ditës së sotme pret në takime të veçanta edhe drejtorin e Divizionit për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Italisë, Andrea Orizio; kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë, İsmail Kahraman; drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerim pranë Ministrisë së Jashtme britanike, Fiona Mcilwham. Takimet zhvillohen para dhe pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të ri të Kosovës, ku do jenë të gjithë së bashku në Sheshin Skënderbe, në të cilin janë bërë të gjitha përgatitjet për t’i pritur rreth 1000 të ftuar.
***
KUSH ESHTE HASHIM THACI?
Hashim Thaçi – Biografi
Hashim Thaçi është President i Republikës së Kosovës, i zgjedhur më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës. Detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.
Para se të bëhej president, Thaçi ka qenë një vit Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014).
Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri më dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për President të Kosovës.
Hashim Thaçi ka shpallur Kosovën shtet të pavarur më 17 shkurt 2008, ka udhëhequr ekipin e Kosovës në bisedimet në Rambouillet në shkurt 1999 dhe ka qenë udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të luftës 1997 – 1999.
Thaçi ishte lideri politik më i votuar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.
Si Kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëhequr dialogun politik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që më 19 prill 2013, rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Për angazhimin e tij për paqe dhe stabilitet, në vitin 2014, Hashim Thaçi është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe nga kongresmenë dhe senatorë amerikan, si dhe nga përfaqësues të Parlamentit Evropian.
Karriera politike
Karriera politike e Hashim Thaçit fillon me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit mbylli institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe, ndërsa Universiteti i Prishtinës filloi të vepronte jashtë sistemit institucional.
Më 1991, Thaçi zgjidhet prorektor-student i Universitetit të Prishtinës, ku jep kontribut në strukturimin dhe zhvillimin e procesit paralel mësimor universitar.
Hashim Thaçi është njëri ndër themeluesit e organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Nga viti 1997, Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë cilësi, ai kryesoi delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambouillet të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999.
Pas luftës, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000.
Hashim Thaçi ka qenë anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), strukturë kjo e përbashkët qeverisëse e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe klasës politike kosovare, deri më 2001 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pasluftës.
Në tetor të vitit 1999, Hashim Thaçi ishte ndër themeluesit e Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK). Në kuvendin e parë zgjedhor të partisë, në vitin 2000, partia e ndryshoi emrin në Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi u zgjodh kryetar i saj, post të cilin e mbajti deri më 26 shkurt 2016.
Hashim Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit që përfaqësoi Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, që negocioi statusin politik të Kosovës, 2005 – 2007.
Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Kurse, më 17 shkurt 2008, kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur.
Thaçi është kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Përvoja akademike
Hashim Thaçi ka diplomuar në Degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Studimet post-diplomike në fushën e Historisë së Evropës Juglindore dhe Shkencave Politike i ka bërë në Universitetin e Cyrihut në Zvicër (1996 – 1998).
Të dhëna personale
Thaçi flet gjuhën angleze dhe gjuhën gjermane.
Është i lindur më 24 prill 1968 në fshatin Burojë të Skenderajt.
Jeton në Prishtinë, Kosovë, me gruan Lumnijen dhe djalin Endritin.