Basha: Do të jem në shesh bashkë me familjen time/
Të shtunën më 13 maj do të zhvillohet protesta e Partisë Demokratike dhe partive të tjera opozitare.Kreu i demokratëve Lulzim Basha u bëri sot thirrje qytetarëve nga çadra e protestës që të marrin pjesë pasivisht në protestën e së shtunës për të mbrojtur votën e lirë.
Basha tha gjithashtu se më 13 maj mirëpret në shesh qytetarët së bashku me familjen e tij.
“Nuk mundet e nuk do të kalojë nga votimet farsë të diktuara nga krimi dhe droga. E ardhmja europiane e Shqipërisë do të kalojë nga autostrada referendare e 13 majit që do t’i japë zërin e popullit shqiptar, vulën e popullit shqiptar, qëndresës tuaj për zgjedhje të lira e të ndershme, të vetmet zgjedhje që do të bëhen në Shqipëri.
Ndaj bashkohuni me mua, me familjen time, me fëmijët e mi do të jemi këtu. Ejani me zemrat e mbushura me besim tek e nesërmja që na pret. Unë e kam parë këtë të nesërme që po vjen, ju po e ndërtoni ditë për ditë të nesërmen e Shqipërisë së shqiptarëve. Bashkë do të shembim çdo pengesë. Bashkë do të nxjerrim në pension kupolën politike të republikës së vjetër dhe këtë të fundit do t’ia dorëzojmë Muzeut Kombëtar në pavijonin e turpit”, tha ndër të tjera Lulzim Basha.