Nga Arjan Th Kllaco/
Pranvera me kalendar ka trokitur edhe në qytetin e Korçës, data 21 mars që për koinçidencë është jo vetëm dita e parë e stinës, por edhe Dita ndërkombëtere e Poezisë, dhe krahas përpjekjeve të natyrës për rizgjim, një tjetër natyrë kërkon të njëjtin fat, shpirti i njeriut që shkon në një sinergji të dukshme me të. Natyra në të gjitha stinët e saj është një muzikë që na shoqëron gjatë gjithë vitit, edhe pse herë e ngadaltë dhe e qetë, herë rrjedhëse dhe e gëzuar. Por edhe vetë muzika është, në notat e saj, një natyrë që kur krijohet nga autorët, ka të njëjtat karakteristika si të shpirtit. Ecin me të njëjtin hap jo vetëm me ndjeshmërinë e njeriut, por edhe të vetë shoqërisë. Por natyra është poezi dhe një poezi e veçantë, pasi pjesë e saj janë të gjithë elementët që e përbëjnë atë. Poezia e natyrës ka edhe një specifikë tjetër, shumë poetë e kërkojnë në promovimin e poezisë së tyre, fatin e madh që kanë edhe muzikën e natyrshme që i shoqëron. Muzika nga ana e vet është poezi dhe poezia muzikë. Në këtë gërshetim natyre, muzike dhe poezie – një pranverë e vërtetë nuk do të ishte e tillë, nëse do të mungonte një prej tyre.
Ditën e shtunë në sallën e koncerteve të Liceut artistik T.T.Koço, nxënësit maturantë, pak kohë para provimeve të maturës, i dhanë shenjën e parë pranverës në qytet me tingujt dhe me talentin e tyre që në vite është konsoliduar. Një orë e gjysëm do të mjaftonte që ta kuptonim se ndijimet dhe perceptimet tona nuk do të ishin iluzion apo realitete të krijuara nga një lloj virtualizmi teknologjik. Talenti i nxënësve as që mund të vihet në diskutim, është krenaria e tyre, e shkollës që po i formon dhe e vetë qytetit që gjithmonë ka ditur të nxjerrë dhe edukojë talente. Në interpretimin e tyre nuk mungonte muzika instrumentale e autorëve të huaj dhe shqiptarë, si dhe ariet e operave më të shquara të gjenive italianë. Një numër simbolik i nxënësve më të mirë të shkollës, 7 mes pianistëve, violinistëve dhe këngëtarja që tashmë e ka kolaudimin edhe në skenat shqiptare, Maria Prifti. Më pas një kënaqësi e dytë për të pranishmit, minikoncerti i orkestrës së harqeve, që në një hark kohor dy vjeçar ka dhënë disa koncerte në Korçë, Pogradec dhe Elbasan. Në repertorin e orkestërs ishin pjesë të autorëve shqiptarë si Lara, Disdari, Gaci, ndërsa të autorëve të huaj Shopeni, Faja, Bethoven dhe Debysyja etj.
Veprimtaria e së shtunës është në vazhdën e veprimtarive që organizon vetë shkolla dhe mësuesit e tyre, me synimin që të stimulohen nxënësit më të mirë maturantë, pasi ndodhen para një sprove të vërtetë dhe vendimtare për të ardhmen e tyre, konkurimi për të qënë pjesë e studentëve të universitetit të Arteve në Tiranë, por pse jo edhe në ato europiane. Koncertet janë pjesë pasaporta e kësaj shkolle, duke dashur të tregojë se pavarësisht problemeve që po kalon në përgjithësi shkolla shqiptare, vullneti dhe pasioni për të nxjerrë talente nuk ka munguar dhe nuk mungon. Si të gjitha shkollat e specializuara, edhe liceu ka nevojë për një mbështetje nga shteti shqiptar, pasi artistët e ardhshëm do të jenë elita e artit tonë dhe ambasadorët e saj nëpër botë. Por mbështetjen e vet duhet ta sigurojë edhe DAR-i, Bashkia dhe të gjitha institucionet dhe sponsorët që e kanë për zemër artin, pasi tek ata nxënës pasqyrohet dhe përkujdesja dhe dashuria për rrugëtimin e tyre. Një bord prindërish nuk do të mjaftonte kurrë që t’i përmbushte synimet e shkollës. Në këtë aspekt liceu është një gur i çmuar, shumë më ndryshe nga të gjitha shkollat e tjera të qytetit dhe të qarkut, që nuk duhet të humbë traditën e mrekullueshme të krijuar në vite. Talentet e shumtë sot mbushin skenënë e vetë Universitetit shqiptar, të ekranëve televizive, të galerive të shumta në vend, por edhe skenat dhe ekranet botërore. Mjaft të kujtojmë disa prej emrave si Johan Botka, Ina Petrollari, Majlinda Lubonja, Edi Kolaneci, Thomaidha Tili që jo vetëm shkëlqejnë si instrumentistë në orkestrat me emër europiane, por janë edhe pjesë e stafeve akademike ku ata punojnë.
Aktualisht – në bisedë me z.Koço Vrame – mësojmë se nxënësi Llambi Cano para disa kohësh ishte në Bruksel, ku kreu një Masterclass disa ditor. Vlen të theksohet një fakt tepër domethënës: ishte i vetmi nxënës, përfaqësues shqiptar, në konkurs, ku dhe u përzgjodh mes shumë konkurrentëve nga Europa, nga një juri ndërkombëtare.
Pjesë e pandarë e veprimtarive vjetore janë edhe nxënësit e 9 vjeçares, me koncertet e tyre dhe me ekspozitat figurative të organizuara në shkollë dhe në qëndrën kulturore V. Mio.
Koncerti i maturantëve do të shfaqet së shpejti edhe në qytetin e Bitolës me ftesë të Liceut të muzikës të atij qyteti, në kuadrin e bashkëpunimit midis dy shkollave simotra, por edhe për një binjakëzim të mundshëm mes tyre. Kjo në sajë të ndihmës dhe mirëkuptimit të dy bankave, BKT, FIB dhe të disa prindërve të Bordit të shkollës. Liceu i Korçës prej vitesh, një bashkëpunim të ngjashëm e ka me shkollën e Follorinës, ku dhe janë organizuar koncerte, edhe të përbashkëta, në shkollat respektive.
Biseda vazhdon më tej për muzikën shqiptare sot që është shndërruar në një muzikë thjesht me natyrë komerciale, pa identitet bindës dhe jashtë shijeve për të gjithë artdashësit shqiptarë. Nga këto lloj shkollash, por edhe nga institucionet tona kërkohet një impenjim që të ruhet tradita për një muzikë të kultivuar në nivel europian dhe botëror. Ne – vazhdon Vrame – realisht jemi në Europë dhe kemi edhe pjesën tonë përfaqësuese në trashëgiminë botërore me krijimtari të shumta – prandaj duhen forcuar barrierat ndaj antiartit dhe antivlerave. Shijet e vërteta të publikut për muzikën e kultivuar, nuk mund të vijnë vetë, ato duhen krijuar, formuar dhe reklamuar, pra kërkohet një ndërgjegjësim mbarëqytetar se shijet, si të gjitha shijet dhe dituritë, duhen kultivuar. Përballë komercializmit kemi nevojë për këto lloj shijesh.
Kriza e sotme edhe shpirtërore është një prej krizave të shumta që e ka përfshirë shoqërinë shqiptare dhe kjo duket në investimet e pakta për kulturën tonë kombëtare. Por nëse krizës i shtojmë dhe indiferencën e vetë institucioneve edhe lokale, ishin të ftuara të merrnin pjesë në koncert të gjitha institucionet e qytetit dhe të Qarkut, askush nuk erdhi, atëherë nuk ka nevojë për konkluzione të shumta. Një shoqëri që nuk interesohet për kulturën e vet, rinia sot as nuk e merr fare në konsideratë faktorin shije të vërteta dhe estetike, ka kohë që ka vdekur shpirtërisht. Të jetosh në një vend ku traditat e bukura po zhduken dhe të rrish e bësh sehir sesi shijet po degradojnë, gjithnjë e më shumë drejt banalitetit, do të thotë të mos e vrasësh mendjen për qytetarët dhe njerëzit e këtij vendi, duke ia lënë gjithçka në dorë një tregu me shije të tjetërsuara dhe bajate. Edhe në art dhe kulturë shoqëria ka nevojë për një elitë të vërtetë që të jetë udhërëfyesja e saj, por kur politikat kulturore lihen në dorë të inkopetentëve, të militantëve, o zot, do të dëgjosh edhe çudira nga goja e tyre, si p.sh që personalitetet e fushave të ndryshme, mund të shpallen edhe ata që nuk kanë më të voglin kontribut në to. Kjo është fytyra e një shteti që synon të ballafaqohet me Europën dhe botën.