Vetëvendosje vlerëson se të vetmit njerëz që duhet të largohen dhe ta lëshojnë Kosovën janë qeveritarët. Ata kanë improvizuar një autobus prej letre, ku i kanë vendosur fotografitë e krerëve të shtetit dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar. VV e ka parkuar “autobusin” në Sheshin “Skënderbeu” para objektit të Qeverisë.
Deputeti i këtij subjekti politik, Faton Topalli tha se janë pikërisht ata qeveritarët aktual ata që për 15 vjet e kanë sjellë qytetarin në gjendjen që është tani. “Të dhënat zyrtare për azil në Austri thonë se në muajin qershor të vitit 2014 në atë shtet kërkuan azil 40 qytetarë nga Kosova, në muajin korrik 41, ndërsa në dhjetor, menjëherë pas themelimit të qeverisë, ky numër u shtua në 784. Vetëm në Gjermani deri më 31 dhjetor, sipas të dhënave zyrtare gjermane, kanë kërkuar azil 6.908 qytetarë nga Kosova”, tha para mediave deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!