Prof. Dr. Abdullah Karjagdiu/
Para më se tetëdhjetë vjetësh, në Konferencën e Paqes në Paris dhe pas saj, si diplomatët shqiptarë ashtu edhe emigrantët shqiptarë në Amerikës, i hynë një fushate të rrallë për të siguruar mandatin amerikan mbi Shqipërinë. Arsyet e tyre ishin të qarta: pas Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915, pas vendosjes së pushtimit italian në Vlorë, akuzave e kërcënimeve të fqinjëve, Luftës së Parë Botërore dhe pas disa lajmeve “jo zyrtare” për reduktimin e mëtejmë të territorit të Shqipërisë londineze, shqiptarët e brengosur shihnin te Amerika dhe te presidentit i saj Uilson, shpresën e vetme për një lloj garanti për pavarësi.
Ç`është e vërteta, kërkesat e përpjekjet e shqiptarëve për të siguruar interesimin, vëmendjen, ndihmën dhe angazhimin amerikan për çështjen shqiptare, kishin filluar që në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të 20-të, në të përkohshmet e shqiptarëve të Amerikës, si “Kombi”, “Dielli”, “Trumpeta e Krujës” dhe disa të përkohshme të tjera në gjuhën shqipe, anglishte apo në të dy gjuhët. Ndërkaq, kur doli në dritë e përkoshmja “The Adriatic Review” (Revista e Adriatikut), më 1918, ishte njëra ndër fazat më të ndieshme të vendosjes së ardhmërisë së Shqipërisë. Në numrin e parë të revistës, në hyrjen e saj vihet në pah se revista në anglishte synon të paraqesë çështjen e shqiptarëve të Amerikës. Qëllimi i revistës, shkruan në vëzhgimin hyrës, është, “ta bëjë të njohur çështjen tonë në botën amerikane dhe evropiane, veçanërisht në një kohë kur armiqtë tanë shpifin dhe shfryjnë në të katër anët kundër nesh”. Brenda një kohe të shkurtër, “Revista e Adriatikut”, u bë përnjëmend organi më efikas i kërkesave, aspiratave dhe idealeve të shqiptarëve të Amerikës.
Në numrin e shtatorit (1918), të revistës në fjalë, delegati i Vatrës në Londër, Mehmet Konica, boton apelin në anglishte “Një thirrje miqve amerikanë”, në të cilën pasi përmend padrejtësinë dhe hilen e parë që ua bëri Evropa shqiptarëve në Kongresin e Berlinit, kur me qëllim që ta dobësonte Turqinë, i dha trojet shqiptare si peshqesh Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, pasi e stigmatizon mëkatin tjetër të Evropës, kur ajo, si thotë “e sakatoi” Shqipërinë më 1912, ai rikujton përkrahjen morale të Amerikës që ajo ua dha shqiptarëve në vitet e shkuara. Mehmet Konica e shfaq mirënjohjen e tij ndaj amerikanëve për hapjen e shkollave për shqiptarët, pa ndërhyrje të propagandës, ai pohon se “shqiptari, është demokrat në zemër sepse ka një mirëkuptim demokratik, meqë ai beson se njeriun, para se gjithash, duhet respektuar dhe trajtuar si të barabartë, pa marrë parasysh pozitën e tij shoqërore”. Më pas, ai paraqitet me propozimin se Shqipërisë i nevojitet një mandat protektorati për ta konsoliduar pavarësinë e saj. Por, shkruan ai, prorektorati mbi Shqipërinë nga çdo fuqi që ka interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, është, “kolonizim, cënim i të drejtave kombëtare dhe shfrytëzim ekonomik”. Sipas mendimit të tij, vetëm protektorati amerikan mund t`i ndihmojë Shqipërisë “Sido që të jetë”, përfundon ai apelin: “Është dëshirë unanime e shqiptarëve, që t`i drejtohen Amerikës për ndihmë dhe ta lusin atë për të vënë mandatin mbi Shqipërinë për një periudhë pesëvjeçare, në mënyrë që vendi të ketë kohë për t`i aktivizuar të gjitha fuqitë e tij organizative”.
Pastaj, më 4 janar të vitit 1919, Federata Panshqiptare Vatra, në një mbledhje të saj të jashtëzakonshme, miratoi një rezolutë me të cilën i bëri apel SHBA-së që të angazhohet për ruajtjen e shtetit të pavarur shqiptar dhe të dislokohen ushtarët amerikanë në ato troje, ku popullsia shqiptare është në shumicë, në mënyrë që me kalimin e kohës, të organizohet një referendum i lirë me qëllim që banorët të vendosin se në cilin shtet duan të jetojnë. Kjo rezolutë dërguar Robert Lansingut, shefit të Stejt Departamentit mbase mund të merret fillim i fushatës për mandatin amerikan mbi Shqipërinë. Si shkruan B. Meta, në studimin e tij “Federata Panshqiptare Vatra”, Telford Eriksoni, delegati i nderit i Vatrës, e paraqiti në konferencën e paqës variantin më të plotë për mandatin amerikan. Duke e mbrojtur të drejtën e Shqipërisë për pavarësi dhe për të drejtën e saj për përzgjedhjen e mandatorit, ai më parë e quajti të padrejtë imponimin e kufijve të padrejtë Shqipërisë më 1913, më pas e sulmoi dhe e denoncoi Traktatin e fshehtë të Londrës, të nënshkruar nga katër fuqitë e Antantës më 1914, ndërsa njëherësh pushtimin e Vlorës nga Italia dhe përpjekjet e Italisë për t`u bërë mandator mbi Shqipërinë, i quajti si kërcënim për paqen. “Për shkak të këtyre proçkave”, deklaroi Eriksoni, shqiptarët kanë humbur besimin si tek evropianët e Antantës ashtu edhe te fqinjët e tyre. “Shqiptarët, do të bëhen pararoja e propagandës gjermano-austriake. Ata do të bashkohen, shkruan B. Meta me të gjitha forcat që luftojnë me shpresën për të rifituar pak nga pak atë që iu është marrë me forcë padrejtësisht. Ose më keq, si Samsoni i verbër, ata do të kërkojnë të përmbysin gjithë godinën ballkanike.”
Me miratimin e draftit të Konventës së Lidhjes së Kombëve për të drejtën e shteteve për t`u bërë mandator, Shqipëria u bë vendi i parë të cilit i nevojitej mandati amerikan. Me kërkesën e tij drejtuar kryesuesit të Lidhjes së Kombeve, Zh. Klemansos, delegacioni shqiptar, në krye të të cilit atëherë ishte Turhan Pasha, në fillim të marsit të vitit 1919, i vetëdijshëm se ka jo vetëm pëlqimin e Dërgatës shqiptare të Turqisë, të Shoqërisë Shqiptare të Bukureshtit, të Komitetit të Lozanës, po edhe përkrahjen e qarqeve të tjera patriotike, i drejtohet SHBA-së me kërkesën që të bëhet mandatore e Shqipërisë, duke deklaruar se: “Vetëm një komb mund të bëjë një vepër kaq fisnike në Ballkan: SHBA. Nën mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e Amerikës, Shqipëria, pika e dobët e Ballkanit, duhet të shndërrohet në një element të fortë të paqes dhe të stabilitetit, në saje të mbikëqyrjes morale. Afria dhe prania e Amerikës do të jetë një mjet i sigurt për jetësimin e idealeve të reja në zemrat e helmuara të popujve të Ballkanit që i bëjnë rrëmujë në luftërat e pandërprera.” Në kërkesën për mandat, më tutje vihet në dukje se Amerika, me kompetencën e mandatores së Shqipërisë, do të jetë në gjendje të ushtrojë një ndikim shumë të madh arsimues, kulturor, politik, shoqëror dhe ekonomik në shtetet e Ballkanit. “Po kështu”, theksohet në kërkesë, “emri i Amerikës do të jetë garant. Nën mbikëqyrjen amerikane, begatitë e mëdha të Shqipërisë, do të zhvillohen plotësisht, kurse shpirti luftarak, do të shndërrohet në një shpirt plot zellë për veprimtari si të fillojë Amerika të nxisë zhvillimin tregëtar, industrial dhe ekonomik të Shqipërisë”. Veç kësaj, me propozimin e kryetarit, të delegacionit shqiptar Turhan Pashës, kërkohet që mandati amerikan të përfshijë si Çamërinë e okupuar nga ushtria greke, ashtu edhe trojet shqiptare të Veriut e të Lindjes, të aneksuara nga serbët dhe malazezët. Gjatë mandatit amerikan, popullata e këtyre trojeve, do të ketë të drejtë të organizojë plebishit. Me këtë rast, thuhet se Amerika, s`do të ketë nevojë për të bërë shpenzime për mbrojtjen e Shqipërisë, sepse mbrojtjen do ta organizojnë shqiptarët. “Mirëpo”, shkruan në kërkesë, “ajo që i nevojitet Shqipërisë, janë udhëzimet dhe këshillat e dobishme, nga një anë, dhe organizimi e përparimi i shoqërisë shqiptare, nga ana tjetër. Neve s`na merr mendja se ka ndonjë komb tjetër që do të mund të kryente këtë emision më mirë se SHBA-të”.
Ndërkaq, me “Kërkesën e përsëritur për mandatin amerikan” të botuar në “Revistën e Adriatikut”, në prill të vitit 1919, delegacioni shqiptar kërkon, së pari, që ndërhyrja italiane në Shqipëri të ndërpritet sa më parë; së dyti, kërkon organizimin më të mirë të Shqipërisë; së treti, kërkon këshillat amerikane për rindërtimin demokratik të vendit; së katërti, delegacioni shqiptar kërkon që të ketë këshilltarë në çdo dikaster të qeverisë; së pesti, kërkon që Amerika të ndërtojë një avanpostë në Shqipëri, prej nga, në tërë Ballkanin do të përhapen vullneti i mirë, sinqeriteti dhe idealet e reja, me qëllim të çrrënjosjes dhe shkatërrimit të tendencave të dëmshme dhe të prapambetura, dhe, në vend të tyre, të përhapen miqësia e re, respekti i ndërsjell dhe pajtimi mes ballkanasve. Në kërkesën e delgacionit shqiptar, shtrohen edhe disa mëdyshje në formë pyetjesh të këtilla: “A do t`i shmangët Amerika këtij misioni fisnik? A do të pranojë ajo që Ballkani të mbetet përherë vend i konflikteve të përhershme raciale dhe kështu të jetë një rrezik konstant për paqen në Evropë?” Në kërkesë përmendet fakti se kombet e Ballkanit deri në atë kohë ishin kridhur në përleshje të përgjakshme vëllazërore. “Dikush duhet t`ua mësojë atyre”, shkruan në kërkesë, se “mirëqenia dhe prosperiteti i një kombi nuk mund të lartësohet nga fama e kotë e luftës, po nga arritjet dhe sukseset e lavdishme në paqe. Cili vend është më kompetent për këtë mision se SHBA?”
Njëherësh, në kërkesën e delegacionit shqiptar refuzohet mandati italian mbi Shqipërinë, me gjithë interesimin e Italisë për këtë mision. “Populli shqiptar”, përfundon kërkesa, “mendon njësoj se ky mandat duhet t`i jepet SHBA-së për një periudhë të shkurtër. Është mëse e qartë se SHBA-ja do ta kryejë këtë mision vetëm me autoritetin e saj moral, pa shkaktuar konflikte mes shteteve ballkanase”. Nëse Amerika e refuzon kërkesën, atëherë Konferenca e Paqes mund t`ia japë këtë emision vetëm asaj Fuqie e cila s`ka interesa të drejtëpërdrejta në Shqipëri.” Mirëpo, redaksia e revistës “Revista e Adriatikut”, nuk është dakord me delegacioin shqiptar lidhur me qëndrimin e tij ndaj Italisë, prandaj, duke dhënë disa vërejtje pohon se në kohën kur Shqipërinë e injoruan si fuqitë e mëdha ashtu edhe Konferenca e Paqes, vetëm Italia i ndihmoi Shqipërisë; veç kësaj, ajo ia njohu Shqipërisë “të drejtën për vetëvendosje, duke i lejuar kuvendit të saj kombëtar që të shpreh lirisht vullnetin dhe aspiratat e popullit shqiptar. Italia është i vetmi vend në Konferencën e Paqes, që e mbrojti rikrijimin e Shqipërisë me kufijtë e saj etnikë e jo me kufijtë artificialë të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Sidoqoftë, ajo që u nevojitet shqiptarëve, thuhet në komentin e revistës, është fryma e re dhe idealet e reja të popujve ballkanas. “Por, vetëm Amerika mund të marr përsipër misionin e mbjelljes së farës të epokës së re në Ballkan. Vallë a do të marrë ajo përsipër këtë misioni?”
Veç kësaj, edhe disa amerikanë, tanimë të njohur si miq të popullit shqiptar, jo vetëm që treguan interesim për çështjen shqiptare, po edhe i përkrahën kërkesat shqiptare si në sensibilizimin e çështjes shqiptare ashtu edhe kërkesat e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Kështu, në mitingun e madh të shqiptarëve të Amerikës në Nju Inglend, në janar të vitit 1919, ish ambasadori amerikan në Greqi (i cili e kishte mbrojtur kauzën shqiptare që më parë), duke marrë fjalën në miting tha se SHBA do të përkrahë kërkesat e shqiptarëve në Konferencën e Paqes dhe në Lidhjen e Kombeve. Në mitingun e organizuar nga shqiptarët e Amerikës, në shkurt të vitit 1919, e mori fjalën Xh. Boulldvin, mik i sprovuar i shqiptarëve, i cili e mbrojti çështjen shqiptare duke i mbështetur kërkesat e tyre. Më 1919, V. Hauell, sekretar i Fondit për Ndihmë Shqipërisë dhe dashamir i shqiptarëve, botoi në revistën “Veprimtaria e krishterë” vëzhgimin me titull “Një Republikë Amerikane në Evropë”. Duke treguar një simpati të veçantë ndaj shqiptarëve, ky autor doli me këto propozime të adresuara presidentit Uilson: 1. Pikë së pari, presidenti Uilson, duke u marrë vesh me aleatët e SHBA është e udhës të shpallë Republikën e Shqipërisë; pastaj, Amerika, lypset t`i japë Shqipërisë të njëjtat garanci dhe ndihma që i ka dhënë më parë Kubës dhe Filipinës; së fundi, duhet të formohet një qeveri vendore shqiptare, përfaqësuesit e së cilës është me vend të përzgjidhen brenda mundësive nga shqiptarët e Amerikës. Nga ana e tij, Kost Çekrezi, përfaqësues i “Vatrës” në SHBA, u përpoq të aktualizonte kërkesën e shqiptarëve të Amerikës për të siguruar mandatin amerikan mbi Shqipërinë. Ai pati një bisedë të gjatë edhe rreth kësaj çështjeje me zëvendës-sekretarin amerikan për Punët e Jashtme, Xh. Filips, i cili i premtoi Çerkrezit se Amerika do të mbajë një qëndrim miqësor ndaj kërkesave aktuale të Shqipërisë. Me këtë rast, kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme i Senatit, senatori Hiçkok, e vuri në dijeni K. Çerkezin se kërkesa e shqiptarëve të Amerikës për mandatin amerikan, do të shqyrtohet patjetër në Senat.
Mirëpo, ndër të gjithë amerikanët që e përkrahën çështjen shqiptare, Telford Eriksoni e paraqiti propozimin më të mirë rreth mandatit amerikan. Memorandumi i tij mban titullin: “Gjashtë arsye për të cilat Amerika duhet të bëhet mandatore e Shqipërisë” (Paris 1919). Do thënë menjëherë se arsyet e Eriksonit ishin jo vetëm të argumentuara por edhe logjike dhe bindëse. Arsyeja e parë e tij është fakti se Amerika hyri në Luftën e Parë Botërore për hir të parimeve morale. Një ndër parimet morale i mbron popujt e vegjël dhe të pambrojtur nga agresori i fuqishëm. E pikërisht për hir të këtij parimi mund ta mbrojë Shqipërinë Amerika, “në mënyrë që ta shpëtojë popullin, i cili u kishte bërë ballë rrebeshëve historike për më se 2 mijë vjet”. Arsyeja e dytë ishte se Serbia dhe Greqia mbanin nën pushtimin e tyre trojet me popullatë 90% deri 100% shqiptare. Së këndejmi, vetëm Amerika do të kryente obligimin e Konferencës së Paqes si për mbrojtjen e të drejtave kombëtare ashtu edhe zhvendosjen e kufijve mbi baza etnike. Arsyeja e tretë ishte se Amerika kishte për obligim t`i dalë zot e t`i ndihmojë popullit shqiptar të kanosur e të rrezikuar, se përndryshe ishte rrezik që ky popull të shfaroset nga fqinjët. Arsyeja e katërt ishte se Europa ende besonte se amerikanët janë një popull materialist dhe interesaxhinj, i cili mund të përfitojë nga ky rast për të vendosur superioritetin ekonomik në botë “si fuqi mandatore në Ballkan”, ku Europa e kishte ngatërruar lëmshin aq shumë saqë kishte shkaktuar ndasi, përqarje, urrejtje, mjerim dhe gjakderdhje. Prandaj, mandati amerikan, me rastin e Shqipërisë, jo vetëm që do t`i ndihmonte pavarësisë së saj, por do të nxjerrte këtë komb nga varëfëria dhe prapambeturia dhe do t`ia siguronte një standard dhe prosperitet të veçantë, duke e pajisur atë me vlerat më fisnike të jetës. Njëkohësisht, Amerika, me bekimin e gjithë botës, “do të vendosë miqësinë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkan”. Arsyeja e pestë ishte se Amerika mund të bënte në Shqipëri një investim të sigurt dhe të dobishëm. Shqipërisë nuk i nevojiteshin flota e garnizone amerikane. Ajo kishte nevojë për një numër të vogël apo një duzinë vullnetarësh amerikan, të cilët do të stërvitnin ekspertët dhe kuadrot shqiptare, si për administratën ashtu edhe për institucionet shqiptare. Shqipërisë do t`i nevojitet një hua prej disa miliona dollarësh. Guvernator do të ishte një amerikan, i cili duhet të jetë jo vetëm ekspert energjik, por edhe mik i popullit shqiptar. Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Italia do t`ia besonin Amerikës zgjidhjen e problemeve territoriale, meqë ajo si mandatore në Shqipëri do të mund të luante rolin e mikes së negociatave dhe të pajtimit. Në arsyen e gjashtë, Eriksoni figurativisht e krahason kombin shqiptar me një “bonjak të gjorë” midis kombeve, për të cilin nuk ka mëshirë askush dhe të cilit asnjëri s`ia qan hallin. Prandaj, përfundon ai, “ky komb i lënë dhe i nëpërkambur ka të ngjarë të shfaroset nga të tjerët. Mirëpo, me përkushtimin, përkujdesjen, miqësinë dhe bujarinë amerikane, sipas tij, ky komb do të mëkëmbët e ringjallet dhe do të arrijë shkallën e zhvillimit të kombëve të tjerë, “sepse, sipas Eriksonit “kemi të bëjmë me një racë jashtëzakonisht vitale, të bashkuar, të zgjuar, të dashur dhe tejet besnike”.
Pas shpalljes së këtij memorandumi, variantin pak a shumë të ndryshuar të mandatit amerikan të propozuar nga “Vatra” e paraqiti në Konferencën e Paqes, përsëri delegati i saj, Eriksoni. Duke u mburrur me nderin që ia kishin bërë shqiptarët, para diplomatëve, Eriksoni bën këtë deklaratë: “Delegacionet e tjera janë më të fuqishme dhe përkrahen prej pasurive, prej shtypit të blerë, prej aleancave politike, prej interesave egoiste, po nuk e besoj që në Paris gjendet ndonjë delegacion tjetër, i cili do të ketë pas një trup aq të shëndosh, aq popullor, aq energjik, zemra aq besnike, gati të sakrifikojnë të gjitha sa kanë dhe vetën e tyre në e do nevoja, siç kemi neve”. Sipas memorandumit të “Vatrës” të paraqitur nga Eriksoni në Konferencën e Paqës, mandati amerikan duhet të vendoset edhe në trojet shqiptare të pushtuara nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia. Në të thuhej se Amerika, ashtu si iu kushtua luftës dhe u ndihmoi aleatëve në Evropë, tani duhej t`i kushtohej paqes në Ballkan, “ku situata është më kritike dhe problemi më akut”. Në këtë memorandum parashikohej një lloj amerikanizimi i Ballkanit, nëpërmjet vlerave, parimeve dhe idealeve amerikane. Amerika duhej të lozte tani rolin e vendit mik që angazhohej për pajtim, mirëkuptim, miqësi progres, dhe bashkëpunim mes ballkanasve. Eriksoni kërkonte nga Italia që të largohej nga Vlora, nga një anë, ndërsa nga ana tjetër, ai shpresonte se me zhvillimin e marrëdhënieve miqësore në Ballkan, do të bëhej e mundur të bëhej ricaktimi i kufijve në bazë të vullnetit të lirë të popullit me baza etnike. Në Shqipëri do të zgjedhej një qeveri stabile, nën flamurin e Lidhjes së Kombeve, por duke patur si tutor dhe garant SHBA. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria do të bëhej një shtet neutral, stabil dhe me një prosperitet ekonomik.
Në gushtin e vitit 1919, Luigj Bumçi, kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, paraqet një ankesë dhe i dërgon një apel presidentit të SHBA-së, Uilsonit, duke kërkuar intervenimin amerikan për t’u mbrojtur nga politika imperialiste dhe ekspansioniste e Greqisë, Serbisë dhe Italisë. “Në këtë periudhë kritike të historisë së Shqipërisë” thuhet në apel, “delegacioni shqiptar i drejtohet ndjenjës së drejtësisë që ekziston në senatin amerikan, duke kërkuar mbështetjen e fuqishme nga ai për t’i mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar”. Shqipërisë, shkruan në këtë apel, pasi iu rrëmbyen gjysma e territoreve nga fqinjët, me 1913, ajo u bë shtet neutral dhe i pavarur. Por, gjatë luftës fuqitë e huaja e shkelën pavarësinë e saj, e shndërruan atë në fushëbetejë dhe i sollën pasoja të tmershme. “ Me shpalljen e së drejtës për vetvendosje nga Amerika”, thuhet në apel, “shqiptarët i rrokën armët për të luftuar për të drejtat e tyre për ta shpëtuar vendin e tyre”. Me këtë rast, sipas apelit, shqiptarët kishin shpresë se do të korrigjoheshin padrejtësitë e bëra kundër tyre; por, fatkeqësisht si shqiptarët e pushtuar nga Greqia ashtu edhe ata të pushtuar nga serbët, u keqtrajtuan, u masakruan dhe u shfarosën nga ushtritë e tyre pushtuese. “ Delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes- vazhdon apeli “kërkoi disa herë të drejtën për plebishit nën garantin e trupave të SHBA-së; por, më kot. “Apeli përmbyllet me këto fjalë: “ Shqiptarët e kanë varur shpresën vetëm te Amerika, prej saj përsëri e presin shpëtimin. Të gjithë shqiptarët parapëlqejnë ndihmën amerikane që t’u prijë në politikë. Në emër të popullit të martirizuar, delegacioni shqiptar ju lut që ta ngritni zërin për ta shpëtuar vendin nga katastrofa dhe për ta siguruar pavarësinë. A do ta injorojë Amerika këtë kërkesë urgjente?”.
Në dosjen e presidentit Uilson, është një letër e Adhamudhit (1919) udhëheqësit të mërgatës shqiptare, (i cili më parë kishte biseduar me profesor Xh. Heronin për mundësit e marrjes së SHBA të mandatit mbi Shqipërinë) në të cilin është ky rekomandim: “Shqiptarët nga natyra janë krenarë dhe të pavarur, kurse etnikisht kanë rrënjë të përbashkëta me skocezët, prandaj kanë dëshirë të pranojnë si udhëheqës funksionarët anglezë dhe amerikanë, pasi janë të bindur në sinqeritetin e tyre, sepse e dinë se janë superiorë në raport me kombet e tjera dhe se amerikanët nuk kërkojnë të sundojnë”.
Si reaguan diplomatët dhe Stejt Departamenti amerikan ndaj këtyre propozimeve, kërkesave, lutjeve për ndihmë, ndërhyrje, mbrojtje, përkrahje dhe për mandat disavjeçarë? Reagimet ishin të ndryshme, që nga mirëkuptimi deri te heshtja. Sa u përket miqëve amerikanë të shqiptarëve të Amerikës, në të shumtën e rasteve ata tregonin një simpati, solidaritet dhe përkrahje. S’do mend se përpjekjet dhe impenjimet e shqiptarëve të Amerikës për sensibilizimin, aktualizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, kanë hasur dendur në mirëkuptim si në publikun amerikan ashtu edhe në disa qarqe gjysmëzyrtare, intelektuale dhe kulturore amerikane. Ndërkaq, entuziazmi dhe glorifikimi i programit të presidentit të SHBA, Uilsonit, për të drejtën e vetvendosjes, si e drejtë e pamohueshme e çdo populli të shtypur, i nxiti dhe i entuziazmoi më tepër shqiptarët e Amerikës në veprimtarinë e tyre patriotike. Pikërisht këso kohe, lind edhe idea për të kërkuar mandatin amerikan mbi Shqipërinë, më parë nga përfaqësuesit e “Vatrës” dhe Eriksoni, pastaj edhe të tjerët. Ja disa reagime karakteristike të palës amerikane:
Telegramet, apelet, kërkesat për solidaritet, mirëkuptim, miqësi, mbrojtje dhe mbështetje të shqiptarëve të Amerikës, me gjasë, u pritën me interesime dhe dashamirësi të ndryshme nga opinioni publik amerikan. Edhe çështja e kërkimit të mandatit amerikan mbi Shqipërinë u prit mjaft mirë në fillim. Në nëntorin e vitit 1918, në Stejt Departamentin amerikan, qarkullonte dokumenti me titullin: “Rekomandime të shkurtëra për Shqipërinë”. Këto rekomandime kërkonin që Amerika ta përkrahte Shqipërinë. Në të SHBA rekomandohej si e vetmja fuqi e cila u përgjigjej idealeve të shqiptarëve, prandaj, duhej ta pranonte mandatin mbi Shqipërinë. Në prillin e vitit 1919, Xhozef Haven, konsull i SHBA në Torino, i dërgoi Stejt Departamentit një raport special ku, ndër të tjera thuhej: “Në Shqipëri ekziston kërkesa e vetme dhe e përgjithshme që Shqipëria të vihet nën administrimin amerikan”. Veç kësaj, anëtarët e delegacionit amerikan në Paris, ishin të informuar më mirë se të tjerët për kërkesat e shqiptarëve për mandatin amerikan. Një anëtar i këtij delegacioni, tregoi interesim të veçantë për mandatin amrikan. Ai mendonte se ky mandat do të jetë i dobishëm jo vetëm për Shqipërinë por edhe për tërë Ballkanin. Sipas këtij diplomati, kufijtë e Shqipërisë duhej të ndryshonin dhe Shqipëria duhej të përbëhej prej trojeve ku jetojnë kryesisht shqiptarët. Në pranverën e vitit 1920, Robert Hamond, vice-konsulli amerikan në Romë, i cili qe dërguar në një mision të posaçëm hulumtues në Shqipëri, në raportin e tij dërguar Stejt Departamentit, shkruan si vijon: “Shqipëria është një vend i shkëlqyeshëm për zhvillim, sepse ka pasuri natyrore. Shqiptarët në tërësi e duan dhe e admirojnë SHBA-në; ata i çmojnë lartë idealet amerikane. Këto i kam dëgjuar nga përfaqësuesit e të gjitha shtresave të vendit…Ata kërkojnë mandatin amerikan mbi Shqipërinë”.
Në një memorandum në Arkivin Kombëtarë Amerikan të vitit 1919, bëhet fjalë për një varg kushtesh që duhet të përmbushen për të siguruar mandatin e kërkuar amerikan nga delegacioni shqiptar në Paris. Ndër to si kusht janë kohëzgjatja e mandatit, kredibiliteti financiar i shqiptarëve veriorë për t’u bashkuar me Shqipërinë, gjendja e pakicave fetare dhe ruajtja e rendit dhe e paqes. Në njërën ndër rekomandimet theksohet se Shqipërsisë gjatë mandatit lypset t’i rikthehen trojet e aneksuara nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, duke i përfshirë edhe trojet shqiptare nga Ohri e drejt veriut, përgjatë Vardarit, e duke përfshirë edhe Kosovën; ndërsa, një rekomandim tjetër kërkonte që Vlora të mbetej nën sundimin, Italian, kurse Himara dhe Gjirokastra t’i jipen Greqisë.
Në Dosjen e presidentit Uilson, gjendet një raport i vitit 1919 lidhur me situatën në Shqipëri. Në të vihet në dukje se gjendja politike në Shqipëri ishte e rëndë, po në të njejtën kohë, jipen disa kritika për kufijtë e vitit 1913, të caktuara në Firencë, meqë me ata kufij ishin ndarë fiset, familjet, kusherinjtë, shtëpitë, arat, livadhet, kullosat, tregu dhe rrugët, prandaj, nga një anë, rekomandohej që shqiptarët në veri, brenda kufijve të vitit 1913, të bashkohen me vëllezërit e tyre në Jugosllavi, ndësa kjo të siguronte mandatin mbi shqiptarët e veriut nga Lidhja e Kombeve. Nga ana tjetër Jugosllavia do ta aneksonte edhe liqenin e Shkodrës me rrethin si dhe Bunën, duke e gjymtuar e rrudhur kështu edhe më tepër Shqipërinë. Mirëpo, bashkangjitur me këtë raport është edhe vërejtja se kjo punë është një punë që s’bëhet, duke i pasur parasysh marrëdhëniet tepër të acaruara midis shqiptarëve dhe serbërve e malazezëve. Ka të ngjarë se mund të ketë patur edhe ndonjë variant tjetër rreth mandatit mbi Shqipërinë. Studiuesi i mirëfilltë i raporteve shqiptaro-amerikane të kësaj periudhe Haris Sillajxhiq, shënon se diplomacia amerikane tregoi edhe në disa raste interesim për Shqipërinë dhe fatin e mandatit mbi Shqipërin deri në vitin 1920, por pas luftës, SHBA-ja, duke rimarrë rolin e shtetit neutral (1918), vendosi që të mos krijonte sfera interesi në Evropën e asaj periudhe.