-Miratimi i MSA-së në Këshillin e BE-së shënon përfundimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe hap rrugë për nënshkrimin e MSA-së me 27 tetor në Strazburg/
PRISHTINË, 22 Tetor 2015/ B.Jashari/ Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. “Miratimi i MSA-së në Këshillin e BE-së shënon përfundimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe hap rrugë për nënshkrimin e MSA-së me 27 tetor në Strazburg”, deklaroi pak më parë Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës.
Deklarata thekson se, MSA parasheh themelimin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimin Evropian dhe paraqet hapin e parë formal drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku tha se, “miratimi i sotëm i MSA-së nga Këshilli i BE është moment historik për Kosovën, dhe hap faqen e re drejt qëllimit përfundimtar të anëtarësimit të Kosovës në BE”.
“Të gjitha institucionet kanë punuar jashtëzakonisht shumë për të ardhur në ditën e sotme. Procesi negociator për MSA ka filluar në vitin 2013 dhe dëshiroj të falenderoj të gjitha institucionet shtetërore për punën e tyre gjatë negociimit të MSA-së, si dhe partnerët tonë ndërkombëtar për përkrahjen e ofruar”, u shpreh ai.
MSA përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.
Ministria për Integrim Evropian ka bërë të gjitha përgaditjet ligjore për nënshkrimin e MSA-së dhe procedimin e mëtutjeshëm për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.