• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Italia drejt stabilizimit

April 11, 2020 by dgreca

Flet Dr.Evelina Sulaj Skënderi nga fronti i Luftës kunder COVID-19 në Itali/

Trageti i Barit me trupat e bashkatdhetarëve tanë që humbën jetën në këtë pandemi është një tragjedi më vehte që i shtohet dhimbjes për gjithë viktimat e kësaj katastrofe. Thuhet se vetëm në Bresha, qyteti simbol i katastrofës së Italisë së Veriut, kanë humbur jetën 300 shqiptarë. Sot nuk ka të dhëna të sakta zyrtare për shqiptarët që kanë humbur jetën në Itali.

Dr.Sulaj Skënderi po jetojmë  në  kohën e Luftës, një luftë e tmerrshme përballë një armiku të padukshëm, cila është detyra juaj si mjeke në këtë kohë dhe ku shërbeni konkretisht?

Jetojmë në një situatë të paparë prej 100 vjetësh, shumë pak njerëz të sotëm e kanë jetuar pandeminë spanjolle të 1918-es. Unë jam specializuar në Nefrologji, por punoj si angjolloge në spitale private dhe poliambulator privat në Rimini, Itali.

Si e shikoni gjendjen shëndetesore nga coronavirusi të popullit italian nëpër spitale dhe cilat janë disa nga sfidat që mjekët kanë përpara?

Sot në Itali situata është drejt stabilizimit. Mjekësia ka përpara një sfidë të veshtirë dhe urgjente : të zbulojnë mjekim specifik dhe vaksinën për coronavirusin; gjithashtu mjekesia duhet të përgatitet të përballojë mirë epidemi të tjera, që sigurisht mund të ketë në të ardhmen, pasojë e agresivitetit të njeriut ndaj nënës natyrë.  

Në opinionin e gjerë publik duket se ky virus vdekjeprurës e ka gjetur administratën italiane komplet të papërgatitur cili është opinioni juaj? 

Është e vërtetë që administrata italiane u gjend e papërgatitur per të përballuar këtê epidemi. Italia nënvleftësoi epideminë orientale dhe nuk kishte një plan të vërtetë emergjence. Kështu që qytetarët u gjendën jo të informuar në mënyrë korrekte, personeli mjekësor u gjend i painformuar profesionalisht për të përballuar situatën dhe spitalet u gjendën pa mjete mbrojtëse.  Këto sollën pasojat që të gjithë i dini.   

Si e keni pritur këtë pandemi globale në vehten tuaj si njeri, si mjeke dhe më konkretisht në familje?   

Unë personalisht që në rastin e parë në Itali kam këshilluar familjarët e mi dhe të afërmit edhe në Shqipëri të reduktojnë kontaktet sociale. Kina sot ka raporte shumë te ngushta me gjithë boten, prandaj dihej që virusi do pushtonte botën. Në spitalet ku punoj unë sherbimi im është mbyllur për momentin. Unë vete në spital për të kryer vetëm konsultat dhe vizitat urgjente. 

Italia u bë shtet i frikshëm, ngase pati numrin më të lartë të vdekjeve pas Wahan në Kinë pse ndodhi kjo në një vend aq të civilizuar si Italia?

Italia falë sistemit shëndetësor falas për të gjithë, falë kujdesit për moshën e tretë ka një popullsi me numur të madh të moshuarish. Mungesa e masave përgatitore për të përballuar epideminë transformoi  spitalet në vatra infektimi. Mos te harrojmë se ishte vendi i parë europian që u godit nga epidemia dhe mungesa e eksperiencës në keto raste është fondamentale. Në Jugun e Italisë, ku epidemia filloi me vonë, vdekshmëria është shumë më e ulët se në Veri. 

Cilat janë disa nga këshillat tuaja si mjeke dhe a mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale që po merr me shpejtësi jetë njerëzish?

Coronavirusi duke qënë virus i ri nuk është i njohur, nuk ka akoma një mjekim specifik, nuk ka një vaksinë, nuk ka mjete të mjaftueshme për diagnostikimin e personave të infektuar, por pa shënja ( mbi 50% e të infektuarve ) që jane burim infektimi per të gjithë njerëzit me të cilët janë në kontakt. Për këto arsye mjeti me i mirë per t’u mbrojtur, për momentin, është distancimi fizik dhe respektimi i normave të higjienës, kontakti me mjekun e familjes i personave të kontaminuar, solidarizimi me njerëzit që kanë më pak mundësi të përballojne izolimin. Përderisa nuk kemi nje vaksinë për virusin nuk mund të parashikohet fundi i saj, por vetëm reduktimi. 

Konkretisht sot gjithë lajmet dhanë nisjen e tragetit nga Bari i Italisë me trupa të vdekur shqiptare, si e përjetuat këtë situatë dhe e dini numrin e saktë?  

Trageti i Barit me trupat e bashkatdhetarëve tanë që humbën jetën në këtë pandemi është një tragjedi më vehte që i shtohet dhimbjes për gjithë viktimat e kësaj katastrofe. Thuhet se vetëm në Bresha, qyteti simbol i katastrofës së Italisë së Veriut, kanë humbur jetën 300 shqiptarë. Sot nuk ka të dhëna të sakta zyrtare për shqiptarët që kanë humbur jetën në Itali.

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë në kohën pandemike parë me syrin tuaj si shqiptare, por dhe si mjeke?

Shteti shqiptar mori  masa kurajoze dhe në kohën e duhur dhe për këtë arsye pati një kurbë infektimi jo shumë të lartë, sidomos duke marrë parasysh raportet familjare dhe sociale shumë të ngushta që karakterizojnë popullin tonë. Shpresoj që njerëzit të kenë akoma durim për të evituar një krizë të dytë infektimesh.

Cila është fëmijëria juaj, origjina dhe çfarë do të kujtoni me shumë prej saj? 

Unë kam lindur në Tepelenë, një qytet i vogël në Jug, ku të gjithë njiheshim. Babai im Myftar Skënderi dhe nëna ime Kajaçja kanë lindur e janë rritur në Salari. Mendoj se kam patur prindër te jashtëzakonshem që mundën në ato vite të dërgojnë në universitet 5 nga 6 fëmijet e tyre, dhe  ju jam shumë mirenjohëse për sakrificën e tyre të pashembullt.  Jam e lidhur fort shpirtërisht jo vetëm me Tepelenën ku jetova derisa vajta në universitet, por edhe me Salarinë, vendlindjen e prindërve të mi. Në kohën tonë, në qytetin tonë shoqeria ishte i vetmi argëtim i vërtetë, prandaj ruaj kujtime shumë te bukura por dhe jam në kontakt gati me të gjithë shoqërinë time të femijërise. Nuk harroj të djelat në Ujin e Ftohtë ku mblidhej gjithe qyteti me gatimet nga shtëpia, afersinë e njerëzve në raste vështirësie, nuk harroj shijet dhe aromën e Salarisë kur vija në verë. Ka ardhur koha e nostalgjisë së thellë, sidomos mbas humbjes së babait tim.

Mendoni se një ditë do të ktheheni në Shqipëri për të ofruar përvojën tuaj si mjeke e specializuar e ardhur nga shteti italian me një mjekësi të zhvilluar? 

Unë u riktheva në Itali, ku kisha vazhduar një pjesë të specializimit 1995-96, në 1997 me idenë për të ndenjur pak kohë, sa të qetësohej situata në Shqipëri.  E mbajta opsionin e kthimit të vlefshëm për shumë vjet. Sot Shqiperia po ecën përpara dhe shërbimi shëndetësor po modernizohet pa harruar që vendi ynë ka patur historikisht mjekë të aftë. Për momentin nuk medoj që mund të kthehem. Në familje flasim shqip në shtëpi dhe çdo verë i kam çuar fëmijet me pushime në Shqipëri për të shijuar natyrën e vendit tonë e gjithë të afërmit. Shqipëria do eci përpara sepse i ka të gjitha kapacitetet.

Ju faleminderit Dr.Sulaj për bisedën dhe paçi shëndet! 

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

10 Prill, 2020, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Evelina Sulaj Skenderi, Keze Kozeta Zylo

ALBANA MARTINAJ: I FRIKEM MOMENTIT KUR DO TE KETE ME SHUME PACIENTE SE SA RESPIRATORE E ILAÇE…

April 3, 2020 by dgreca

Flet Albana Martinaj nga fronti i Luftës në Bronx, New York/

Znj. Albana Martinaj punon Infermiere (Nurse RN) në spitalin Montefiore Medical Center–Wakefield Division. /

Siç po e shikoni nga lajmet për ditë stafi mjekësor po infektohet e disa prej tyre kanë vdekur nga ky virus i tmerrshëm. Por ajo që unë kam frikë është momenti kur ka më shumë pacientë seç kemi ne mjete  dhe ilace, e pastaj do vijë puna kush do vihet në respirator e kush jo. Ajo nuk është aspak zgjedhje e lehtë sepse të gjithë jemi njerëz. A.M.

Jemi në Luftë boterore me një armik të padukshem, ju jeni direkt në vijën e parë të frontit 

cila është  detyra juaj në spital për t’i shërbyer popullit amerikan?

Jam Registered Nurse RN në spitalin Montefiore Medical Center–Wakefield Division. Punoj aty prej 7 vjet e gjysmë. Punoj në Telemetry-Stepdown unit, me pak fjalë në repartin e kardiologisë që kujdesohet për pacientët (shpesh janë në gjendje kritike) që kanë nevojë me monitorim konstant.

Si e fillon ditën Albana deri sa shkoni në spital?

Alarmi im bie në 5 të mëngjesit. një falenderim Zotit për një ditë të re, bëhem gati, kafen në dorë, zgjoj femijët te bëhen gati per shkollë, dhe në oren 6:15 jam në makinë. Punën e kam larg gati 40 minuta. Nganjëherë kur jam rrugës flas me familjarët në Shqipëri në Whatsup, e pastaj vë muzikë shqiptare deri sa arrij në punë.  Turni im fillon 7:15 am. Punoj  3 ditë në jave nga 12 orë. 

Si i menaxhoni efektet emocionale kur shikoni të sëmurë të traumatizuar nga kjo gjendje pandemike?

Kur e kam zgjedhur këtë profesion jam përgatitur shpirtërisht se vdekja ashtu si lindja, hidhërimi ashtu si gëzimi janë pjesë e jetës. Por në këtë situatë që po kalojme është shumë e vështirë. Pacientat jane vetëm, familjarët s’janë të lejuar t’i vizitojnë njerëizit e tyre dhe kjo e bën akoma më të dhimbshme situatën. Para 3 ditësh pata nje paciente -63 vjece që megjithëse provuam ti japim okigjen me koncentrim te lartë prapë oxigjeni në gjak sa vinte e binte. Doktori e informon se hapi tjetër do ishte ta intubonim, pra do vendosnin tuba që ajo të merrte frymë. Pacientja ishte shumë e frikësuar ndërsa vellai i saj në anën tjetër të telefonit qante dhe i thoshte se të gjithë do luteshin per të. Ula ilacet që i mbaja në dorë për ta vënë ne gjumë  e ja mbaja dorën duke i thënë se çdo gjë do të bëhet mire. Megjithëse e dija mirë qe aty s’ka garanci. Janë momente që lënë gjurmë në jetën tonë e do na duhet shumë punë psikologjike edhe me veten tonë për ti kapërcyer këto trauma. 

Vazhdoj të lutem për ditë që Zoti t’i jap fund sa më shpejt kësaj krize që po jetojmë. 

Cili është shqetësimi juaj kryesor si punonjëse e shëndetësisë kur ndodheni pranë pacientëve tuaj?

Të them të drejtën, 3 javë më pare kur pacienti i parë Covid- rule out erdhi në repartin tim më takoi atë dite mua. Ishte një zonjë nga shtëpia e pleqve në moshën 80 vjecare. Për një moment u shtanga e i thashë vetes pse më takoi mua? Pastaj i thashë vetes që “lufta” sapo filloi. 

Tani kur shkoj në pavionin tim 98% e pacientave jane Covid +. Reparti ku unë punoj tani është kthyer në reanimacion të improvizuar, kurse ne stafit na kanë dhënë një “crash-course” për t’u kujdesur për këta pacienta që janë në gjendje shumë kritike. I gjithë spitali është mbushur me pacienta që jane pozitivë për Covid. Shumica e tyre janë në ventilators duke luftuar me jetën. Stafi në anën tjetër te shqetësuar sepse veshjet mbrojtëse të lënë për të dëshiruar. Siç po e shikoni nga lajmet për ditë stafi mjekësor po infektohet për ditë e disa prej tyre kanë vdekur nga ky virus i tmerrshëm. Por ajo që unë kam frikë është momenti kur ka më shumë pacientë seç kemi ne mjete  dhe ilace, e pastaj do vijë puna kush do vihet në respirator e kush jo. Ajo nuk është aspak zgjedhje e lehtë sepse të gjithë jemi njerëz. 

Sa kohë keni që punoni në shëndetësi në Amerikë?

Jam duke punuar si RN prej 9 vitesh, por për 7 vite e gjysmë punoj këtu në Montefiore në të njëjtin repart. Të them të drejtën është si familja ime e dytë. Ditën më të parë kur unë fillova  punë u takova me një infermere që tani unë e të gjithë kolegët e mi e quajnë “mami im e dytë”. 

Si u ndjetë kur ju dhanë detyrën se ju do të jeni në vijën e parë të Frontit të Luftës?

Unë punoj në spital kështu që ishte e pashmangshme. Është e frikshme sepse kam 3 fëmijë adoloshenta dhe bashkëshortin në shtëpi. Frika që mund të infektoj veten, por edhe ato është gjithmonë në mendjen time. Por i them vetes që do Zoti edhe kësaj vështirësie do ja dalim mbanë. 

Nju Jorku është epiqedra e Amerikës për nga numri i vdekjeve dhe i rritjes së numrit të pacientëve me Coronavirus dhe Covid 19, pse ndodhi kjo?

Arsyeja e parë është popullësia e lartë e NY, së dyti ne kemi Aeroportin JFK më të madh në vend nga ku fluturonin përafërsisht 100 mijë njerëz ne ditë nga të gjitha vendet e botës. Së treti, ne kemi një numër të lartë të banorëve kinezë që jetojnë në 5 lagje të NY-ut që mund të kenë fluturuar për Vitin e Ri Kinez në fillim të Shkurtit. Një tjetër arsye është shpejtësia me të cilin ky virus përhapet edhe kur nuk ke shumë symptoma. Së fundmi, unë mendoj që njerëzit po ashtu edhe qeveria nuk e morën shumë seriozisht në fillim distancimin dhe situatën në përgjithësi.

A mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale?

Jam njeri pozitiv dhe dua ta besoj që ashtu siç erdhi shpejt do të iki shpejt. Na takon secilit nga ne të bëjmë punën tonë të mbrojmë veten dhe të tjerët duke u distancuar, duke qëndruar në shtëpi, të lajmë duartë e të disenfektojmë sa të jetë e mundur mjediset ku jetojmë. 

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare dhe punonjëse në spitalet e Amerikës?

Shqipëria mori masa të menjëhershme që popullësia të jetë në kuarantinë dhe numri i te infektuarve është relativisht i vogël. Por përsa i përket shëndetësisë nqs ne në Amerike jemi të papërgatitur për këtë pandemi nuk dua ta mendoj se si do mund Shqipëria t’ia dalë mbanë nqs numri rritet ndjeshëm. 

E kishit endërr të punonit në shëndetësi?

Une kam studiuar Matematikë dhe Juridik (dega e dytë) në Shqipëri. Kur erdha këtu u bëra nënë e 3 femijëve shumë shpejt, por megjithatë nuk doja t’i lija pas dore studimet. Në fillim fillova studimet me shumë pikëpytje në mendje. Pyesja veten të vazhdoj të studioj për mesuese matematike apo accounting siç më sugjeronte një profesor? Por në fund zgjodha shëndetësinë e më duket se ky profesion është “my calling”.

Në New York jetojnë shumë emigrantë shqiptarë. Keni pasur raste me pacientë shqiptarë?

Tek spitali im nuk kam pasur shumë, por tek Jacobi Hospital ka pasur. Fatkeqësisht kemi pasur dhe viktima të ketij virusi në komunitetin tonë.

Sa është i shqetësuar bashkeshorti apo familja juaj në Shqipëri apo kudo ku ata jetojnë pasi ju jeni direkt në front të Luftës?

Të gjithë janë të shqetësuar kështu që unë më duhet të vendos një “brave face” dhe t’i qetësoj të gjithë. Ne jemi ato që zgjodhem këtë profesion dhe si edhe semundjet e tjera edhe kësaj do ja dalim mbanë. Shpresojmë që shumë shpejt testimet e castit, ilacet dhe nje vaksinë efikative to prodhohet për popullatën nënjë të ardhme të shpejtë. 

Pse e ndërruat profesionin e mësuesisë me shëndetsinë dhe sa e vështirë ka qenë për të arritur këtë sukses në Amerikë?

Nga natyra jam një person që më pëlqen t;i ndihmoj njerëzit, kështu që ndërrimi i profesionit nuk më duket shumë drastik në këtë aspekt. Më sjell gëzim në zemrën time kur jam në gjëndje tëndihmoj sadopak. Nuk ka gjë me të bukur kur pacienti dhe familja e tij  me thonë “Thank you Alba, you are an Angel”. 

Suksesi në Amerikë arrihet me punë të palodhur. Kam studiuar 4 vite në Lehman College – dega infermieri. Familjarët e mi kanë qenë bashkëvuajtësit e mi. Një dedikim të vecantë ka bashkeshorti im që nuk u lodh kurrë duke më mbështetur që unë ta realizoj jo vetëm ëndrrën time, por edhe të prindërve të mi. Ka punuar 3 punë të ndryshme për të paguar qeranë billat, shkollën time e babysitter. Kur i shoh fotot, kur jam diplomuar me tre femijët e mi shumë të vegjël emocionohem edhe tani.

Shpresoj dhe lutem të dalim sa më shpejt nga kjo situatë e krijuar në gjithë botën.

Ju faleminderit zonja Martinaj për bisedën dhe paçi shëndet!   

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

3 Prill, 2020, New York

Filed Under: Politike Tagged With: Albana Martinaj, Keze Kozeta Zylo

INFERMJERJA SHQIPTARE NË HUSTON-TEXAS, EDHE PSE SHTATZANË NUK E KA BRAKTISË BETEJËN

April 2, 2020 by dgreca

Bisedë me znj.Armida Bahja Hoxha, Huston/

Znj.Hoxha është në javën e fundit të muajit të nëntë dhe vazhdon t’ju shërbejë me përkushtim pacientëve me Coronavirus dhe Covid 19.  

Po, mund të thuash se jemi dy persona të cilët u shërbejmë pacientëve, unë dhe foshnja ime e palindur. Ai mua më jep forcën për të vazhduar më tej. Për mua frika më e madhe është se mund të lind nga momenti në moment…

Jam befasuar kur pashë që një grua shtatzanë në muajin e nëntë shërben në Frontin e Luftës, ndërkohë ndihem tejet krenare që ju vazhdoni t’ju shërbeni të sëmurëve.  Cila është detyra juaj konkretisht dhe ku punoni?

Faleminderit që më dhatë mundësinë të ndaj përvojën time me ju në lidhje me këtë krizë. Unë punoj si një Infermiere e Regjistruar (RN) në një nga spitalet më të mëdha në Hjuston Teksas. Unë punoj në Vendosjen e Kujdesit Akut (Acute Care Setting), ku presim dhe trajtojmë pacientët në fazën kritike të sëmundjes. Nga këtu në varësi të rezultatit pacienti mund të transferohet në njësinë e kirurgjisë/mjeksisë nëse gjendja përmirësohet ose në ICU nëse gjendja përkeqësohet.

Domethëne ju jeni 2 veta që po i shërbeni popullit amerikan?  Jeni e frikësuar për bebin tuaj dhe a keni status tëvecantë si grua shtatzanë?

Po, mund të thuash se jemi dy persona të cilët u shërbejmë pacientëve, unë dhe foshnja ime e palindur. Ai mua më jep forcën për të vazhduar më tej. Për mua frika më e madhe është se mund të lind nga momenti në moment, por për sa i përket frikësimit nga infeksionet, besoj se flas për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetsor, kur them se kur hasim këto lloj vështirësish, frika zë pozicionin e dytë ose “back seat” siç themi në Amerikë. Frika tejkalohet, natyrisht, me përdorimin e kujdesshëm të pajisjeve mbrojtëse, megjithëse ato janë të vogla në numër dhe përkohësisht me kursim.  Sa i përket statusit të veçantë në këtë situatë, është pak vështirë, por mund të them se kam pasur ca lehtësime dhe ndihmë, sidomos kur u futa në javën e 38 të shtatzanisë. Madje keto javët e fundit kam bër më shumë turne nate, ku lëvizja e njërëzve është më e pakët gjithashtu dhe nevojat e pacientëve janë më të ulëta. Por, momentalisht, ne jemi “all hands on deck”, siç thonë në Amerikë. Ne punojmë si ekip dhe kolegët e mi më ndihmojnë shumë sidomos në lëvizjen e pacientëve. Për fat të mirë, numri i pacientëve të prekur nga Covid-19, të cilët kanë nevojë për “Kujdesin Akut” në spitalin tonë është ende i ulët, i menaxhueshëm dhe nën kontroll.

Sa kohë keni që punoni si infermiere në Amerikë?

Unë lëviza në Amerikë, më Shtator 2017, fillimisht punova si një Ndihmëse Infermierie gjatë kohës që m’u njoh diplloma nga Bordi i Infermerisë në Teksas dhe më pas kalova si Infermiere në Prill 2019.

Si u ndjetë kur ju dhanë detyrën se ju do të jeni në vijën e parë të Frontit të Luftës?

Në fakt, detyra nuk më dhanë, unë e kërkova atë që në momentin kur hyra në këtë fushë. Unë besoj se kushdo që e bën këtë detyrë ka një pasion të veçantë për t’u kujdesur dhe lehtësuar dhimbjen e atyre që kanë nevojë. Kjo është ajo që më shtyn të vazhdoj të luftoj për këta njerëz derisa të mundem edhe kur kam parasysh që kolegët e mi kanë nevojë për mua. Diçka e veçantë krijohet kur jemi në situata të tilla “në frontin e betejës”, siç përmendet ju, një “band of brothers” ose shokë luftëtar. Prandaj duke iu përgjigjur pyetjes suaj, ndihem krenare të bëj pjesën time për njerëzimin në këto momente të vështira.

Ju punoni për ICU, sipas informacioneve që kam nuk ju vendoset tubi të gjithë pacientëve, si bëhet përzgjedhja e pacientëve?  Ndiheni keq qënuk ëhtë mundësia për të gjithë?

Atëherë, unë punoj në Kujdesin Akut, i cili është procesi para se pacienti të shkoj në ICU. Ne kujdesemi që të parandalojmë vajtjen e tij në ICU. Për fat të mirë në Hjuston, përqindja e pacientëve që kanë nevojë për Kujdes Intensiv është ende e ulët dhe ne kemi kushte dhe hapësirë ​​për çdo person tani për tani. Stafi i ICU bën çdo përpjekje për të shpëtuar jetën e çdo pacienti. Ne momentalisht nuk jemi në fazën ku mund të zgjedhim kush do të marr respirator apo jo dhe shpresoj që të mos jemi kurrë në atë fazë. Por në se do të ishim, vendimi do të merrej nga mjekët e ICU dhe besoj se kjo do të varej nga situata e pacientit dhe perqindja e mundësisë që pacienti ka për te mbijetuar. Janë vendime tepër të vështira edhe ende më të vështura për t’u zbaturar, por kur përballemi me dy të këqia, do zgjedhim të keqen më të vogël. Sigurisht që për ne humbja e pacientit nuk është e dicka që erdhi me këtë virus, ne repartin tonë ndodh shpesh, dhe normale  që humbja e çdo pacienti është e rëndë, por ne gjejmë mbështetje tek Zoti, sepse në fund të fundit bëjmë atë që kemi në duartë tona. 

A mendoni se do të zhduket së  shpejti kjo epidemi globale?

Besoj se po. Nuk është hera e parë që kemi hasur epidemi apo pandemi dhe nuk besoj se do të thotë që njerëzimi do të shuhet. Faktikisht nga statistikat, megjithëse është një sëmundje shumë ngjitëse, numri i atyre që kanë nevojë për kujdes të veçantë është i ulët dhe numri i vdekjeve është gjithashtu i ulët. Problemi është gjithmonë në fluksin e pacientëve. Ndoshta keni dëgjuar se këtu në Amerikë kemi shumë probleme në plotësimin e stafit. Ne nuk kemi mjekë apo infermierë të mjaftueshëm . Në qoftese kemi qenë ne nevojë më parë, jemi sot ende me më shumë nevojë. Diçka kjo që e ka rënduar edhe më shumë sistemin tonë shëndetsor. Kështu që për mua kjo është sfida jonë e parë, sfida e dytë janë mjetet e mbrojtjes dhe ventilatorët që shpresoj se do të vijnë me bollëk se shpejti. Unë gjithashtu besoj se populli amerikan ka diçka shumë të veçantë, është një popull shumë bujar dhe inovator. Besoj se zgjidhja do të vijë nga bizneset amerikane të mëdha, por pse jo dhe të vogla. Kjo do të na lehtësojë barrën. Gjithashtu mendoj se amerikanët janë një popull i ndëgjegjshëm. Edhe pse është e vështirë te mbashë “social distance”, distancë sociale, besoj se njerëzit janë të vetëdijshëm dhe shoh që rregullat po zbatohen në shumicën e rasteve. Kjo do të ndihmojë në zvogëlimin e infeksioneve, të paktën derisa të gjendet kurimi.

Në Amerike jetojnë shumë emigrantë shqiptarë. Keni pasur paciente shqiptarë?  Mund të na përshkruani emocionet tuaja si infermiere dhe si shqiptare? 

Fatmirësisht deri tani, nuk kemi pasur asnjë pacient shqiptar në spitalin tonë dhe dëshiroj që të mos të kemi kurrë. Në fakt, nuk i uroj askujt këtë sëmundje, pavarësisht, se çfare janë, por normal që besoj se situata do të ishte akoma më e dhimbshme sikur pacienti të ishte shqiptar. Njohja me kulturën tonë, vuajtjet tona, sakrificat tona, duke njohur dinamikën e familjes, besoj se do ta pësoja humbjen e një pacienti shqiptar sikur po humbisja një anëtar të familjes.               

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare dhe infermiere në spitalet e Amerikes?

Unë besoj se Shqipëria e ka menaxhuar shumë mirë situatën deri tani. Madje mund të them që ata ndërmorën veprime serioze shumë më herët se këtu në Amerikë. Kjo për disa arsye. Së pari, Shqipëria është shumë afër Italisë, e cila e dimë që pesoj raste tragjike, dhe hyrjet dhe daljet me Italinë janë shumë të shpeshta. Shqipëria gjithashtu mori parasysh aftësinë e saj. Ata e dinë shumë mirë që sistemi shëndetësor është i brishtë. Në këto raste është më mirë të ndërmerren masa më të rrepta sa më herët, sesa të mos merren dhe  të dëshirosh më vonë që ti kishe marrë ato. Kështu që reagimi i tepërt, nëse mund ta quaj kështu, për mendimin timë ishte i nevojshëm. Këto masa janë shumë të padëshirueshme dhe shumë të panatyrshme për kulturën dhe popullin tonë, por besoj se ato janë të nevojshme. Gjithashtu desha të shtoj se isha shumë krenare kur pashë epikim mjeksor shqiptar që u nis në Itali. 

E kishit endërr të punonit në shëndetësi?

Po, kam e kam pasur ëndërr që kur kam qenë e vogël. Mbaj mend kur gjyshja ime u sëmur, para se te humbe jetën, i rrija në kokë dhe u ndjeva shumë e pafuqishëme për ta shëruar atë. Besoj se qysh atëherë kam pasur një dëshirë për të shëruar njerëzit.

Për të shuar kuriozitetin e lexuesve le të hidhemi në fëmijërinë tuaj.  Cila është fëmijëria juaj, origjina dhe çfarë do të kujtoni më shumë prej saj?

Unë kam lindur në qytetin e bukur të Elbasanit. Situata ekonomike në Shqipëri bëri që unë dhe familja ime, si shumë shqiptarë, të merrnim rrugën e emigrimit, dhe në moshën 10 vjeç, u gjenda në Itali. Si çdo emigrant shqiptar, jeta në mërgim ka pasur sfidat e veta. Unë besoj se ato kujtime dhe sakrificat e para do të mbahen në kujtesën time. Kanë qenë kohë të vështira, por edhe të bukura. Edhe pse vetë isha fëmijë, isha e madhja dhe kujdesesha për motrën dhe vëllain tim të vogël i cili erdhi në Itali ende foshnje. Prindërit punonin si shumë emigrat, nga 2 apo 3 punë. Në Itali ishim të kufizuar, por siç të gjithë e dimë, edhe jo shumë të dëshiruar. Por, mua kjo më ka shtyrë edhe më shumë. Sidoqoftë, unë Italinë e kam për zemër, atje u rrita dhe u shkollova, gjithashtu mora eksperincen dhe dipllomën si infermiere. Kam jetuar në Itali derisa njoha bashkëshortin tim. Ne u njohëm në Shqipëri kur të dy ishim me pushime, ai kishte ardhur nga Amerika dhe unë nga Italia.

Cila është familja juaj në Amerikë? 

Përveç bashkëshortit dhe djalit që pritet nga dita në ditë, unë këtu kam një kushërirë shumë të ngushtë, pothuajse si një motër, e cila gjithashtu martuar këtu në Amerikë, po ashtu si unë është infermiere. Bashkëshorti im ka dhe familjen e tij këtu, disa prej tyre janë gjithashtu në frontet e para duke punuar për dyqantet ushqimore të cilat kanë bërë një punë të mrekullueshme këtu me furnizimet ushqimore. Kam edhe një rreth të ngushtë shoqëror shqiptar, të cilin e konsideroj familje.       

Sa është i shqetësuar bashkëshorti juaj, familja, apo kudo ku ata jetojnë pasi ju jeni direkt në Luftë dhe shtatzanënë front të Luftës?

Bashkëshorti im në fakt është mbështetës i vendimeve që kam marrë në karrierën time, por sigurisht që ai është shumë i shqetësuar për këtë situatë që ndodhemi, akoma më tepër për kushtet e mija fizike. Madje mund të them që këto ditë, lart e poshtë në punë, me turrne të ndryshme, nuk më lejon t’i jap makinës dhe më shoqëron kudo. Familja ime në Itali është e shqetësuar si dhe familja e bashkëshortit tim këtu, por unë jam në javën e fundit, dhe përderisa situata është ende e manaxhueshme, siç e thashë edhe më parë, do të përpiqem të bëj atë që mundem edhe te jap kontributin tim para se të marr lejen e lindjes, dhe besoj se familja ime e kupton këtë.

Dhe së fundi, mendoni se një ditë do te ktheheni në Shqiperi për të ofruar përvojën tuaj si infermiere e  specializuar e ardhur nga një shtet me mjekësi më të zhvilluar në bote?                  

Meqenëse kam qenë në emigrim tërë jetën time, unë e njoh Shqipërinë shumë pak, të paktën nga një qëndrim profesional. Por besoj se mund të them që të kthehesh në Shqipëri dhe të japësh kontributin, është një ëndërr për çdo fëmijë emigrant. Gjithmonë sytë dhe zemërën nga Shqipëria i kemi. Nëse piqen kushtet, pse jo? Do doja shume te jepja kontributin tim. . Por më që po flasmin për kontribut, ju lutem më lejoni t’jua kushtoj këtë të gjithë shqiptarëve në të gjithë botën që janë në vijën e parë të kesaj epidemie globale në situata shumë me të rënda sesa ajo e imja, veçanërisht shqiptarëve në New York, mendimet dhe lutjet tona janë per ju.

Ju faleminderit zonja Hoxha për bisedën dhe paci shëndet!

Ju faleminderit juve! Ju uroj gjithë të mirat ju dhe lexueseve juaj. Ne jemi në këtë së bashkëku dhe do te ja dalim mbanë.

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

2 Prill, 2020

New York

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo

FLET NGA ITALIA DR.SELENICA: TRAGJEDIA ITALIANE,MESIM PER SHQIPERINE

March 23, 2020 by dgreca

FLET NGA ITALIA DR.SELENICA:SHQIPËRIA DUHET TË MËSOJË NGA TRAGJEDIA ITALIANE/

Bisedë me Dr.Romina Selenica që po shërben në Itali në Pandemine e Coronavirusit/

Armiku i Italisë ishte koha e shpejtë e përhapjes, nëpërmjet mosizolimit dhe rritja e numrit të pacientëve në mënyrë të frikshme.  Besoj se Shqipëria do tëmesojë nga historia e hidhur e kësaj situate në Itali.  Dr.Selenica

Dr.Romina Selenica me një karrierë të pasur në fushën e mjekësisë me edukim në universitetet italiane sot po shërben me devotshmëri dhe po qëndron pranë shtratit të të sëmurëve italiane në këtë kohë pandemie globale.

Dr.Selenica le të hidhemi direkt në shqetësimin dhe panikun që ka kapur gjithë botën në këtë kohë pandemike globale, cila është detyra juaj nëspitalin italian dhe si e shihni gjendjen më konkretisht atje?

Unë sot, kam hequr veshjen e profilit tim, atë të Kirurgjisë dhe MjekësisëEstetike e po shërbej si mjeke e familje në Pisa dhe Empoli. Puna ime konsiston në triage e parë, njohjen e simptomave dhe drejtimin e pacientëve, me simptoma të mesme apo të rënda drejt strukturave të posaçme të ngritura sot për trajtimin e pacientëve COVID 19 +. 

Pse Italia u bë shteti më i kapur “prej fyti” nga ky virus vdekjeprurës?

Mendoj se gabimi është nga mosizolimi i të gjithë Italisë, por vetëm i zonave fillimisht të prekura. Gjithashtu duhet të kemi parasysh se është ndër vendet me numrin më të lartë të popullsisë me moshë mbi 80 vjeç. Nëse shohim statistikat, janë dhe përqindja më e lartë e pacientëve të prekur, moshat mbi 70 vjeç. Kjo ka çuar në një numër të lartë të pacientëve të cilët nuk ja dalin t’i mbijetojnë këtij virusi si shkak i shumë sëmundjeve të tjera kronike. 

Cilat janë këshillat tuaja si mjeke profesioniste në këtë fushë dhe a mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale që po merr me shpejtësi jetë njerëzish?

Unë mendoj se të gjithë ne duhet t’i lëmë kohë shkencës të eci përpara. Janë bërë hapa gjigande në kohë rekord për zbulimin e një vaksine, por duhet kohë për ta sjellë atë në përdorimin e gjerë. Ajo për të cilën une i lutem çdo qytetari, në këto momente është izolimi në shtëpi për të ulur sa më shumë numrin e të infektuarëve. Mendoj se në momentin që do kemi një vaksinë për popullsinë, do të mund të flasim për një zhdukje të kësaj pandemie, pasi aktualisht është ende herët. 

Unë ndihem krenare, kur dëgjoj që ka mjekë shqiptarë rreth botës dhe shërbejnëme humanizëm pranë të sëmurëve, cilat janë shkallët që ju keni ngjitur për të shërbyer në një vend të zhvilluar siç është Italia? 

Unë kam ardhur në Itali në moshën 18 vjeçare, me dëshirën për të realizuar ëndrrën time në një shtet i cili ofron shëndetësi publike për të gjithë, pa dallim shtresash. Për mua ishte zgjedhja e duhur të studjoja mjekësi në një vend kaq human. Sigurisht, shkollimi në një shtet të huaj është i vështirë, por jo i pamundur. Me vullnet çdo gjë arrihet. 

Midis të sëmurëve keni pasur rastin t’ju shërbeni shqiptarëve ku dihet se numri i tyre qëjetojnë në Itali është i konsiderueshëm? 

Në rolin e mjekes së familjes u shërbej dhe shqiptarëve dhe fatmirësisht janë të gjithë pacientë stabël pa komplikacione të rëndësishme. 

Në Itali dhe në shume vende të botës spitalet infektive janë mbi kapacitetin me të semurë si do t’ja dalë Italia me këtë gjendje dramatike në rritje?

Mendoj se është aplikuar një organizim i shumë strukturave të reja, si për repartin e sëmundjeve infektive ashtu dhe për terapinë intensive. Armiku i Italisë ishte koha e shpejtë e përhapjes, nëpërmjet mosizolimit dhe rritja e numrit të pacientëve në mënyrë të frikshme. Aktualisht, ka një mobilizim të përgjithshëm dhe situata përsa i përket strukturave nuk është më problematike. Mbetet akoma e frikshme mos ulja e numrit të të prekurve në 24 orë. 

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare, por dhe si mjeke? 

Mendoj se Shqipëria duke mësuar nga gabimet e Italisë, do marrë masa më të rrepta, për mos të rritur frikshëm numrin e të infektuarve. Për këtë është e nevojshme mos krijimi i focolaiove të reja infektive në qytetet e tjera ende të paprekura. Armiku është jashtë kudo, prandaj duhet që ne të qëndrojmë në shtëpi. 

E keni pasur ëndërr të bëheshit mjeke?

Mjekësia ka qenë një ëndërr e fshehtë e imja që në fëmijëri. Më tepër se një ëndërr, ishte një sfidë me veten, “Unë do ja dal” dhe ashtu ndodhi! Jam larguar në moshën 18 vjeç, deri diku pa miratimin e prindërve, të cilët mendonin se ishte absurde largimi im nga shtëpia në atë moshë në një shtet të panjohur dhe në një degë aq të vështirë. Mbas konkursit dhe hyrjes në mjekësi, ata kanë qenë pika ime e forcës dhe shtysa për të mos u dorëzuar. 

Cila ka qenë fëmijëria juaj?

Një fëmijë i rritur me dy prindër të thjeshtë dhe punëtorë, të cilët sakrifikuan çdo kursim, kohë për të më arsimuar mua dhe motrat e mia. Një fëmijë e rritur me gjyshen, nga e cila kam trashëguar çdo zakon dhe dashuri për të moshuarit. Një fëmijë që kohën e lirë e kalonte duke i rënë pianos apo duke shkruar. Një fëmijë sa i dashur dhe këmbëngulës. Një fëmijë që përtej pianos, ishte çapkëne dhe rebele. E rritur me dashuri, thjeshtësi e çiltërsi dhe sot jam një vajzë, motër, grua që mundohet ti trashëgojë këto vlera jo vetëm në familje por dhe në profesion. 

Ju faleminderit Dr.Selenica per kohen tuaj!

Bisedoi Keze Kozeta Zylo gazetare, shkrimtare.

21 Mars, 2020, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Ptragjedia italiane

BASHKËSHORTËT HOXHA NË VIJËN E PARË TË FRONTIT KUNDËR CORONAVIRUSIT NË NEW JERESY,ShBA

March 22, 2020 by dgreca

Bisedë me specialistë të shendetit z.Taulant Hoxha i cili së bashku me bashkeshorten e tij janë në vijë të pare në frontin e Luftës kundër Coronavirusit në Amerikë/

NGA KEZE KOZETA ZYLO/

Taulanti punon në departamentin e Radiologjisë dhe skanon pacientët që janë me simptomat e Covid19, ndërsa Entela është infermiere në repartin intensiv (reanimacion) ku pacientët janë në gjendje kritike, dhe trajtohen me respirator dhe aparaturat e oksigjenit.  Taulanti qëkur ka qenë student, ka shpikur një mbrojtëse nga radiacioni për fëmijë, e cila u aprovua nga shteti amerikan dhe zotëroj patentën për të. Në 2016-ën gjithashtu ka publikur një libër për Rezonancën e Magnetike (MRI Planning) për t’u ardhur në ndihmë studentëve të kësaj fushe.

Taulant Hoxha MBA RT (R) MR, teknolog i Rezonancës Magnetike dhe bashkëshortja e tij Entela Hoxha BSN RN Infermiere e Regjistruar, janë specialistë të shendetit njerëzor dhe punojnë në spitale të njohura në Amerikë, për të mbrojtur shëndetin e popullit amerikan.  Në këtë kohë Pandemic Corona Virus ata janë në vijë të parë të Frontit të Luftës kundër Coronavirusit Covid 19.

Z.Hoxha, jemi në kohë lufte sipas presidentit Trump dhe OBSh-së ku ju keni detyrat tuaja në shëndetësi për t’i shërbyer popullit amerkan.  Më konkretisht cilat janë detyrat tuaja në këtë situatë tragjike?

Unë punoj në departamentin e Radiologjisë dhe skanojmë pacientët që janë me simptomat e Covid19, pasi virusi atakon rrugët e frymëmarrjes dhe veçanërisht mushkëritë. Për momentin jemi në gadishmëri të plotë dhe në kontakt të vazhdueshëm me CDC (Agjensia e kontrollit dhe parandalimit të sëmundjeve). Ata na njoftojnë për çdo zhvillim të fundit të Covid19 dhe në baze të informacionit dhe udhëzimeve të CDC, ne përshtasim protokollin për trajtimin e pacientëve që shfaqin simptomat e Covid 19. 

Bashkëshortja Entela, është infermiere në repartin intensive (reanimacion) ku pacientët janë në gjendje kritike, dhe trajtohen me respirator dhe aparaturat e oksigjenit. Entela gjithashtu është në gadishmeri të plotë bashkë me kolegët e saj duke dhënë maksimumin për të shpetuar sa më shumë jetë dhe mposhtur këtë virus pandemik

Në cilat spitale shërbeni dhe cilat janë disa nga problemet akute që ju përballeni në këtë kohë?

         Unë punoj në Hackensack Meridian Health Palisades Medical Center dhe bashkëshortja punon në Select Specialty Hospital. Një nga problemet që ne po ndeshemi për momentin faktikisht jo vetem ne por e gjithë Amerika, është numri i kufizuar i mjeteve mbrojtëse si maskat N95, dorezat, dhe veshjet speciale. Megjithatë spitalet tona po bëjnë punë të shkëlqyer për të na i siguruar këto mjete dhe ne po i menaxhojmë me shumë kujdes për mosshpërdorimin e tyre. Spitali gjithashtu ka marrë masa për rritjen e fluksit se pacientëve që deri tani nuk ka krijuar ndonjë problem.

Gjatë shërbimit tuaj në shendetësi në këtë kohë keni pasur raste me pacientë shqiptarë?

         Jo fatmirësisht deri tani nuk kemi pasur ndonjë shqiptar me Covid19 apo me simptomat e këtij virusi. 

Cilat janë këshillat tuaja si profesionistë në këtë fushë dhe a mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale që po merr me shpejtësi jetë njerëzish?

         Higjena është mbrojtja kryesore nga ky virus. Larja e duarve me sapun për 20 sekonda, mosprekja e fytyrës (hundës, syve dhe gojës), pastrimi i sipërfaqeve dhe dorezave të derës me alkohol pasi në metale ky virus qëndron me ditë. Nëse njerezit dalin për të bërë pazaret menjëherë të lajnë duart pasi karrocat e marketeve jane vektor transmetimi i virusit. Distancimi nga njerëzit është shumë i rëndësishëm pasi jo vetëm që të mbron nga virusi, por ndërpret përhapjen e virusit Covid 19 në masë. 

        Për t’u mbrojtur nga ky virus duhet të marrim sa më shumë Vitamin C dhe të pijmë ujë të ngrohtë me limon çdo 15 minuta. Arsyeja se pse duhet të pijmë ujë çdo 15 minuta është sepse virusi qëndron në fyt për të depërtuar në mushkëri. Duke pire ujë çdo 15 minuta, virusi transportohet në stomak ku shkatërrohet nga acidi i stomakut. Një tjetër rekomandim është gargara me ujë dhe kripë.

         Besoj se së shpejti do i rikthehemi normalitetit. Qeveria amerikane po punon nonstop për mbrojtjen e qytetareve dhe po mbështet shkencën dhe mjekësinë për zhvillimin e kurës së Covid19 dhe të vaksinës për parandalimin e saj. Trump ka akorduar miliarda dollar dhe ka vënë në gadishmëri agjensitë e shëndetit dhe FDA (Agjensinë për miratimin e ilaçeve) për miratim sa më të shpejtë të kurës dhe vaksinës së Covid 19. 

Nju Jorku dhe disa shtete të tjera po bëhen shtete të frikshme me një përhapje me shpejtësi të Coronavirusit si do të parandalohet kjo epidemi që po merr jetë njerëzish?

         Masat tashmë janë marrë si kudo nëpër botë me ndalesën e qarkullimit të njerëzeve. Publiku po edukohet për mënyrat e mbrojtjes dhe parandalimit të përhapjes së virusit. FDA sot aprovoi (test kit) tampon qe jep zbulon  Covid 19 brenda 45minutave. Një lajm shumë i mire është se jemi shumë pranë kurës së Covid 19. President Trump lajmëroi në konferencën e shtypit të së shtunës, se Hydroxychloroquine në bashkëpunim me antibiotikun Azithromycin janë shumë efektive në luftën kundër virusit. Nga testet e bëra, 90% e pacientëve me Covid 19 u janë zhdukur simptomat dhe kane rezultuar negativ vetem 6 ditë pas trajtimit me këtë kurë. 

Cili është edukimi juaj dhe si i keni ngjitur shkallët e karrierës në mjekësi?

         Unë jam diplomuar me BSAST Bachelor Shkencor për Shkencat e Aplikuara dhe Teknologji në Medical Imaging në Thomas Edison State University. Gjithashtu jam diplomuar me Master për Administrim Biznesi, specialiteti menaxhim në Fitchburg State University. 

         Bashkëshortja është diplomuar me BSN Bachelor në Shkencat e Infermierisë.

         Për të dy ka qenë e vështirë në fillim, sepse ishim studentë me kohë të plotë dhe nuk kishim mundësi të punonim shumë. Ka qenë sakrifice shumë e madhe, pasi përveç shkollës duhej edhe të shkonim nëpër spitale për të bërë praktikën deri natën vonë. Dëshira dhe pasioni për fushën e mjekësisë na motivonte që të ecnim përpara pavarësisht vështirësive. Por në Amerikë pas sakrificës vijnë vlerësimi dhe frytet e punës. Pas diplomimit dhe specializimeve, oportunitetet kanë qenë më të mëdha për ngjitjen e shkallëve të karrierës. Personalisht jam përpjekur të jap maksimumin për fushën e Radiologjise pasi e dashuroj si profesion. Qëkur kam qenë student, kam shpikur një mbrojtëse nga radiacioni për fëmijë, e cila u aprovua nga shteti amerikan dhe zotëroj patentën për të. Në 2016-ën gjithashtu kam publikur një libër për Rezonancën e Magnetike (MRI Planning) për t’u ardhur në ndihmë studentëve të kësaj fushe. 

Sa e vështirë është për ju të dy si bashkëshortë të punoni në këto ditë të vështira dhe si e menaxhoni kohën?

Është pak e vështirë sepse në një kohë që të gjithë ndodhen pranë familjeve të tyre ne jemi në frontline, duke e luftuar pandeminë virale që ka traumatizuar gjithë globin. Për momentin të dy jemi të fokusuar në punë, pasi pacientët kanë shumë nevojë për ne në këto momente jo vetem fizikisht por edhe psikologjikisht. Në të tilla profesione sidomos në emergjencë kombëtare koha është luks dhe e kuptojmë shumë mirë njeri-tjetrin. 

Keni frikë nga kjo epidemi se mos ju transmetohet nga të sëmurët?

         Jo sepse ne gjithmone jemi të ekspozuar nga sëmundje edhe më të rrezikshme vdekjeprurëse. Megjithatë kujdesi është shumë i lartë dhe ndjekim protokollin e duhur në përballimin e saj. Meraku është se mos bëhem vektor transmetimi për prindërit dhe marr gjithë masat e duhura para se të dal nga spitali duke lënë uniformën në punë dhe duke bërë larjen e duarve. Ky virus është i rrezikshëm për moshat e treta dhe sidomos nëse kanë sëmundje ekzistente.   

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptar, por dhe si specialist?

         Mendoj që masat e marra nga shteti shqiptar janë të domosdoshme dhe njerëzit duhen ta marrin pak më seriozisht vetëizolimin, sidomos duke parë gjendjen e rënduar ne Itali që është shume herë më e zhvilluar se Shqipëria. Njerëzit duhen të ndërgjegjësohen dhe të ndjekin rregullat e vetëizolimit, sepse përbejnë rrezik jo vetëm për veten e tyre dhe familjarët, por për të gjithë qytetarët e tjerë. Të mos harrojmë që Shqipëria është një vend i varfër dhe përshkallëzimi i situatës për shkak të pakujdesisë apo kapriçove të disa qytetarëve do e çonte vendin në kolaps total. Ndihmë nga shtetet tjera do mungonte ashtu sic i mungon Italise pasi çdo shtet do të  sigurojë qytetarët e saj. Megjithatë popullsia dërrmuese janë përgjigjur më mirë seç pritej dhe po zbatojnë instruksionet e specialistëve dhe instancave qeveritare. Shpresoj që ta kalojne sa më shpejti dhe pa u rritur numri i viktimave. Fatmirësisht kura qe po zhvillohet me kombinimin e 2 ilaçeve te lartpërmendura ka dhenë shumë shpresë në bazë të rezultateve të deritanishme dhe ato ilaçe ndodhen rëndome nëpër farmaci kudo nëpër botë.

Cila ka qenë fëmijëria juaj?

         Personalisht kam pasur nje femijëri të lumtur dhe më gëzon fakti që nuk kishim teknologji të zhvilluar si fëmijët sot, sepse na bënte më social dhe mendjen më pjellore. Krijonim vetë lojra nëse topi i llastikut çahej, dhe ndoshta ajo më ka ndihmuar edhe për shpikjen që bëra këtu në Amerikë. 

E kishit ëndërr kur erdhet në Amerikë të punonit në fushën e mjekësisë?

         Amerikën gjithmonë e kam pasur ëndërr dhe të them të drejtën se mendoja kurrë që do punoja ne fushën e mjekësisë. Kur fillova kolegjin, ne fillim u regjistrova për Computer Science (Shkencat Kompjuterike) por një student i klasës më bindi të ndërroja degë në Radiography dhe kur bëra orientimin ne Radiography u dashurova menjëherë. Pjesa tjetër është histori.      

Kur keni ardhur në Amerikë?

         Në Amerikë kam ardhur me ane tëllotarisë Amerikane në prill të vitit 2000, para 20-vjetësh dhe isha 19 vjeç. Llotaria më ra mua vetëm, pa familjen. Ishte një aventurë drejt të panjohurës ku realiteti ishte komplet ndryshe nga çfare dëgjoja në Shqipëri apo shikoja në televizor. Ishte një fat shumë i madh, që më ndryshoi jetën time dhe të familjes 190 gradë ku dhe njoha shoqen e jetës që kemi kaluar çdo vështirësi të jetës së bashku dhe më ka bekuar dhe dhuruar 2 djem të bukur  Brian dhe Kevin që mezi presin të vizitojnë Shqipërinë.

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

21 Mars, 2020, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: Coronavirusi, Keze Kozeta Zylo, Taulant Hoxha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 23
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT