Nga: Ermira Babamusta/
Artisti i sukseshëm Kastriot Preteni, që njihet me pseudonimin KAS ka publikuar videoklipin e tij të ri me titull “Piano”, dedikuar Kosovës dhe popullit të saj. Kënga bën fjalë për luftën e Kosovës, vuajtjet e popullit shqiptar dhe historinë e familjes së Kastriotit gjatë luftës.
“Mua nuk më kujtohet shumë prej vitit 1997, sepse kam qenë shumë i vogël kur filloi lufta dhe kam jetuar në Norvegji në atë kohë. Më kujtohen shumë mirë ngjarjet që më ka rrëfyer familja ime dhe si e kanë plagosur gjyshin tim, Mursel Preteni,” tha Kastriot Preteni.
Artisti zgjodhi titullin e këngës “Piano” si një metaforë për paqe ose qetësi. Kënga “Piano” me lirikë shkruar nga vetë KAS, mban një minutë heshtje për viktimat e luftës. Videoklipi u xhirua në verë 2013 në Mitrovicë dhe Shalë. Piano është një homazh kushtuar të gjithë viktimave të pafajshme shqiptare të Kosovës, që dëshmuan krimet e luftës. Videoklipi u lançua online me 2 nëntor 2013 dhe mund të shikohet në këtë link: http://www.youtube.com/watch?v=nbhbx9-v_sY. Singli është në dispozicion në iTunes, Spotify dhe Amazon.
“Nuk duhet harruar historia dhe e kaluara e popullit tonë. Kam xhiruar pesë videoklipe deri tani dhe Piano është i pari xhiruar në vendin tim, Kosovë, dhe nuk do kisha zgjedhur temë më të përshtatshme se historia e këngës. Dua t’i tregoj botës për identitetin tim shqiptar, me të cilin krenohem,” u shpreh KAS.
“Xhirimi i spotit është bërë në Kosovë për së pari herë me një kompani daneze udhëhequr nga një artist kosovar mjaft i talentuar Dardan Jashari”, shtoi KAS.
Kastriot Preteni ka lindur në Suedi në 1992 dhe me muzikën hip hop merret që në moshën 11-vjeçare. Ka performuar koncerte në Norvegji, Kosovë, Shqipëri, Suedi, Danimarkë dhe Gjermani. Në festivalin e famshëm “Top Fest” u prezantua me këngën “Ndjehem Mirë”, vlerësuar si një nga performancat më të mira dhe fuqishme të festivalit. Me mbi 100,000 klikime në youtube, superhitet e tij janë: “Imma Get My Piece”, “Till Death Do Us Part” dhe “Product of Society”. Për më shumë rreth artistit vizitoni www.facebook.com/KASMUSIC1.