
NGA MARJANA BULKU/

Kjo muzikë lëvizëse përcjell ngado që shkon thirrjet e artistëve për më shumë dashuri e respekt për ndjesitë e bukura njerëzore që nuk duhen harruar ,duartrokitjet e artëdashësve të etur dhe të përmalluar për atë pjesëz të bukur shqiptarie që artistët dijnë ta përçojnë si rrallëkush . Skena bashkoi energjitë e veçanta të Sopranos Inva Mula e cila i ka kaluar caqet e artistes duke u shndërruar në një frymëzim ,nxitje dhe përkrahëse për këdo që me talentin, punën dhe këmbënguljen dëshiron të ndërtojë profil artistik. Teksa shikoja fotografitë e mjeshtrit të madh Ilir Rizaj ndjeva se këto ngjarje artistike kanë amplitutë të madhe në jetët tona këtu në Nju Jorkun gjigand. Pa të tilla akte nuk do mundësh kurrë të dallosh ato dhjetra e dhjetra efekte të bukura që derivojnë nga ajo skenë e thjeshtë por historike ku dekor janë vetëm tingujt dhe mjeshtria interpretative e cila në fotografinë e Rizajit e rikrijon ngjarjen , e vesh atë me mitin e asaj salle të lashtë ku kanë interpretuar artistë të mëdhenj e ku piano e vjetër aspak moderne merr jetë nga virtuozi Genc Tukiçi . Është një grup ku e ke vështirë të thuash kush është më i miri por lehtësisht mund të pohosh që Olen Çezari dhe violina e tij janë shpirti i tij. Shfaqja nisi me këngën “ Dhuratë për ditëlindje” ku globi dikur vetëm objekt studimi sot është rrugëtimi që na ka përpirë duam apo s’duam .Teksa Inva këndonte këtë këngë që eshtë pothuaj 50 -vjeçare lehtësisht vihej re që të gjithë regjistronin duke kënduar këto tinguj me të cilët jemi rritur. Dihet se çfarë emocionesh sjell artisti tek spektatori, por për të kuptuar se çfarë emocionesh përcjell publiku tek artistët në skenë besoj se ky ishte rasti. Një marrdhënie e rrallë e ndërtuar me artistë të vërtetë dhe publik dashamirës dhe elitar.

Minutat nuk ndjehen madje koha ka peshë dhe vlerë tjetër kur mardhënia midis skenës dhe audiencës është e tillë dhe kaq e plotë e me kualitet por kur zhanret muzikore ndërthuren duke alternuar maturimin artistik të Inva Mulës me lulëzimin në shpërthim të Ana Goljes e cila kishte ardhur enkas nga Toronto për këtë event , natyrshëm që kënaqësia zëvëndësohet nga kureshtja për artisten e re shqiptaro -kanadeze e cila po ngjit shkallët e rrugëtimit të saj artistik me zërin e thellë dhe interpretimin e bukur dhe me thjeshtësinë dhe maturinë që e karakterizon në jetë dhe në skenë.
Edhe pse koha fluturon nëpër tinguj ariesh e serenatash zërat e bukur janë ato që e sjellin të kulluar edhe fjalën edhe tingullin e pastër të sopranos Dëshira Ahmeti e cila së bashku me bashkëshortin e saj artist Arjan Kërliu ishin organizatorët e kësaj mbrëmje të paharruar . Të zëri i kthjellët i Dëshirës qëndron pjekuria e një artisteje që artin e ndan mes Nju Jorkut dhe atdheut të saj nga ku vjen dhe shkon por këtë herë duke na premtuar se shfaqje të tilla nuk do të na mungojnë në të ardhmen.
Fotografia e mjeshtrit Ilir Rizaj rrëfen edhe një herë përmasën historike të një nate muzikore ku artistët e mëdhenj kaluan orë të paharruara në një sallë që shndërron në histori çdo akt që buron nga arti i bukur.
E në fund të gjithë kënduan lule bore këtë hit të çdo familje shqiptare mu në zemrën e nje salle gjigande historike njujorkeze që jehoi shqip.