NGA TEUTA SAHATÇIJA/*
I nderuari Keshilltar i qytetit te madh të New Yorkut Z. Mark Gjonaj/
Të respektuar kryetar të Shoqatave shqiptare që veprojnë në New York e gjetiu/
Veprimtar nga të gjitha trojet shqiptare/
Është privilegj i madh që sot këtu para jush, në cilësinë e Ambasadores së shtetit të Kosovës, në emër të institucioneve të Kosovës, në emër të Misionit të RKS në New York dhe në emrin tim personal, të ju uroj Përvjetorin e 10 të Pavarësisë.Ende sot kur e përmendi postin tim, Misionin Diplomatik dhe shtetin e Kosovës, kam emocione. Vetë këto fjalë kthejnë kujtimet për kohën kur nuk kishim shtet dhe shteti ku ishim ishte armiqësor ndaj nesh.
Kujtimet shkojnë më tej në dekada e shekuj kur teritoret e shqiptarëve përjetonin një pas një ekzode, zbarzje të votrave. Ekzodi i fundit i cili e përgjysmoi numrin e shqiptarëve në Kosovë ishte ai i 1999, kur 800,000 shqiptarë u përzunë nga shtëpitë dhe u shëndëruan në refugjat të cilët nuk dinin as a do të kthehen ndonjëhere në votrat e të parëve.
Kujtimet nxjerrin vitet e 80-ta dhe kohën e helmimeve massive të nxënësve shqiptarë duke e artikuluar qartë brengën më të madhe të okupatorit: shkollën dhe gjuhën shqipe.
Historia vazhdon më tej të depërtojë në kohra të errta kur djemtë tanë ktheheshin nga ushtria, të masakruar nëpër kuti të blinduara metalike, për të nxitur frigën dhe ekzodin e djemve të rinj jashtë kufinjëve të Kosovës.
1989 Millosheviqi suprimoi Institucionet e Krahinës së Kosovës, pjesë konstituive të Federates së Jugosllavisë duke e kthyer ate ne një teritor të pa vlerë. Gjuha shqipe u zëvendësua me atë serbe me alphabet cirilik në cdo emër të rrugës, dokumentit, të firmave.
Universiteti i Prishtinës si e arritur e madhe kombëtare, i mbylli dyert për shqiptarë, bashkë me shkollat e mesme. Shkollat fillore u ndane në pjesën shqipe pa ngrohje dhe me dritare te thyera dhe në pjesën sërbe me klasa të ngrohta të shtuara me tapete dhe perde. Shkolla fillore si arsim maksimal i lejuar për shqiptarë, do të prodhonte gjenerata shërbëtorësh dhe sharraxhinjësh që do tu shërbenin qytarëve të rendit të pare.
Apart’heidi në qendër të Europës lulëzonte. Shqiptarët ishin qytetar të rendit të dytë me qëllim të shëndërimit në një grumbull qenjesh pa shkollë, pa respect, pa miq ndërkombëtar, pa institucione, pa të ardhme.
Por e ardhmja e pashprese qe na e kishte përgaditur Millosheviqi me shokë, nuk u pranua nga ne.
Nën udhëheqjen e urtë të Presidentit Historik Ibrahim Rugova, populli u mblodhe nën një kulm, u bashkua dhe veproi. Shtëpitë, xhamitë e kishat u shëndëruan në shkolla e spitale. Permes QIK, bota cdo ditë informohej për krimet, dhunën, terrorin që pllakosi Kosovën. U mbajtën zgjedhjet demokratike nën presion të paparë dhe u zgjedhën Institucionet Paralele.
Diaspora në anën tjetër vepronte fuqishëm si krah i forte në mbajtjen gjallë të institucioneve, shkollës dhe shëndetsisë së Kosovës. Përmes protestave para UN, në cdo vend e shtet e qytet bënte të ditur gjendjen alarmante të shkeljes së të drejtave elementare njerëzore, të gjenocidit që po merrte krah në Kosovë.
Senatorët e Kongresistët, mediat e personalitetet e ndryshme të cilët më pare nuk e dinin se kah i bie Kosova, me punën e palodhshme të diasporës, u bënë zëdhënës të Kosovës, të së drejtës, dhe vepruan kundër terorit.
Kur kjo rezistencë paqësore nuk mundi të ndalë aparatin kriminal, UÇK me Adem Jasharin i mblodhi djemt e vajzat më të mira dhe i doli krah Kosovës që vuante.
Batalioni Atlantiku në Amerikë i mblodhi të rinjtë të cilët nuk ishin në Kosovë, i kishin punët mire në SHBA dhe çkado që ndodhte ne Kosovë, nuk i prekte drejt përdrejtë. Por mbrojtja e vendlidjes, ngritja për një çështje të drejtë nuk i la indifferent. Ata duke u përshëndetur me familjarë e lane SHBAnë dhe u nisën për Kosovë për të mos u kthyer.
Kur afrohet çdo pervjetor, me shokët e batalionit Atlanktiku i perkulemi varreve të Mehmeti, Agroni e Yllit që personifikojnë luftën, sakrificën, detyrën kombëtare, krenarinë mbi të cilat është ndërtuar ky shtet i ri.
Me respekt të lartë dhe perulje të thellë e kujtojmë sakrificën e vllezërve Bytyqi dhe gjithë atyre që dhanë jetën për lirine e Kosovës.
Populli i Kosovës dhe shqiptarët kudo që janë do të jenë falenderues përjetësisht.
Sot Kosova është e njohur nga 116 shtete, është një shtet në zhvillim, ku institucionet po e ndertojnë rrugën demokratike të funksionimit, ku ekonomia po përpiqet të bëhet krah i progresit duke krijuar hapsirë diasporës dhe biznesit vendor të gjejnë mënyre të bashkëpunimit e jo të ndihmës, ku investim i madh po behet ne fuqizimin e edukimit si mjet më të fuqishëm për mbajtjen e zhvillimin e kombit.
Të nderuar bashkëkombas, të dashur miq, jam e lumtur që këtu nga Neë Yorku, mund të them:Kosove e dashur urime ditëlindjen e 10të!
*Fjala përshëndetëse e mbajtur nga ambasadorja Teuta Sahatqija në darkën solemne organizuar nën drejtimin e këshilltarit Mark Gjonaj mbajtur me 17.02.2018; 6:30 ne Marina del Rei.