PRISHTINË, 16 Janar 2016/ Në Kosovë, opozita e bashkuar ka mbajtur sot në Prishtinë një “takim mobilizues me strukturat e saj”, ku tre liderët, Visar Ymeri i VV, Ramush Haradinaj i AAK dhe Fatmir Limaj i Nismës, siç thekson njoftimi, “falendëruan aktivistët e anëtarët për punën e palodhshme në organizim të protestës së 9 janarit dhe poashtu i ftuan që t’i bëjnë protestat e ardhshme madhështore”.
Në fjalimet e tyre poashtu u tha se “nuk do të ndalen deri në dorëheqjen e qeverisë”.
Limaj në fjalën e tij tha se Kosova nuk pranon të qeveriset nga ata që e shkelën Kushtetutën. “Protesta e 9 janarit e dha mesazhin më të mirë. Koha e mashtruesve ka përfunduar”, u shpreh ai.
Edhe Haradinaj ka thënë se shkelësit e Kushtetutës që sot udhëheqin qeverinë duhet të largohen menjëherë.
“Tani ka ndryshuar realiteti politik në vend. Në kauzën tonë jemi bashkë. Me 9 janar ishim bashkë, por herën tjetër do të jemi shumë më shumë dhe të vendosur”, ka thënë ai.
Ndërsa, Ymeri i ka falenderuar aktivistët opozitarë. “Pa juve që nuk dukeni, nuk do ta kishim pamjen e masës së 9 janarit që kishte mbuluar 4 sheshe të kryeqytetit. Pa juve që punoni në heshtje nuk do t’i kemi protestat e radhës, edhe më të zëshme se ato të kaluarat, edhe më të vendosura”, tha ai, i cituar edhe një njoftimin e tre subjekteve opozitare me gjithësej 31 deputetë në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh.
Në 9 janar, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në 28 nëntor 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës. /b.j/