-Temë kryesore e diskutimit ka qenë demarkacioni me Malin e Zi/
Takimi sot me ambasadorët e vendeve të “Qunitit”, ku temë kryesore e diskutimit ka qenë demarkacioni me Malin e Zi, ka bashkuar në një tryezë për herë të parë në dy vjet, liderët e 5 partive kryesore në vend.
Pas takimit, i cili ka qenë i mbyllur për media, liderët e partive kanë thënë se është diskutuar rreth mundësisë së arritjes së një konsensusi të përbashkët për demarkacionin, raporton KTV.
Por, megjithatë, në takimin ku u tha se ambasadorët më shumë dëgjuan, të dyja palët kanë thënë se nuk ka pasur lëvizje pozicionesh.
Përfaqësuesit e partive opozitare kanë njoftuar se kanë përsëritur qëndrimin e tyre kundër kësaj marrëveshjeje, përderisa kanë kërkuar rinegocimin e saj, pa përjashtuar as mundësinë e dërgimit të saj në arbitrazh.
“Mbase do të ketë takime edhe në javën e ardhshme, të tilla për ta diskutuar cështjen e demarkacionit, ne mendojmë që kjo cështje duhet hetuar, pra puna e komisionit duhet të zbardhet, lëshimet, gabimet, por edhe shkelja e interesit të Kosoves duhet të zbardhet dhe marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi të rinegocohet në menëyrë që të mos shkelen interesat e asnjërës pale”, ka thënë Ymeri.
Ndërkaq Ardian Gjini i AAK-së ka thënë se Kosova jo vetëm që humb territor por shkaktohen edhe ndarje të mëtutjeshme.
“Vetëm një rrugë ekziston, që ky demarkacion duhet të rrëzohet në Kuvend të Kosovës, dhe të shohim çka mund të bëjmë me fqinjin tonë me Malin e Zi, me të cilin duam të kemi marrëdhënie të mira, fundi i fundit, mund të shkohet”, ka thënë Gjini.
Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se duhet të provohet të ndërtohet një konsensus për çështjen e demarkacionit, të merren parasysh konkluzionet nga debati, të trajtohen seriozisht argumentet pro dhe kundër, dhe ndërtimi i një komisioni që do ta rishikonte komplet kudo që është gabuar.
Ndërsa, nënkryetari Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, pjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë takim, e ka cilësuar shumë të rëndësishme.
Ai ka thënë se megjithëse nuk ka ndryshim pozicionesh, ky takim lë për të shpresuar se partitë politike do të arrijnë një konsensus në të mirë të vendit.
“Më mirë është që të gjendet një konsensus sesa të kalojë ligji me shumicë vota, siç është e paraparë me 2/3, dhe të mbesim në një përplasje politike që nuk na çon askund, vetëm me akuza të cilat nuk janë profitabile për Kosovën”, ka thënë Haliti.
Ndërkohë, Arban Abrashi, ka thënë se Qeveria e ka kryer punën e saj, duke i lënë radhën Kuvendit, por nuk e ka përjashtuar mundësinë edhe për diskutim të mëtutjeshëm.
“Ne jemi duke diskutuar edhe forma tjera derisa të miratohet në Kuvend, si të arrihet ky konsensus, dhe kjo që është bërë sot është në funksion të saj. Secili nga liderët ka shprehur idetë e veta. Ndoshta do të takohemi javën tjetër në nivel teknik që të diskutohet më thellësisht, por mbetet të shihet”, ka thënë zëdhënësi Abrashi.
Paralajmërimi se mund të ketë edhe takime të tjera për demarkacionin javën tjetër, lë të hapur mundësinë që Marrëveshja për Demarkacionin të mos shkojë menjëherë në Kuvend.
Ndryshe, në këtë takim, për të cilin u tha se ishte planifikuar para disa ditësh, temë diskutimi ishin edhe sulmi i mbrëmshëm në objektin e Kuvendit të Kosovës, çështja e shndërrimit të FSK-së në ushtri, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, si dhe bisedimet me Serbinë.(koha.net)