• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kronikë e një ditëlindjeje: UET themelon qendrën “Kadare”

January 28, 2016 by dgreca

Në këtë përvjetor të rëndësishëm të ditëlindjes së 80 –të, festimet e çojnë shkrimtarin në zëfillje. Në qytetin e tij të lindjes, Gjirokastrën, qyteti magjik si i ngritur për të zgjuar ide të mëdha, sot është gdhirë me një maratonë veprimtarish. Edhe bota akademike nderon sot jetën dhe veprën e shkrimtarit të shquar. Universiteti Europian i Tiranës organizon ditën e sotme ceremoninë e pagëzuar “Dita e Kadaresë në UET”, ku do të marrë jetë zyrtarisht edhe Qendra e Studimeve të Letërsisë Shqipe “Kadare”.
Kur troket data që përkujton me saktësinë e përkorë të sistemit diellor, ardhjen në këtë jetë, njeriu gjendet thuajse krejt pavetëdijshëm në një udhëtim në kohë, që e shpie larg, në atë ditë kur zotat apo yjet vendosën lindjen dhe fatin, që shkruhet çdo vit si të ishte një kronikë… Kronika në gur e tetë viteve të para të jetës, tashmë i numëron tetëdhjetë.
E në këtë përvjetor të rëndësishëm të ditëlindjes së 80 -të, festimet e çojnë shkrimtarin në zëfillje. Në qytetin e tij të lindjes, Gjirokastrën, qyteti magjik si i ngritur për të zgjuar ide të mëdha, sot është gdhirë me një maratonë veprimtarish. Shkrimtari shkruante Gjirokastrën, Gjirokastra sot lexon Kadarenë. Tetë sheshe publike të angazhuar me njerëz që lexojnë pandërprerë nga veprat e shkrimtarit të madh, që megjithëse tashmë i përket të gjithë botës – i përkthyer në 45 gjuhë, i pranishëm në tekste shkollore në vende të ndryshme, fitues i një sërë çmimesh prestigjioze në fushën e letrave dhe kandidat i Nobelit për Letërsi- bashkëvendësit e ruajnë jo pa krenari prejardhjen e tij.
Prej Bashkisë së Gjirokastrës, e cila nis stafetën e ngjarjeve në orën njëmbëdhjetë të paradites së sotme, dashamirësit e letërsisë kadareane lëvizin në Klubin e Gjuetarëve, në Bashtenë e Teqesë, gjimnazin “Asim Zeneli”, Bibliotekën “Apostol Meksi”, shkollën e mesme artistike “Feim Ibrahimi”, gjimnazin “Siri Shapllo” te Sheshi i Ficove, Universiteti “Eqrem Çabej”, si edhe shkolla e mesme “Pandeli Sotiri”….

Edhe Tirana kremton sot duke zgjedhur teatrin si kartolinë urimi dhe konkretisht dramën “Kush e solli Doruntinën”, një sjellje me koncept të ri regjisorial nga Laert Vasili dhe trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku spikat kthimi i aktores Margarita Xhepa edhe njëherë në petkat e Zonjës Mëmë. Nga Durrësi ku pati edhe premierën, kjo shfaqje vjen në Universitetin e Arteve dhe do të ngjitet mbi skenë edhe dy net të tjerë, më 29 dhe 30 janar.
Edhe Teatri Kombëtar, i cili prej pak ditësh ka nisur sezonin e ri me shfaqjen që po korr sukses të madh në audiencë “Tri motrat” mbrëmjen e sotme ia kushton 80-vjetorit të Kadaresë me një mbrëmje artistike të kushtuar.
Edhe bota akademike nderon sot jetën dhe veprën e shkrimtarit të shquar. Universiteti Europian i Tiranës organizon sot ceremoninë e pagëzuar “Dita e Kadaresë në UET”, ku do të marrë jetë zyrtarisht edhe Qendra e Studimeve të Letërsisë Shqipe “Kadare”. Qendër kjo, e cila do të funksionojë pranë Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun-Komunikim të këtij universiteti dhe do të drejtohet nga pedagogu Gilman Bakalli, i cili pohon se me këtë Qendër, Universiteti Europian i Tiranës hap një front të ri të librit, në një kohë kur ky i fundit, sidomos ai në letrën e shtypur, rrezikohet fort nga realiteti virtual.
Gjatë këtij evenimenti do të përurohet edhe libri më i ri i studiueses Viola Isufaj, “Kadare në letrat e sotme franceze”, botim i UET-Press, që sjell një pasqyrë të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar në letërsinë franceze. Me prezantimin e Qendrës, universiteti shkon më tej me ambicien për të hapur një departament të Letërsisë.
Fondacioni “MAPO”, i cili vitin e kaluar themeloi çmimin letrar “Kadare”, çmim që u fitua nga shkrimtari Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e Z.Viktor N.”, do të akordojë për të dytin vit radhazi këtë çmim prestigjioz, që i jep fituesit shpërblimin prej 10 mijë eurosh, në javën e fundit të majit gjatë Ditëve Letrare të Razmës, aktivitet ky i cili synon të kthehet në traditë çdo fundmaji.
Festimet dhe urimet nuk marrin fund me mbylljen e kësaj dite janari. Ministria e Kulturës e ka shpallur 2016-ën si Viti i Kadaresë.
Ngjarjet kulturore e artistike me kryefjalë jetën dhe veprën e shkrimtarit, do të vijojnë në Tiranë dhe Gjirokastër më 29 dhe 30 janar; “Interpretim në magjinë e letërsisë Kadare” do të jetë shfaqja në Teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës, mbrëmjen e 30 janarit, gjithashtu do të shfaqet dokumentari “Me sytë e fëmijërisë” dhe tri ekspozita, një me botime të Kadaresë, një e Shtëpisë Botuese Onufri dhe një tjetër e piktorit Bashkim Ahmeti.
Shtëpia tashmë e restauruar e fëmijërisë magjike të shkrimtarit do t’i çelë dyert e saj për vizitorët më 30 janar, shtëpi e cila do të kthehet në një qendër muzeale dhe kulturore e do të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, një lloj tempulli i vogël për njerëzit e botës së letrave.
Duke u shpallur viti i Kadaresë, aktivitetet në nder të shkrimtarit do të shtrihen gjatë gjithë vitit. Nga datat 12 deri më 28 shkurt në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë do të qëndrojë e hapur ekspozita “Udhëtim në qytetin Kadarean”, një rrugëtim të kryqëzuar mes tekstit dhe imazhit, duke bërë të perceptueshëm për publikun një nga specifikat më interesante të veprës së Ismail Kadaresë: shkrimin e qytetit; që nga Gjirokastra e përjetshme e romaneve Kronikë në gur,
Në muajin prill ekspozita “Udhëtim në qytetin Kadarean” do të udhëtojë në Kosovë, gjatë stinës së verës janë menduar aktivitete në nder të shkrimtarit ku gjatë periudhës korrik-gusht ekspozita “Udhëtim në qytetin Kadarean” do të vendoset në “Shtëpinë Kadare” në Gjirokastër, duke u bërë pjesë edhe e jetës kulturore të qytetit dhe guidave turistike.
Në muajin dhjetor, muaj që do të mbyllë edhe aktivitetet e vitit kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare do të prezantohet albumi “Ismail Kadare dhe editimet”, një album që do të paraqesë të skanuara dhe të pajisura me shënime bibliografike kopertinat e të gjitha botimeve të para të Kadaresë në shqip, të cilat kanë dalë nga vëmendja e publikut për shkak të largesës kohore, por edhe kopertina të librave të përkthyer në gjuhë të huaj, duke sjellë ndoshta për herë të parë në vëmendje shumësinë dhe pasurinë e përkthimeve dhe të gjuhëve në të cilat është botuar vepra e Ismail Kadaresë, së bashku më çmimet kombëtare e ndërkombëtare që kanë marrë vepra të veçanta.
E pas dhjetorit, shpejt vjen sërish dita, që me saktësinë e përkorë të sistemit diellor, përkujton ardhjen në jetë, edhe një vit më shumë,bashkë me urimin për shumë e shumë të tjerë…

S.Balliu

Filed Under: Featured Tagged With: Kadare, Kronikë e një ditëlindjeje, UET

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT