*Interpelanca me Kryeministrin Edi Rama/
*Rama-Topallit:Po deformoni dhe fabrikoni shifrat e kriminalitetit!/
-Punimet e Kuvendit vijuan te henen me interpalancën e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me sigurinë dhe rendin në vend, të thirrur nga deputetja e PD-së, Jozefina Topalli.
Sipas Topallit kjo interpelancë vjen në një kohë kur në vend janë rritur rastet e shpërthimit me tritol ndërsa akuzoi qeverinë se ka dështuar për të vendosur ligjin dhe sigurinë në vend.
Topalli deklaroi se qytetarët nuk ndihen më të sigurtë, ndërsa bëri një bilanc të krimeve të ndodhura kohëve të fundit.
Në vijim ajo tha se vetëm një herë në parlament, Kryeministri ka folur për rendin, ndërsa shtoi se bilanci i krimeve është tragjik.
“A mund ta masësh me përqindje suksesin për vrasjet, po kur fëmija vritet në shkollë, a mendoni për nënën e fëmijës? A mund të thoni në këtë pasiguri se nuk keni asnjë dështim, në një kohë kur shoqëria është e kërcënuar nga revanshi i drogës, krimit dhe mafias. A nuk ishit ju zoti Kryeminsitër që sollët modelin e tritolit, kur kryenit shpërthime me C4”, tha Topalli.
Deputetja opozitare theksoi se më e rënda ishte përdorimi i dhunës mbi shoferët e furgonave, duke shkelur kësisoj ligjin.
Po ashtu, ajo theksoi se Kryeministri mund të mohojë çdo gjë por e vërteta është aty. “Vetëm sot tritol, dje dy herë tritol, dje dy të tvrarë, unë ju pres t’iu dëgjoj”, mbylli fjalën e saj Topalli.
Rama-Topallit: Po deformoni dhe fabrikoni shifrat e kriminalitetit
Kryeministri Edi Rama në interpelancën e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, mbi situatën e rendit dhe sigurisë në vend, akuzoi opozitën se po luan në mënyrë makabre me shifrat e kriminalitetit, duke shtrembëruar faktet.
Duke krahasuar periudhën e mes shtatorit 2013 – fund shkurtit 2014, me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bazuar në shifrat zyrtare, Rama tha se “kemi ulur me një të tretën numrin e vrasjeve dhe të viktimave”.
Ai tha se opozita sot nuk ka moral të gjykojë punën e kësaj qeverie, kur u largua nga qeveria duke lënë këtë vend në mëshirën e pasigurisë totale, policinë e shtetit me moshën më të vjetër të mesatares në rajon dhe Europë, të rrënuar, të demotivuar, të tkurrur në numrin më të ulët për frymë popullsie në rajon dhe Europë”.
Nga foltorja e Kuvendit, Kryeminisri tha se ndërsa opozita po bën politikën e krimit, qeveria po rilind Policinë e Shtetit, ku veçoi si arritje, stimulin më të madh financiar të 20 viteve të fundit, siç e cilësoi ai, përmes rritjes së rrogave dhe taksimit të ndershëm.
Sipas tij, policia nën drejtimin e qeverisë së kaluar, ishte me nivelin më të ulët të arsimimit në rajon e më gjerë. “E latë policinë me mbi 70% të trupës me arsim të mesëm, shifër marramendëse që nuk gjendet as e përafërt në rajon dhe Europë. Policia e Shtetit për ju ishte shumë më tepër një mundësi për asistencë sociale për të papunët e pashkolluar, se sa forca e shtetit në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike”, iu drejtua Rama opozitës në sallën e Kuvendit.
Kryeministri tha se, “sulmi i opozitës ndaj policisë së shtetit, nëpërmjet dizinformimit, është një sipërmarrje për prishjen e imazhit të policisë dhe qeverisë shqiptare në Europë dhe botë.
“Kjo sjellje nuk dëmton qeverinë, çka është dhe qëllimi i opozitës, por dëmton vendin dhe vet opozitën” tha Rama duke shtuar se “shumica ka një mision dhe mandat shumë të qartë: të bëjë shtet dhe të ndryshojë Shqipërinë”. “Nuk jemi as të përsosur dhe as të pagabueshëm, por të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm para njerëzve të këtij vendi”, theksoi Rama, ndërsa premtoi se, “pas 6 muajsh të tjera fakte dhe shifra në rend dhe ekonomi do të flasin shumë më fort dhe pse e latë vendin në kushte të vështira”.
Akuzës së opozitës për shkarkime dhe emërime të kundraligjshme në radhët e policisë, kreu i Qeverisë iu përgjigj me gjuhën e shifrave.
“Po propagandoni në Europë sikur po largohen dhe emërohen padrejtësisht mijëra punonjës në radhët e policisë, por faktet dhe shifrat flasin ndryshe”, tha ai duke cilesuar se , “nga mesi i shtatorit 2013 deri në fund të shkurti 2014, janë liruar 378 punonjës policia, në një kohë kur nga shtatori 2005 deri në 2006, kur morët qeverinë, ju larguat nga policia 1003 punonjës policie. Në kohen e drejtimit tuaj, larguat nga radhët e policisë 3188 punonjës, pa llogaritur katrahurën e lëvizjeve brenda përbrenda strukturës, ku vetëm nga viti 2010- 2013, u lëvizën 9 866 punonjës”, nënvizoi kryeministri në interpelancën e kërkuar nga deputetja demokrate, Jozefina Topalli.
Maxhoranca miraton me 84 vota ndryshimet në ‘Kodin Penal’ dhe ‘Aministinë’
Kuvendi miratoi të hënën në seancë plenare me 84 vota pro të maxhorancës, dy projektligje të rëndësishme, atë të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale në Republikën e Shqipërisë, si dhe p/ligjin “Për dhënie amnistie”.
Opozita ndërkohë nuk mori pjesë në votim.
Më herët opozita u largua nga Kuvendi pas gati dy orë debatesh, ku akuzuan kryetarin Ilir Meta për shkelje të rregullores, që kishte të bënte me mos mbledhjen e seancës plenare të enjten e javës së shkuar.
Por, z. Meta shpjegoi se Kuvendi u mblodh në datën 5 mars dhe se p/ligjet e parashikuara për datën 6 mars nuk kishin përfunduar diskutimet në Komisionet Parlamentare.
Pas përfundimit të votimit të dy p/ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar, opozita u rikthye në Kuvend për të vijuar me interpelancën e Kryeministrit, Edi Rama kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli për rendin dhe sigurinë në vend