Të premten me 11 shtator, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” Dr. Gjon Buçaj, priti një përfaqhtësi të Bashkisë së Kamzës, të cilët morën pjesë në një seminar pune që u zhvillua në Chikago. Ndër vizitat që bënë në një Nju Jork, përfaqësuesit e Bashkisë së Kamzës u ndalen edhe në Shtëpinë e Vatrës.
Përfaqësia e bashkisë së Kamzës përbëhej nga kryetari Xhelal Mziu, nga zv/kryetari i Bashkisë Vendim Demaj, Drejtori i Zyrës së Arsimit Qemal Çejku, nga kryetari i Këshillit të Bashkisë Bilbil Bajraktari dhe sekretari i këshillit Sokol Ndreu.
Kryetari Buçaj u uroi mirëseardhjen mysafirëve të cilët e kanë vizituar dhe herë të tjera Shtëpinë e Vatrës. Ai i njohu ata me veprimtaritë e fundit të Federatës Vatra dhe u ndal në mënyrë të veçantë edhe në takimet e zhvilluara gjatë muajit shtator, kur në Nju Jork ishin të pranishëm delegacione nga vendlindja. Për të parën herë herë, tha Kryetari i Vatrës, një president i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, vizitoi me 24 shtator Shtëpinë e Vatrës. Kjo do të mbetet një vizitë historike që do të regjistrohet në kronikën e shekullit të dytë të jetës së Vatrës, më e vjetra shoqatë në botën shqiptare, që ka hyrë në vitin e 102 të jetës së saj.
Kryetari Buçaj u ndal edhe në takimin që zhvilloi një përfaqësi e Vatrës me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me 26 shtator, që ishte një takim korrekt. Ne, tha Kryetari Buçaj, i dorëzuam Kryeministrit një promemorje, ku nga njëra anë pasqyroheshin qëndrimet e Vatërs, por ana tjeter edhe kërkesat e saj ndaj qeverisë në të mirë të Kombit shqiptar, të ish të përndjekurëve politikë, ish pronarëve, luftën për çështjen Kombëtare, luftë kundër korrupsionit etj.
Vatra do ta ndjekë në pozicion oponence konstruktive punën e Qeverisë dhe do të mbajë qëndrimet e saj.
Më pas dr. Buçaj foli për punën që po bën Vatra për shtimin e anëtarësisë së saj, ngritjen e degëve të reja dhe thithjen e elementëve intelektualë dhe brezit të ri në radhët e saj.
Kryetari i Bashkisë së Kamzës, z. Mziu falenderoi për pritjen e ngrohtë, që e kanë e gjetur gjithmonë tek vatranët. Ai tregoi për vizitën në SHBA dhe përfitimet nga seminari i përvitshëm , ku ata kanë qenë të ftuar. Më pas ai foli edhe për problematikën e Bashkisë së Kamzës, e cila për nga popullsia është e gjashta në Republikën e Shqipërisë. Ai shpalosi punën që ka bërë ai dhe stafi i Bashkise në ndihmë të qytetarëve.
Kryetari i Vatrës dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës shkëmbyen mendime rreth zgjedhjeve te fundit,qeverisjes së re të koalicionit të majtë, premtimeve të bujshme që u bënë gjatë fushatës nga kryeminsitri dhe revanshi i tanishëm për ndërrimin e plotë të adminsitratës, pa kritere profesionale, por sfond et plot politik, përfshi edhe policinë, apo adminsitraten civile, ku janë bërë shpenzime të shumta për kualifikimin e saj, si nga Amerika ashtu edhe nga partnerët Europianë. Fillimi nuk premton marrdhënie normale të mazhorancës me opozitën, pasi Edi Rama, po provokon dhe nuk po bashkëpunon.
Në fund të vizitës përfaqësia e Kamzës bëri fotografi në mjediset e Vatrës, në bibliotekë, në muze dhe para Shtëpisë së Vatrës.
Përveç Kryetarit të Vatrës në takim ishtin te pranishëm edhe: anëtari i kryesisë se Vatres Marjan Cubi, Zef Përndocaj (Advisory board) si dhe Editori i Diellit Dalip Greca.