Geraldine Appony, Mbretëresha e shqiptarëve, Tefta Tashko, Lola Gjoka, Marije Kraja, Dr. Sabiha Kasimati, Musine Kokalari, Drita Pelinku, Vace Zela, Margarita Xhepa, Luiza Laska, Roza Anagnosti, Prof. Rushen Golemi, Suzana Turku, Prof. Adelina Mazreku, Cezarina Daragjati dhe…/
Kuvendi i Shqipërisë, në një ceremoni të veçantë në sallën e veshur kuq e zi, nderoi dje kontributin e grave shqiptare në 100 vjet pavarësi, të cilat i dhanë nder dhe krenari kombit shqiptar. “Ne nderojmë brishtësinë, delikatesën, dinjitetin e gruas shqiptare, kësaj gruaje të lindur në ‘djepin e tragjedisë’ e të ‘dramës pa fund’, por që kurrë nuk u vyshk në freskinë e në fisnikërinë e saj njerëzore. Sot, nderojmë një pjesë të grave simbol të qëndresës e të forcës së gruas shqiptare, siç vetëm një grua shqiptare mund të jetë”, tha Kryetarja e Kuvendit. Topalli me motivacione të veçanta në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për misionin e tyre, dhuroi botimin special të Kuvendit “Akte të themelimit të shtetit shqiptar”, duke nderuar një pjesë të grave simbol të qëndresës dhe të forcës së grave shqiptare, siç vetëm një grua shqiptare mund të jetë.
Tefta Tashko Koço
E para artiste lirike, e një Shqipërie që po përpiqej të dilte nga prapambetja dhe paragjykimet mesjetare. Me zërin e saj hyjnor, dëshirën dhe vullnetin që ky vend të rigjejë vokacionin e tij evropian, u bë pionierja e parë e promovimit të vlerave të muzikës shqiptare, e shpirtit artist të kombit tonë.
Lola Gjoka
E para pianiste shqiptare, e lindur, rritur dhe shkolluar në mërgim, por që zgjodhi të kthehej në atdhe ku ngriti nga asgjëja atë që më vonë do të bëhej shkolla e pianos, duke qenë edhe e para pianiste koncertiste në Shqipëri me një karrierë 50-vjeçare të pandërprerë.
Marije Kraja
Soprano lirike, pioniere e muzikës dhe arsimit muzikor në Shqipëri, e cila si pedagoge që në fillim të viteve ’30, formoi traditën dhe shkollën shqiptare të një interpretimi besnik të këngës popullore.
Dr. Sabiha Kasimati
E para biologe, shkencëtare në Shqipëri, me një aktivitet të dendur botimesh shkencore, ndër arsimtaret e para të institutit femëror “Nana Mretneshë”. Pushkatuar pa gjyq sëbashku me 21 intelektualë të tjerë në vitin 1951.
Musine Kokalari
Ndër të parat prozatore, publiciste, studiuese e psikologjisë dhe zakoneve popullore dhe sigurisht e para grua politikane në Shqipëri, me një kontribut të shquar si profesoreshë në institutin femëror “Nana Mretneshë”. Burgosur dhe internuar deri në fund të jetës së saj nga regjimi komunist.
Drita Pelinku
E para studente e artit dramatik në Shqipëri, regjisore, pedagoge e profesioniste e aktrimit, e cila numëron 110 role në skenë dhe kinema, shumë prej të cilave të paharrueshme e ende sot të freskëta.
Tinka Kurti
Aktore e teatrit dhe kinematografisë, e cila gjatë karrierës së saj, me mjeshtëri të rrallë ka interpretuar rolin e vajzës, nënës e gruas shqiptare, në tiparet e tyre kryesore: karakterin e fortë, njerëzor e tragjik në të njëjtën kohë. Teatri shqiptar në Malmo të Suedisë mban emrin e saj.
Margarita Xhepa
Aktore profesioniste, e cila me mjeshtërinë e aktrimit dhe sensibilitetin që përçon, të pandërprerë prej më shumë se 60 vjetësh në skenën shqiptare, është një ndër gratë me të cilat kinemaja shqiptare identifikohet.
Luiza Laska
Për kontributin e paçmuar e të pandërprerë në interpretimin me mjeshtëri si askush tjetër të karakterit e integritetit të gruas dhe nënës labe, duke u shndërruar krenarisht në “laben” e kinematografisë shqiptare.
Roza Anagnosti
Aktore e teatrit dhe kinematografisë, e cila me elegancën, finesën, feminilitetin dhe artin e saj më shumë se kushdo tjetër i dha figurës së gruas shqiptare forcën e delikatesën njëkohësisht.
Prof. Rushen Golemi
Ndër mjeket dhe kirurget e para shqiptare, autore tekstesh dhe artikujsh shkencorë, pedagoge e Fakultetit të Mjekësisë për disa dekada. Ndër të paktat deputete të Parlamentit shqiptar në zgjedhjet e para pas rënies së komunizmit në vitin ’91.
Suzana Turku
Figurë e shquar e muzikologjisë sonë, dirigjentja e parë shqiptare, e cila me korin “Pax Dei” sjell me mjeshtëri tingujt e paqes e të artit shqiptar e botëror në skenat tona.
Prof. Adelina Mazreku
E para kirurge onkologe shqiptare, me një kontribut të pazëvendësueshëm në sensibilizimin, parandalimin dhe mjekimin e tumoreve, si hartuese e programit kombëtar të luftës kundër kancerit.
Cezarina Daragjati
Ndër të parat piktore shqiptare, me një aktivitet të çmuar artistik në vaj, kryesisht në gjininë e peizazhit, portretit e natyrës së qetë.
Kristina Koljaka
Një ndër gratë më të shkolluara në një Shqipëri ende me shumicë analfabete, skulptorja e parë shqiptare, e vlerësuar me çmim që në vitin ’42 për punimet e saj nga Akademia e Arteve në Romë. Pedagoge pioniere e skulpturës në Institutin e Lartë të Arteve. 7 prej veprave më të mira të saj, pasurojnë sot fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Androniqi Zengo
E para piktore shqiptare profesioniste me arsim të lartë, e para grua që hapi ekspozitë punimesh personale, e para ikonografe shqiptare me një kontribut të pazëvendësueshëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të kombit të saj. Punimet e saj në vaj, janë sot një trashëgimi e vyer që ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Nexhmije Pagarusha
E papërsëritshmja, “bilbili i Kosovës” sigurisht, por edhe bilbili i këngës shqiptare. Fjalët janë të tepërta…
Tereza Bianku
E para grua në biznes e filantrope e shquar që në shekullin 19, e cila drejtoi disa biznese tejet të suksesshme, duke arritur të jetë homologia shqiptare e Dhomës së Tregtisë së Venedikut. Gjatë veprimtarisë së saj për një çerek shekulli, financoi dhe ndërtoi shkolla e rrugë në qytetin e Shkodrës e rrethina, duke u bërë shembull i humanizmit e bamirësisë së gruas shqiptare.
Marie Shaqe Shiroka (Çoba)
Ndoshta e para grua shqiptare që ndoqi universitetin për shkenca politike në Firence që në fund të shekullit të 19. Sigurisht e para grua shqiptare promotore e lëvizjes feministe shqiptare që në vitin 1918, duke krijuar komitetin “Gruaja shqiptare” të përbërë nga gra të të gjitha besimeve fetare, i cili kishte për qëllim të ndihmonte luftëtaret shqiptare që po përballeshin me forcat sllave që përpiqeshin të pushtonin Shkodrën. Botuese e revistës “Gruja shqyptare” në vitin 1920, e para revistë e këtij lloji në Shqipëri. Dënuar nga regjimi komunist në moshë të thyer si kundërshtare aktive e tij.
Rajmonda Bulku
Është aktore, politikane, portret i hijshëm i ekranit tonë si pak të tjera, por sot nuk e vlerësojmë për këtë. Sot e vlerësojmë për një moment të jetës së saj dhe tonës pashmangshmërisht, në të cilën u bë “zëri” i të gjithave ne, i grave shqiptare, nënave dhe motrave, me thirrjen e saj njerëzore më 20 shkurt të ’91, për të ulur armët e për të ndalur vëllavrasjen për “idhuj të rreme”! Thirrja e saj, në emër të të gjithave ne, pavarësisht se ku ndodheshim fizikisht në atë moment… na çliroi! Hapi tjetër epokë! Faleminderit Rajmonda Bulku!
Geraldine Appony, Mbretëresha e shqiptarëve
Në emër të të gjitha grave të huaja, që për hir të dashurisë lanë vendin e tyre dhe lidhën fatin me këtë vend të mrekullueshëm, por të shumëvuajtur e që megjithëse prej tij morën vetëm vuajtje e padrejtësi, i dhuruan pafundësisht dashuri, lindën dhe rritën fëmijë patriotë, të cilët i mëkuan vetëm me atdhedashuri.
Vaçe Zela
“Zëri”, “tingulli” më i bukur i këngës, i melodisë shqipe, e cila talentit që bujarisht i fali Zoti, i shtoi pa kursim, pasionin, shpirtin e saj, në çdo kordë, në çdo notë. “Zëri” që hynte në çdo shtëpi, e ngrohte çdo zemër, me dashuri për “dashurinë”, me dashuri për jetën, me dashuri për atdheun, në një kohë të vështirë, kur atdheu kishte fare pak ose aspak për t’i ofruar asaj e secilit prej nesh! Të papërsëritshmes Vaçe Zela, me mirënjohje!