TIRANË, 28 Shkurt/- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nisi sot një tur takimesh me qytetarët e Lezhës, Shënkollit e Zadrimës.
Basha tha se oferta dhe projekti politik i demokratëve për zgjedhjet që po vijnë, do të dalë pikërisht nga bashkëbisedimi me qytetarët.
“Kam nisur sot nga Lezha turin politik të radhës në Shqipëri për t’u takuar e ritakuar me njerëzit, për t’i pyetur, për t’i dëgjuar, për të prekur, njohur e vlerësuar sa më mirë dhe sa më drejt gjendjen ekonomike dhe shoqërore të vendit”, tha ai.
Sipas Kryetarit të PD-së, “ky tur shërben për të kolauduar sa më saktë misionin dhe pozicionin aktiv si opozitë, për të shkëmbyer mendime, qëndrime dhe zgjidhje”.
Basha u shpreh se e vërteta e qeverisjes në vend është krejt tjetër nga ajo që propagandon qeveria. Sipas tij “pakënaqësia ndaj qeverisjes dhe revolta ndaj saj, janë realiteti që preket kudo në Shqipëri.
Të revoltuar me qeverinë, sipas Bshës, janë familjet në nevojë që kërkojnë të mbijetojnë në sistemin e taksave dhe tarifave të ngritura, të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, të rritjes së çmimit të ilaçeve, të mbylljes së vendeve të punës dhe të mungesës së investimeve që prodhojnë punë dhe zhvillim.
“Të pakënaqur janë qytetarët e lirë, sipërmarrësit e lirë, intelektualët me integritet që nuk kanë probleme me bukën e gojës, por ndihen të fyer e të poshtëruar me një qeveri që i ka vënë kryqin trasparencës dhe llogaridhënies”, u shpreh Basha.
Kreu i opozitës shtoi se, “po t’i bëjmë bashkë të dyja këto fasha të mëdha shoqërore do të shohim se paraktikisht është shumica dërrmuese e qytetarëve të pakënaqur me qeverinë”.
Por opozita nuk do të mjaftohet me denoncimin e së keqes. Kryetari i Partisë Demokratike u angazhua për platformë, për zgjidhje konkrete, për uljen e çmimit të energjisë, uljen e taksave, krijimin e vendeve të punës, dëmshpërblimin e shtëpive të prishura në kundërshtim me ligjin, me fondet që do krijohen nga sekuestrimi i pasurive të paligjshme të qeveritarëve.
“Alternativa jonë është punësimi dhe zhvillimi. Ne jemi partia e taksave të ulta dhe inisiativës së lirë. Ne do të rrisim ndjeshëm investimet për bujqësinë dhe blegtorinë, trasportin ujor, peshkimin dhe industrinë e peshkut, do të rrisim investimet për turizmin”, tha Basha.