
“Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet.”- Eqrem Çabej/
Nga Anton Cefa/
Familja ka qenë dhe është një faktor psikologjik i fuqishëm në jetën e popullit tonë. Është folur, në përgjithësi, për karakterin patriarkal të familjes shqiptare, ngjyrimet e të cilit kanë ardhur deri në ditët tona, dhe i konstatojmë ende aty-këtu, diku-diku të zbehura e diku tjetër me tonalitete të errta.
Më mirë se kudo, në fjalët e urta, populli e zbulon vetveten, vetëdijen dhe nënvetëdijen e tij, virtytin e vesin, zakonin e normën, realen dhe vizionin, gjykimin dhe dëshirën. Në prehrin e tyre, ai ka shprehur qartë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në mënyrë figurative, konceptin e tij për familjen, për vlerat dhe rëndësinë e saj, rolin e saj në jetë e në shoqëri, për secilin pjesëtar të saj dhe marrëdhëniet mes tyre.
Mendësia popullore, e dhënë në proverba, në përgjithësi na del më përparimtare se praktikat jetësore; ajo kritikon dhe dënon mjaft sjellje e qëndrime patriarkale në familje, mbështet e përkrah një familje, në të cilën respektohen të drejtat e secilit dhe nderohen prindërit, ku kundërshtohen dhe nuk lejohen padrejtësitë; dënon zakone, norma dhe veprime që bien në kundërshtim me të drejtat individuale të secilit pjesëtar familjeje, hedh poshtë pushtetin e pakufizuar të burrit mbi gruan dhe pjesëtarët e tjerë të familjes.
Vlerësim të lartë ushqen populli për familjen si fole e dashurisë së vërtetë dhe harmonisë, si vendi ku ndërtohet gëzimi i jetës dhe lumturia. “Moj shtëpi, moj shtëpi, m’u duktë varri si ti” 1). Koncepti themelor i familjes për urtësinë shqiptare është familja monogame, çka e dëshmojnë proverba të tillë si “Një burrë për një grua dhe një grua për një burrë” ose “Besa e kunorës – ma e madhja besë”. Ajo miraton sjellje e qëndrime që janë kushte të rëndësishme e të domosdoshme për krijimin e harmonisë familjare. Janë burri e gruaja, prindërit, që përbëjnë faktorin kryesor të mbarëvajtjes që është kusht i kësaj harmonie: “Burrë e grua, mish e thua”, “Gru e burrë si eshkë e unur”, “Gruaja me burrin ndan hallin dhe mallin”. Në mjaft gjykime të urtësisë popullore flitet për marrëdhëniet burrë-grua dhe për ndikimin e tyre ndaj njëri-tjetrit në dobi të mirëvajtjes familjare: “Gruaja e mirë e bën edhe burrin të mirë”, “Burri i mirë e bën edhe gruan të mirë”.
Kujdesi e respekti më i madh i takon më të voglit: “Ma i madhi në shtëpi asht fëmija”, një gjykim tejet human i shprehur në mënyrë kategorike. Vlerësohet drejt kënaqësia që krijon fëmija në rrethin familjar: “Fëmija asht bahçja e shpirtit”, “Fëmija asht pema e zemrës”, “Fëmija është gazi i shtëpisë”.
Duke iu vënë shpesh herë përballë praktikave konservatore, nënvlerësuese e të prapambetura ndaj gruas, rëndësinë më të madhe në drejtimin e shtëpisë, populli ia njeh gruas: “Gruaja është themeli i shtëpisë”, “Gruaja është shtëpia”, “Gruaja është kliçi i shtëpisë”, “Gruaja – dritë e shtëpisë”. “Buka është shpirti i shpirtit, gruaja është shpirti i shtëpisë”. Nuk mjafton me kaq, vlerësimi i gruas shkon edhe më tej, duke theksuar rolin e saj përcaktues në familje: “Vdes babai, s’prishet shtëpia, vdes nëna, prishet”, “Zjarri pa dru, si shtëpia pa gru”, “Babai të lë fukara, nëna të lë jetim”. Në proverba të tjerë kritikohen ashpër norma patriarkale të trajtimit të pjesëtarëve të familjes. Kështu, p. sh. përqeshën e ironizohen burrat qi shfrytëzojnë gratë dhe jetojnë në kurriz të tyre: “Tre burra në shpi, e grueja në mulli”, “Dy burra në shpi, hajt nuse në mulli”, “Gruaja nuk asht lopë qi shitet në pazar”.
Në një shtrat logjiko-emocional jepen vlerat e pjesëtarëve të familjes e të marrëdhënieve mes tyre: “Atë e nënë s’të bëhet kush”, “Nanë e babë, motër e vëlla s’të bëhet kerkush”. Më përtej, e dhënë në formë sentence, dashuria ndaj prindit lidhet me dashurinë ndaj atdheut: “Kush s’do nënën e babanë, nuk e do as vatanë”, një dashuri që ka rrënjë të thella në zemrën shqiptare.
Ndër fëmijë, megjithëse ndaj vajzës praktikat jetësore kanë qenë më konservative, më të prapambetura, më patriarkale krahasuar me ato ndaj djalit, është ajo që urtia popullore e ka vlerësuar më lart: “ Vajza është për nënë e për baba”, “Vajza e vogël si masha në votër”, “Vajza është për amë e babë”, “Kush ka djalë pi zeher, kush ka çupë pi sheqer”, “Ta kisha nji vajzë – tha filani – mos shkojshe me qeshë, së paku me kja hall me te”. Kjo sepse vajza gjithnjë ka qenë dhe është më afër prindërve, ajo tregohet më e dashur ndaj tyre dhe vëllezërve, më e gjindshme e më e gatshme për të ndihmuar të tjerët. Gjithsesi ekuilibrohen me njëra-tjetrën dashuria dhe dhimbja e prindit ndaj fëmijës: “Sejcili gisht dham për vedi”.
Përballë këtij trajtimi e qëndrimi pozitiv, në mendësinë popullore konstatohet një mbivlerësim i hapët i djalit ndaj vajzës: “Djali si ari, vajza si hallka në vesh”, “Kur len djalë, gëzohet gjeth e bar”, “Djali është flori në mes të baltës”.
Populli, në fjalën e tij të urtë ka kritikuar ashpër zakonet regresive të fejesave të dikurshme që në djep, çka ka qenë zakon në viset e Malësive të Veriut, fejesat pa kombinim moshe, ato me shkuesi ose pa dëshirën e pëlqimin e fëmijëve: “Martesa në djep, e zeza e të vet”, “Arka plot, sytë me lot”.
Ka edhe proverba që ende sot e kësaj dite bartin mentalitete të gabuara të së kaluares, si p. sh. kur dënohet bindja e vërbët, nënshtrimi i paarsyeshëm i fëmijës ndaj prindit: “Babës e nanës nuk i kthehet fjala”, “Këmbëzat vurja kalit dhe frerin mbaja djalit”, “Babanë e mirë nderoje, babanë e keq duroje”, ose “Plaku është shtyllë e shtëpisë”, “Ku asht plaku, mbahet konaku”, që mund të intërpretohen edhe në kahjen pozitive, si këshilla për nderimin e prindërve dhe të pleqve.
Në të mirë të familjes monogame, populli e trajton si të drejtë e të arsyeshme ndarjen e djalit të martuar nga familja. Për më tepër, prej kohësh ai ka regjistruar në gjirin e fjalëve të urta, gjykime që dëshmojnë qëndrime pozitive e me vlera tejet aktuale ndaj të rinjve: “Po doli zogu nga çerdhjja, lere të fluturojë”.
Në funksion të harmonisë, populli këshillon që kur martohet djali, të ndahet prej prindërve dhe të krijojë familjen e vet: “Ndarja është e mira e të ligave”. Për të njëjtin qëllim, ai kërkon të respektohen me rigorozitet marrëdhëniet financiare ndërmjet vëllezërve: “Vëllai është ortak”, “Vëllezër jemi, po hesapi të eci”, “Kush s’ndau me vëllanë, ndau me djallë”.
* * *
Tradicionalisht familja shqiptare ka qenë një familje patriarkale. Babai ka drejtuar dhe urdhëruar tërë pjesëtarët e familjes. Urdhëri i tij ka qenë i padiskutueshëm. Të gjithë i janë bindur fjalës së tij. Gruaja, nëna , vajzat kanë qenë më të nënshtruarat. Gjithsesi, veçoritë e psikës sonë etnike kanë ushtruar ndikimin e tyre edhe mbi mënyrën se si është konceptuar familja dhe, në njëfarë mase, e kanë demokratizuar atë; nëna, gruaja, motra janë nderuar e respektuar; babai nuk ka qenë ai patriarku i kanunit, përveç malësive ku është zbatuar ky.
Në Malësitë ku është qeverisur mbi bazën e kanunit, patriarkalizmi ka qenë i plotë, i padiskutueshën në konservatorizmin e vet, deri nga fillimi i gjysmës së shekullit të kaluar. Familja ka funksionuar mbi bazën e konceptit primitiv të superioritetit absolut të mashkullit. Por, edhe me nënshtrimin e plotë të gruas, humaniteti i vetëdijes njerëzore dhe tharmet etiko-morale të psikës etnike të popullit tonë, nuk kanë mundur të pengojnë intimitetin në jetën familjare, respektin dhe konsideratën e ndërsjelltë, dhe jo vetëm kaq, po edhe një dashuri të sinqertë ndaj gruas.
Qëndrimin ndaj gruas, trajtimin që i bëhej asaj, e ka përcaktuar mirë e me objektivitet, Cordignano, kur flet për vlerën morale e shoqërore të saj në ligjin e psikologjinë shqiptare të maleve tona : “Gruaja përballë së drejtës nuk ka një personalitet të vetin dhe konsiderohet qenie, interesat materiale a ekonomike të së cilës i rregullon familja…; por është e qartë që shpirti i racës nuk ka lejuar ta bëjë skllave, të lindur për kënaqësitë e mashkullit. Jo,… gruaja shqiptare ruan gjithmonë në fund një dinjitet të vetin që spikat mirë,… ajo ka në familje, si motër, si grua dhe si nënë një mision e një vend të rendit të parë.” 2). Ky vlerësim për dinjitetin dhe për misionin e saj si motër, si grua dhe si nënë, ka vlerë të përgjithshme për krejt gruan shqiptare.
Gjithsesi, në zonat malore, gruaja deri vonë, ka kaluar një jetë tejet të vështirë, e ngarkuar rëndë me punët më të ndryshme brenda dhe jashtë shtëpisë.
* * *
Gjendjen e familjes shqiptare në përgjithësi, nga fundi i viteve ’30 të shekullit të kaluar, na e ka dhënë shumë mirë Çabej: “Në lëmë sociale themelin e qendrën e jetës shqiptare e përbën familja e madhe. Shqiptari është për gjithë jetën e tij i lidhur përhera me të. Kjo lidhje patriarkale ekziston jo vetëm për katundarin, por edhe për banorët e qytetit. Ç’është për malësorin fisi dhe familja e madhe është për qytetarin familja. Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet.” 3). Çabej, familjen e ka quajtur një shtysë të fortë në karakterin dhe qëndrimin shpirtëror të shqiptarëve, gjë që e ka pohuar edhe për ilirët. 4).
Për përkushtimin e shqiptarit ndaj familjes, autoritetin e babait a kryetarit të saj dhe respektin për të moshuarit, ka shkruar edhe Konica: “Një anë tjetër e karakterit shqiptar është përkushtimi i thellë i një njeriu ndaj prindërve dhe familjes. Kjo ndjenjë e natyrshme si kudo gjetkë, merr një formë më të mprehtë në Shqipëri, ku familja është një njësi shoqërore, që në një shkallë të gjerë zë vendin e shtetit në mendimin e njerëzve. Fëmijët rriten me traditat pak a shumë patriarkale për të respektuar më të mëdhenjtë, e mbi të gjithë, babanë, fjala e të cilit është ligj brenda caqeve të familjes. . .” 5).
Kjo lidhje e gjerë shpirtërore e shqiptarit me familjen, ky kult i saj në jetën familjare dhe shoqërore, është vënë re edhe prej të huajve që kanë rënë në kontakt me popullin tonë.
Të tërheqin vëmendjen përshtypjet që i kanë bërë Miss Durhamit, në fillimet e shek. XX, disa probleme të familjes shqiptare: “Edhe në fiset më të egra, me gjithë punët shumë të rënda që kanë mbi supe, gratë nuk janë aq të shtypura sa duken. Burrat i trajtojnë me njëfarë fisnikërie të ashpër dhe i respektojnë.” 6). Për banorët e fshatit Postenan, (Leskovik), ajo thotë: “Ishin njerëz seriozë, me dinjitet, të matur, të fortë, të pashëm dhe të shëndetshëm. U mbaheshin shumë dokeve. Të rinjtë i respektonin shumë të moshuarit.” 7).
Udhëtarë të huaj kanë bërë edhe krahasime mes nesh dhe popujve fqinjë, për gjendjen dhe trajtimin e grave. Udhëtari anglez Hjuz shkruan: shqiptarët “nuk janë xhelozë për gratë e tyre dhe nuk i mbyllin ato si grekët e turqit.” Grekët femrën, me të arritur në moshën e pubertitetit, e izolojnë më me fanatizëm se një murgeshë katolike.” 8). Por duhet vënë në dukje se gratë e familjeve të pasura sidomos në qytete mbylleshin në shtëpi dhe kur dilnin mbuloheshin me ferexhe dhe shoqëroheshin prej shërbyeseve.
Durham ka vënë në dukje edhe mendësi të përparuara të qyteteve shqiptare lidhur me femrën. Kështu, ajo duke iu referuar Tiranës, shkruan: “Gratë me shkollë gëzojnë respekt të madh dhe shumë prej tyre janë të pavarura në mendime. Baballarët ngulnin këmbë që edhe vajzat të bënin po aq shkollë sa djemtë.” 9).
Përfundim. Në kohët tona të integrimeve evropiane e globale, në emër të lirisë së individit, në qytetërimin përendimor, po dobësohen lidhjet familjare, shpesh deri në çthurje të plotë. Për popullin tonë që nuk është ende psikologjisht i përgatitur për t’i bërë ballë kësaj situate, një gjë e tillë mund të sjellë pasoja të dëmshme. Prandaj, nuk duhet të harrojmë për asnjë moment që familja përbën themelet e shoqërisë, të shtetit dhe të kombit. Nga një familje e shëndoshë varet e ardhmja e tyre. “Asht gjykue me humbë njaj popull e njajo kulturë, e cila e ka bjerrë poezinë e pastrinë e jetës familjare, kur nuk i nderon njato ligje e njato caqe, mbrenda të cilave enden e përmblidhen tagri, detyra, morali e ndera e familjes.”, ka thënë Paulsen. 10).
Duke ruajtur çka kemi të shëndoshë nga tradita, të filtrojmë në filtrën e psikës sonë çdo të re që na sjell koha dhe rrethanat. Në këtë prizem, të përpiqemi nëpërmjet një edukate të studiuar mirë, të synojmë drejt një familjeje, në të cilën dashuria e kapërcen interesin, ku secili duke gëzuar të drejtën e vet të plotë, të përpiqet për të mirën e të gjithëve.
Referenca
1). Proverbat e cituar janë përzgjedhur nga: “Fjalë të urta të popullit shqiptar”, etj.
2). P. Fulvio Cordignano S. I. “L’ Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario Italiano di P. Domenico Pasi S. I. (1847-1914), volume I, Roma 1933, p.108.
3). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f.28.
4). Eqrem Çabej, Po aty, f. 61, ref. 66.
5). Faik Konica, “Vepra”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1993, f. 436.
6). Edith Durham, “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët”, Shtëpia botuuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1990, f. 92-93.
7). Edith Durham, vepër e cituuar, f. 50.
8). Hughes, Th. S. “Travels in Sicily, Greece and Albania”, v. II, P. 35, London, 1835, Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 119.
9). Edith Durham, vepër e cituar, f. 92.
10). Cituar sipas Anton Harapit, “Kulla e Babelit”, “Phoenix–Shtëpia e librit”, Tiranë, 1999, f.12.