Nga Anton Çefa
Si një popull i lashtë me veti e atribute intelektuale e ndjenjësore të pasura, ilirët krijuan një kulturë popullore materiale e shpirtërore të një niveli të lartë zhvillimi, çka nuk mund ta pohojmë për një kulturë të shkruar. Nivelet e larta të kulturës së hershme ilire përfaqësohen me kulturën e ashtuquajtur Hallstatt, një vend në hapësirat alpine të Austrisë. Antropologu i shquar amerikan C. S. Coon, ka shkruar “Ilirët qenë krijuesit e qytetnimit të hekurit në Euvropën Juglindore, në nji kohë kur emni i Romës dhe i Athinës nuk ishin ndie ende” 1). “Kultura e Hallstatt, shkruan ai, asht lidhë me degën iliriane të gjuhëve indoeuropiane. Kjo asht e para herë në histori që nji gjuhë mund të identifikohet me nji kulturë dhe me nji racë në zhvillimin e popujve indoeuropianë” 2). Materiale të ngjashme me ato të Hallstatt-it janë gjetur më vonë edhe në Glazinac të Bosnjës, në Prozor të Kroacisë dhe në vendin tonë: në Koman, në Krujë, në Bukël (Mirditë), etj.
Në lëmije të kulturës shpirtërore ilire, trashëgojmë vepra arti me vlera të shquara artistike, sidomos, në fushën e arkitekturës dhe të skulpturës, në përgjithësi, të ndikuara nga arti helen e më vonë ai romak, por që kanë vulën e origjinalitetit ilir. Për t’u përmendur, ndër shumë të tjera, janë portat e portikët në qytete, varret monumentale të Selcës së Poshtme, amfiteatri i Durrësit, nimfeu dhe monumennti i Agonotetëve në Apoloni, koka skulpturore e hyjneshës së Butrintit, koka e ashtuquajtur e Demostenit, mozaikët e Arapajt, Apolonisë, Durrësit. 3).
Fatkeqësisht, nuk kemi asnjë dokument të shkruar në gjuhën ilire. Është e tepërt të themi që na mungon një letërsi e tyre e kultivuar, siç e kanë grekët e romakët, edhe pse barabitemi në moshë me ta e edhe ua kalojmë, edhe pse kemi qenë e jemi që në lashtësi komshinj të tyre. Nga shkrimi i tyre njohim toponime, antroponime, disa glosa të vjelura nga autorë grekë e latinë dhe nga rrasat e varreve dhe disa fjalë që janë interpretuar si huazime ilire në greqishtën e vjetër dhe në latinishten. Disa emra të epopeve të “Iliadës” dhe të “Odisesë”, si Akili, Laerti e ndonjë tjetër, dhe disa leksema që gjenden në këto dy epope janë shpjeguar me shqipen si një nënshtresë pellazgjike ose si fjalë që i përkasin dorianëve, fis ilir që invadoi Greqinë qysh në kohët parahistorike, në periudhën e invadimit të madh të popujve. Përpjekjet e filohelenëve t’i interpretojnë me greqishten, nuk kanë pasur sukses.
Gjithsesi, rrënjët e kulturës sonë popullore lëndore e shpirtërore janë të ngulura thellë në kulturën ilire, sidomos në atë të antikitetit të vonë, kohë e ngjizjes së etnosit arbër. Duke folur për popullin tonë dhe lidhjen e tij gjenetike me ilirët, studiuesi i shquar kroat Sufflay ka thënë: “Baza etnike e këtij populli, në kohën e vjetër kje nji faktor i fortë i historis, i cili njihej me emnin Ilir. Pastaj u zhduk për synin e histori-shkruesit ndër pshtjellimet e gadishullit ballkan, por fshehtasi bashkëpunonte në lulëzimet gjuhësore e folklore të kombeve ballkanike. Ma në fund, kur u shndrrue në emnin Shqyptar (arbnuer), dha sheje të reja të fuqis së vet krijuese” 4).
A jemi ne thjesht bij fisesh ilire barinjsh të pagdhendur që jetuan të rrasur ndër shpella e pyje të padepërtueshme dhe nuk kultivuan gjuhën e shkruar, apo pozicioni gjeografik i trojeve ilire dhe më vonë i atyre shqiptare solli me vete pushtimet e huaja romako-barbaro-bizantino-sllavo-turke, që i zhdukën shkrimet e tyre – këtë shkenca nuk e ka dëshmuar deri tani. Shtetet e organizuara ilire dhe qytetet e lulëzuara, niveli i lartë i kulturës popullore dëshmojnë një shkallë të lartë qytetërimi, që na bën të besojmë më së tepërmi në hipotezën e dytë.
Lidhur me këtë çështje, Karl Patsch, në veprën e tij “Ilirët” na ka lënë një hamendësim që ka një kahje objektive, por që nuk mund të mohojë kategorikisht veprimtarinë e tyre në lëmin shkrimor: “Interesat shpirtërore të ilirëve, ka shkruar ai, nuk do të kenë qenë të mëdha, mbasi ata pjesën më të madhe të kohës ia kushtonin luftës dhe kohën e lirshme e përdornin ndër argëtime në të ngrënë e në të pirë” 5). Ndërsa Çabej, duke folur për shqiptarët, ka shkruar: “Përbri shpirtit të energjisë dhe karakterit rezolut qëndron mungesa e prirjes për mistikë. Sepse shpirti i popullit shqiptar është krejt realist dhe i kësaj bote” 6). Shënojmë që këtu leksemën mistikë e ka përdorur si prirje ndaj vlerave shpirtërore, siç e përdorin në ndonjë rast të huajt; pra është po ajo që shpreh Patsch për ilirët. Për ta sqaruar më tej këtë çështje, ai ka shkruar: “Në përshtatje me këtë drejtim shpirtëror veprimtaria historike e shqiptarit u ka zhvilluar kryesisht në lëmë administrative dhe militare”. Në një rast tjetër, duke folur për romantizmin në letërsinë e vendeve të Europës Lindore dhe Juglindore, ai ka shkruar: “Mungesa e shpirtit spekulativ, e cila i karakterizon këto kombe të mbetura prapa në shumë pikëpamje, pati për rrjedhim që problemet e jetës dhe të shpirtit nuk u bënë këtu aq shqetësuese si gjetiu në Europë” 7).
E vërtetë është që ne nuk kemi “Iliada”, “Odise”, “Eneida”, etj., po kjo nuk do të thotë që tek ilirët, arbërit dhe shqiptarët e mëvonshëm ka munguar veprimtaria shpirtërore. Impulset e kësaj natyre ata i kanë sendërgjuar në fushën e kulturës popullore, ku ne përfaqësohemi denjësisht. Elemente rëndësore të etnokulturës sonë të lashtë janë studiuar dhe çmuar nga të huajt dhe janë bërë pjesë e thesareve të kulturës botërore. “Vlefta e një populli nuk matet me gjerësinë e tokës e me numrin e frymëve. Kombi ynë, i mbledhur nga një varg kontingjencash të kohëve, në një truall të ngushtë, ka mbetur i vogël, po të mëdha kanë qenë cilësitë e talentet e racës gjatë periudhave historike të vjetra e të reja” 8), ka shkruar eruditi ynë Hasan Dosti. Dihet që çdo popull, i madh a i vogël, gjatë historisë ka jetësuar kërkesat e veta shpirtërore origjinale, që e dallojnë nga popujt e tjerë.
Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërëse të kulturës shpirtërore, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike. Në mjegullnajat e kohëve nuk kanë humbur rrënjët e krijimit të një etike të fisme humane që e dallon popullin tonë nga popujt e tjerë të afërt dhe të largët, dhe që u ruajt gjatë shekujsh nga breznia në brezni nga të parët tanë, dhe shërbeu për t’u dhënë frymën rregullimit shoqëror të jetës, zakoneve, etj. Tipare të tilla shpirtërore si nderi, burrëria, besa, mikpritja, dhe përbërës të tjerë të siluetës shpirtërore të popullit tonë janë emblematike në historinë shpirtërore të popujve. Ato kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e të huajve që janë njohur me popullin tonë.
Këtë botë të pasur shpirtërore, që përbën tharmin e shpirtit shqiptar, populli ynë e krijoi si një kanunësi të jetës, e zbatoi me një përkushtim të lartë dhe e ruajti si thesar për t’ua lënë trashëgim breznive, trashëgim që ka ardhur deri në ditët tona.
Na është dëshmuar kjo kanunësi nëpërmjet të së drejtës zakonore, në të cilën virtytet tona janë dhënë në mënyrë sinkretike me kodin juridik. Elementet e kësaj kanunësie etike, populli ynë i veshi me rrobe juridike, duke i bërë gjeneratorin organizativ themelor të jetës. Siç dihet, fiset ilire qeveriseshin në bazë të disa rregullave ligjore tradicionale dhe janë treguar konservatorë në ruajtjen e tyre. Zavalani ka shkruar: “Elementi i qindrueshem i shoqnis së atëhershme ishte fisi, i cili vetqeverisej në bazë të disa rregullave ligjore tradicionale që kanë gjetë ma vonë shprehjen e tyne në Kanunin e Lekë Dukagjinit” 9). Edhe mbas pushtimit romak, ilirët e ruajtën vetëqeverisjen e tyre mbi bazën e së drejtës zakonore, siç na e pohon E. Koliqi në studimin e vet: “E Drejta e Kanunit Shqyptar dhe E Drejta Romake”10). Dhe kështu, kjo “ligjë gojdhânore, e vetmja qi u ruejt gjer sot n’Europë”, siç shprehet ai, ka ardhur deri në ditët tona.
Shqiptarët e ruajtën dhe e pasuruan të drejtën zakonore, trashëguar prej të parëve tanë dhe e ripërtrinë në mesjetë nën emrin e princit Lekë Dukagjini, aq bukur përmbledhur nga Gjeçovi, të Prijësit dhe Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skendërbeu, mbledhur e kodifikuar nga Dom Frano Illia, dhe nën emrin e “Papa Zhulit”, që më vonë, në gjysmën e parë të shek. XIX, u aktualizua dhe u njoh si “Shartet e Idriz Sulit”, të cilat u kodifikuan tash së voni, nën emmrin “ Kanuni i Labërisë” nga Ismet Elezi.
Kanunësia zakonore është një dëshmi e pakundërshtueshme e një rangu të lartë qytetërimi të një populli. “Nevoja e një ligji zakonor apo të shkruem, ka shkruar Ardian Ndreca, dallon popujt e qytetnuem prej atyne barbarë, mbasi popujt me ligje kanë ma tepër mundësi me mbijetue dhe me u imponue në rrjedhën e shekujve” 11).
Është për t’u shënuar se në dallim me kanunet e lashta e mesjetare të popujve të tjerë, si p. sh. me Kodin e Hamurabit a me Kodin e Stefan Dushanit, e drejta jonë zakonore dallon për një frymë të lartë fisnikërie, çka tregon jo vetëm një shpirt human, po edhe një shkallë të lartë qytetërimi.
Studiuesi dhe përkthyesi në anglisht i Kanunit, shkencëtari i nderuar Leonard Fox, ka shkruar: “Kanuni është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, i cili mishëron një moralitet të pakompromis, të bazuar tek drejtësia, nderi dhe respekti për vetveten dhe për të tjerët”12).
Vlera të padiskutueshme të një kulture të lashtë, populli ynë ka jetësuar në folklorin tonë, në këngët, vallet, përrallat, fjalët e urta, gjëzat, lojërat, etj. Në të gjitha fushat e saj, krijimtaria e popullit tonë përbën një fond qytetërimi të hershëm, me vlera të larta artistike, dëshmi e një imagjinate të freskët e mbështetur në një përvojë jetësore të pasur dhe të pjekur, dhe të një shijeje estetike të hollë, të një vlerësimi tejet të lartë të së bukurës.
Shpirti artistik i popullit tonë i derdhur ndër vargje ka krijuar kryevepra letrare që zënë vende të merituara krahas krijimeve, në këto fusha, të popujve të tjerë. Mjafton të përmendim baladat e këngët legjendare, sidomos Eposin e Kreshnikëve, ku ndriçojnë si lapidar mbi ballin e kombit virtytësia e jetës shqiptare, dëshira për liri dhe vullneti për të mos iu nënshtruar të huajit. “Gjatë luftës për ekzistencë me tri nga perandoritë më të fuqishme të kohëve: romaken, bizantinen dhe otomanen, populli ynë krijoi, veç të tjerave, edhe një ‘perandori të katërt’, perandorinë e tij poetike, e cila nuk ka cenuar kurrë kërkend, përkundrazi ka qenë përherë, në tërësinë e saj, një mesazh miqësie për popujt e tjerë”, ka shkruar Ismail Kadare.13). Eposi ynë renditet krahas Edave e Sagave të popujve skandinavë, Nibelungen të gjermanëve, Këngës së Rolandit të francezëve dhe Cidit spanjol.
Me të njëjtën bukuri shkëlqimore rrezaton proza popullore, në mënyrë të veçantë përralla, një dëshmi tjetër po aq e fuqishme e vlerave morale e estetike dhe të një imagjinate tejet të pasur, që gjithashtu i siguron të drejtën popullit tonë për t’u rreshtuar me indianët, arabët e keltët, popujt që kanë krijuar përrallat më të vjetra të njerëzimit.
E gjithë kjo pasuri shpirtërore është skalitur në gjuhën tonë, e cila na lartëson dhe na bën të krenohemi për lashtësinë, vendin e veçantë që zë në prehrin e gjuhëve indoeuropiane, pasurinë, bukurinë, origjinalitetin dhe rezistencën e saj ndaj gjuhëve të pushtuesve.
Një dëshmi tjetër e gjallë e shpirtit shqiptar krijues artistik është etnomuzikologjia jonë me rrënjë në lashtësitë e antikitetit. “Dëshmitë e para të muzikës shqiptare i përkasin antikitetit. Ilirët e zhvilluan muzikën në të gjitha drejtimet që njohu muzika e kohës së tyre” 14). “Muzika dhe vallet popullore kanë një vazhdimësi të pandërprerë që nga kohët e lashta e deri më sot” 15). Një monument i një rëndësie të jashëzakonshme në fushën e etnomuzikologjisë sonë është iso-polifonia, që UNESCO e ka shpallur “Kryevepër e trashëgimisë popullore të njerëzimit” 16). Burimin e iso-polifonisë, studiuesi Vasil S. Tole e gjen tek “E qara me botë” 17). Të qarët në grupe është i njohur edhe në Shqipërinë e Veriut, ku quhet gjamë. Një gjamë të tillë, të zhvilluar në ditët tona në Dukagjin, e ka treguar At Zef Pllumi në “Rrno vetëm për me tregue-II”. Ai e ka cilësuar atë si “doken më të vjetër, pa dyshim parahistorike”18). Udhëtari anglez Th. Hughes ka shkruar në librin e tij “Travels in Sicily, Greece and Albania”, botuar në Londër, në vitin 1820, që në të njëjtën mënyrë si vajtonin me logori gratë gjirokastrite kishte qarë Uliksin Penelopa e tij. 19). “Lidhjet me kulturën muzikore polifonike të lashtësisë së vonë ilire janë dëshmi e origjinalitetit dhe të karakterit autokton të polifonisë popullore shqiptare”, ka shkruar muzikologu Beniamin Kruta. 20).
Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë popullore. Janë të njohura vallet tona, një manifestim dhe përqendrim i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë. “Vallet pirike, të cilat luheshin në lashtësi, interpretohen edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Çamçja në Jug dhe vallja e shqiponjave në Veri janë të njëjta me vallet pirrike të lashtësisë, që pasqyronin momente luftarake në beteja.” 21). Të magjepsur prej valles kombëtare të palikarëve shqiptarë dhe Çamçes, grekët i bënë ato të tyret.
Një dëshmi tjetër po aq me vlerë e gjejmë te kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike. Nga moria e pafund e kostumeve, po përmend këtu më të lashtat e më karakteristiket: xhubletën, që është prototipi i xhubletës ilire dhe që përdoret edhe sot në Malësi të Madhe dhe në Dukagjin, dhe fustanellën, të cilën Bajroni e pati quajtur “kostumin më të bukur në botë”; prandaj edhe e lakmuan grekët dhe e huajtën, duke e bërë kostumin e tyre kombëtar.
Kultura jonë popullore ka aq shumë përbërës që dëshmojnë fisnikëri shpirtërore, sa është e vështirë të trajtohen në një artikull. Po bie këtu si shembull lojërat popullore, në dukje fare të papërfillshme. Ndërsa pushtuesit dhe fqinjët tonë romakë, që realizuan një kulturë të kultivuar të një niveli aq të lartë, dëfreheshin në arena gladiatorësh, duke parë njerëzit e kafshët të copëtonin njëri-tjetrin, populli ynë krijoi një ansambël të mahnitshëm lojërash, që mund të përcaktohen me një epitet fare të thjeshtë: njerëzore; por që dëshmon me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është krejt e huaj.
Duke menduar këtë shkallë të lashtë e të lartë qytetërimi shqiptar me rrënjë ilire, vetvetiu të shkon mendja tek mungesa e kulturës së shkruar tek ilirët dhe letërsinë sonë artistike të dokumentuar aq vonë. Është e vështirë të pranosh që një popull me këtë potencë shpirtërore krijuese kaq të fuqishmme, një popull që krijoi një psikologji të veten autentike, një normë zakonore të rregullimit të jetës, një folklor aq të pasur, një epos original me vlera të padiskutueshme artistike, një etnomuzikologji krejt të veçantë, etj., etj., të mos ketë lindur individualitete që të hedhin në letër veprimtarinë e tyre shpirtërore krijuese, atë veprimtari që do të kishte vendin e vet të merituar në prehrin e kulturës së lavëruar botërore. A nuk patën edhe ilirët kërkesa të tilla shpirtërore si fqinjët e tyre grekë e romakë? Studiuesi Thoma Kacorri ka shkruar: “Megjithëse ilirishtja ka qenë gjuhë e shkruar, ende nuk kemi gjetur ndonjë tekst të saj. Kjo zbazëti duhet mbushur doemos.” 22).
Është jo vështirë, po e pamundur të besosh se ilirët nuk patën një kulturë të shkruar; më e mundshme është të pranosh se historia e gjatë e pushtimeve i bëri të paqena veprat e tyre. Edhe ne bijve të tyre nuk na qeshi fati. Është fakt historik i hidhur që në periudhën e errët 500-vjeçare të sundimit osman shqipja qe gjuhë e ndaluar, e helmuar, e masakruar. Vetëm më 1555 kemi veprën më të vjetër që ka arritur në duart tona në gjuhën tonë “Mesharin” e Gjon Buzukut, gjuha e të cilit dëshmon pa mëdyshje për një traditë shkrimi të përiudhës paraosmane, dhe vetëm më 1836 kemi veprën e parë të letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike, e edhe këtë të shkruar dhe të botuar në vend të huaj.
Referenca
1). C. S. Coon, “The Races of Europe”, p. 182, cituar sipas Tajar Zavalanit, “Histori e Shqipnis”, Botues “Phoenix & Shtëpia e Librit”, Tiranë, 1998, f. 18.
2). C. S. Coon, vepër e cituar, p. 182, cituar sipas T. Zavalanit, vepër e cituar, f. 18.
3). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Shtypur në Kombinatin Poligrafik, Tiranë, 1985, Zëri “Shqipëria-Artet figurative dhe arkitektura”, f. 1055.
4). Sufflay, “Serbët dhe Shqiptarët”, II, f. 33-34, Tiranë, 1926. Cituar sipas Atë Marin Sirdani, “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar”. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa”, Prishtinë, 2002, f. 16.
5).“Ilirët” prej Hofrat Dr. Karl Patsch, përkthyem prej Karl Gurakuqit, Shtypshkroja “Nikaj”, Tiranë, 1922.
6). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Përgatiti për shtyp Brikena Çabej, MÇM, 1994, f. 27.
7). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 78-79.
8). Hasan Dosti, “Gjashtëdhjet-vjetori i fletores ‘Dielli”, në “Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Përmbledhë nga Dr. Med. Hamdi H. Oruçi, f. 187.
9). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 21.
10). Ernest Koliqi, “E Drejta e Kanunit Shqiptar dhe E Drejta Romake”, sipas “albanovaonline.com”.
11). Ardian Ndreca, “Ndikimi i Kanunit në ruejtjen e identitetit shqiptar”, “Hylli i Dritës”, nr. 1 / 2007, f. 42.
12). “Kanuni i Lekë Dukagjinit – The Code of Lekë Dukagjini”, Gjonlekaj Publishing Company, N. Y. 1989, Leonard Fox, “Introduction”, p. xix.
13). Ismail Kadare, Vepra letrare 12, “Autobiografi e popullit në vargje”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981, f. 58.
14). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Zëri “Muzika”, f. 734, autorë Simon Gjoni dhe Zana Shuteriqi.
15). Thoma Kacori, “Shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve”, “Revista Haemus”, nr. 18-20, v. 2003, f. 25.
16). Cituar sipas Prof. Dr. Agron F. Fico, “Isopolifonia shqiptare, kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, “Illyria”, nr. 1723, dt. 19-21 shkurt, 2008.
17). Vasil S. Tole “Pse qanë kuajt e Akilit”, cituar sipas Prof. Dr. Agron Fico “Burimi i iso-polifonisë shqiptare dhe poemat e Homerit”, “Illyria, nr. 2075, 12-15 gusht, 2011.
18). At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue-II”, Botues “Hylli i Dritës”, 1997, f. 136- 140.
19). Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 129.
20). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Zëri “Polifonia popullore”, f. 856, autor Beniamin Kruta.
21). Thoma Kacori, shkrim i cituar, f. 21.
22), Idem, ibidem, f. 26.