Opinion nga Raimonda MOISIU/
(Në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas)/
Sfidat dhe në të njëjtën kohë potencialet e burimeve dhe marrëdhënieve njerëzore më të rëndësishme të jetës social-ekonomike –politike të një shoqërie demokratike kanë të bëjnë me statusin e grave, identifikimin e zbrazëtirave aktuale sociale, qytetare e intelektuale, si edhe mundësitë e mundshme në promovimin dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën e përditshme, promovimin e barazisë gjinore, vëmendjen e duhur dhe mendimin e maturuar të shoqërisë civile me të gjitha atributet njerëzore e intelektuale. Promovimi i statusit human, qytetar, intelektual e njerëzor i grave ka një domethënie të rëndësishme për vetë vlerat dhe integritetin që gratë shqiptare kanë e duhet të zënë në shoqërinë demokratike. Dhuna ndaj grave është padyshim një nga pengesat më të mëdha, e cila parasëgjithash duhet të përballet me një shoqëri demokratike që paraqet themelet e zhvillimit të saj në parimet e lirisë, barazisë dhe sigurinë e qytetarëve të saj. Dhuna ndaj grave është forma më diskriminuese dhe shkelje e të drejtave të saj njerëzore. Dhuna ndaj tyre shkakton mjerim të pallogaritur, shkurton jetën dhe gra të panumërta që i gërryen dhimbja, ankthi, nën kërcënim e frikë për jetën e tyre, fëmijëve e të familjes. Dominanca e dhunës mashkullore dëmton familjet në të gjitha brezat, mjeron e varfëron komunitetin dhe përforcon forma të tjera të dhunës në shoqëri, kufizon rritjen ekonomike dhe minon zhvillimin. Shtrirja dhe shkalla e dhunës ndaj grave janë pasqyrimi i diskriminimit që gratë e vajzat shqiptare vazhdojnë të përballen. Shembuj të shumtë dhune patëm vitin që kaloi,-biles nga më të tmerrshmet. Madje, gjerësisht një pjesë e shoqërisë mendon se gratë janë pronë e burrit dhe për këtë arsye ai mund të bëjë me të cfarë të dojë, kur të dojë e si të dojë, dhe i njohin të drejtën burrit për të ndëshkuar, biles, edhe ta vrasë gruan e tij nëse ai konstaton se ajo nuk bindet apo ka shkelur kurorën. Kjo lloj situate nuk mund të tolerohet më kurrsesi. Dhe për këtë arsye duhet të organizohen fushata që synojnë luftën kundër dhunës ndaj grave të cilat janë prekur në mënyrën më mizore. Unë kam parë protesta të grave të shtresave e racave të ndryshme këtu në USA, me sytë e tyre të nxirë, më fytyrat e tyre të mavijosura nga keqtrajtimi deri në rrahje makabre, foto me varre të mbuluar nga lulet apo edhe me trupin me shënjat e djegura nga cigaret dhe të sfilitur nga përdhunimi. Qëllimi i kësaj forme të protestuari është jo vetëm për të treguar keqtrajtimin e dhunën ndaj grave, por edhe që të sensibilizojë shoqërinë për ekzistencën e kësaj sfide serioze, ndikimin e rritjes të vetëdijes qytetare dhe intelektuale, ndërgjegjësimin e problemit e kështu me radhë. Gra që sfidojnë në emër të Jetës e Njerëzores. Eksperiencat dhe përvojat e tyre janë inkurajuese për të kapërxyer pengesat dhe për të zbuluar se gjithcka është e mundur të arrihet e realizohet me mund e sakrifica, sfida që reflektojnë besimin në forcën e mëncurisë dhe shpirtit njerëzor të grave e vajzave, jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të ndryshuar jetën e tyre, – mesazhi që ato i dërgojnë botës e shoqërisë cdo ditë. Kjo duhet të jetë në qendër të shoqërisë. Çdo gjë është mëse e vërtetë, madje realiteti është shumë më i madh më ngjethës e i trishtuar, se sa duket, por është koha për të ndaluar dhe reflektuar. Sot shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm ndaj objektivave të realitetit dhe për madhësinë e tyre, e dinë se ky është një problem serioz, por shumë gra sot janë ende viktima të raportit mes frikës dhe pasigurisë, se cfarë do të ndodhë më pas, si do të ngryset dita e gdhihet nata, çfarë do të ndodhë me fëmijët e tyre, se si do të ndihen, ku ato do të vazhdojnë të jenë të dyzuara me abuzuesin e tyre, ta falin apo jo, pa dashje apo me dashje, për të kuptuar apo jo. Gratë, këto viktima të dhunës e dinë fare mirë se çfarë i pret, por ato nuk mund të arrijnë të perceptojnë se çfarë mund të ndodhë, kur ato të marrin vendimin për të ndryshuar. Jemi të mendimit se dhuna ndaj grave në “vëndin e shqiponjave” është masiv, i përditëshëm, shumë fytyrësh, nga format më të zakonëshme dhe më të rëndat të dhunës ;që nga dhuna ndaj bashkëshortes, partneres, të trafikimit, prostitucionit të detyruar, shfrytëzimi i punës së tyre, përdhunimi, robërimi i grave e vajzave për të shlyer borxhet, dhuna fizike e seksuale ndaj prostitutave, abortet selektive, vrasja e foshnjave, nga keqbërës të mundëshëm, duke përfshirë bashkëshortët, partnerët, anëtarët e familjes, fqinjët, dhe njerëzit në pozita të pushtetit dhe ndikimit. Kjo dhunë është një amebë shumëkokëshe, sic është ta zemë mungesa e kulturës, e prezencës së letërsisë e poezisë. Për të qënë më të sinqertë ;Dhuna më e egër në vendin tonë është dhuna ndaj grave. Shumë meshkuj nuk e kuptojnë se qëndrimi i tyre i prapambetur e injorant ndaj grave mbjell urrejtjen, përbuzje e nënshtrim. A e keni vënë re se kur kapet në “flagrancë” një “prostitutë” nga policia, te kronika e zezë, shënohet me gërma sa më të mëdha e poshtëruese emri i femrës së gjorë e të mjerë, që ka nxjerrë trupin e saj në shitje, a thua se ka ndodhur cudia e padëgjuar ndonjëherë ;ajo ka bërë seks me mbitokësorët!!!! Ajo nuk i ka detyruar ata meshkuj që policia u ruan “nderin”, duke mos ia u përmendur emrin, por dhuna sociale, mjerimi, varfëria, kushtet ekonomike, kanë detyruar femrën e shkretë të shtrihen në krevatin e saj, kundrejt parave, të shfryjnë epshet e pjesës së tyre shtazore. Vendet me demokraci të zhvilluar dhe shoqëri përkatësisht të shëndosha demokratike janë duke i dhënë më shumë të drejta civile grave, duke i trajtuar ato të barabarta me burrat. Gratë shqiptare, të cilat kanë arritur të krijojnë staturën e tyre intelektuale dhe profesionale, një farë shëndrritje të jetës e karrierës së tyre, në jetën social-ekonomike dhe politike, qeveri, art, kulturë dhe media janë bërë jo pak të njohura tashmë në shoqërinë tonë. Është një risi jo e pranuar, por domosdoshmëri për të jetuar shkëlqimin e përditëshëm dhe siguruar të ardhmen e vetes e të fëmijëve. Në një ndryshim të shpejtë dhe rritjes së problemeve sociale, në dukje, kjo mjaftueshmëri nuk ka kuptim të qartë publik, i ndryshëm nga realitet e ashpra të grave dhe vajzave të tjera që jetojnë në këtë vend. Mjaftueshmëri vetjake e tyre është tejet kritike. Shpresat dhe aspiratat, pjesët e pranuara të jetës, janë të kufizura, ndërsa standartet e sotme flasin për më shumë vështirësi në luajtjen e roleve të gruas, nënës, të karrierës dhe përvoja e femrës është shumë më e gjerë në përgjithësi. Familja është interes, jo e interesit. Vlerat e familjes janë thelbësore për qënie morale dhe gratë në karrierë ndikojnë në gjeneratat e ardhëshme. Ky hap përpara në pavarësinë e grave erdhi në rritje por edhe nën kontrollin e tyre. Gratë shqiptare sot ende përballen me diskriminimin në formë të pabarazisë të të ardhurave, nocionin e profesionalizmit si femra, dhe fusha e ‘lojës” nuk është e të njëjtit nivel, por vemë re se paragjykimet gjinore janë institucionalizuar. Mirëpo lind pyetja dhe dilema?? Cfarë po ndodh me gratë e thjeshta punëtore apo shtëpiake që punojnë për familjet e fëmijët e tyre, rolet e tyre në familje e shoqëri, pështjellimi shpirtëror, përcmimi mashkullor, dhuna psikollogjike dhe fizike, që ushtrohet ndaj tyre, mes ndjenjës së nënshtrimit epshor seksual, shfrytëzimit seksual, turpit, të fajëshmes e të pafajshmes, rrahjes, masakrimit vrasës të tyre, së pari nga bashkëshortët dhe meshkujt e tjerë në familje e të jetës së tyre, dhe më pas nga dhuna shoqërore jashtë mureve të shtëpisë që riprodhohet në forma të ndryshme nga vetë qëndrimi maskilist i disa femrave në karrierë. Sado pushtet tu japë karriera kësaj kategorie, ato duhet të mbrojnë pikësëpari -vlerat femërore dhe të familjes. Natyrisht shoqëria civile shqiptare, shoqatat e grave, duhet të jenë gjithmonë aktive, të vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre, të hyjnë në një fazë të re, të cilat të ofrojnë një pamje të ndryshme të këtij problemi social, që ende ndikon në një numër të madh të grave. Të bëjnë të njohur realitetin e ashpër, abuzimin fizik e mendor që ka kohë që ushtrohet vazhdimisht ndaj grave, për faktin e thjeshtë për të ankoruar vlerat patriarkale që përcaktojnë një marrëdhënie historikisht të pabarabartë të pushtetit mes burrave dhe grave, që ende ekzistojnë edhe sot në shekullin e 21-të. Të sensibilozojnë realitetin, të takohen me viktimat e dhunuara të krimit, të ofrojnë një perspektivë të re, qendra për kujdesin mendor e fizik të tyre, për t’i bërë ato të vetëdijshme për të ndryshuar jetën, në të mirë të vetes, fëmijëve dhe familjes. Shoqëria civile duhet të përcjellë mesazhin e rëndësishëm që ndryshimi është i mundur dhe se ende ka shpresë për ta sfiduar atë mizoren –Dhunë! Shoqëria para se të intensifikojë shkakun e dhunës dhe shkaqet e kriminalitetit, duhet të thyejë heshtjen, që të jetë më mirë e në gjendje për të parandaluar dhunën që në fillesën e saj, ose të paktën të jetë në pozicionin për ta ndëshkuar atë, me identifikimin e autorëve të dhunshëm, trajtimin e rehabilitimin e tyre nëpërmjet disiplinave akademike, duke përfshirë antropologji, biologji, kriminologji, psikiatri, punë sociale, dhe sociologji –teori të veçanta këto, që shpjegojnë më së miri fillimin dhe insistimin e sjelljeve të dhunshme. Në anën tjetër të spektrit të dhunës e krimit qëndrojnë “krenare” variablat si varfëria, pabarazia sociale, dhuna fizike, sociale e morale, diskriminimi dhe inferioriteti maskilist, injoranca dhe mosarsimimi, papunësia, imoraliteti, etj. Dhuna kundër grave nuk është as e pandryshueshme as e pashmangshme, mund të reduktohet me vullnet politik, social qytetar, intelektual, dhe burimet e nevojshme. Shoqëria të mos heshtë, por të identifikojë mënyrat për të mbyllur hendekun e kësaj heshtje e plage, mes detyrimeve morale, sociale, shtetërore, të drejtës për të qenë të lirë në një botë të lirë, ta sjellë në vëmendjen e publikut, të shoqatave të grave (jo qeveritare). Shteti të marrë përgjegjësitë e veta sipas normave dhe standardeve, me instrumentet politike të zbatimit, sensibilizimit dhe përpjekjet për të çrrënjosur dhunën kundër grave dhe krimin, duke e bërë prioritet kryesor e të rëndësishëm në nivel kombëtar. Ndërsa koha kalon, dita – ditës shikojmë një realitet të ri të krimit, një botë ku po lulëzon agresiviteti, urrejtja, hakmarrja, dhuna fizike, sociale, morale, dhuna mashkullore e shpeshtë dhe e pandalshme ndaj grave e vajzave, si përgjigje ndaj frustrimeve dhe anktheve, që mbushin jetën mes të përditshmes njerëzore. Në vend që ne duhet të kërkojmë arsyet e këtij realiteti të dhimbshme e të mjerë, në vend që të shqyrtojmë degradimin e dhunshëm të personave që janë pjesë e shoqërisë, përballemi me heshtjen e kësaj shoqërie, heshtje që nxit akoma më shumë dhunën. Heshtja ndaj këtij realiteti të trishtë e “të ftohtë” po ndrydh standardet e mirësjelljes, po kontribuon në mungesën e respektit për shenjtërinë e jetës njerëzore në të gjitha kushtet dhe fazat e saj. Si rezultat i heshtjes të shoqërisë, jeta e grave dhe vajzave të reja është bërë tejet dramatike. Para së gjithash unë sinqerisht dyshoj se burrat abuzivë e vrasës që ushtrojnë dhunë ndaj grave, të cilat përjetojnë forcën fizike të dominancës mashkullore, duke i rrahur e vrarë ato, janë “ekspertë” në të paturit e nevojave dhe plotësimin e tyre, që nënkupton; se ata janë edhe më vetë-tolerues, por që është tejet e rrezikshme, sepse kjo lloj race burrash kanë një problem të madh me veten, ata janë aq tepër egoistë, janë të dhunshëm në marrëdhëniet seksuale, privilegjin mashkull, abuzimin me alkoolin e lëndëve narkotike, stereotipe negative këto, që sjellin mungesë ndjeshmërie për viktimat e tyre. Dhuna ndaj grave nuk është rezultat i akteve individuale të rastit, sjelljes se pahijshme dhe brutale, por më tepër ajo është e rrënjosur thellë në marrëdhëniet strukturore të pabarazisë, anekdotike që konsiderohet kulturore ndërmjet grave dhe burrave, por e pranueshme në mungesë të standardeve të duhura për të drejtat e njeriut. Dhuna ndaj grave është fenomeni më i përhapur në të gjithë nivelet social-ekonomike të shoqërisë. Andaj në këto ditë ndërkombëtare të dhunës ndaj gruas le të bashkohemi të gjitha së bashku në forma e mënyra të ndryshme të japin kontributin tonë intelektual,qytetar, mendor e fizik, për të mbrojtur të drejtat tona, për ti thënë botës mashkullore dhe shoqërisë ndalni dhunën ndaj neve, mos na vrisni, se duke na vrarë ne- po vrisni vazhdimësinë e jetës, simbolin e paqes shpirtërore e njerëzore. Gratë e dhunuara psikollogjikisht dhe fizikisht, kanë nevojë për mbështetjen, përkrahjen dhe mobilizimin, për të krijuar marrëdhëniet me publikun, për të treguar rëndësinë e vlerave morale e familjare të tyre, të kombit, në edukimin, arësimimin, pjekurinë e mendimit, veprimit e sjelljes, entusiazmit e optimizmit, për t’ia arritur qëllimit në mënyrë serioze dhe pjesëmmarjen e tyre aktive në jetën social-ekonomike të vendit, në mënyrë praktike. Është e nevojshme dhe domosdoshmëri për të identifikuar, për të mbështetur, dhe për të përforcuar nismat civile, kombëtare e lokale që favorizojnë praninë dhe rolin e kërkesat e grave, pjesëmarrjen e tyre në jetën social-ekonomike-politike –kulturore, të zbutim shpirtrat, të ulim dorën që ngrihet ndaj grave, familjes, të kthjellojmë mendjen e të ruajmë vlerat e familjes e të shmangim anomalitetet, se vetëm kështu do të transformojmë shoqërinë. Dashuroni karakterin dhe idealin e saj njerëzor për jetën. Gruaja simbol i ardhmërisë, gruaja mban çelësin e “portës” së jetës, i rigjenerimit të brezave, gruaja shpresa e botës, natyra, imazhi, virtytet e tributet, kontributi i saj i çmuar, – janë sfidat dhe potenciali i saj njerëzor, vlera të shëndetshme e të mençura për familjen dhe shoqërinë.
Raimonda MOISIU
HARTFORD CT USA
Qershor 2014