ME 20- 30 NËNTOR 1969, ME RASTIN E 60 VJETORIT TË DIELLI AI SOLLI PËRFAQËSUES TË ARBËRESHËVE TË ITALISË NË BOSTON DHE NJU JORK NË VEPRIMTARI 10 DITORE…/
* U SHUA ME 1 KORRIK DHE U PËRCOLL PËR NË BANESËN E FUNDIT ME 3 KORRIK 1970./
NGA DALIP GRECA/
Diaspora shqiptare ishte e pafat pse unifikusi i gjakut të shprishur të Arbërit, Peter Genci Chikos, i biri i njërit prej themeluesve të Vatrës, arkëtarit të parë të saj, bashkëshoqëruesit të Fan S Nolit në krijimin e Kishës Orthodokse Autoqefale, ish Kryetari i Besa-Besën, Llambi Chikozit, qe jetëshkurtër. Ai ndërroi jetë në fillim të betejës për të bashkuar gjakun e Arbërit të shpërndarë nëpër botë. Shkoi në vendbanimet e arbëreshëve, në Palermo, në Romë, u prit nga Papa, mori pjesë në veprimtaritë kushtuar 500 vjetorit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbe, dhe një vit më pas e “tundi” Amerikën tek solli një përfaqësi personalitesh arbëreshësh, profesorë, akademikë, studiues, klerikë, vajza të reja, që për 10 ditë u bashkuan me shqiptarët e Amerikës dhe organizuan koncerte e vizita në Boston, paradën e madhe shqiptare në Nju Jork, në Avenunë e 6-të, një seminar shkencor 3 ditor, ekspozita pikture me punimet e Ibrahim Kodrës dhe Lin Delisë, Lutje fetare në Katedralen Snt. Patrick, me të tri besimet, darkë solemne me 2 mijë veta etj….
…Ishte vetëm 52 vjeç, kur në mengjes herët të 1 korrikut 1970, në shtëpinë e tij në adresën:110 Crestvieë Rd, Belmont, Boston, ndërroi jetë pas një ataku në zemër. Mbrëmjen e kishte kaluar me mikun e tij të mirë, një nga kryetarët e Vatrës ndër vite, doktorin e parë të shqiptarëve në Amerikë Andrew Elia. Kishin biseduar gjatë rreth punëve të Vatrës dhe së ardhmes së saj. Peter Chikos sapo ishte kthyer në Boston pas një udhëtimi njëmujor nëpër Evropë, ku kishte takuar personalitete të ndryshme evropiane dhe krerët e mërgatës shqiptare në vijim të ëndrrës së tij për të bashkuar të gjithë shqiptarët.
I BIRI I BASHKËTHEMELUESIT TË VATRËS, LLAMBI CHIKOZI
Peter Chikos ishte i biri një patrioti të njohur, që kishte ardhë në SHBA në fillim të Shekullit XX. I ati i tij, Llambi Chikozi kishte qenë në udhëheqje të Shoqërisë Besa-Besën, një ndër nisiatorët dhe mbështetsit e krijimit të Kishës Autoqefale Orthodkse shqiptare, guri i themelit të Federatës. Llambi Chikozi ishte një ndër pesë anëtarët e Komisionit themelues të Vatrës dhe me 28 prill kur Federata u shpall e themeluar atij iu caktua detyra e arkëtarit të parë të Vatrës.
Peter Chikos kishte ardhë në jetë në Janar të vitit 1918 në Boston. Ai kishte qenë një fëmijë i mbarë dhe në mësime shkëlqeu. Peter Chikos mbaroi universitetin për Drejtësi duke përfunduar me rezultate të larta studimet në Northeast të Bostonit, në fakultetin e Drejtësisë.
Gjatë Luftës së Dytë botërore shërbeu në shtabin e Gjeneral Eisenhoëer në Francën në Armatën e Gjashtë. Ai ishte pjesë e formacioneve luftarake amerikane që çliruan Francën dhe më pas ishte pjesë në komisionin e Kontrollit të Berlinit. Majori Peter Chikos është dalluar në kryrjen e detyrave luftarake. Ai është dekoruar për trimëri dhe zgjuarsi në fushën e luftës me Medaljen”Croix de Guerre avec Palmes” nga Gjeneral Leclerec i Francës e me Medaljen e “Yllit të Bronzit” nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.U largua me nder nga Ushtria në fund të luftës duke pasur gradën e Majorit.
Në jetën civile Peter Chikos ishte po aq i sukseshëm. Ai ishte themelues dhe partner i Agjensisë së Sigurimeve “Chickering Insurance” të Bostonit, nga më të mëdhatë dhe më të suksesshmet në të gjithë New England.
KRONIKA- PËRCJELLJA, PIKËLLIMI I FAMILJES DHE KOMUNITETIT
Ishin mbledhë disa qindar bashkombas në shtëpinë mortore në Watertown, në një lagje aristokratike, siç e përshkruan revista “Shejzat”, “Koha”, dhe gazeta që ai e deshi dhe për të cilën punoi me shpirt, “Dielli” shqiptarëve të Amerikës. Pjesmarrësit ishin aq të shumtë sa nuk i merrte shtëpia e madhe mortore, por një pjesë rrinin jashtë dhe policia rregullonte trafikun dhe mbante rregullin. Kryetarit të Vatrës iu bë një nderim i jashtzakonshëm. Katër dhoma ishin plot me kurora me lule të sjella nga personalitetet e shtetit, nga familja, nga vatranët, komuniteti, dhe arbëreshët.
Me 3 korrik kortezhi i gjatë i makinave, të cilit i prinin 6 automobila me kurora me lule, e dërguan arkivolin me trupin e pajetë të kryetarit Chikos në Kryekishën “Shën Gjergji” të Imzot Nolit, në atë kishë, ku kishte kontribuar aq shumë edhe i ati i Peter Chikos, Llambi Chikozi, por dhe ai vetë. Kumbona e Katedrales ra përmortshëm duke përcjellë me jehonën e saj njërin nga shqiptarët që pat një ëndërr: Të bashkonte shqiptarët, kudo që jetonin nëpër botë; Kryetarin e Vatrës, Peter Chikos. Përpara Kishës ishin mbledhur qindra bashkombas të ardhur nga shtete të ndryshme të Amerikës, por dhe nga Kanadaja. Katedralja ishte mbushë aq shumë sa nuk mund t’i mbante. Arkivoli ishte mbuluar me Flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën atë flamur Majori kishte luftuar në radhët e ushtrisë më të fuqishme të botës,madje pranë Gjeneralit të famshëm Eisenhower. Gjashtë vetë e shoqëronin arkivolin, ku përveç autoriteteve, dallonin ish kryetari i Vatrës Anthony Athanas dhe dr. Hamdi Oruçi, drejtusi i veprimtarive të 60 vjetorit të Gazetës Dielli. Meshën e kryesoi Peshkopi i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në Amerikë Hirësia e Tij Stephan Lasko, i ndihmuar nga At Sotir Dilogjika, At Christ Ellis, At Nick Liolin dhe Arthur Liolin…
Pas meshës Hirësia e tij Peshkop Stephan Lasko mbajti një fjalim prekës. Fjalimin nekrologjik e mbajti dr. Andrew Elia, i cili kishte qenë bashkëbiseduesi i fundit me të ndjerin.
Në emër të Vatrës nga altari i Kishës foli miku i tij, dr. Hamdi Oruçi.
Trupi i kryetarit të Vatrës u varros në të njëjtën varrezë ku pushonin trupat e Fan S. Nolit, Faik Konicës dhe vatranëve të tjerë. Ceremonia u mbyll me drekën e Lamtumirës, që u shtrua në restorantin e famshëm të Athony Athanas ”Pier Four”. Dy sallat e mëdha të restorantit ishin të mbushura pot. Në drekën e mortit e “qau” me fjalë shpirti kryetarin, që iku në kulmin e punëve të mira për Vatrën, z. Hajdar Tonuzi, nën/kryetar i Vatrës.
Në të gjitha veprimtaritë përcjellëse ishin të përfaqësuara zyrtarët kryesorë të shtetit: Guvernatori, Kryetari i bashkisë, Kongresitët dhe senatorët. Nga Çikago kishte ardhë Profesor Torielli, i Universitetit të Loyola, që kishte qenë komandant i Petter-t gjatë luftës, kishin ardhë përfaqësues nga institute të njohura e agjensi sigurimesh etj. Vatra e Bostonit ishte e gjitha aty, por edhe degët e Vatrës nga shtete të ndryshme; nga Detroiti, Waterbury, New Yorku, New Jersey, Chikago, Ohio, Toronto. Një përfaqësi e përbërë nga ish kryetarët e Vatrës qëndronte në krye: Andrew Elia, Ali Arrëza, Christo Thanas, James Thanas, Barney Kirka, Editori i Diellit dr. Athanas Gegaj, Editori i gazetës”Liria” Dhimiter Trebicka etj. Nga personalitetet e Mërgimit shquheshin: Tahir Kolgjini, Selim Damani, Vasil Germenji, Dr. Rexhep Krasniqi, Sami Caushi, Lemi Kokalari, Vahit Chika, Nick Kreshpani, Ago Agaj, Reis Agaj, Gjon Gjinaj, një nga luftëtarët e lirisë etj.
Kryetari i Vatrës Peter Chikos la pas: Zonjën Nicholina, tre fëmijët- Marlyn 20 vjeçare, Paul 19 vjeçar dhe Roberta që atë kohë ishte 15 vjeçare; la vëllanë John; dy motra- zonjën Flora Theodore prej Belmont, zonjën Tefi Chani prej Brockton, Boston.
GAZETA”DIELLI” E VAJTOI KRYETARIN DY JAVË PAS VDEKJES
Duke qenë se gazeta e Vatrës”Dielli” për arsye financiare nuk mundi të botohej dy javët e para të korrikut 1970, kryetari u vajtua dy javë më pas, në numrin e 15 Korrikut. Aso kohe gazeta printohej në format të madh dhe të katër faqet iu kushtuan kryetarit. Gazeta hapej me titullin e madh me shkronja kapitale:Kryetari i Vatrës Peter Chikos na la,por ai jeton në zemrat tona”. Nën këtë titull botohej elegjia e kryetarit të komanduar të Vatrës,Hajdar Tonuzi.Tonuzi e niste vajtimin për kryetarin kështu:” Të ndodhesh para trupit të pajetë të Peter Chikos,i cili papritmas u nda nga gjiri ynë, vetëm po të jesh prej gurit nuk tronditesh dhe s’ka mundësi që të mos pyesësh veten:-Pse fat i keq qëllon mu në zemër komunitetin tonë? Pse vdekja e tmerrshme rrëmben të riun në moshën më të bukur që premton aq shumë për Kombin tonë, për Federatën Vatra dhe për familjen e tij?
Ikja e një personaliteti të njohur si Peter Lukas, qe një humbje tragjike për Vatrën së cilës i kishte dedikuar vullnetin, energjinë dhe inteligjencën. Përpara kësaj vdekjeje,përpara fuqisë msterioze të Zotit, ne mbetemi të ngurosur në vend, me duar të lidhura,- vajtonte Tonuzi në emër të vatranëve, duke arritë në përfundimin se: Komuniteti shqiptar humbi një të ri pa njolla, një lider që e donin të gjithë krahët, askush s’kishte ç’të thosh për të, një ves nuk ia gjenin. Po ashtu ai ishte një personalitet që kishte miqësi në qarqet më të larta të politikës amerikane; ishte njeri me kulturë të gjërë e me aktivitet të pandërprerë, ndodhej përherë në mes të Bostonit, Washingtonit, Nju Jork-ut, Romës, Palermos…
Për kryetarin e komanduar të Vatrës, vdekja e Peter Chikos ishte më e rënda pas vdekjes së Faik Konicës dhe Fan S. Nolit. Jeta Chikos ishte e shkurtër, por e mbushur me vepra të mëdha. Ishte vetëm dy vjet në krye të Vatrës por shërbimet që i bëri vetë Vatrës dhe çështjes Kombëtare Shqiptare, ishin të jashtzakonshme. Emri i Vatrës mori fluturim anë e mbanë botës. U bë ajo Vatër si dikur, kur luante rolin e shtetit të vdekur shqiptar. Për të realizuar idenë e bashkimit të shqiptarëve ai udhëtoi shumë nëpër Amerikë dhe Europë, shkriu energjitë dhe pasuritë e tij në funksion të kësaj ideje, duke mbajtur konferenca, duke zhvilluar bisedime, duke evokuar trimërinë e inteligjencën e racës shqiptare.
Jo vetëm Vatra dhe degët e saj në Boston, Nju Jork, Nju Xhersi, Ohajo, Mancester NH, Worcester MA, Waterbury CT, Toronto-Kanada, por edhe komuniteti e vajtoi kryetarin e Vatrës me përfaqësuesit e saj: Avokati Selim Damani për Organizatën e Legalitetit, Sami Çaushaj për Ballin Kombëtar, Ago Agaj nga Blloku Independent; madje edhe Zëri i Amerikës, edhe Veteranët shqiptaro-Amerikanë etj.
Dielli ftonte vatranët për të vijuar veprën e kryetarit Chikos dhe u hap një fushatë kontributesh për të forcuar financiarisht Federatën. Ndër të parët që iu përgjigjën thirrjes ishin: Dr. Hamdi Uruçi, një nga miqtë dhe mbështetësit e kryetarit; zonja dhe zoti Economy, zoti dhe zonja Krachines, Louis Anastas, Agjensia e Sigurimeve Chikolino, Demeter Ligor, Ronald Theodhor e shumë të tjerë e pasuan në vijim.
EDHE GAZETAT AMERIKANE SHKRUAN PËR KRYETARIN E VATRËS
Gazeta amerikane “The Boston Globe” në numrin e saj të së Enjtes të 2 korrikut 1970, në edicionin e mëngjesit shkroi një artikull special për ta përcjell qyetarin shembullor amerikan Peter Chikos, pa harruar t’i përmend edhe origjinën shqiptare të prindërve si dhe suksesin në drjtimin e Federatës Pan- shqiptare të Amerikës ”VATRA”, bashkimin e mërgatës shqiptare dhe arbëreshe dhe sukseset në jeten ushtarake e civile.Gazeta shkruante : Si offcer i inteligjencës ushtarake ai ka shërbyer në stafin e Gjeneralit Aizenhauer gjatë pushtimit të Francës dhe ka luftuar për çlirimin e saj. Ai ka marrë pjesë në çlirimin e Jugut të Francës si pjese e grupit ushtarak nr.6 dhe shërbeu në Misionin “Berlin Controll” pas thyrjes së nazistëve.
Për shërbim të jashtzakonshëm në Gjermani ai u dekorua me Medaljen “Ylli i Bronztë” dhe “ Freanch de Croix de guerre with Palms”, shkruante Boston Globe, artikull qe e gjeme te perkthyer edhe en Diellin e 15 Korrikut 1970.….
Kur u lirua nga ushtria si Major i Shtabit të përgjithshëm ai ndihmoi të organizonte shoqatën shqiptaro-amerikane të veteranëve dhe ia doli mbanë. Është liruar nga Ushtria me nder si Major në shtabin e Përgjigjithshëm të gjeneralit të njohur Eisenhower.
Ai ndoqi hapat e babait të tij Harris(Llambi) Chikos, i cili ishte një nga themeluesit e kishës ortodokse autoqefale të shqiptare në Amerikës, duke marrë drejtimin e Federatës Pan-shqiptare të Amerikës’Vatra” një shoqatë patriotike shqiptaro-amerikane, nenvizonte The Boston Globe.Petter Chikos i dedikoi energjitë e tij edhe menaxhimit të gazetës Dielli, duke kryer detyrën e Menaxherit te gazetes. Ai e financoi gazeten dhe e fuqizoi atë nga ana finaciare.
Gazeta shkruan se Departamenti i Shtetit Amerikan e njohi lidershipin e tij në simpoziumin ndërkombëtar panshqiptar në Romë dhe Nju Jork në drejtimin e tij, shërbimet fetare të kishës katolike, orthodokse dhe muslimane u kryen në Katedralen Shën Patrik në Manhattan. Ai u prit personalisht nga Papa dhe nga liderët e qeverisë italiane si dhe figura të njohura shqiptare në egzil.
Peter Chikos ka pasë mbaruar shkollën për avokat në Northeastern University Law School, ai ka menaxhuar pasuritë e patundshme të familjes. Ishte themelusi dhe partneri i agjensitë e Sigurimeve më të mëdha në New England.Edhe Boston Herald Traveler, e 3 Korrik 1970 shkroi rreth kryetarit të Vatrës.
PUNËT E MËDHA TË PETER CHIKOS
Në fund të viteve ’60 të shekullit të shkuar kishte filluar një fazë idealizmi i diasporës shqiptare. Ishin veprimtaritë kushtuar 500 vjetorit të Gjergj Kastrioti Skenderbe, që zgjuan ndërgjegjen Kombëtare.Viti 1968 u konsiderua si “Viti i Shqiptarëve”. Shqiptarët nacionalistë të përzënë nga vendi i tyre prej regjimit komunist duke ua ndaluar kthimin në trojet ku u lindën, manifestuan ndjenja të larta kombëtare. U organizuan manifestime të fuqishme në Romë, Paris, Bruksel e Boston. Madje në Bruksel, megjithëse komuniteti shqiptar ishte i vogël në numër, u arrit që të ngrihej dhe një shtatore për Heroin Kombëtar, ku dha kontributin e vet edhe Federata Pan- shqiptare e Amerikës”VATRA”. Në manifestimet madhështore të Romës morën pjesë përfaqësi të shumta të botës shqiptare, përfshi edhe një dërgatë të Vatrës, së cilës i printe Kryetari i Vatrës Anthony Athanas, Peter G. Chikos, që atë kohë ishte menaxher i Gazetës Dielli, Christo Thanas, Selahedin Velaj, Dr, Hamdi Uruçi, Van Christo e të tjerë.
Vatranët u pritën me nderime të mëdha në Romë. Ata u nderuan edhe nga vetë Papa, që rezervoi një pritje të veçantë për Vatranët.
Pas manifestimeve të majit 1968 ne Boston, ku Peter Chikos ishte në ballë të komisionit përgatitor për festimet e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ai ndjehej plot energji e vullnet për të mos e lënë që të ftohej energjia e çliruar. Në vjeshtën e atij viti, në muajin Shtator, ai udhëtoi sërish drejt Italisë. Ishte i ftuar nga Qendra Ndërkombëtare për Studime Shqiptare në Palermo, ku mori pjesë në kuvendin e përvitshëm të asaj qendre. Vizita në Palermo, takimi me arbëreshët, pati një ndikim të jashtzakonshëm në zgjimin e shpirtit arbëror tek Chikos. Duke qenë se tash ishte në krye të Vatrës, ai u prit me adhurim nga arbëreshët. Chikos çuditet kur dëgjon të flitet shqip në vatrat arëbreshe, edhe pse kishin kaluar 500 vjet që të parët e tyre i kishin lënë trojet e arbërit, kur sheh se sa mirë i kanë ruajt traditat, këngët, vallet, ritet shqiptare. Ai habitet kur dëgjon profesorin nga Kosova të flasë plot pasion dhe pa u lodhur për më shumë se gjysëm ore për unazën e Skënderbeut, kur dëgjon ligjërusit të shpalosin historinë kombëtare të racës ilire.(Dielli ne Print, Korrik 2018)
(vijon në numrin e ardhshëm)