nga Merita McCormack/
I pari pohim që dua të bëj është se “Lejlekët nuk do të vijnë më” – një roman i përthyer në tregime-mozaikë, për mua është një libër i mrekullueshëm.
Nuk nguroj të them që në fillim se ky libër në gjininë e tij nuk ka të krahasuar. Ia rekomandoj gjithkujt që ta lexojë.
Autori Pëllumb Kulla, i mirënjohur në veprimtarinë e tij, i afirmuar në fushën e artit, një personalitet i përveçëm në kulturën shqiptare, jam e sigurtë që nuk ka nevojë për një kritikë letrare timen, pasi unë nuk kam çertifikatat e duhura profesionale të bëj një analizë apo një kritikë letrare. Por që unë t’i shpreh kënaqësinë që më dha leximi i librit, them se ai ka nevojë, si çdo autor tjetër. Ai ka nevojë për mirënjohjen e lexuesit. Dhe unë i shpreh vërtet mirënjohje, pasi ka shkruar diçka të veçantë, një pasqyrë thuajse të plotë të tipareve të diktaturës, me realizëm dhe me ngjyra humori, që vetëm ai di t’i qëmtojë, mbledhë, formulojë artistikisht dhe t’i përcjellë te lexuesi sa më mirë.
Gjithashtu, do të mundohem të bëj një përmbledhje mbresash, jo vetëm si lexuese e pasionuar, por edhe si një personazh, që ka përjetuar një pjesë të mirë të fakteve që regjistrohen në atë libër. Janë, si të thuash, shënimet e një lexuesi-personazh. Ato ngjarje janë pjesë e jetës sonë, e jetës sime, e të afërmeve të mi apo tuajve dhe nën këtë dritë do të mundohem të sjell emocionin tim apo përjetimin tim gjatë leximit të këtij libri dhe përcjelljes së çdo ngjarjeje. “Lejlekët nuk vijnë më” është një libër që duhet lexuar nga të gjithë, pasi tregon me zhdërvjelltësi, me vërtetësi, me dhimbje, gatuar me humor tepër të hollë, me një teknikë përcjellëse të fjalës që është unike apo “Kulla Style”, nëse mundem të emërtoj stilin e Pëllumb Kullës të tillë, duke marrë shkas qoftë nga krijimet e tij unike. Këtu do të përmendja atë përcaktimin e thekur në një fjalë të re që na e ka ofruar vetë ai: “kripëmjaltëza”, një neologjizëm i goditur, që ka marrë jetë për herë të parë në librin e tij “Skënder Sallaku, ose si qeshnim nën diktaturë”.
Diktatura në libër përfshihet gjerësisht mes dy tregimesh emblematike, në të cilat përshkruhen dy vdekje me peshë: ajo e Stalinit dhe e Enver Hoxhës. Këto dy tregime hapin dhe mbyllin librin. “Vdekja e Stalinit”, tregimi i parë i këtij libri, bën fjalë për një periudhë që vjen ende e gjallë nga rrëfimet e pleqve, ekzaktësisht si e tregon autori. Njerëzit “u marrosën” dhe falën vite për Stalinin, të cilit vdekja i kishte trokitur në portë dhe fanatikët stalinistë, edhepse me Zot të mohuar, i mbante shpresa se Zoti do mbyllte sytë mbi paudhësitë e tyre e do t’u bënte një shërbim: t’ u merrte jetë atyre e t’ia shtonte Carit komunist të Rusisë. Pavarësisht se sa “vite i dhuronin formalisht në mbledhjet e asambleve” diktatorit rus, njerëzit nuk e kuptonin se ishin viktima të ideologjisë së tij, por edhe po ta kuptonin kjo nuk u vlente. Fatet e tyre ishin shënuar.
Pa dashur të kaloj në një analizë më të gjerë sociale, dua të vazhdoj me përshtypjet e mia për librin. Një radhë tregimtarie e vendosur bukur kronologjikisht, një përshkrim artistik mjeshtëror, një qetësi në rrëfim, për të lënë shpërthimin e pikave kulmore mes një humori magjepsës dhe ti, ndërsa je me lot dhimbje në sy, shpërthen papritur në lot të tjerë gazi, – lotë përmbi lotë, – në një të qeshur të papërmbajtur, pasi “Kulla Style” bën efektin e vet: faktet janë të vërteta, por natyrisht treguar me imtësi dhe organizuar në optikën e groteskut që tani duket i lehtë për t’u zbuluar. Për shëmbull: lufta e klasave ekzagjerohet aq sa ti habitesh që ajo ndërkohë është edhe plotësisht e besueshme. Një individ mund të mos lejohej të ndiqte universitetin, mund të mos dekorohej, mund të mos lejohej të lozte në një film, por që ta vuajë këtë edhe një gomar i gjorë!!! Flitet për një kafshë fatkeqe, që ngre kundër tij turma fanatikësh të egërsuar, që shkakton mbledhjen e një pleniumi partie,për një gomar që e rrahin dhe në fund e shtyjnë në greminë, vetëm se punonte dhe hante në grazhdin e një njeriu që ishte politikisht i deklasifikuar?! Ajo që unë quaj “Kulla Style” shfaq këtu devijim nga objekti, por jo nga tema! Jo nga tema e luftës së klasave! Devijim nga objekti është edhe servilizmi kolektiv në tregimin e rrallë “Një shofer hijerëndë” por ama autori nuk lëviz nga tema nga mesazhi. Shoferi i kryeministrit pushon çdo vit në fshatin e tij të lindjes dhe në atë muaj në ato anë vihet re çdo vit një gjallëri e jashtëzakonshme. Në atë fshat bëhen festivale, aparatet e komiteteve ngrysen e gdhihen në fshat, teksa shoferin e nderuar e marrin në dreka e darka Sekretari i Parë i rrethit dhe Kryetari Komitetit Ekzekutiv. Leri më bashkëfshatarët që presin me ankth t’i qajnë hallet atij, të lumurit, që fati e ka shpënë bripërbri me të parin e vendit!…
Kështu qesh dhe qaj me këtë libër dhe besoj se kjo e lehtëson disi dhimbjen.
Me një finesë të veçantë artistike, Kulla tregon episode komike, por që popullit i kushtuan tragjikisht dhe vraga përcjellëse djeg, dhemb, të rikujton dhe natyrisht të mëson. Nuk mund të mbash lotët nga e qeshura, kur lexon për atë rojën te lëmi i fshatit që mbushte grykën e çiftes me fasule, apo grurë gjatë të korrave… Është zor të frenosh lotët e dhimbjes përgjatë leximit të tregimit të shkëlqyer “Lejlekët nuk do të vijnë më” që i jep edhe titullin librit. Shtëpia e Xha Sulit, varjet në litar, dënime për zjarre të inskenuar nga vetë Sigurimi në mullarët e kashtës, përgojimet, përçmimi, kjo dukuri e keqe, pjellë e një sistemi ideologjik, mbjellë në shpirtrat e pastër, që tani kërkon kohë të shkulet, janë të gjitha aty, brenda qëniesh njerëzore që vuajtën, që ndjenë thikën e vdekjes e të torturës deri në palcë.
Lejlekët nuk erdhën më… I dhimbshëm fundi i lejlekëve, i të vetmeve qënie të gjalla që shtegtonin, dilnin e hynin përmbi kufijtë e vendit të mbyllur duke zilepsur e ngjallur ëndrra për një botë pa tela, pa viza dhe pa kufij. I dhimbshëm internimi i individit brenda vetes!
E nëse unë mund të dukem se po i mëshoj kësaj pike, më ndjeni, më dhemb, mendoj se shoh nënën time në një nga ato vajza shpresëprera që nga dritarja sodisnin ardhjen e shpendëve nga vendet e ngrohta. Në ato faqe libri gjej tim gjysh, tek ai kulaku i moshuar Bezhani, që edhe pse thellë e urrente Stalinin dhe stalinizmin, detyrohej “t’i falte vite” Stalinit, pasi ashtu kishin bërë dhe fshatarët e tjerë, për të gëzuar barazinë me ta. Refuzimi i viteve të tij për Stalinin, nga të parët e fshatit është pjesë e tragjikomedisë multidimensionale të popullit tonë. Mbase unë gjej edhe veten në një nga ata fëmijët me pamje të përhumbur që nuk kuptonin përse-në e shkrimit të parullave si “Uji fle hasmi nuk fle” mbi muret e lyera me gëlqere të bardhë të shtëpive të tyre.
Këto nuk mbarojnë, por unë bëj mirë t’ju le ta shuani kuriozitetin vetë duke e lexuar librin në të cilin flitet për një çrregullim psiqik pesëdhjetëvjeçar, për një përçartje ideologjike, një utopi qesharake, për një vuajtje, një vuajtje madhore, për një mbijetesë që nuk ka shëmbuj në histori. “Kulla Style” e ka sjellë mjeshtërisht këtë në dritë të plotë, të dhimbshme, plot humor, rekomanduese në thelb.
Por ky mësim duhet të përçohet, duhet t’ju jepet brezave, duhet t’ju njihet me vërtetësi ashtu si ka filluar të shkruhet së fundi dhe nga autorë të tjerë, të tregohet e vërteta me dhimbje apo me humor, me mjete artistike të ndryshme, por me vërtetësi. Mendoj se një nga vlerat më të mëdha të këtij libri në aspektin historik është se ka një dëshmi besnike në çdo paragraf, në çdo tregim. Brënda faqeve të librit ka një ngacmim të vazhdueshëm për t’iu rikthyer së mbari një historie të pa shkelur, që prêt të arshivohet me vërtetësi dhe me mendje të ftohtë. Unë, nga ana tjetër kam bindjen e patundur se kjo vepër letrare e rrallë, do të bëhet një objekt leximi dhe studimi për vlerat e veçanta njohëse dhe estetike, vlera që unë në pamundësi t’i shpalos kam kënaqësinë vetëm t’i propozoj për vëmendje.