• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19. KU ËSHTË GABUAR?

May 29, 2020 by dgreca

Leonard Solis, si ish-Ministër i Shëndetësisë në Shqipëri dhe tashmë Drejtor mjekësor i “International Hospital- Amerikan Group” në Tiranë, rrëfen Shqipërinë në luftën ndaj Covid-19. Si mjek z.Solis analizon ku çaloi sistemi shëndetësor shqiptar, dhe pritshmëritë për të ardhmen. Z. Solis rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, urdhërat dhe masat disproporcionale të qeverisë, rimëkëmbja e ekonomisë etj, intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

NGA TËRMETI TE PANDEMIA COVID-19

Fillimi i pandemisë e gjeti Shqipërinë në një situatë të vështirë ekonomike e psikologjike, menjëherë pas dy tërmeteve të fuqishme 5,8 dhe 6.4 ballë Richter në zonën më të populluar të saj. Dëmet ekonomike ishin të pallogaritshme jo vetëm në humbje njerëzore, por dhe direkt mbi ekonomitë e vogla dhe shumë familje të varfra që humbën gjithçka.  Tërmeti është një shkundje në nivel kapilar edhe për shtete me ekonomi shumë të zhvilluar e jo më në një Shqipëri me një ekonomi të dobët, fragile e me një fond rezervë për rastet e fatkeqësive natyrore qesharak. Tërmeti dhe Epidemia gjunjëzojnë edhe shtetet më të fuqishme. Epidemia bëhet edhe më e vështirë për ta trajtuar kur është në situatë pandemie. Dallimi qëndron në mungesën totale të solidaritetit në raste Pandemie. Seicili merr masa për vendin e vet dhe askush nuk të ndihmon në raste Pandemie. Ashtu si edhe ndodhi me të gjithë Europën. Vendimi i parë në Pandemi që morën Parlamentet dhe Qeveritë e çdo shteti, ishte ndalimi i çdo lloj eksporti të materialeve mjekësore dhe aparaturave. 

SI REAGOI QEVERIA NDAJ COVID-19

Mendoj se situata dramatike në Kinë u vlerësua si duhet e në kohën e duhur nga autoritetet Shqiptare duke ndezur kambanat e alarmit. Marrja e masave dhe vlerësimi i situatës në rastet e pandemisë në kohën e duhur është tepër e rëndësishme dhe jetëshpëtuese. Edhe disa ditë të fillosh më herët, shpëtohen shumë jetë njerëzish. Ngritja e task-forcës në kohën e duhur, ekspertiza shkencore e Institutit të Shëndetit Publik që ka një experiencë pozitive me epidemitë që ka kaluar vendi ynë në këto vite, bëri një vlerësim e marrje të masave adekuate. Në vendet e Evropës Qëndrore e Lindore për shumë arsye komplekse, vala e parë e Pandemisë kaloi shumë më lehte dhe me dëme minimale në jetë njerëzore edhe falë masave të gjithanshme të izolimit fizik, mbylljes së shkollave, ndalimit të grumbullimeve publike, mitingjet e të gjithë paketës që OBSH udhëzoi. Për herë të parë vendet e Evropës Lindore dhanë një shëmbull poźitiv e rezultativ. Çdokush e di që epidemitë nuk trajtohen vetëm me spitale. Ajo është hallka e fundit e përballimit. Kaskada e masave që synon të ulë kurbën dhe të ulë fluksin që vjen në njësinë e kohës drejt spitaleve është kyçi i suksesit për të kursyer jetët njerëzore. Shumë shtete të Evropës Lindore e Qëndrore duke njohur fraxhilitetin dhe vulnerabilitetin e sistemeve të tyre shëndetësore në përgjithesi, por edhe te Shtretërve të Reanimacionit në veçanti për trajtimin e rasteve me pamjaftueshmëri respiratore, i shtrenguan masat e izolimit, karantinimit, ndalimit të fluturimeve me vendet e vatrave të nxehta si Kina e më vonë Italia me masa shumë të forta e të ashpra se vendet Europiano perëndimore që kishin besim më tepër tek strukturat e veta. Për Shqipërinë shpalosja e frikshme e situatës në Lombardi dhe sidomos amplifikimi nga media ishte një sinjal shumë domethënës që Pandemia,  nuk ishte më Kineze por kishte marrë pasaportën Evropiane. Shkurt, nga ana e izolimit dhe uljes së mundësisë së transmetimit para dhe pas shfaqjes të pacientit zero mund të themi se qeveria veproi me korrektesë e ashpërsi maksimale. Jeta mbi gjithçka. Po ashtu dhe zbrazja e Spitalit Infektiv dhe më vonë i Sanatoriumit duke u adoptuar si spital Covid ishin masa adekuate dhe në kohën e duhur. Fatmirësisht e fituam një betejë, një fitore delikate, jo permanente e në një terren rrëshqitës por  mbase atë më të rëndësishmen me Covid 19. Tashmë kemi kaluar nga strategjia “ Qëndro në Shtëpi” në situatën aktuale : “ Qëndro alert”.

KU U GABUA? ÇFARË DUHET TË ISHTE BËRË NDRYSHE?

Paqartësia, gabimet, deklaratat katërcipërisht kontradiktore të kryera nga shumë lidera Botërorë ishin tipari i kësaj faze të Pandemisë. Qeverisë shqiptare mendoj që i mungoi zhdërvjelltësia e shkathtësia për tu përshtatur më shpejt me situatat e paqëndrueshme. Masat ishin “clockëise” por shpejtësia, testimet jo në shkallë të gjerë, pamundësia e njerëzve të dyshuar për të kryer testimin e konsultën, mosaktivizimi i mjekëve të familjes bëri që të dhënat mbi ecurinë e sëmundjes, shkallën e përhapjes dhe izolimin në vatër e gjurmimin ta kishim me mangësi. Po ashtu dhe shumë pacientë me temperaturë e sëmundje të tjera infektive ngelën pa marrë shërbimin për shkak të frikës të personelit ose mungesës së strukturave jo covide. Komplikacionet nga sëmundjet e tjera u shtuan shumë dhe rastet kirurgjikale të paraqitura në spitalet tona të traskuruar. Grafiku i incidencës e prevalencës, tendenca e përhapjes, edhe për shkak të spontanitetit e moskryrjes në shkallë të gjerë të testimit nuk ishte domethënës e orientues. Grafiku i ulje-ngritjeve të rasteve covid pozitiv nuk shpjegon saktë tendencën e shpërndarjes dhe intensitetin e covid për shkak të numrit të pamjaftueshëm të testimeve. Problem më i rëndë për vendin tonë është rrënimi i individëve, ekonomive të vogla e të mesme për shkak të masave të imponuara. Te ashtuquajturat SME ( small & medium enterprises) që mbajnë gjallë ekonominë, pra, edhe bizneset fragile individuale a familjare, hoteleritë, turizmi, fasoneritë kanë pësuar një nockdoën dhe gati pa asistencë. Shteti është treguar tepër inaktiv për të asistuar dhe e gjitha bie në shpatullat e bizneseve. 

QEVERIA, URDHRA NON SENSE DHE MASA DISPROPORCIONALE

OBSH orienton që pa një paketë shoqëruese masash kompensuese ekonomike në kohë të shpejtë, do çedojë shpejt a vonë dhe strategjia e imponimit për izolimin social apo distancimin. Shpesh qeveria ka dhënë urdhra nonsense apo marrë masa disproporcionale. Shpesh të egzagjeruara e shumë herë të neglizhuara fare. Ky është dhe problemi më i madh deri tani. Për të krijuar një ide të pasojave shëndetësore në Shqipëri: Shqipëria ka rreth 21 000 vdekje në një vit të zakonshëm. Pjesën më të madhe rreth 14000 e përbëjnë sëmundjet kardiovaskulare.  Rreth 5-6000 vdekjet vijnë nga sëmundjet kanceroze. Mosha është gjithmonë faktor rreziku dhe kjo sëmundje dukej si e projektuar për moshën e tretë. Pra i bie që në ditë në Shqipëri vdesin rreth 60 persona jashtë pandemisë. Rreth 1800- 2000 vdekje në muaj. Për këta pesë muaj nga Covid 19 , ne kemi rreth 1000 të sëmurë dhe rreth 30 vdekje. Ky është tregues i suksesit të menaxhimit të pandemisë krahas shumë faktorëve të tjerë të panjohur mirë që na kanë favorizuar. Të dhënat inkurajuese kërkojnë një hapje më të shpejtë e të kujdesshme për mos dëmtuar edhe më tej një ekonomi të lodhur. Pra, nuk duhet të jemi inertë me masat e marra dhe duhet të jemi më fleksibël për ti dhënë frymëmarrje ekonomisë. Ekspertët duhet të flasin më shumë, politikanët më pak e të marrin vendime jo arbitrare të konsultuara me ekspertët. Në shumë raste politika keqpërdori situatën pandemike për interesa të veta të ngushta, gjë që shkaktoi zëmërim dhe ulje të besueshmërisë. Media dhe shtypi i shkruar kanë bërë një propaganda panikndjellëse duke hiperbolizuar situatën. 

ÇFARË PRITET TË NDODHË NË TË ARDHMËN ME COVID?

Ka një paqartësi të madhe për të ardhmen e covid 19. Ende nuk ka trajtim optimal, ka shumë skema trajtimi që tregon pasigurinë e një mjekimi eficient megjithëse gjërat kanë evoluar për mirë. Imuniteti sipas studimeve duket i përkohshëm dhe bie pas gjashtë muajsh duke e bërë receptiv të njëjtin pacient ndaj shtamit mutant të covid-19.  Nuk duket se do të kemi një vaksinë të sigurtë brenda një afati mbi një vjeçar. Vaksina mund të mos prodhohet asnjëherë dhe Covidi të fitojë “qytetarinë”. Ne duhet të vazhdojmë me kujdes e me masa strikte jetën tonë për të pritur me durim e kujdes përparimin e shkencës, perfeksionimin e mjekimit, por dhe të shpëtojmë familjet tona e shoqërinë nga rrënimi ekonomik.

A KA KAPACITETE SHQIPËRIA PËR TË PRITUR VALËN E DYTË TË COVID?

Një shembull të mirë e dhamë, pavarësisht nga kosto e frikshme ekonomike. E njohim sëmundjen më mirë, jemi më të përgatitur. Kemi një shtresë njerëzish që e kanë kaluar sëmundjen dhe shërbejnë si izolantë për përhapje, duke ulur koeficientin, kemi marrë disa masa për paisjen e reanimacioneve më mirë, sepse kjo periudhë na bëri të reflektonim. Të gjitha këto na bëjnë optimistë që situata do të kontrollohet më mirë dhe kurba do të jetë më e kontrollueshme. Pasazhimi i virusit duket se po sjell dhe dobësimin e virulencës së tij. Vaksinimi i detyrueshëm i shqiptarëve dhe Evropës Lindore me BCG ( Bacille Calmette- Guerrin) tregoi një imunitet jo specifik të lartë që ka ndikuar jo pak në gravitetin e ulët të rasteve që është një faktor lehtësues për të gjithë Evropën lindore. Mosha mesatare e popullsisë relativisht e ulët, mikroklimat dendësia e popullsisë, të gjitha këto na bëjnë optimistë për një qarkullim të butë dhe të menaxhueshëm të situatës në një valë të dytë. Shembull suksesi është dhe Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Çekia, Hungari Polonia. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLI DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

 Gëzuar 111-vjetorin gazetës “Dielli”. Ju uroj edhe qindra vjet të tjerë aktivitet të plotë e të suksesshëm për të shërbyer si burim i pastër informimi për shqiptarët kudo ndodhen e si një  nukleus ku mbahen gjallë të ndjenjës kombëtare. Dëshiroj të përshëndes të gjithë ata prindër që në kulmin e vet u zhvendosën në Amerikë duke vetësakrifikuar karrierën për të asfaltuar të ardhmen e fëmijëve të tyre. Fatmirësisht familja shqiptare ngelet një bërthamë e fortë.  

Filed Under: Opinion Tagged With: COVID-19-Shqiperia, Leonard Solis, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT