Kush udhëton ka një histori për të rrëfyer. Për serinë „Europa ime“, autorja Lindita Arapi sjell këtë histori nga qytetet Split e Mostar pas udhëtimit të saj të parë në Ballkan.
Linda Arapi është redaktore në redaksinë shqipe të Deutsche Welles/
Jemi mësuar të lëvizim nëpër botë bashkë me imazhet tona të parapërgatitura për vende e popuj, deri sa realiteti na i vë në sprovë. Sapo kisha mbërritur në Split, për të qenë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, „Poligon” në Split e Mostar, kur imazhi im për qytetin bregdetar kroat iu nënshtrua realitetit.
Split: Shoferi kroat që do të duhej të më çonte në hotel, më përshëndeti e kur iu afruam automjetit, ai hapi derën dhe u fut i pari në anën, që në fakt duhej të ngjitesha unë. „Dera nga ana ime nuk hapet”, u justifikua si në faj ai. Ulur në makinë pashë derën gjysmë të shkatërruar të mbuluar nga brenda me plastmasë. „Ne këtej përpiqemi të mbijetojmë”, ishin fjalët e para të tij, sapo u nisëm.
Diell për turistët
Nga dritarja në anën time të rrugës pashë si më buzëqeshte Heidi Klum nga një poster gjigand, me mbishkrimin: „Let’s make wow!” Por në këtë moment Gjermania, m‘u duk si një planet i largët, i përkëdhelur nga fati.Jam në Kroaci, anëtaren më të re të BE-së me njerëz të pashpresë, që grinden me vete gjithë ditën e zotit për „gabimin e vetëm në jetë, që nuk ikën jashtë shtetit”, siç më tha edhe shoferi kroat. „Por Spliti është i bukur, diell, det, kafenetë plot, shëtitorja Riva”, i thashë unë. „Jobs, jobs”, përsëriste shoferi kroat, e unë kuptova se ajo ndjesia e dielltë e jugut ngroh më shumë zemrat e turistëve se të vendalinjve.
Po marrëdhëniet me fqinjët, doja të dija unë më shumë. Shoferi tundi kokën i menduar e tha „e dini, politika nuk ka interes për këtë, ata i bëjnë të tjerët të këqinj, herë janë serbët, herë boshnjakët, pala tjetër kundërpërgjigjet…e kështu vazhdon kjo tek ne”.
Shoferi kroat do t’i kishte fshirë vrullshëm me forcën e realitetit të tij të përditshëm fjalitë e bukurmenduara të shkrimtarëve nga Europa në takimin e Splitit…por ai më la mua para hotelit e vazhdoi rrugën e tij. Atë darkë fjalët e mia mu dukën fraza boshe.
***
Mostar: Ndjehem disi fajtore, sa më shumë i afrohem këtij qyteti…ndoshta sepse unë jetoja qetë, kur këtu dergjeshin kufoma në rrrugë, kur u shkatërrua ura e Mostarit, kur banorët e këtij qyteti, me ëndrra ashtu si dhe unë, panë se si ato iu zhdavaritën para syve. Në një rrugë anësore renditen varreza djemsh, të rinj, të shuar në vitin 1992. Ka qenë viti, kur unë studioja…si do të kishte qenë jeta ime, sikur unë thjesht të kisha lindur në këtë qytet?
Për fat luftë nuk ka më, qyteti është rinovuar, turistët shëtisin lart e poshtë urës së Mostarit, tani breshëri aparatesh fotografikë, ndërtesat e shkatërruara të lëna si në kohën e luftës janë sot një motiv i preferuar fotosh…me sa duket edhe lufta një ditë kthehet në një atraksion turistik. Veçse plagët jo. Nga kaq shumë turistë para syve fillimisht nuk të shkon mendja tek ato…por ato ekzistojnë, bëjnë jetën e tyre…disa janë shëruar ndoshta, disa janë vulosur në emër të së ardhmes, të tjerat trajtohen enkas me merak për të mos ndalur kurrë së dhemburi, për të mos e shuar kurrë kujtimin e armikut në anën tjetër.
Instrumentalizimi i lëndushmërisë ballkanike
Kështu rrodhi koha e Mostari, thirret sot qyteti i ndarë mes boshnjakëve e kroatëve. Trauma e luftës e përjetësuar në aktualitet. Konkurrencë viktimash. „Ne jetojmë në një atmosferë të keqardhjes e mëshirimit, njëri është më shumë viktimë se tjetri, madje kemi të bëjmë edhe me një komercializim të vuajtjes”, thotë Mirko Bozic, shkrimtar që jeton në Mostar.” Ky reduktim vetëm në vetëdijen e viktimës ul viktimat e luftës, është i mendimit shkrimtari.
Ballkani im, je ende kaq i lëndueshëm! Edhe kjo sigurisht një traumë e luftës. Problematike është, kur lëndueshmëria instrumentalizohet duke penguar kështu të ardhmen, si në Mostarin e ndarë. …e në një farë mënyre të gjithë janë në Ballkan të lëndueshëm, kaq shpejt të lëndueshëm, saqë mjafton edhe një provokim i vogël që emocionet të ziejnë, një provokim mund të kthehet në aferë shtetërore, si në rastin e flamujve shqiptarë të hedhur në stadiumin e Beogradit para pak vitesh.
Sepse ende Ballkani është i ndarë në llogoren – ana ime është vetëm viktimë, fajtor janë të tjerët. E ngrirë në një reduktim të tillë e pa vetëreflektim e shkuara bllokon të ardhmen, e këtu në Mostar vetiu pyet veten: Ballkani im, po kur do të trokasë më në fund e ardhmja jote?
***
Në kthim nga Mostari më çoi në aeroport një djalë i ri mysliman, që nuk ishte asnjë mik kroat.
*Autorja Lindita Arapi jeton në Gjermani. Ajo ka botuar disa libra poetikë, ese dhe romane. Romani i saj “Vajzat me çelës në qafë”, u botua në Gjermani në Dittrich Verlag.Autorja punon edhe në redaksinë shqipe të Deutsche Welles.