• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ardhje serioze në poezinë e sotme

June 21, 2013 by dgreca

Kritikë letrare nga Migena Arllati për vëllimin “Lotët e ashtit” të autorit Shefqet Dinaj/

Vëllimi i parë me poezi i profesorit dhe studiuesit Shefqet Dinaj ishte më shumë se një surprizë. Autori deri tani na ka mësuar që ta lexojmë, ta ndjekim në botime të ndryshme me studime në të cilat ai i qaset me seriozitetin maksimal temave e çështjeve me rëndësi në letërsi, histori por edhe arealin tonë. Ndërsa tek “Lotët e ashtit” shohim poetin i cili nuk qëndron indiferent as ndaj vargjeve, duke e transformuar përjetimin e tij herë në epik e herë në liriko-epik. Ky vëllim mban në vetvete përpjekjen dhe ambicien e autorit për t’u bërë pjesë e pasurisë poetike sepse poezia si gjini është e tillë që lakmohet nga shumëkush, dhe atë s’mund ta zëvendësojë askush. Poezia e Dinajt vjen si një poezi simbolike. Ajo bëhet shoqëruese e autorit në fragmente të shumta të mendësisë dhe aktivitetit të tij. Ajo ndonjëherë kthehet në një hije që e ndjek atë nga pas duke mos iu shqitur, derisa të arrijë misionin e saj. Megjithatë ai është një poet që e mban kokën lart, edhe pse rreth tij nuk mungojnë njerëzit e ligj(lexo: Hija dhe poeti, Unë dhe hija). Kështu ai nis ciklin “Lakuriqët e natës”  në të cilin s’do lerë pa goditur ata, mediokrit por s’do lerë pa shpërblyer as ata, lexuesit e ndershëm. Ato (vargjet) u bëfshin helm dhe plumba për kritizerët mediokër… ndërsa për artdashësit e botës poetike, vargje të nxehta për shpirtin e ri. Në të tjera krijime vargjet marrin nënkuptime rreth marrëdhënieve sociale mes njerëzve. Ai thumbon e shpon mediokritetin, injorancën, burracakërinë, ndërsa godet me shpatën-varg dreqërit me bisht e lakuriqët e natës. Të parët të tmerrshëm për rracën njerëzore, të dytët të zeza e mallkime bëjnë, për t’u ndalur fëmijëve frikën. Herë-herë poeti duket sikur del nga e sotmja dhe vendoset në një tjetër realitet, që atij i flet nga larg, i flet nga historia e legjenda. Ai i këndon kështjellës e cila gjarpëron kodrës shkëmbore, hijerëndë princeshë antike, me porta të hekurta dhe bedena guri dhe me plot famë e madhështi në pamjen e brendësinë e saj. Sigurisht krijuesi Dinaj ndjehet edhe vetë pjesë e asaj krenarie të lënë nga paraardhësit, ai edhe vetë ndjehet pjesë e asaj historie meqë aty është kështjella që tregon, evokon, dëshmon.

Tek cikli i dytë, “Dy sytë”, poezia bëhet më prekëse, më sociale, më e shqetësuar për disa prej brengave të vërteta të shoqërisë sonë, siç është gjakmarrja. “Gropë e errët, varr, morde, dhimbje,trishtim. Mbyllje, kullë ngujimi, frikë, ankth vdekjeje. Mbyllje për së vdekuri, mbyllje për së gjalli. Tragjedi e dyfishtë”. Autori e di se gjakmarrja ka qenë dhe mbetet një prej copëzave kanceroze të shoqërisë shqiptare ndaj e etiketon atë me fjalët më të errëta të fjalorit të shqipes.

Si një poet, sepse vetëm poetët dijnë të komunikojnë me të pashikueshmen, të padukshmen, të pazëshmen, ai komunikon me nocione të shenjta jo vetëm në planin personal por edhe në atë të përgjithshëm kombëtar. Ai pyet gurin, pyet Bjeshkët e Nemuna, pyet diellin për agimet e verdha dhe mbrëmjet e frikshme në trungun e tij. Është kjo poezia “Në pritje” ku të gjitha hamendësimeve të njëpasnjëshme iu përgjigjet vetëm njëri: poeti. Krijimi në fjalë sjell një qasje interesante edhe në aspektin gjuhësor, sepse autori rendit në vargje shumësi emrash të cilëve iu jep rol prioritar, për të emërtuar më shumë se sa për të tipizuar e vepruar. Tek krijimi “Dy sytë” ai sikur trembet dhe alarmohet për mbylljen e syve të të vjetrit, të plakut që i lodhur nga vitet, ka arritur deri në epilogun e jetës. Nuk bëhet fjalë për vetëm frikën nga largimi fizik por për ikjen e gjithë memories kolektive që ai mban në vetvete, ngaqë ka qenë dëshmitar i epokave ndaj të cilave brezat e rinj nuk duhet të bëhen harrimtarë.

Dhe vjen cikli i tretë: “Shqipe e plagosur”. Në këtë pjesëz rrugëtimi poetik, autori paraqet në nëntë tituj të gjithë backgraundin historik të shqiptarëve, si populli më i vjetër por pse jo, historikisht më fatkeq i Ballkanit. Udhëtimin e tij në këtë udhërrëfim, atij i pëlqen ta quajë jo shqiptar por arbdhetar. Dhe si në një revy imagjinare paraqet para nesh pellazgët, ilirët, dardanët, arbërit, për të arritur deri tek shqiptarët, duke mos fshehur aspak krenarinë e të qënit pjesëtar i këtij trualli mbushur me legjenda e mite trimërie. Në fakt në këto poezi unë vërej jo vetëm poetin por edhe historianin Shefqet Dinaj pasi këtu siç duket shkrihen në një, dy trasetë e tij profesionale: letërsia e historia. Sa simbolik po aq metaforik na vjen ai në krijimin “Kosova shqipe e plagosur” ku poeti na e paraqet Kosovën si balli, gjuha, gjumi, drita, varri, ashti, vullkani, dielli, ajri, për ta sublimuar së fundi me: Kosovë, shqipe e plagosur. Diku tjetër atë do ta shohë si flamur të qëndisur me shqirtëra engjëllorë. Një tjetër kulminacion përshfaqet tek ai në poezitë e kushtimit të cilat jo rastësisht i kushtohen: dëshmorit A.D, dëshmores Yllka Domi dhe mërgimtarit V.D. Janë ata, përfaqësuesit e popullit të tokës së djegur, në të cilën gëlonin zvarranikë, bolla, gjarpërinj e demonë vrastarë. Por: ofshamën e dëgjoi qielli/ hapi derën e parajsës/ mbylli derën e ferrit.

Dhe cikli i fundit, i katërti, është pikërisht ai që i ka dhënë titullin gjithë vëllimit. Këtu simbolika fiton kuptimin e saj më të lartë, duke dhënë para nesh në variante të ndryshme atë më të pandryshueshmen, të pazhdukshmen, atë që mbetet e tillë vite, dekada e shekuj pas ikjes fizike të njeriut. Janë ashti, eshtrat që na përcjellin në secilën prej pesë poezive të këtij cikli, teksa poeti ndërton muranë eshtrash me to. Ata janë të shenjtë, janë gjeneza dhe AND-ja jonë, të pandashme nga dheu e toka, nga balta e ëmbël prej ku mbinë dhe u rikthyen sërish. Autori kërkon drejtësi edhe për eshtrat, kur thotë: “Të kthehet eshtrat/ në tokë të vet/ nuk ndërrojnë formë/ janë të shenjtë”. Në një lexim vertikal të poezisë “Ashti dhe toka e tij”, ja se si e përshkruan autori mes foljesh rrugëtimin nga zanafilla deri tek ikja prej kësaj jete: lindët, u edukuat, u rritët, luftuat, u flijuat, prehuni, mbini, shkruani histori, mbillni liri. Dhe së fundi autori e quan Kosovën tokë varresh, jo pse është pesimist, jo pse është fatalist, por sepse çdo pëllëmbë e këtij trualli është mbushur me nga një varr të luftëtarëve të rënë në mbrojtje të tij. Prandaj poezia e Shefqet Dinajt është poezi me vulën e vërtetësisë, me vulën e patriotizmit dhe krenarisë, me vulën e së djeshmes dhe të sotmes. Poeti në këtë vëllim na paraqitet me lirikë të kursyer në tema, por jo në vargje. Edhe pse temat e krijimeve janë krejtësisht epike, realizimi i tyre variantizohet në epiko-lirik, duke bërë që të gjitha krijimet të jenë të lidhura me njëra-tjetrën si degët e një trungu.                                                                              Vëllimin ‘Lotët e ashtit’ dua ta shoh si një ardhje serioze në poezinë e sotme, për të cilën pres, jo vetëm unë por edhe lexuesit, që autori të na konfirmojë në vazhdimësi në botimet e ardhshme. S’më mbetet tjetër veçse t’i uroj autorit udhë të mbarë në krijime të tjera poetike, të cilat do t’i plotësojnë atij dimensionin e lëvruesit të vargjeve.

Kumtesë nga mrs. Migena ARLLATI

Filed Under: Kulture Tagged With: lotet e ashtit, mbi vellimin, Migena Arllati

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT