
DIELLI
Ditën e Hënë me datë 16 Gusht 2021, në qytezën e Bajzës në Malësinë e Madhe u organizua një aktivitet i gjerë patriotik, kulturor dhe historik. Në qendër të qytezës së Bajzës u përurua Monumenti i ndërtuar në gur, kushtuar të rënëve për liri e mbrojtje të atdheut në dy luftra të ndryshme, respektivisht e vitit 1911 në Suka të Moksetit kundër pushtuesve osmanë dhe ngritja e këtij monumenti përkon me 110 vjetorin e kësaj lufte, dhe luftës kundës pushtuesve serbo-malazezë të vitit 1920.





Lufta e Sukave të Moksetit u zhvillua në kuadër te kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe daton fill mbas ngritjes së flamurit në Deçiq nga Ded Gjo Luli. Në këtë betejë, qindra forca të organizuara të malësorëve nga Kastrati dhe Shkreli, sulmuan garnizonin ushtarak turk në Suka të Moksetit. Shënimet dhe gojëdhënat shpjegojnë se atje u zhvillua një luftë e përgjakshme me pasoja fatale njerëzore ku u vranë 54 malësorë dhe mbi 150 turq. Kjo luftë rezultoi me fitoren e malësorëve dhe çlirimin e Kastratit prej pushtuesve. Ndërsa Lufta e Vitit 1920 i referohet betejave të ndryshme me pushtuesit serbo-malazezë, beteja të cilat mbrojtën territoret shqiptare dhe përcaktuan vijat kufirtare me Malin e Zi. Në këtë aktivitet patriotik, historik dhe kulturor ra në sy organizimi i përsosur dhe pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve të ardhur nga treva të ndryshme të Malësisë së Madhe dhe Shkodrës ku mendohet të ishin rreth 600 pjesëmarrës që nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Ceremoninë e rastit e drejtuan artistët shkodranë të teatrit Migjeni, Drane Xhej dhe Astrit Fani. Ceremonia u hap ngritjen simbolike te flamurit nga Kryetari i Bashkisë Tonin Marinaj dhe me pas zbulimi i monumentit kushtuar të rënëve për liri. Ndër folësit e rastit, i pari e mori fjalën z. Gjok Luli, si inicues dhe kryetar i komisionit të ngritur me kohë për këtë vepër të shëndërruar në monument historik. Ai bëri një historik të shkurtër të këtyre ngjarjeve dhe të përpjekjeve për ndërtimin e këtij monumenti historik, po ashtu falenderoi donatorët të cilët ishin malësorë nga shteti i Michiganit e më gjerë. Edhe Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra iu bashkua kësaj nisme patriotike duke akorduar një fond prej $2000. Më pas përshendeti të pranishmit Monsinjor Angelo Masafra, Krye-ipeshkëv i Dioqezës Shkodër-Pult. I ftuari i nderit në këtë aktivitet ishte z. Valentin Lumaj Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vatrës, i cili mori pjesë si trashëgimtar i të parëve të tij të vrarë në këto luftra dhe po ashtu si përfaqësues i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Nëpërmjet z. Lumaj, Vatra dekoroi të rënët e këtyre dy luftrave me titullin e saj më të lartë “Mirënjohja e Artë”. Vlen të theksohet se dekorata të tilla Vatra i ka dhuruar figurave të larta të kombit si, Adem Jashari, Familjes Haradinaj dhe Ibrahim Rugova. Në fjalën e tij z. Lumaj tha: “Vij këtu nga Amerika si bir i Kastratit, pasardhës i Zef Nishit e Nish Ula Lumaj, të cilët, së bashku me këta Kastratas e Shkrelas të listuar në këtë memorial, u vranë për trojet dhe lirinë që gëzojmë sot. Vij po ashtu si përfaqësues i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, organizatës më të vjetër të shqiptarëve në mërgim. Përpjekjet e korifejve Fan Noli dhe Faik Konica për themelimin e Federatës Vatra dhe lobimit për çështjen kombëtare, përkojnë me lëvizjet e para për pavarësi të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, dhe në këtë kuadër edhe të Luftës së Sukave të Moksetit. Nuk dua që të bëj historinë e këtyre luftrave por dua që të theksoj se ky memorial me këto dy kolona me emra heronjsh në luftra të ndryshme është simbolika më e mirë për Malësinë e Madhe për ti treguar kombit se malësorët i kanë konsideruar gjithmonë pushtues si turkun ashtu edhe shkjaun dhe ju kanë vënë pushkën si të dyja parëve. Më lejoni që të shpreh mirënjohjen më të thellë, iniciatorëve, organizatorëve dhe të gjithë atyre të cilët kontribuan për nisjen dhe përfundimin e kësaj vepre dhe në veçanti, z. Gjok Luli, z. Rrok Ndoci, z. Pretash Gjeka, Z. Noc Lumaj, organizatori për mbledhjen e fondeve dhe buxhetin e këtij monumenti. Më lejoni që me këtë rast tu përcjell mesazhin e felenderimit më të përzemërta nga Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, z. Elmi Berisha, bir i Kosovës martire, e cila ashtu si Malësia e Madhe janë djegur e janë pjekur nga pushtuesit osmanë dhe ata sllavë. Po ashtu ju përcjell urimet më të ngrohta nga Nënkryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, biri i Shkrelit z. Alfons Grishaj, “Pishtar i Demokracisë” dhe Kryetarit i degës së Vatrës Michigan, z. Mondi Rakaj të cilët në emër të Vatrës kontribuan me një fond modest për këtë memorial. Po ashtu Kryesia e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, duke shprehur vlerësimin e saj më të thellë, dekoron heronjtë e Kastratit dhe të Shkrelit me titullin e saj më të lartë, MIRENJOHJA E ARTE me motivacionin: “Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime për pavarësimin e Shqipërisë nga Perandoria turke dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga pushtuesit serbo-malazazë, si një shembull monumental i patriotizmit dhe atdhe-dashurisë, si simbol i mbrojtjes së dinjitetit kombëtar dhe virtyteve më të mira të Malësisë së Madhe”. Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, dega Michigan i akordoi z. Gjok Luli Çertifikatën e Mirënjohjes me motivacionin: “Për kontributin ne dokumentimin dhe përshkrimin në librin e tij të historisë së Malësisë së Madhe, si dhe për iniciativën, punën dhe përkushtimin në nisjen dhe përfundimin e monumentit në Bajzë, kushtuar heronjve të Kastratit dhe të Shkrelit në luftë kundër turkut dhe shkjaut”. Vllazen dhe motra, ky monument sot lartësohet mbi gjakun e dëshmoreve, si amaneti i të parëve, dhe testament ndaj brezave të ardhshëm. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe lavdia e tyre. Urime Bajza e Kastratit, urime Malësia e Madhe, Zoti ju bekoftë” deklaroi në fjalën e tij përshëndetëse z.Valentin Lumaj Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Vlen të theksohet se dekorimi dhe mbështetja financiare e Federatës Vatra për këtë aktivitet nxjerr në dukje edhe një herë rolin dhe natyrën kombëtare të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra për të qëndruar gjithmonë në krah të aktiviteteve të cilat paraqesin dhe promovojnë vlerat dhe historinë e kombit shqiptar. Më pas përshëndeti përfaqësuesi i familjes Kurti, z. Ilmi Kurti, i cili kishe 12 te vrarë në këtë luftë heroike. Aktiviteti historik dhe kulturor vazhdoi me një program të zgjeruar artistik, ku përformuan live këngëtarë të njohur nga treva të ndryshme të Shqipërisë si: Vida Kunora, Gofile Papleka, rapsodi Pretash Nilaj etj. Ngjyrat festive dhe simbolet tradicionale kombëtare ishin vendosur gjithandej ku ra në sy edhe pjesëmarrja e Miss “Logu i Bjeshkëve” 2021 dhe vajzave malësore të veshura me xhubletë.