• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Te Lugina e Orës, ku Zvicra i paraprin së ardhmes energjitike të planetit

March 13, 2019 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

Emër vendi Watch Valley a nuk të kujton Silicon Valey? “Watch Valley” përfshin gjithë harkun zviceran të Maleve Jura, nga Bazeli në Gjenevë, ku është e përqëndruar industria zvicerane e orëve. Ky emërvend

është shumë më i hershëm se Silicon Valley  (Lugina e Silikonit) i Kalifornisë. Ai daton nga fillimi i Shekullit XV në Gjenevë, djepin e industrisë evropiane të orëve, duke u shtrirë në 200 kilometra vijimëse përgjatë Maleve Jura, ku spikatin prodhues të famshëm zviceranë të orëve si Breitling, Corum, Gallet, Girard-Perregaux, Movado, Patek Philippe, Rolex, TAG Heuer, Tissot, Ulysse Nardin, Chopard e të tjerë. Ndërsa Silicon Valley është shumë më e vonë, daton nga viti 1899, duke shënuar rajonin jugor të Gjiut të San Françiskos në Karolinën Veriore, quajtur më herët Lugina e Santa Klarës, e cila shërben si qendër globale për teknologjine e lartë, novacionin, mediat sociale e tjerë. Është një emërvend i përveçëm i pandashëm me një emër të madh të përveçëm si Steve Jobs.

E dimë të gjithë se Zvicra është një ndër paraprirëset kryesore të teknologjive të reja të përparuara në rrafsh planetar. Pak nga ne e dinë se në pararojë të kësaj sfide qëndron CSEM, Qendra Zvicerane e Elektroteknikës dhe Mikroteknikës.

CSEM dhe Strategjia Zvicerane e Energjisë 2050

Jemi këtu, në një veprimtari njëditore të APES në selinë qendrore të CSEM, në Neuchâtel për të biseduar me ekspertë të komunikimit, për të vizituar drejtpërdrejt proceset e përditshme të kësaj qendre dhe për të mësuar rreth sfidave me të cilat përballet dhe me vizionet që e udhëheqin.

Katastrofa bërthamore e vitit 2011 në Fukushima të Japonisë e vuri botën përballë pikëpyetjesh të mëdha rreth së ardhmes së tregjeve energjitike. Qeveria Zvicerane më 4 shtator 2013 miratoi një projektligj të ri për energjinë. Më 30 shtator 2016 u votua në Parlament. Qytetarët zviceranë reaguan me një iniciativë popullore që kërkonte tërheqjen e menjëhershme të Zvicrës nga centralet bërthamore (Nuclear Withdrawal Initiative). Më 27 nëntor 2016 populli e hodhi poshtë iniciativën. Por Qeveria e Zvicrës filloi të punojë për një vizion të ri të quajtur Strategjia Zvicerane e Energjisë 2050.  Kjo synon që, brenda kësaj date, e gjithë energjia që përdoret në vend të jetë nga burime të pastra.

Zotëri Lukas Gutzwiller, nga Zyra Federale Zvicerane e Energjisë, sektori i çështjeve Ndërkombëtare të Energjisë, na paraqet vizionin zviceran për messhekullin XXI. Zvicra, shpjegon ai, pas Norvegjisë dhe Austrisë është vendi i tretë evropian që përdor më shumë energji të pastër dhe kjo bazohet kryesisht në hidrocentralet. Norvegjia 95.8 për qind të energjisë e bazon në hidrocentralet, 1,8 për qind në erën, 1.5 për qind në termocentralet. Austria respektivisht 62.1 në hidrocentralet, 28.9 për qind tek termocentralet, 7.5 për qind tek centralet bërthamore, 1,5 për qind tek energjia e erës. Zvicra 59.7 për qind tek hidrocentralet, 33.4 për qind tek centralet bërthamore, 5 për qind tek termocentralet dhe pjesën tjetër tek energjia e erës. Pason Suedia e cila bazohet kryesisht tek hidrocentralet dhe centralet bërthamore, pastaj Italia që bazohet kryesisht tek termocentralet, Franca që bazohet gjerësisht (76.5 për qind) tek centralet bërthamore, Gjermania kryesisht tek termmocentralet (62.2 për qind). Si hapësirë e Bashkimit Evropian mbizotërojnë termorcentralet (48.1 për qind) dhe centralet bërthamore (26.4).

Ndonëse shumë i pasur me burime ujore, vendi nuk mund të mbështetet në të ardhmen tek hidrocentralet, për arsye që kanë të bëjnë me mbrojtjen e peizazhit. Ndërtimi i liqeneve të shumta e dëmton peizazhin, shpjegon ai. Prandaj orientimi i ri i vendit është tek shfrytëzimi gjerësisht i energjisë diellore, një energji e pashterrshme, e pastër dhe me një zgjerim të jashtëzakonshëm të fushëpërdorimit të saj. Kjo strategji përfshin, hap pas hapi, përdorimin gjithnjë e më të gjerë të automjeteve me energji diellore, rinovimin e ndërtesave duke i përshtatur për panelet diellore

Kolegët tanë i bëjnë pyetje nisur kryesisht nga veçoritë e sfidave energjitike me të cilat përballen vendet e tyre. Ndërsa pyetja jonë është e lidhur me të ardhmen energjitike të Shqipërisë, tejet e pasur me lumenj të rrëmbyeshëm, por që kundërshtohet për shkak të synimeve të mbrojtjes së mjedisit, pra, për të mos lejuar dëmtimin e peizazhit. “Jam në dijeni të debatit që vazhdon në Shqipëri rreth ndërtimit të hidrocentraleve të rinj. Shqetësim kryesor përbëjnë hidrocentralet e vegjël, pikërisht sepse dëmtohet peizazhi, na thotë z. Gutzwiller. – Megjithatë, ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël pa liqene, por vetëm me turbina, është i pranueshëm.”

Sistemet fotovoltaike dhe procesi i shndërrimit të dritës diellore në energji elektrike

Zonja Aline Di Iullo-Basin, nga Komunikimi i Strategjisë i CSEM, përqëndrohet tek panelet diellore, si objekti kryesor i kërkimeve të këtij institucioni dhe tek ardhmja e energjisë diellore në përgjithësi, me shtrirje gjithnjë e më të gjerë në fushat e ndryshme të jetës. CSEM, na thotë shpjegon më tej ajo, është një përshpejtues i novacionit teknologjik të vendit, një katalizator për transferimet e teknologjive dhe dijeve nga kërkimet tek industria. Roli i institucionit përfshin katër qëllime kryesore: – zhvilimin dhe ruajtjen e platformave teknologjike, integrimin dhe kombinimin e teknologjive në sisteme zbatuese, përkryerja e teknologjive deri në marrjen në dorëzim të tyre nga klientët induastrialë dhe procesi i transferimit të vazhdueshëm të teknologjive tek industritë.

Ndërsa zonja Laure-Emmanuelle Perret-Aebi, kryetare seksioni në modulet dhe sistemet fotovoltaike të CSEM na flet për vetë procesin e shndërrimit të dritës diellore në energji elektrike. Këtë proces e realizojnë pikërisht qelizat fotovoltaike, të cilat prodhohen në mënyrë laboratorike në repartin e posaçëm të këtij institucioni. Prej tyre krijohen panelet diellore që vendosen në fasadat e shtëpive, në çatitë e tyre dhe në mjedise të tjera të posaçme për prodhimin e energjisë elektrike nga drita diellore. Vetë termi photovoltaic është i përbërë nga fjala greke “photo” (foto) – dritë, dhe fjala voltaike, që vjen nga mbiemri i shkencëtarit Aleksandër Volt, zbulues i madh në fushën e elektricitetit.

Ne vizituam repartin e mikroteknologjive. Shoqëruesit tanë na shpjegojnë se mikroteknologjitë janë më të përparuara se nanoteknolgjitë. Në ordinatorët e shumtë pamë mikro-robotë që punonin pa pushim me grimca të pakapshme nga syri i njeriut. Secili prej këtyre, na thanë, është një fabrikë me vete. Ata punonin në projekte të reja orësh super të sofistikuara, të cilat pastaj iu dorëzohen kompanive zvicerane sponsorizuese të CSEM. Të tjerë punonin në projekte të tjera për mjekësinë, matës të sakë të parametrave jetësorë të pacientëve, projekte të tjera për të cilat janë të interesuara kompani të tjera zvicerane, edhe ato bashkësponsorizuese të institucionit.

Vizituam gjithashtu sektorin më të rëndësishëm, atë të qelizave fotovoltaike, falë të cilit industria fotovoltaike e Zvicrës qëndron në ballë të novacionit teknologjik në rrafsh botëror. Në një sallë të madhe, në një mjedis të pastër absolutisht steril, janë të vendosur reparte të teknikave të larta, reparte ku provohet funksionimi i moduleve të qelizave fotovoltaike, laboratorët ku kryhet krejt cikli i prodhimit të paneleve diellore. Ne pamë procesin: si prodhohen qelizat, si ato grupohen pastaj në bashkësi të ndryshme, sipas funksioneve që iu besohen, deri në prodhimin e plotë të panelit diellr. Në këtë repart mund të qëndrosh vetëm i veshur me uniformë të posaçme, ku pjesët e trupit të kenë sa më pak komunikim me mjedisin e repartit. Nuk lehohej asnjë fotografim, sepse gjithçka përbën sekret absolut.

Mikpritësit na shpjeguan se objektivi kryesor i sektorit fotovoltaik është mbështetja nga industrisë zvicerane në zhvillimin e produkteve të reja për 3 deri në 5 vitet pasuese. Mbi të gjitha, ky sektor synon zhvillimin e qelizave fotovoltaike sa më të lira, sa më të zbatueshme në prodhim dhe sa më të përkryera teknikisht. Në fasadën e CSEM ne pamë një panel gjigant diellor. Dhe përfytyruam për një të ardhme të afërt çdo shtëpi me fasada të tilla. Shoqëruesit na shpjeguan se përdorimi i energjisë diellore po shtrihet në industrinë mjekësore, në industrinë e automjeteve, deri në industrinë e aviacionit, ndërsa në një të ardhme jo të largët ajo do të ketë monopolin e energjisë elektrike.

Në mënyrë që qelizat diellore të kenë kapacitet më të madh dhe kosto më të ulët prodhimi, vitet e fundit CSEM po punon me partnerët industrialë për të zëvendësuar qelizat fotovoltaike të silikonit me një material të ri fotovoltaik të quajtur perovskite, çka do të mundësojë që kapaciteti i qelizave diellore të rritet 25%, duke lejuar kështu shfrytëzimin më të mirë të spektrit diellor.

CSEM – vizionet industriale zvicerane

CSEM është një organizatë jofitimprurëse e krijuar më 1984 nga bashkimi i tri institucioneve kërkimore në fushën e mikroteknologjisë. Qeveria zvicerane në atë kohë ishte e shqetësuar se Zvicra po humbe terren krahasuar me vendet fqinje në fushën e teknologjive të reja. Ajo nxiti krijimin e një qendre të re kërkimore dhe zhvillimore. Neuchâtel, i famshëm tashmë për traditën e gjatë në prodhimin e orëve dhe në mikroteknologji, u pa si vendi ideal për qendrën e re të novacionit.

E përbërë nga 450 punonjës nga 40 vende të botës, kjo qendër kërkimi dhe zhvillimi përqëndrohet sidomos në mikroteknologji dhe nanoteknologji, si dhe në teknologjinë fotovoltaike. Financimi i tij bëhet 32 për qind nga qeveria federale, 29 për qind  nga kompanitë industriale, 12 për qind nga kantonet, 9 për qind nga projektet e Bashkimit Evropian, 13 për qind nga industria e kompjuterëve dhe telefonave, 5 për qind nga projekte të veçanta publike. Personeli i CSEM është tejet i kualifikuar: 37 për qind është me doktoraturë shkencore, 29 për qind me mastër, 12 për qind është me diploma të larta, pjesa tjetër teknikë të mesëm, personel ndihmës e tjerë.

Siç e tregon emërvendi, Lugina e Orës, “Watch Valley”, CSEM u parapri nga tradita e gjatë e industrisë së orëve. Në vitet 1960, kur mikroelektronika ishte në fillimet e saj, personalitete vizionare krijuan qendrën e orëbërjes në Neuchâtel (CH). Ata kishin ndjesinë se kjo teknologji e re mund të kishte perspektiva të forta. Më 1967, ora elektronike me kuarc që zhvilluan ata, u paraqit në ekspozitën e përvitshme të Swiss Chronometry Society, ku konkurronte saktësia e orëve japoneze dhe atyre zvicerane.

Për rrjedhim, më 1968 orët zvicerane fituan çmimet e para. Industrializmi dhe tregtimi i orëve me kuarc gjithsesi ndeshi në vështirësi, orët zvicerane përjetuan një krizë të rëndë në vitet 1970, e cila përfundoi me daljen e Swatch, orë zvicerane kuarci në vitet 1980.

Përkryerja e orëve me kuarc vazhdoi në mënyrë të pashoqe në aspektin e mikroelektronikës. Tiparet e veçanta të saj përmblidhen në këto tri terma: saktësi, zvogëlim i vazhdueshëm dhe konsumim gjithnjë e më i pakët i energjisë.

Duke qenë të vetëdijshëm se kjo përvojë mund të zhdukej përballë krizave të mundshme të prodhimit të orëve, ekspertët kantonalë dhe në shkallë vendi u mobillizuan në vitet 1980 dhe krijuan një institucion të tërë kërkimor dhe zhvillues. Kështu mori formë CSEM i sotëm, një organizatë e bazuar në partneritet publik dhe privat, kantonal dhe konfederativ, ku partnere të rëndësishme janë kompani të fuqishme të prodhimit të orëve, mjekësore dhe energjitike.

Synimi i CSEM është gjithashtu zbulimi i hapësirave të reaj të aplikimit. Sot institucioni punon për industri që përdorin teknologji sa më të imta me sa më pak konsum të energjisë. Kështu CSEM e gjen veten tashmë në teknikën mediatike, energji, transporte dhe telekomunikacion. CSEM ka 5 qendra në Zvicra dhe bashkëpunon me 200 patnerë industrialë në Zvicër dhe jashtë vendit. Politika e institucionit është përparësia ndaj kompanive zvicerane, përderisa misioni i institucionit është transferimi i teknologjive të reja të përparuara tek ekonomia zvicerane. Zvicra kështu do të vazhdojë të jetë një ndër paraprirëset kryesore të teknologjive të reja të përparuara në rrafsh planetar. Dhe në në pararojë të kësaj sfide do të jetë gjithnjë CSEM, Qendra Zvicerane e Elektroteknikës dhe Mikroteknikës./ Fotot Jean Musy

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasadori Kyle Scott, Elida dhe Skender Bucpapaj, Lugina e Oreve

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT