• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

February 13, 2023 by s p

Luljeta Xhediku

New York/

Kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. mblodhi anëtarë, të ftuar nderi e miq të saj mu në zemër të Manhattan-it për të festuar 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. 15 vjet që nga dita kur Kosova frymon e lirë, është një festë tejet e madhe për të mëdhenj e të vegjël. Sa shumë e mbajtëm frymën për ta parë këtë ditë, sa bij e bija nënash e shkruan lirinë me gjakun e tyre. Sa engjëj të pafajshëm u sakrifikuan ende pa ardhur në jetë nga dora gjakatare e pushtuesit serb. Oh, Kosovë, vetëm zemra jote i di lotët e vuajtjet, sakrificat e mundimet që më në fund të bënë ty të lirë e prandaj këta miq të tutë Kosovë, u mblodhën për të festuar lirinë tënde. Gëzuar Kosovë! Gëzuar 15-vjetorin e lirisë të urojmë ne një grup i vogël, por me një zemër të madhe që jemi mbledhur së bashku në Amerikën e largët. Aktivitetin e drejtoi znj. Alketa Veshi, Znj. Veshi ftoi në skenë grupin artistik “Skënderbej”, i cili u përgatit nga znj. Adelina Lacaj për të vallëzuar nën tingujt e këngës “Oh sa mirë me qenë shqiptar”. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z. Imer Lacaj, i cili duke i uruar pavarësinë Kosovës ndër të tjera theksoi: “Kosova ka derdhur gjak gjatë gjithë historisë së saj për të arritur këto të drejta të ligjshme. Vetëm 15 vjet më parë edhe me ndihmën e aleatëve të saj veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo fitoi pavarësinë dhe të drejtat e saj për të qenë shtet i pavarur”. Të gjithë shqiptarët kudo në botë sot nderojnë kujtimin e trimërinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë kundër pushtuesve serbë dhe për të fituar pavarësinë që gëzojnë sot”. Pas z. Lacaj, Elisa Qehaja ftoi një mik të veçantë të shqiptarëve për fjalën e tij përshëndetëse, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, z. William Walker, i cili demaskoi masakrën e Recakut që ndodhi më 15 janar 1999. Z. Walker është gdhendur në zemrat e popullit të Kosovës, i cili e njeh si trimin që nuk kishte frikë të denonconte të vërtetën dhe si adhurues i të drejtave të njeriut. Ambasadorit Walker iu dorëzua një pllakatë Mirënjohjeje. Përshëndetjet vijuan me z. Fran Shkreli, publicist i njohur në Diasporë, z. Mark Qehaja, kryetar Nderi i shoqatës “Skënderbej” Inc. z, Blerim Gjocaj, luftëtar i UÇK-së dhe pjesëmarrës direkt në luftë, Zamira Lacaj, pjesëmarrëse në forcat amerikane të ruajtjes së paqes në Ferizaj dhe z. David Tubiolo, ligjvënës në Westchester County.

Qerim Gjocaj dhe Paulin Gega kënduan: “Në Dardani bjen një tupan”.

Pjesa e dytë e programit vijoi me referime.

Referimi i parë u mbajt nga z. Sokol Paja, editor i gazetës më të madhe në Diasporën shqiptare “Dielli”, organ qendror i konfederatës pan shqiptare “Vatra” me temë “Qëndrimet mbi Gjykatën Speciale dhe Pasqyrimi në gazetën “Dielli”.

Referimi i dytë u mbajt nga profesor Paulin Marku me temë: Përpjekjet e vazhdueshme të diplomacisë ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës për organizimin e shtetit dhe shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Referimi i tretë vijoi nga z. Shpend Gjocaj, ish-kryetar i Unionit të Studentëve në Kosovë, pjesëmarrës direkt dhe drejtues në luftën për çlirimin e Kosovës me temën: Bashkimi i të gjithë shqiptarëve rreth UÇK kishte një qëllim: Çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë.

Anëtari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z. Edit Dautaj, ish-ushtarak dhe studiues për problemet ushtarake referoi mbi temën: Ndërhyrja ajrore e NATO-s dhe përdorimi i

teknologjisë moderne në luftën e Kosovës.

Një moment sa çlodhës po aq edhe emocionues erdhi nga grupi i valleve “Skënderbej”, i cili luajti vallen e Pavarësisë që i dha ngjyrat e paqes aktivitetit. Në pjesën e tretë të programit u promovua libri “Abdyl Gjocaj, mësues e luftëtar, rrëfime dhe kujtime” shkruar nga Profesor Asoc. Dr. Besim Muhadri, shkrimtar dhe ligjërues në universitetin “Fehmi Agani, në Gjakovë. Rreth librit komentuan z. Sokol Paja editor i gazetës Dielli, z. Mhill Velaj, kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.

Në këtë aktivitet u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për z. Qerim Gjocaj dhe Blerim Gjocaj anëtarë të të shoqatës dhe luftëtarë të UÇK-së dhe z. Mhill Velaj. Certifikatat u dorëzuan nga z. Bashkim Shehu, kryetar Nderi i shoqatës dhe z. Asllan Bushati. Aktiviteti u mbyll me disa poezi të interpretuara nga grupi “Skënderbej” dhe poezi kushtuar Kosovës nga z. Isa Brecani dhe kënga e kënduar nga Qerim Gjocaj: Jem Ilira jem Teuta. Edhe një herë shoqata “Skënderbej” Inc. uron njëzëri: festofsh përjetësisht pavarësinë Kosovë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Luljeta Xhediku

Atmosferë e magjishme festash nga shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” për banorët e Westchester County

December 31, 2022 by s p

Luljeta Xhediku

New York/

Kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. organizoi një program festiv me rastin e festave të fundvitit për banorët e Westchester County, në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Grupi artistik “Skënderbej” dha një shfaqje për banorët e Westchester County, duke u uruar të gjithë banorëve të kësaj zone: Gëzuar festat e fundvitit dhe Vitin e Ri 2023! Shfaqja e përgatitur u dha në qendrën kulturore “Nënë Tereza” pranë kishës katolike, “Zoja e Shkodrës” në Harstdale, Nju Jork. Atmosfera e krijuar ishte e magjishme dhe i gjithë grupi artistik vallëzoi hareshëm për të kënaqur të gjithë pjesëmarrësit. Në ekran shfaqej i gjithë historiku 5-vjeçar i shoqatës, ndërkohë që grupi performonte në skenë. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, z. Imer Lacaj, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe uroi që marrëdhëniet midis dy shteteve atij shqiptar e amerikan të forcohen akoma më tepër. Z Lacaj u shpreh: “Gëzuar Vitin e ri 2023 dhe paçi sa më shumë lumturi në familjet tuaja, grupi artistik ka përgatitur një program të shkurtër dhe të bukur dhe ju ftojmë që ta shijoni”. Përveç banorëve të zonës, të pranishëm ishin edhe z. Santiago Kacares dhe Ken Switzer, përfaqësues nga zyra e ligjvënësit në Weschester County, z. David Tubiolo, dy ish-kryetarët të cilët tani mbajnë titullin Kryetar Nderi, z. Bashkim Shehu dhe z. Mark Qehaja, si dhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, z. Mhill Velaj. Hijeshinë këtij programi ia shtoi me prezantimin e saj plot delikatesë, Elisa Qehaja. I gjithë programi artistik nuk mund të realizohej pa kontributin e jashtëzakonshëm të balerinit z. Klevis Tafaj dhe punës së palodhur të znj. Adelina Lacaj. Programi u hap nga udhëheqësi artistik i grupit “Skënderbej”, Klevis Tafaj, i cili interpretoi solo vallëzimin “Arrëthyesi” (Prince Variation Nutcraker). Ushtari i UÇK-së, z. Qerim Gjocaj, këndoi një këngë kushtuar heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Më pas në skenë u performua vallja e Tropojës. Balerina e ardhshme, Ilira Memija, interpretoi shkëlqyeshëm baletin “Arrëthyesi”. Z. Paulin Gega dhe djali i tij kënduan këngën: 3 Gjergjat duke luftuar për kombin tonë. Një tjetër performancë e balerinës së ardhshme, Ilira Memija ku ndërthurej baleti klasik me atë modern do të elektrizonte sallën dhe më pas një poezi për Adem Jasharin interpretuar nga z. Isa Brecani. E si mund të përcillej kultura e tradita shqiptare pa instrumentin e trashëguar nën shekuj që i dha jetë dhe gjallëri sallës, lahuta e lashtë luajtur nga z. Marash Pali. Z. Pali u shpreh se “është një gjë e mrekullueshme që keni krijuar këtë shoqatë dhe kultivoni kulturën tonë, se kultura jonë është një kulturë që e njeh gjithë bota dhe është mëkat shumë i madh që ta lëmë pas dore. Gjithashtu, z. Marashi tha se ai ndien që lahuta po i thotë që të mos e lëmë pas dore, se lahuta është instrumenti i parë që ka shërbyer si mjet komunikimi atëherë kur nuk kishte as shkrim e as këndim”.

Serenatat korçare të kënduara nga grupi sollën aromë dhe dashuri Korçe në sallë ashtu siç është edhe mesazhi i festave të fundvitit. Udhëheqësi artistik, z. Klevis Tafaj dhe Erla Lamçe vallëzuan valsin “Princesha e babit” nga Waltz Dance. Valsi u duartrokit nga fëmijët në sallë dhe ata nuk ngurruan të futeshin dhe vallëzonin së bashku me ta. Drejtuesi artistik i programit, maestro z. Klevis Tafaj, duke falënderuar të gjithë të pranishmit falënderoi në mënyrë të veçantë të gjithë grupin për punën e palodhur për përgatitjen e këtij programi, pasi në këtë mënyrë ne paraqesim kulturën tonë dhe prezantojmë denjësisht komunitetin tonë. Më pas një valle tradicionale pogonishte ku mund të vallëzonin edhe të ftuarit. Kënga përmbyllëse kuqezi që përfaqëson ngjyrat e flamurit më të bukur në botë, e cila u vallëzua me flamuj shqiptarë në duar na dhuroi emocionet që mund t’i kuptojnë vetëm ata që jetojnë larg mëmëdheut. DJ Brian Qela kënaqi me muzikë festive për të pranishmit. Anëtarët e grupit artistik edhe vetë u mallëngjyen nga suksesi që ata patën, pasi ishte hera e parë që ata performuan për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe kuptuan se sa fuqi kanë kur ata bëhen bashkë dhe se sa shumë shkëlqejmë të bashkuar. Të lumtur nga përmbyllja me sukses e këtij viti, kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane uron të gjithë shqiptarët anembanë botës: Gëzuar Vitin e Ri 2023!

Filed Under: Komunitet Tagged With: Imer Lacaj, Luljeta Xhediku

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. feston me madhështi 5-vjetorin e themelimit të saj

December 12, 2022 by s p

Luljeta Xhediku

New York/

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi me madhështi 5-vjetorin e themelimit të saj. Anëtarët e kësaj shoqate, si dhe të ftuarit e nderit u mblodhën së bashku për të festuar këtë 5-vjetor të shoqatës që si moto ka mbajtjen gjallë të atdhedashurisë, gjuhës, kulturës e traditave tona, si dhe t’u trashëgojmë brezave të rinj historinë tonë kombëtare. Kryesia e shoqatës, nën drejtimin e kryetarit të saj, z. Imer Lacaj, organizoi një aktivitet të larmishëm që do të bënte të ndihej si në Shqipëri të madh e të vogël në atë sallë të zbukuruar plot hijeshi me simbolet shqiptare dhe të shoqatës. Programin e drejtuan në mënyrë tejet profesionale dy anëtarë të nderuar të kryesisë siç janë znj. Alketa Veshi, që mban edhe postin e sekretares dhe luftëtari i UÇK-së, Qerim Gjocaj, anëtar i kryesisë. Programi u hap me këndimin e dy himneve kombëtare atij amerikan dhe shqiptar. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane, z. Imer Lacaj, i cili duke falënderuar të gjithë të pranishmit në sallë edhe të gjithë ata që kanë kontribuar në themelimin e kësaj shoqate veçanërisht punën e palodhur të dy kryetarëve të nderit, z. Bashkim Shehu, dhe z. Mark Qehaja, z. Qemal Zylo, drejtor i shkollës dhe tv “Alba Life”, Very Taushllari, Përparim Likollari, Isa Brecani dhe Sait Seci. Z. Lacaj i njohu të pranishmit me të gjitha aktivitetet e suksesshme që kjo shoqatë ka bërë në këta 5 vjet dhe u uroi të gjithëve gëzuar e kështu si sot festofshin gjithmonë. Z. Lacaj në këtë 5-vjetor ndër të tjera theksoi: “Jemi mbledhur sot që të nderojmë e festojmë me krenari 5-vjetorin e themelimit të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. Ndihem krenar dhe i privilegjuar që më takoi mua si kryetar i zgjedhur për mandatin tim për të mbajtur fjalën e rastit dhe për të përshkruar shkurtimisht historinë e themelimit të shoqatës sonë. Nuk e besoja kurrë në ditën e themelimit që një ditë do të bëhesha kryetar i saj, por kam marrë pjesë në mbledhjen e themelimit, kam qenë dëshmitar e aktivist i të gjitha aktiviteteve dhe ndryshimeve në shoqatën tonë”. Pas z. Lacaj në podium për të përshëndetur 5-vjetorin u ngjit z. Bashkim Shehu, nismëtar dhe pjesëmarrës në mbledhjen e themelimit të shoqatës, njëkohësisht edhe kryetar nderi i saj. z. Shehu, i cili theksoi se ndihej shumë krenar për të gjithë anëtarët e shoqatës për kontributin e tyre edhe gjithashtu pjesëmarrësit që bashkëthemeluan këtë shoqatë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm si z. Mark Qehaja dhe z. Qemal Zylo. Më pas në podium do të ngjiteshin për të përshëndetur personalitete të shquara të Diasporës shqiptare si Dr. Pashko Camaj, nënkryetar i konfederatës “Vatra”, Fran Shkreli, publicist i shquar, z. Sokol Paja, editor i gazetës “Dielli”, z. Qemal Zylo, pjesëmarrës në themelimin e shoqatës shqiptaro-amerikano “Skënderbej” dhe president i shkollës shqipe dhe TV “Alba Life”, si dhe themeluesi dhe njëkohësisht kryetari i Nderit, z. Mark Qehaja. Qehaja duke uruar gëzuar 5-vjetorin u shpreh: “ 5 vjet nuk janë pak për shoqatën tonë kur mendon nga e nisëm. Gjatë këtyre 5 viteve shoqata jonë është rritur duke u bërë një nga më të njohurat e me aktivitet si në komunitetin shqiptar e Diasporë , por edhe më gjerë duke u shtrirë në të gjitha trojet shqiptare”. Programi artistik u hap nga grupi i valleve “Skënderbej”, të cilët të veshur me kostume popullore shqiptare ndezën atmosferën duke interpretuar “Vallen e Tropojës”.

Kryesia shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. për kontributin dhe përkushtimin në realizimin me sukses të aktiviteteve të shoqatës nderoi me certifikata mirënjohjeje disa anëtarë të saj dhe personalitete të njohura si: z. James Mandel, z. Bashkim Shehu, z. Mark Qehaja, z. Pashko Camaj, z. Sokol Paja, z. Qemal Zylo, z. Lekë Preçi, znj. Arta Xhaferi, znj. Alketa Veshi, z. Përparim Likollari, z. Esat Seci, z. Isa Brecani, znj. Liri Godosis, z. Klevis Tafaj dhe z. Asllan Bushati.

Më emocionues festimin e 5-vjetorit e bëri pranimi i anëtarëve të rinj, të cilët ishin shumë entuziastë për t’u bërë pjesë e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. ata ishin: Elvis Shega, Arbër Lleshi, Shkëlzen Manuka, Melita Cekani, Ergys Tafaj, Lidmir Hatia, Lindita Hatia, Paulin Gjegjaj, Hafije Qyqalla. Atmosfera festuese vazhdoi me një valle përshëndetëse nga grupi i fëmijëve “Bijtë e Shqipes”, të cilët performuan “Vallen Shqiptare”, një poezi kushtuar shoqatës nga rapsodi popullor, Isa Brecani, një këngë nga grupi “Skënderbej” “Bedri Shala”, performanca e grupit “Treva” me drejtues Fran Kodrën, si dhe një performancë me lahutë nga Shaban Lajçi dhe Hysen Kurtaj nga Rugova. Sallën e zbukuruan pikturat e punuara me mjeshtëri nga znj. Melita Cekani, e cila i ekspozoi enkas për 5-vjetorin e shoqatës. Më pas festa vazhdoi nën tingujt e muzikës me këngëtarët Entela Ilirjani, Edmond Nikolli, si dhe DJ Dritan Papa. Suksese shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. dhe festofsh përvjetorë pa fund!

Filed Under: Reportazh Tagged With: Luljeta Xhediku

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi me madhështi 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Amerikë

June 21, 2022 by s p

Luljeta Xhediku/

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi me madhështi, nën drejtimin e kryetarit të saj, z. Imer Laçaj dhe kryesisë, 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Amerikë, dy shteteve kaq të rëndësishme për ne. I pari është vendi ynë, vendi amë nga ku kemi rrënjët tona dhe i dyti është kjo tokë e bekuar ku po ndërtojmë jetën tonë dhe të fëmijëve tanë. Çdo gjë ishte mirëorganizuar, që nga anëtarët e shoqatës që ishin rreshtuar për të pritur të ftuarit, duke u dhënë dorën përzemërsisht pjesëmarrësve, e deri te flamujt e tullumbacet me flamurin shqiptar e atë amerikan të vendosur në çdo tavolinë. Një kënd tepër i rëndësishëm ishte rezervuar për disa foto, të cilat u publikuan për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe janë dhuruar nga Biblioteka Noliane në Boston posaçërisht për shoqatën shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, me rastin e festimeve të 100-vjetorit. Në këto foto pasqyroheshin përpjekjet e komunitetit shqiptar për të krijuar marrëdhënie me shtetin amerikan. Programin e prezantoi në mënyrë tejet profesionale, sekretarja e shoqatës znj. Alketa Ktona Veshi. Programi u hap me këndimin me dorë në zemër, ashtu siç u takon dy himneve tona, atij amerikan dhe shqiptar. Fjala e hapjes së simpoziumit dhe drekës argëtuese u mbajt nga kryetari i shoqatës z. Imer Laçaj. Z. Laçaj u uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe anëtarëve të shoqatës në këtë event tepër të rëndësishëm siç ishte 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndër të tjera, z. Laçaj theksoi: “Të nderuar pjesëmarrës, ndodh rrallëherë në histori që një shtet kaq i madh sa është SHBA, me ekonominë më të fuqishme në glob, superfuqia më e madhe ushtarake botërore, simbol i përjetësimit të të drejtave të njeriut dhe të fjalës së lirë të ofrojë miqësinë dhe përkushtimin ndaj një populli të vogël siç është kombi ynë. Ne ndihemi me fat dhe krenar për këtë. Theksoj, vazhdoi zoti Laçaj se, lidhjet tona filluan me vendosmërinë e Presidentit Thomas Woodrow Wilson për mbrojtjen e territoreve të Shqipërisë dhe ruajtjen e pavarësisë së vendit tonë në Konferencën e Paqes që u mbajt në Paris më 18 janar 1919 deri më 21 janar 1920 dhe që përfundoi me krijimin e Lidhjes së Kombeve”. Sipas z. Laçaj, një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e marrëdhënieve dypalëshe, luajti dhe atdhetari, Fan Stilian Noli, themeluesi i “Vatrës”, që me diplomacinë e tij, arriti të takohej me Presidentin Wilson, dhe pikërisht dokumentet dhe fotot që po publikohen ekskluzivisht për këtë aktivitet pasqyrojnë veprimtarinë e Nolit. Pas kryetarit Laçaj, përshëndeti simpoziumin dhe aktivitetin Kryetari i Nderit i shoqatës, z. Bashkim Shehu. Z. Shehu, pasi falënderoi kryetarin e shoqatës, z. Imer Laçaj, për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm theksoi se: “Sot ne jemi mbledhur për të kujtuar një nga ditët më të shënuara të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikërisht jubileun e 100, të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Për rëndësinë e kësaj dite ne do të kemi nderin të dëgjojmë një nga mendimtarët më të shquar shqiptaro-amerikan siç është profesor Frank Shkreli.” “Unë,” vazhdoi zoti Shehu, “gjithashtu dua të përgëzoj nga zemra dy nga anëtarët e Nderit të shoqatës, znj. Kozeta e z. Qemal Zylo, të cilët vetëm një javë më parë u dekoruan nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Gjithashtu, ai falënderoi të gjithë anëtarët e shoqatës dhe në mënyrë të veçantë ish-kryetarin e shoqatës, z. Mark Qehaja, për kontributin dhe punën e vazhdueshme për çështjen shqiptare.

Në emër të Konfederatës Panshqiptare “Vatra” përshëndeti përzemërsisht publicisti zoti Idriz Lamaj, i cili falënderoi kryesinë e shoqatës, për organizimin e kësaj ngjarjeje tërësisht historike siç është 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas fjalës përshëndetëse u mbajtën temat e simpoziumit.

Tema e parë “Komuniteti shqiptaro-amerikan dhe 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike “Shqipëri – Amerikë u referua nga profesor Frank Shkreli. Tema e dytë “Roli i shoqatës “Vatra”, në marrëdhëniet Shqipëri – Amerikë para viteve 1946 u referua nga Dr. Paulin Marku. Tema e tretë u mbajt nga ast. Prof. znj. Majlinda Tafaj me temë “Konteksti i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri- SHBA pas viteve 1990-1991”.

Për herë të parë, shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. në kuadër të këtij 100-vjetori prezantoi grupin e valleve “Skënderbej”, i cili u drejtua me profesionalizëm nga balerini i mirënjohur, z. Klevis Tafaj. Në këtë jubile, grupi i valleve luajti vallen e Tropojës. Koreografia e realizuar plot mjeshtëri nga drejtuesi artistik, Klevis Tafaj, njëkohësisht anëtar i shoqatës, interpretuar nga valltarët e grupit emocionoi të madh e të vogël dhe duartrokitjet ishin të panumërta. Emocionet e kësaj valleje bënë që më pas të gjithë të çoheshin e të vallëzonin nën tingujt e mrekullueshëm të muzikës sonë shqiptare të përzgjedhur nga D.J. Bujar Sadikaj, nga të gjitha trevat shqiptare, njëkohësisht anëtar i kryesisë së shoqatës. Gjithashtu, një moment tepër të rëndësishëm mori edhe prezantimi i website-it të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. nga inxhinieri teknik, z. Ervin Toro. Qershia mbi tortë e këtij aktiviteti do të ishte interpretimi plot pasion i poezisë “Një shekull marrëdhëniesh në miqësi” nga znj. Majlinda Tafaj dhe shkruar nga publicistja e njohur, znj. Bukurije Buçpapaj. Aktiviteti u mbyll nën një atmosferë tepër festive mes miqsh, duke shtrënguar duart me njëri-tjetrin ashtu siç edhe marrëdhënia e dy shteteve tona do jetë gjithmonë.

New York, 20 qershor 2022

Filed Under: Komunitet Tagged With: Luljeta Xhediku

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu” përjetësohet në New York

May 25, 2022 by s p

Luljeta Xhediku/

Emri i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përjetësohet në një nga rrugët e metropolit botëror, qytetit që kurrë nuk fle, New York. Emocione të papërshkrueshme me fjalë ato që çdo shqiptar që ishte i pranishëm sot në inaugurimin e rrugës me emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në lagjen Bronx të qytetit të New York-ut, por akoma më të forta këto emocione ishin për anëtarët e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., të cilët nën drejtimin e kryetarit z. Imer Lacaj dhe kryesisë së saj morën pjesë në këtë event madhështor për të gjithë shqiptarët. Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., nën një organizim tepër dinjitoz, ku të gjithë anëtarët ishin veshur me ngjyrat e flamurit kuqezi, për të nderuar heroin tonë kombëtar dhe popullin shqiptar ishin pjesë dhe sponsor të këtij eventi. Kjo ngjarje historike për popullin shqiptar u hap me parakalimin me kuaj të policisë amerikane dhe më pas me këndimin e dy himneve kombëtare, atë amerikan edhe atë shqiptar nga këngëtarja  që mban titullin Mjeshtër i Madh, Merita Halili. Interpretimet e shkëlqyera të grupit arbëresh, “Shqiponja”, të cilët jo vetëm kënduan e vallëzuan në tingujt e muzikës shqipe, por edhe folën gjuhën tonë të bukur emocionoi pjesëmarrësit. Me duartrokitje të zjarrta u mirëprit lideri i shqiptarëve, ish-këshilltari i Bashkisë së New York-ut, z. Mark Gjonaj. Z. Gjonaj u shpreh se “Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për komunitetin shqiptar në New York, sepse ne rikujtojmë heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Unë shpresoj se kjo ngjarje do të lerë kujtime të paharruara për ju dhe brezat që do vijnë”. Z. Gjonaj ftoi të ngjitet në podium kryetarin e Bashkisë së New York-ut, z. Eric Adams. Kryetari i Bashkisë së New York-ut, z. Eric Adams, duke bërë me duar shqiponjën dykrenare tha: “Ky është një komunitet i mrekullueshëm, ndërsa unë ec nëpër qytet, unë flas për njujorkezët e mirë, unë flas për njujorkezët që zgjohen çdo ditë, shkojnë në punë çdo ditë, ngrenë qepenin e dyqanit, fshijnë,  punojnë 14-15 orë, ata nuk shkojnë nëpër dyqane të qëllojnë, por  janë pronarë të këtyre dyqaneve, dhe hapin vende pune për njujorkezët, ata nuk flasin kundër policisë, por ata e mbështesin policinë, unë kur flas për njujorkezët e mirë e kam fjalën për komunitetin shqiptar, të cilët prezantojnë njujorkezët e mirë,  që janë punëtorë të zotë e të dedikuar, që jetojnë një jetë cilësore që ne meritojmë në qytet. Kjo ditë e vënies së emrit të heroit tuaj kombëtar të një rruge është një ditë e rëndësishme, dhe çdokush që kalon në këtë rrugë do të shikojë emrin dhe do të thotë se ne duam të njihemi në qytet nën këtë emër që simbolizojmë. Më pas fjalën e mori senatori amerikan, Chuck Schumer.  Senatori Schumer në fjalën e tij theksoi “Unë e dua këtë komunitet, sepse ju jeni më të mirët e Amerikës, shumë njerëz erdhën këtu në vitet ’60, ’70, ’80 edhe gjëja e vetme që donit të bënit ishte të punonit shumë dhe të siguronit një jetë më të mirë për fëmijët tuaj dhe ju ja dolët. Unë dua të përgëzoj një shqiptar të mrekullueshëm që e filloi si një recepsionist dhe sot është pronar i ndërtesave të tij. Senatori Chuck Schumer vijoi se ne duhet ta mbajmë mend historinë tonë, “historia e shqiptarëve është një histori shumë e bukur, sepse shumë kombe u përpoqën ta copëtonin Shqipërinë, por Shqipëria rezistoi”. Në fund, senatori u uroi jetë të gjatë shqiptarëve kudo janë dhe kërkoi bekimin e Zotit mbi shqiptarët  dhe premtoi se do të ngrinte zërin për ata në Uashington çdo ditë. Aktiviteti vijoi me interpretime dhe performanca nga artistë të shquar shqiptarë, si dhe valle të ndryshme nga trevat tona. Të gjithë të pranishmit u ndien krenar që një rrugë në New York, qyteti i ëndrrave për të gjithë shqiptarët, mban emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Anëtarët e shoqatës pas këtij eventi u mblodhën së bashku për të diskutuar për aktivitetet  e ardhshme të kësaj shoqate që ka si mision ruajtjen e identitetit tonë kombëtar dhe përcjelljen e vlerave në brezat e ardhshëm.                           

Filed Under: Komunitet Tagged With: Luljeta Xhediku

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT