• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Basha: Kalendari i reformës në drejtësi në pikëpyetje

July 12, 2018 by dgreca

Nga Arben Xhixho/

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Uashington, ku të enjten mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Instituti “Hudson”, lidhur me marrëdhëniet transatlantike. Në një intervistë që i dha të mërkurën Zërit të Amerikës, zoti Basha ndalet në problemet e fundit me të cilat ndeshet Shqipëria, si ngërçi lidhur me shkollën e magjistraturës, ligji për teatrin kombëtar, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Zoti Basha po ashtu iu përgjigj edhe pyetjeve lidhur me kontratat që Partia Demokratike ka nënshkruar me firma lobuese amerikane.

1 Basha

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, cili është synimi i qëndrimit tuaj në Uashington këto ditë?

Lulzim Basha: Falemnderit për ftesën! Jam këtu me një ftesë të Institutit Hudson, i cili së bashku me Institutin Republikan Ndërkombëtar IRI dhe me think tank-un e Partisë Popullore Europiane, Institutin Martens, kanë organizuar në Uashington konferencën e 9 transatlantike, që ka mbledhur bashkë politikanë, eurodeputetë, deputetë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, kongesmenë, senatorë dhe njerëz të think tank-eve amerikane për të diskutuar gjendjen aktuale të marrëdhënieve trans-atlantike dhe për të diskutuar për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve, po kështu edhe të NATO-s.

Zëri i Amerikës: Muajin e kaluar ju keni nënshkruar një marrëveshje të re lobimi me një firmë amerikane për një shumë prej 40 mijë dollarësh, për një periudhë katër mujore, pra, 10 mijë dollarë në muaj. Për çfarë keni nevojë për të lobuar në Uashington, kur marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera, siç pohojnë të dyja palët dhe të dy vendet janë partnere?

Lulzim Basha: Nuk ka diskutim, por problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria kanë nevojë për një ekspozim të plotë dhe të gjithanshëm, në veçanti sa u përket institucioneve, të cilat merren me këto probleme. Pikërisht këtu kemi kërkuar ndihmën e një kompanie, e cila është e specializuar në veçanti sa i përket krimit të organizuar, narkotikëve dhe terrorizmit. Pikërisht ky është edhe qëllimi i kësaj kontrate: hartimi i një strategjie kundër krimit të organizuar dhe kundër trafikut të drogës, e cila do të bëjë pjesë në planin, programin dhe vizionin e partisë demokratike, së bashku me komponentin ekonomik, të cilin e kemi mbaruar tashmë me partnerët tanë gjermanë, me anë të cilave do t’u ofrojmë shqiptarëve vizionin tonë për të çmontuar kapjen e shtetit nga interesat kriminale, kapjen e shtetit nga interesat e rrjeteve kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, dhe për t’u dhënë shqiptarëve një vend të sigurtë, me një ekonomi të sigurtë e të fortë, ku nuk dikton paraja e krimit dhe drogës, po ku dikton puna e ndershme dhe mundësia për të gjithë.

Zëri i Amerikës: Një kontratë e mëparshme lobimi e Partisë Demokratike me firmën Muzin Capitol Partners ka ngjallur mjaft debate. Madje në Shqipëri Partia Demokratike është në hetim lidhur me këtë kontratë. Bëhet për një pagesë prej mbi gjysmë milionë dollarësh. Firma Muzin vet ka deklaruar tre pagesa; një prej tyre ju e keni pranuar tashmë pra, 25 mijë dollarësh. Janë edhe dy të tjera, por dua të ndalem tek shuma më e madhe prej 500 mijë dollarësh, për të cilën ju jeni shprehur në Shqipëri fillimisht se është bërë nga një grup shqiptaro-amerikanësh. Më pas duket sikur ju jeni tërhequr nga kjo thënie. Cila është e vërteta e kësaj pagese prej 500 mijë dollarësh?

Lulzim Basha: E vërteta është se Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë dhe ka bërë ato pagesa që ka bërë. Ndryshe nga Partia Socialiste, e cila…

Zëri i Amerikës: Partia Demokratike ka bërë një pagesë, siç thotë firma Muzin në deklaratën e saj, prej 500 mijë dollarësh.

Lulzim Basha: Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë, që e ka publike, dhe ka bërë ato pagesa që ka bërë. Kjo është e vërteta…

Zëri i Amerikës: Pra, firma Muzin nuk tregon të vërtetën? …

Lulzim Basha: … E për çdo gjë tjetër ne i kemi kërkuar prokurorisë në Shqipëri dhe FBI-së në hetojnë. Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj, nuk ka asnjë para të pistë në këtë mes, ndryshe nga afera e famshme e thyerjes së ligjeve amerikane me foton me Obamën dhe me burimet e panjohura të parave, që paguan për këtë të tjerët. Partia Demokratike është tërësisht transparente, krejtësisht e hapur, kështu që kjo nuk është çështje.

Zëri i Amerikës: Firma Muzin, sipas kësaj që po thoni ju, duket se ka përdorur emrin e partisë tuaj për çfarëdo problemi që ka patur vetë. Pra, iu ka prishur juve imazhin. Pse nuk e denonconi ju këtë firmë për të pastruar emrin tuaj, sepse del emri i partisë tuaj gjithmonë?

Lulzim Basha: Aspak. Partia Demokratike i ka deklaruar gjithmonë në mënyrë transparente marrëdhëniet e saj dhe financat e saj, ndryshe nga Partia Socialiste në të kaluarën dhe në të sotmen. Por kjo është një çështje, e cila besoj se do të diskutohet dhe do të bëhet transparente më vonë. Këtu nuk ka asnjë çështje. Është një non-issue, siç i thonë në Amerikë. Partia Demokratike është e angazhuar në denoncimin e lidhjeve të krimit të organizuar me partinë në pushtet, duke përfshirë edhe pastrimin e parave dhe gjithçka për të cilën Partia Demokratike akuzohet është një manovër e dobët diversioni për të tërhequr vëmendjen dhe për të kaluar Partinë Demokratike në pozita mbrojtëse, çka nuk ka për të ndodhur.

Zëri i Amerikës: Para se të niseshit nga Shqipëria, vendi juaj e gjeti veten në një ngërç tjetër, e kam fjalën për shkollën e magjistraturës. Nga reforma në drejtësi, siç dihet, shumë gjykatës po humbasin vendet e punës, por sistemi i drejtësisë do të ketë nevojë për zëvendësimin e tyre. Janë një grup studentësh, që kanë kryer Shkollën e Magjistraturës dhe një grup tjetër që pritet të shkojnë atje. Çfarë propozimi ofroni ju për të kapërcyer bllokimin me studentët e magjistraturës?

Lulzim Basha: E rëndësishme është të kuptojmë se çfarë po ndodh. Vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve po ecën me këto ritme të ngadalta pasi Partia Socialiste ka hedhur poshtë kërkesën edhe të organeve të vetting-ut edhe të opozitës për t’u pajisur me një buxhet të mjaftueshëm dhe me burime njerëzore, në mënyrë që vetting-u të ecë më shpejt. Siç mund t’i kujtohet edhe teleshikuesit tuaj, Partia Socialiste votoi për të prerë me 40 për qind buxhetin e propozuar nga organet e vetting-ut. Tani organet e vetting-ut nuk janë në gjendje të përparojnë me ritmet e duhura, duke vënë në pikëpyetje kalendarin e reformës në drejtësi, duk shtyrë krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, shtyrje që është antikushtetuese, sepse ke Kushtetutë këto dy organe duhet të ishin krijuar prej kohësh. Në vend të korigjojë atë që ka bërë vet gabim, pra miratimin e njëanshëm të ligjit të vetting-ut dhe injorimin e propozimeve të opozitës, në vend që të rikthehet te Kushtetuta, në vend që të rikthehet te propozimet tona, se kanë qenë edhe propozimet tona për të mbështetur me financime dhe burime njerëzore komisionet e vetting-ut, tani ai po propozon të krijojë institucione jashtë kuadrit të reformës në drejtësi, të cilat të kenë që edhe pa vetting të emërojë gjyqtarë dhe prokurorë. E ka bërë këtë me prokuroren e përgjithshme, e cila u emërua në kundërshtim me Kushtetutën, tani do t’i japë kësaj prokurore të përgjithshme dhe KLD-së kompetenca për të futur pa vetting dhe jashtë procedurave kushtetuese kandidatë në sistemin e drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Ky është konstatimi i gjendjes, që tashmë të gjithë e dimë. Por si dilet nga kjo gjendje?

Lulzim Basha: Nga kjo gjendje dilet vetëm duke u rikthyer te konsensusi kushtetues dhe duke u rikthyer te Kushtetuta, e cila u miratua me 140 vota. Pasi ajo u miratua me 140 vota, Partia Socialiste miratoi 6 ligje, duke përjashtuar opozitën, pasi kishte dhënë fjalën se këto 6 ligje do të bëheshin me konsensus, pikërisht që të na sillte në këtë pikë; që të vonohej krijimi i organeve të reja të drejtësisë, që të emërohej prokurorja e përkohshme me votat vetëm të maxhorancës dhe jashtë parashikimeve kushtetuese dhe që të bllokoheshin hetime jashtëzakonisht të rëndësishme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zëri i Amerikës: Reforma në drejtësi është shumë e gjerë dhe nëse merremi me analizën si ka ecur ajo, ka patur kritika edhe ndaj opozitës në atë kohë për hapat e saj.

Lulzim Basha: Asnjë kritikë nuk qëndron. Të gjithë kritikat ndaj opozitës kanë qenë pjesë e një lufte politike për të mbuluar qëllimin e vërtetë të mazhorancës, që nuk ka qenë reforma në drjtësi, por kapja e drejtësisë. Ndaj kemi ardhur këtu: nuk kemi asnjë bandë të krimit të organizuar të çmontuar, nuk kemi asnjë kokë të krimit të organizuar para gjykatës, nuk kemi asnjë politikan të lidhur me krimin, apo të korruptuar para drejtësisë. Pra, rezultatet e reformës në drejtësi janë akoma zero.

Zëri i Amerikës: Po këmbëngul te pyetja: Si mund të kapërcehet sot gjendja? Ç’do të thotë rikthim te Kushtetuta? Ato që kanë ndodhur, kanë kaluar tashmë. Ç’rrugë ka tani për ta kapërcyer këtë situatë?

Lulzim Basha: Rruga është të zhbëhen ato komponentë të futur në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca pikërisht për të vonuar krijimin e organeve të reja të drejtësisë, për të vonuar krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, duke vonuar kështu krijimin e SPAK-ut dhe të BKH-së, dhe duke mos ia dhënë pushtetin e reformimit të drejtësisë vet organeve të drejtësisë, por Fatmir Xhafës dhe Arta Markut, të emëruar vetëm me votat e Edi Ramës dhe rezultatin po e shohim: Saimir Tahiri bredh i lirë, bandave të mëdha të trafikut të drogës nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë, drogë dhe para të drogës dalin e hyjnë nëpër portet e Shqipërisë dhe Shqipërisë i mbeten të mbyllura dyert e negociatave me Bashkimin Europian për shka të krimit dhe të korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Një tjetër çështje e nxehtë javët e fundit në Shqipëri është edhe çështja e Teatrit Kombëtar. Shumica përdori numrat që ka në parlament dhe e votoi ligjin. Ju jeni shprehur se do ta bllokoni. Si mund ta bllokoni ju ligjin, kur Partia Socialiste i ka kartonat në parlament?

Lulzim Basha: Ne nuk kemi mundësi të bllokojmë ligjin dhe këtë ua kemi bërë të qartë artistëve, qytetarëve dhe gjithë faktorëve shoqërorë të shqetësuar nga gjithë kjo aferë e tmerrshme korruptive. Çfarë po ndodh? Edi Rama ka një plan thuajse 20 vjeçar për të ndërtuar kulla në këtë zonë, që është në zemër të qytetit, është praktikisht prapa monumentit të Skënderbeut, është në mesin e sheshit të ministrive. Ai ka më shumë se një vit që harton një plan, i cili mbahet i fshehtë për të ndërtuar 6 kulla në zonën e Teatrit, e për këtë qëllim duhet grabitur Teatri, duhen grabitur afro 8 mijë metër katrorë tokë publike, nga të cilat afro 5 mijë i takojnë Teatrit. Kjo grabitje bëhet përmes një kompanie, e cila është pronare apo ka blerë 280 metër katrorë. Me 280 metër katrorë që ka në pronësi kjo kompani, tani bëhet një ligj special në emër të kësaj kompanie për t’i dhënë edhe 8 mijë metra të tjerë nga toka publike. Pra, është një aferë e pastër korruptive, për të bërë qindra milionë euro me ndërtimin e këtyre 6 kullave. Është një projekt betonizimi dhe po ashtu, është një projekt i pastrimit të parave të pista.

Zëri i Amerikës: Dhe, cila është strategjia juaj për t’iu kundërvënë këtij projekti?

Lulzim Basha: Strategjia jonë është ajo që kemi ndjekur deri sot; kundërshtimi ligjor në komisione dhe seancë parlamentare, thirrja që i kemi bërë presidentit për të mos e dekretuar ligjin, vazhdimi i kundërshtimit tonë në kuptimin e institucioneve ligjore, është thirrja që i kemi bërë faktorit ndërkombëtar, në veçanti ambasadorëve, që të reagojnë ndaj këtij akti të paprecedent korruptiv; një ligj special për të grabitur tokë publike dhe për të ndërtuar kulla e për të pastruar paratë e drogës e të krimit. Natyrisht është mbështetja me të gjitha format dhe mënyrat e protestës së artistëve dhe të qytetarëve, pasi ndodhemi para një akti të rëndë kriminal dhe para një vepre të rëndë anti-kushtetuese, para një atentati ndaj Kushtetutës. Pse? Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, ky ligj nuk është gjë tjetër veçse një ligjërim i vjedhjes, një akt që legjitimon vjedhjen. Pra, vjedhja dhe korrupsioni nuk janë probleme të reja në Shqipëri, por kjo është hera e parë kur maxhoranca në parlament voton për të ligjëruar vjedhjen. Kjo përbën një precedent të rrezikshëm nga kjo pikëpamje, ndaj duhet refuzuar dhe jam i bindur se do të arrihet me bashkimin e forcave të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha ka patur kritika ndaj opozitës, shumë prej tyre edhe nga brenda partisë, se strategjia që ju po ndiqni nuk po e forcon PD për të përgatitur fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Lulzim Basha: Unë kam dëgjuar dhe dëgjoj mendime, kritika, vërejtje të ndryshme nga shumë anëtarë të partisë, njerëz me përvojë drejtuese brenda partisë. Ka nga ata me të cilët ndaj mendimin e tyre, kritikat e të cilëve janë të vlefshme. Ka të tjera qëndrime, që bëhen vetëm për hesap të maxhorancës, pra, ajo tradita e vjetër e opozitës ndaj opozitës. Unë, qytetarët dhe demokratët dinë ta ndajnë shapin nga sheqeri, ndaj duhet të përfitojmë nga kritikat e shëndosha dhe nga mendimet që jepen për të forcuar rolin e opozitës dhe të Partisë Demokratike, si partia kryesore e opozitës, për të shpërndarë sa më shumë vizionin tonë pro-perëndimor të një Shqipërie të çliruar nga krimi, ku politika është e çliruar nga krimi dhe nga oligarkët, ku ky model politik, që na ofron sot kjo maxhorancë, që është një fuzion, një shkrirje midis interesave të ngushta të një kaste politike me interesat e krimit dhe të një grupi oligarkësh, t’i lërë vendin një politike, ku çdo qytetar e çdo grup interesi të gjejë veten përmes një qeverisje transparente dhe që u shërben interesave të njerëzve.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, pak javë më parë bëri përshtypje deklarata juaj në parlament që i parapriu një aksioni të policisë për zbulimin e 3.4 milionë eurove në makina që vinin nga jashtë. Cili ishte burimi juaj i informacionit? Dhe a mendoni se ishte gjëja e duhur për ta nxjerrë këtë të dhënë në publik?

Lulzim Basha: Partia Demokratike ka një bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të cilët lufta ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të drogës dhe korrupsionit është një prioritet absolut…

Zëri i Amerikës: Pra, ishin partnerët ndërkombëtarë, që iu njoftuan juve për këtë?

Lulzim Basha: … Këtë prioritet absolut e kam diskutar edhe këtu në Washington. Në konferencë ku mora pjesë, kam patur takime me përfaqësues të administratës amerikane dhe natyrisht përfaqësues të Kongresit dhe të Senatit amerikan. Problemi është i mprehtë, akut dhe një shqetësim i madh për partnerët tanë. Natyrisht, këta partnerë, të cilët veprojnë në forma dhe në mënyra të ndryshme, kur shohin që nuk ka përgjigje, apo kur shohin që nuk ka veprim sa u përket çështjeve të veçanta të luftës kundër krimit, qoftë edhe çështje të strategjisë apo edhe të operacioneve kundër krimit, kanë gjetur dhe gjejnë te opozita një partner të besueshëm për të shërbyer si një instrument më shumë presioni, në mënyrë që lufta ndaj krimit të organizuar, lufta kundër trafikut të drogës apo pastrimit të parave të drogës të intensifikohet e jo të dobësohet. Padyshim, ne kemi qenë dhe jemi partnerë të devotshëm e të besueshëm të partnerëve tanë strategjikë, SHBA-ve dhe vendeve europiane, për të cilët, siç e thashë, krimi i organizuar, pastrimi i parave të pista të krimit, trafiku i drogave të forta si heroina e kokaina, përbëjnë probleme kryesore sa i përket qeverisjes aktuale.

Zëri i Amerikës: Kjo përgjigje mund të jetë për çdolloj pyetje. Por, pyetja ime ishte konkrete: Cili ishte burimi juaj i informacionit? A ishin partnerët e huaj apo ishte nga brenda vendit?

Lulzim Basha: Burimi i informacionit nuk mund të jetë subjekt i një zbulimi mediatik. Ajo që iu them është se ne kemi një bashkëpunim shumë të fortë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opozita ka kryer detyrën e saj, unë kam kryer detyrën time si kryetar i opozitës, pikërisht për të pamundësuar që një qeveri që ka humbur besimin e partnerëve në luftën kundër krimit të mos abortojë operacione të rëndësishme, siç ka qenë rasti me Maminasin apo me Toyta Yaris-in dhe paratë e drogës, që po futeshin përmes tyre.

Zëri i Amerikës: Ju akuzuat se me këto automjete Toyta ishte i lidhur një deputet i Partisë Socialiste. Ai u kthye me akuza kundër jush për një fotografi, që ju keni bërë me vëllain e njërit prej të arrestuarve me ju në zyrën tuaj. Në ç’rrethana është bërë ajo foto?

Lulzim Basha: Nuk kam asnjë kujtesë për rrethanat e fotos, sepse unë kam fotografi me mijëra qytetarë. E rëndësishme është të kuptojmë dy gjëra: e para të kuptojmë hipokrizinë e pretendimit, sepse nëse ky person, që nuk e njoh, është i dyshuar, kanë kaluar më shumë se tre javë dhe ky person mund të ishte arrestuar, mund të ishte marrë në pyetje. Por kjo nuk ka ndodhur dhe ka një hipokrizi këtu dhe një përdorim të qartë politik të një fotoje, për të cilën nuk kam asnjë informacion përtej asaj që kam bërë publike.

E dyta është standarti moral. Unë akuzohem se paskam dalë në foto me dikë, i cili dyshohet se është vëllai i disave që dyshohen se janë prapa këtyre parave. Ndërkohë që informacioni im është fare i qartë: këto para janë para të drogës të një klani të fuqishëm kriminal me qendër në Elbasan dhe numri dy i Partisë Socialiste, jo një deputet çfarëdo, është garanti i marrëveshjes për kalimin e këtyre parave përmes këtij instrumenti, makinave të sjella në Tiranë. Po kështu, për të qëndruar te standarti moral; kryeministri, vet ky person dhe shumë të tjerë janë ditë për ditë në krah të vëllait të një krimineli të dënuar droge, siç është ministri aktual i brendshëm Fatmir Xhafa.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju faleminderit!

Filed Under: Politike Tagged With: arben xhixho, Interviste, Lulzim Basha, zeri i amerikes

Nje humbje e madhe per diasporen shqiptare ne Amerike

April 1, 2018 by dgreca

agim KaragjoziNga Lulzim BASHA/

U nda nga jeta Presidenti i Nderit dhe kryetari per dy dekada i VATRES, patrioti i paepur, intelektuali dhe humanisti i shquar, zoti Agim Karagjozi.
Ndarja nga jeta e Agim Karagjozit eshte nje humbje e madhe per diasporen shqiptare ne Amerike, per Federaten Panshqiptare VATRA, dhe per familjen e miqte e tij te shumte.
Me kontributin dhe perkushtimin e tij monumental ne sherbim te interesave te Shqiperise e shqiptareve zoti Agim Karagjozi ngrihet ne kujtesen e kombit si nje nga personalitetet me te shquara te kohes, qe me perkushtimin, sakrificat e dashurine e pamate per Shqiperine e shqiptaret perfaqesoi denjesisht shpirtin e bukur e patriot te shqiptarit ne SHBA.
Ne emrin tim dhe te Partise Demokratike i shpreh ngushellimet me te ndjera bashkeshortes se tij zonjes Rozi, vajzes se tij Angel, djemve Zyhdiut dhe Shpetimit, vatraneve, miqve dhe bashkepunetoreve te tij ne mbare diasporen shqiptare ne SHBA, dhe cdo miku e dashamiresi te kombit tone, per kete humbje te madhe.
Vepra dhe kujtimi i Agim Karagjozit do te jetoje perhere ne mendjet dhe zemrat mirenjohese te mijera bashkatdhetareve, si model e frymezim per te zhvilluar e fuqizuar vlerat kombetare ne gjurmet e kontributit te tij per nje Shqiperi te lire, demokratike e te zhvilluar. U prehte ne paqen e Zotit!

Filed Under: Opinion Tagged With: Humbje, Lulzim Basha, ndarja e Agim Karagjozit

OPOZITA, Protesta në 27 janar

January 9, 2018 by dgreca

1 basha-3Mesditën e 27 janarit opozita do të udhëheqë përballë kryeministrisë protestën kundër qeverisë Rama. Pas takimeve me aleatët, kreu demokrat, Lulzim Basha mblodhi grupin parlamentar dhe drejtuesit e PD-së në rrethe për organizimin e protestës. Prej muajsh opozita bashkohet rreth një kërkesë, largimin e qeverisë Rama, dhe krijimin e një qeverie antimafia

 “Gjithçka nis nga kthimi i ligjshmërisë në vend. Nëse sot kemi një narko-shtet, siç thuhet në raportin e sapopublikuar të CIA-s, ai është ndërtuar mbi paligjshmërinë në vend, që nis me blerjen e votës dhe që ka çuar në një parlament të paligjshëm dhe një kryeministër të paligjshëm”, tha Basha.

Basha po vazhdon edhe thirrjen nga baza duke i shpjeguar protestat si mjet për të shkëputur vendin nga kriza ekonomike dhe bashkëqeverisja me krimin. Për këtë të fundit Kreu i PD deklaroi se nuk është përgjëgjës vetëm Haki Çako, tashmë ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë Së Shtetit. Basha ka nëj skenar tjetër për arsyen e lirimit të tij nga detyra.

“Edi Rama ka garantuar Haki Çakos se pavarësisht qenies në krye të Policisë së Shtetit kur vendi u mbulua me drogë, pavarësisht së qënit leva e Saimir Tahirit, kur policia u kthye në një organizatë kriminale, pavarësisht veprimeve të paligjshme me përgjuesit që përgjonin opozitën, diplomatët e huaj dhe çdo kundërshtar të vërtetë apo të perceptuar të qeverisë, mund të ikë i lirë në punën e tij. Nga ana tjetër Haki Çako do ta mbyllë gojën për aferat e tmerrshme kriminale dhe korruptive që implikojnë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëzit e tij më të ngushtë në qeveri dhe në Partinë Socialiste. Por, dua t’jua them sot ju dhe çdo shqiptari. Ky pakt mafioz nuk do ta ketë jetën e gjatë.”, tha ai.

Takimet me krerët e degëve zhvilloi edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ku ka folur për rezistencë kundër qeverisë në cdo familje dhe shesh. Thelbi i takimit ishte organizimi me strukturat e Partisë Demokratike në bazë. Opozita ndërkohë do të jetë në Parlament më 15 janar, kur çelet sesioni i ri parlamentar, duke u dhënë fund opsioneve për bojkot apo djegies së mandateve të deputetëve.

Basha: Largimi i Haki Çakos, pakt mafioz mes tij dhe Edi Ramës

Kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar një takim në Kamzë, ku është shprehur se largimi i Haki Çakos është veçse një pakt mafioz midis tij dhe Edi Ramës.“Kjo është një qeveri thellësisht antipopullore. Edhe largimi i sotëm i Haki Çakos nuk është gjë tjetër veçse plotësimi i një pakti mafioz midis tij dhe Edi Ramës. Edi Rama ka garantuar Haki Çakos se pavarësisht qenies në krye të Policisë së Shtetit kur vendi u mbulua me drogë, pavarësisht së qënit leva e Saimir Tahirit, kur policia u kthye në një organizatë kriminale, pavarësisht veprimeve të paligjshme me përgjuesit që përgjonin opozitën, diplomatët e huaj dhe çdo kundërshtar të vërtetë apo të perceptuar të qeverisë, mund të ikë i lirë në punën e tij. Nga ana tjetër Haki Çako do ta mbyllë gojën për aferat e tmerrshme kriminale dhe korruptive që implikojnë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëzit e tij më të ngushtë në qeveri dhe në Partinë Socialiste. Por, dua t’jua them sot ju dhe çdo shqiptari. Ky pakt mafioz nuk do ta ketë jetën e gjatë”, tha Basha.

Kreu i opozitës u shpreh se për shkak të një qeverie të bërë njësh me krimin, sot Shqipëria është vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve në Europë. Për të treguar se qeveria e Edi Ramës përdor dy standarde për qytetarët e pamundur dhe për kriminelët.

Lulzim Basha tha se demokratët dhe opozita është e vendosur të mos e lërë Shqipërinë peng të një qeverie të ardhur në pushtet nga pakti me krimin. Kryetari i Partisë Demokratike i inkurajoi shqiptarët të mos heshtin, të mos ulin kokën, të mos pajtohen me të keqen, por të protestojnë për të larguar qeverinë e krizës dhe për t’i dhënë vetes mundësinë të zgjedhin të lirë një qeveri që i shërben interesit të tyre. “Këto protesta – tha Basha do të mundësojnë krijimin e një qeverie që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”. Basha theksoi se në kushtet e një loje të barabartë, Partia Demokratike, me programin e saj, del fituese.

Reagon PS: Opozita, interesat e ditës, mbi ato kombëtare

Socialistët kanë vendosur të forcojnë radhët. Kryesia e partisë së vetme në pushtet, ka diskutuar për zgjedhjet e drejtuesve në bazë, ndërsa në asamble ishte shprehur pakënaqësia për disa prej drejtuesve. Në përfundim të mbledhjes zëdhënësja e kryesisë socialiste iu referua protestës së paralajmëruar nga opozita.

“Pavarësisht zhurmës, pavarësisht përpjekjes së vazhdueshme të opozitës për të krijuar zhurmë në vend, por edhe kur flasin anglisht me Bashkimin Europian dhe me funksionarë të tjerë, ne padiskutim vëmë përpara axhendën e Shqipërisë, përpara axhendës politike të ditës. Kjo fatkeqësisht nuk është dhe retorika apo politika e opozitës. Ata kanë vendosur të vënë interesin e tyre politik të ditës, mbi interesin kombëtar”, u shpreh Elisa Spiropali.Me dyer të mbyllura kryesia socialiste ka diskutuar për qeverisjen dhe prioritetet në muajt në vijim.(Kortezi: Top Channel)

Filed Under: Politike Tagged With: Lulzim Basha, Protesta në 27 janar

BASHA-RINISE: Mos zgjidhni largimin, zgjidhni përballjen

December 8, 2017 by dgreca

*Dr. Sali BERISHA: Historia e Shqipërisë duhet të jetë historia e përmbysjes së narko-shtetit, historia e përmbysjes së Edi Ramës, klikës së tij./

1 bashke  Sot eshte perkujtuar 27 vjetori i Levizjes Studentore, organizuar nga FRPD. Kryetari i Opozites, Kryedemokrati Lulzim Basha shkroi ne fb: 8 Dhjetori është dita e parë europiane në Shqipëri. Ishte fillimi i një udhëtimi të pandalshëm drejt identitetit të humbur. Shqipëria gjendet përsëri në një udhëkryq mes politikës së kriminalizuar dhe vlerave të lirisë. Edhe një herë, kjo sfidë është sfida e rinisë. Të rinjve që duan të ikin u bëj thirrje të qendrojnë, të mos ikin! Të përballemi, të luftojmë dhe të fitojmë mbi të keqen! Bashkë do të ndryshojmë Shqipërinë!

1 basha1 Berisha ok1 rinia1 Basha djali azemit1 Berisha

FJALA E PLOTE E KRYETARIT BASHA/

Më lejoni të ndaj në fillim të fjalës sime, dy emocione të jashtëzakonshme që  më përshkrojnë sot. i pari,  i kujtesës së domethënies së 8 Dhjetorit , cili më transporton me shpejtësi nga ky moment, tek ditët kur isha më i ri, ose më i riu prej jush  në këtë sallë. Dhe ky emocion merr sot formën  e mirënjohjes më të thellë dhe përkuljes më të madhe me krenari të thellë kombëtare ndaj Dhjetoristëve, me në krye Azem Hajdarin e pavdekshëm . Me respektin më të jashtëzakonshëm ndaj intelektualëve, përfaqësuesve të studentëve të Dhjetorit, shumë prej të cilëve i shoh sot në këtë sallë, krah për krah  rinisë demokrate dhe për të cilët, kanë në zemrën time , mirënjohjen më të thellë si shqiptar si democrat dhe  si kryetar i partisë që lindi  për shkak të sakrificës dhe përpjekjes  së tyre.Emocioni i dytë që më përshkon sa herë që jam në mesin tuaj,është emocioni që dini të falni vetëm ju, rinia demokrate, Forumi rinor i PD ,për  të cilin  ju falenderoj nga zemra.

Jemi mbledhur sot këtu për  8 Dhjetorin që  është një ndër ditët më të bukura të historinë tonë. Është një ditë e madhe për atë që solli, por  mbetet një ditë e madhe për mesazhin dhe domethënien që vazhdon të ketë   çdo Dhjetor,  e do të vazhdojë të ketë në përjetësi.

8 dhjetori 1990 ishte dita kurtriumfo kurajo i mbi frikën, kur triumfoi dëshira për liri mbi dhunën robëruese të diktaturës. Nga kurajo e studentëve të Dhjetorit dhe liderit të tyre të pavdekshëm Azem Hajdari, shqiptarët rigjetën lirinë e humbur: lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes , lirinë politike, lirinë e besimit në Zot , lirinë e lëvizjes.

Por 8 dhjetori ishte po kështu dita e triumfit të përpjekjeve për dinjitet njerëzor. Lëvizja e Dhjetorit nisi së pari si refuzim i studentëve për t’u trajtuar si turmë e nënshtruar, të cilën mund ta shtypnin, mund ta shpërfillnin, mund ta fyenin dhe turpëronin, ta linin në varfëri, pa dritë dhe pa ngrohtësi. Studentët kërkuan dinjitet, kërkuan respekt për vlerat njerëzore.

Kjo kërkesë për dinjitet njerëzor çoi natyrshëm në kërkesën për liri politike për  pluralizëm, sepse liria politike është në themel të dinjitetit njerëzor. Nuk mund të ketë dinjitet njerëzor pa  liri politike.  Në një shoqëri ku nuk ka liri politike, ku njerëzit nuk kanë asnjë ndikim mbi mënyrën si qeverisen dhe se nga kush qeverisen, nuk mund të ketë as dinjitet njerëzor, nuk mund të ketë as vlera njerëzore.

Por studentët e dhjetorit u ngritën edhe kundër sundimit të injorancës dhe sundimit  errësirës. Injorancës së klasës qeverisëse dhe injorancës ku ishte braktisur  shoqëria shqiptare.

Në thirrjet e e studentëve, urrejtja ndaj diktatorit Enver Hoxha u përzie përherë me talljen ndaj lolove qesharake të byrosë politike dhe injorantëve që kishin dalë në krye të vendit, sepse atje, ku nuk ka liri dhe ku nuk ka konkurencë, në krye dalin përherë injorantët.

Ata u ngritën ata edhe kundër errësirës së mendjes. Që në orët e para, që ditët e para, ata brohoritën fjalët e ndaluara të Fishtës, të Koliqit, të Frostit, të Xhon Lenonit. Injoranca është mjeti kryesor i diktaturave dhe lëvizja studentore shembi edhe murin e injorancës dhe izolimit mendor që kishte ngritur diktatura.

8 Dhjetori ishte dita kur Shqipëria u ritakua me Europën, kur shqiptarët u rikthyen tek vlerat europiane. Prandaj 8 Dhjetori mund dhe duhet të quhet pa frikë Dita e parë europiane në Shqipëri, pas një gjysëm shekulli endje nëpër humbëtirat e Lindjes.

8 Dhjetori ishte fillimi i një udhëtimi të pandalshëm drejt identitetit të humbur, drejt ëndrrave më të bukura tonat, drejt fitimit të kohës së humbur. Në atë fillim rrugëtimi, ne besonim si askush tjetër në botë, tek liria dhe tek e ardhmja jonë.

Është e padiskutueshme që Shqipëria është transformuar rrënjësisht, që atë ditë. Në shumë drejtime, përparimi është i paimagjinueshëm, i pakrahasueshëm sepse liria bëri punën e saj dhe shpirti i paepur i shqiptarëve  dhe në vecanti i rinisë, bëri pjesën tjetër.

Në kthimin e tyre tek liria, shumë shqiptarë  e në vecanti shumë të rinj zbuluan botën dhe, shkëlqyen në shumë vende të botës, duke provuar vlerat e mrekullueshme të individit tonë, të shqiptarit, të punës të tij, të  imagjinatës dhe shpirtit të tij.

Por nga ana tjetër, jo gjithcka shkoi sic e kishim menduar.  Disa  gjëra shkuan keq, shumë gjëra u vonuan dhe ishin më të vështira  sa ç’i menduam 27 vite më parë atëherë.

Sikur në ditët e Dhjetorit 1990, dikush tu kishte thënë studentëve, të cilët luftuar dhe sollën lirinë politike, se 27 vite  më vonë, të rinjtë e Shqipërisë do të kërkonin mundësitë dhe dinjitetin e tyre nëpër botë dhe jo në atdhe, me siguri  do ti merrnin për të çmendur.

Nëse atëhere dikush do t’u thoshte studentëve  se edhe pas 27 vitesh, ne do të vazhdonim të ishim një ndër vendet më të izoluara nga Europa, do të mendonin që dhe  do të  ishte tallje.

Por fatkeqësisht kjo është gjendja ku jemi katandisur sot. 27 vjet pas rënies së komunizmit, liritë politikë të shqiptarëve janë sërish të kufizuara, se shqiptarët ende nuk votojnë të lirë, se dinjiteti i tyre është i nëpërkëmbur, mundësitë e tyre për përparim njerëzor dhe shoqëror janë më të vogla se në cdo vend tjetër në Europë, nga e cila vazhdojmë të mbetemi një nga kombet më të izoluara.

Ndërsa bota perëndimore ka arritur një mirëqenie dhe përparim të paimgjinueshëm edhe për ata vetë para 2-3 dekadash dhe nuk ndalet në ecjen e saj përpara, Shqipëria është sot e mbytur nga problemet që përjetohen  vetëm në vendet më të prapambetura të Azisë dhe Afrikës.

Është e paimagjinueshme që sot në Shqipëri, në vend që të flitet për biznese të reja nga rinia, për përparime teknologjike, për arsim dhe dije, flitet për një bandë trafikantësh injorantë dhe mizorë.

Në vend që të diskutojmë dhe punojmë për zgjidhjet dhe politikat më efektive, luftojmë si të pastrojmë Parlamentin dhe qeverinë nga kriminelë ordinerë që kanë trafikuar, përdhunuar dhe vrarë.

Në vend që të mendojmë si të përmirësojmë sistemin bankar për të nxitur ekonominë me kredi të favorshme për të rinjtë që duan të hapin biznese, diskutojmë si ta shpëtojmë sistemin bankar dhe ekonominë nga paratë e pista të krimit.

Në vend që të investojmë dhe prodhojmë, kemi përfunduar në një ekonomi që vetëm importojmë dhe shet.

Në vend që të mendojmë për më të pamundurit mes nesh, e tu  gjendemi në krah atyre, grave, nënave kryefamiljare, të rinjve dhe të rejave, ne diskutojmë si të ndalojmë një grusht politikanësh  tëkorruptuar dhe oligarkësh grabitqarë që të mos plaçkisin vendin.

Para Dhjetorit të 1990, një grusht njerëzish mizorë përdorën ideologjinë për të nënshtruar, dhunuar dhe plaçkitur një popull të tërë për privilegjet e tyre, sot dhuna nuk ushtrohet në emër të ideologjisë, por të krimit të bërit njësh me politikën dhe të politikës të bërë njësh me krimin.

Ndërsa propaganda vazhdon si dikur, për të gënjyer, për të manipuluar dhe për të mbajtur njerëzit në padije ndaj të vërtetës, për t’i sunduar me të njëjtët mekanizma.

Njësoj si në vitet e para të tranzicionit, sërish qëllimi kryesor i shqiptarëve është të ikin. Por ndërsa ikja e atëhershme ishte motivuar nga dëshira për të prekur dhee gëzuar sa më parë lirinë dhe mirëqenien perëndimore, ikja e sotme është nga dëshpërimi, nga fjalët dëshpëruese se, ky vend mund të mos bëhet kurrë.

Ndaj sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, bashkë me respektin e thellë dhe mirënjohjen më të madhe ndaj sakrificës  së Dhjetoristëve , në praninë e kësaj salle ekzaltuese, luftëtarsësh të lirisë, të betejave që kemi bërë  dhe do të bëjmë së bashku, unë dua që t’ju ftoj të gjithë të kthejmë sytë sërish nga Dhjetori 1990 dhe të reflektojmë.

Studentët dhe pedagogët e Dhjetorit 90, sot shikojnë mbrapa me krenari. Për shumë prej tyre energjia, dashuria, pasioni, energjia, shpresat dhe ëndrrat që u ndezën ato ditë, janë edhe sot energjia më frymëzuese në jetën e tyre.

Solidariteti që ata kërkuan dhe gjetën tek njëri tjetri ishte mrekullia që solli çlirimin nga frika. Bashkimi me njëri tjetrin për këtë shpresë të madhe ishte celësi  magjik që mposhti frikën dhe ngriti kurajon.

Kështu ata gjetën me këtë kurajon u ngritën, luftuan dhe fituan kështu ndryshuan Shqipërinë dhe jetët e miliona shqiptarëve.

Nëse të njëjtën gjë do të bëjë dhe  brezi i sotëm , Shqipëria do të ecë përpara. Sepse  nuk është vonë. Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë më parë, gjatë këtyre tre dekadave për atë forcë, për atë idealizëm, për atë kurajë të Dhjetoristëve.

Sepse sot  gjendemi  në një udhëkryq: nëse do të humbasim të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve të marrë peng nga një grusht politikanësh të inkriminuar, apo do t’u rikthehet vlerave të lirisë, të dinjitetit njerëzor dhe të Evropës.

Përsëri edhe një herë, po kësaj radhe më shumë se kurrë më parë, kjo sfidë është sfida e rinisë. Sytë e cdo shqiptari janë nga ju, janë nga rinia shqiptare.

Dhe unë e di se, ju rinia shqiptare, rinia demokrate, rinia e ciltër dhe e panjollosur,  do ta merni në dorë këtë mision. Kini besim, kini besim, besim  total  të palëkundur në forcën tuaj dhe në aftësinë tuaj.

Sot ju bëj thirrje , mos zgjidhni largimin, zgjidhni përpjekjen, përballjen.

Bëjeni zërin tuaj të bucasë, guxoni, ngrihuni, luftoni ta ndryshojmë Shqipërinë.

Partia Demokratike, bija tjetër së bashku me lirinë politike e Dhjetorit 1990, do të jetë përherë me ju. Me rininë në ballë të përpjekjes, ndryshimi do të vijë, dhe do të vijë shpejt!

Mirënjohje përjetë studentëve liberatorë! Zoti e bekoftë Rininë shqiptare! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

***

FJALA E PLOTE E ISH KRYETARIT TE PD, DR. SALI BERISHA

I dashur zoti kryetar i FRPD, Belind Këlliçi

I dashur kryetar i PD, Lulzim Basha

I nderuar zoti Patrik Voller, sekretar per marrëdhëniet ndërkombëtare i EPP,

I nderuar zoti Gloss, drejtues i fondacionit Konrad Adenauer

Të dashur miq, vendas e të huaj,

Të dashur studentë dhe ish studentë të dhjetorit 1990

Intelektualë që iu bashkuat asaj kohe në këtë lëvizje

Të dashur studente dhe studentë, anëtarë të FRPD të pranishëm në këtë sallë!

Është nder, privilegj i madh të kremtojmë sot së bashku Ditën e Rinisë shqiptare, që është dhe dita e revolucionit demokratik paqësor, më madhështor, më të rëndësishëm në historinë e lirisë së shqiptarëve, ajo që quhet Lëvizje Studentore e Dhjetorit.

Miqtë e mi, historia është një e shkuar dhe natyrisht të merresh shumë me të edhe nuk duhet, por sa herë kujton këtë ditë, frymëzohesh, frymëzohesh dhe vetëm frymëzohesh. 8 dhjetori është ditë frymëzimi. Si sot 27 vjet më parë bashkëmoshataret tuaj, u ngritën mbi frikën, dhunën, terrorin dhe u përballën në këtë qytet të bekuar, në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me diktaturën më staliniste, më barbare, më çnjerëzore që Europa kishte njohur në historinë e saj. U ngritën me një kurajo të jashtëzakonshme dhe së pari çliruan qytetin e tyre, e shndërruan këtë qytet në kështjellën e lirisë së shqiptarëve, hapën dyert e lirisë për shqiptarët.

Dua t’u adresohem ju, audiencës së rinisë së sotme, fantazia dhe imagjinata juaj nuk ka fund, por përsëri ajo nuk rrok dot guximin e jashtëzakonshëm të atyre ditëve të bashkëmoshatarëve tuaj. Kjo sepse, ata në atë kohë, dhe ju që jeni këtu, nuk jeni të vetëdijshëm për forcën e jashtëzakonshme shpirtërore që ju keni. Në vitin 1990 ne nuk mund të krahasoheshim as me Korenë e Veriut të sotme.Pak ditë më parë ndofta keni parë në lajme, në Youtube, apo dhe portale,   se si 3-4 ushtarë të Korësë së Veriut ekzekutuan shokun, bashkëmoshatarin e tyre sepse po arratisej, po ecte drejt hapësirës së lirisë. Po çfarë ndodhte në Shqipërinë e viteve 90?

Në Shqipërinë e viteve 90’ ishin ekzekutuar me regjistër të ministrisë së brendshme 96 të rinj, djem dhe vajza, të cilët pasi e hoqi diktatura nenin e e tradhëtisë së lartë për arratinë, u nisën të gjenin botën e lirë, të gjenin lirinë.

Jo vetëm kaq, por akoma më makabër. Trupat e disa prej tyre zvarriteshin ditën për diell, në Sarandë, Gjirokastër, Korçë, në Skodër vetëm për të mbjellë terror kudo. Në memorien time më të hershme më kujtohet kur, trupa të bërë shosh të atyre që quheshin diversantë, na vendoseshin afër shkollës për tna tmerruar, apo i shëtisnin nëpër qytete të tjera. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri vëtëm në vitet ’50 por dhe në Shqipërinë e viteve ’90, vetëm e vetëm për të ulur poshtë kokën e shqiptarëve, për t’i tmerruar dhe terrorizuar ata.

U ndala në këto shembuj për të treguar se cilat ishin përmasat e guximit të atyre të rinjve, të atyre vajzave dhe djemve të udhëhequr nga Azem Hajdari që u ngritën natën e 8 dhjetorit, dolën në shesh dhe u përleshën me diktaturën. I goditi pabesisht ai që i priti. Të nesërmen nuk u strukën, nuk u shpërndanë në shtëpitë e tyre, por të nesërmen, këta vajza dhe djem u mblodhën përsëri në atë shesh dhe u nisën për të pushtuar bulevardin e Tiranës me një akt epik heroizmi.

Sot kanë kaluar 27 vjet dhe përsëri kjo datë e bekuar në historinë e lirisë së shqiptarëve ka një mesazh të madh. Mesazhi i madh i saj është guximi. Guximi. Fitojnë ata që guxojnë!

Asnjë nuk besonte përveç studentëve në fitoren e tyre, nuk besonin se do gjunjëzonin diktaturën. Por ata besonin, ata ishin trima, ata u rrahën në mënyrë barbare në rrugë dhe u mblodhën fill mbrapa për t’i dhënë goditjen tjetër diktaturës.

Ku jemi sot pas 27 vitesh?! Cilido ngado ju, se unë jam i bindur që ju e doni vendin, se në idealet tuaja keni një Shqipëri, më të bukurën që mund të ekzistojë, unë e di se ju dëshironi shumë që energjitë tuaja t’ia kushtoni këtij vendi siç ishte ëndrra e studentëve të dhjetorit 90, ta bëni atë si gjithë Evropa!

Po sot ku jemi? Veç viteve të zeza të diktaturës, kurrë nuk kemi qënë në këtë gjendje. Ju lexoni çdo ditë mediat e botës, vetëm kronikë negative për Shqipërinë; “Kanabistan”, “Droga e Shqipërisë në zemër të Europës”, “Narkoshtet” etj. Dhe po ndërtohet narko-shteti, se kur ministri i brendshëm bën trafiqe atëherë ai është narkoshteti. Kur kryeministri nuk e dënon ministrin e brendshëm, atëherë ai është vet i implikuar. Nuk është Karzai po është i vëllai i Karzait.

Ngremë pyetjen a është i implikuar Edi Rama? Po, është i implikuar përderisa është i implikuar Olsi Rama, Saimir Tahiri e të gjithë me radhë. Kush është zgjidhja? Zgjidhja është vetëm guximi juaj, trimëria juaj. Ju keni 1001 arsye të ngriheni fuqishëm, dhe unë ju garantoj ju se ju jeni dhjetra herë më shumë se kjo sallë por dhe vetëm kjo sallë do mjaftonte për ta hedhur në Lanë këtë qeveri.

Nuk ishin më shumë ata natën e parë, ditën e parë të përballjes së tyre me diktaturën, por e gjunjëzuan.

A meritoni ju t’i shndërrojë shqiptarët ai në përdoruesit më të madh të drogës? Që droga të bëjë drejtësinë? A meritoni ju që shqiptarët duan të ikn?

A meritoni ju që të shiheni kudo si përfaqësues të Kanabistanit? A meritoni ju që droga që prodhohet në Amerikën Latine ti shndërrojë shqiptarët në përdoruesit e saj më të mëdhenj në botë? A meritoni ju që ligjin të mos e bëj drejtësia por ta bëj kanabisi? A meritoni ju që sot, mirë në vitin 90 që të ardhurat për frymë ishin 204$, po sot të gjithë, mjekë, inxhinierë, të largohen nga Sqipëria, nga ky vend i pasigurtë?

A meritoni ju të paguani për studimet tuaja universitare katër herë më shumë se sa paguajnë në Austri, se në Gjermani, se në çdo vend të BE? Prindërit tuaj janë më të varfërit. Atyre iu dridhet dora dhe buza për të siguruar paratë për ju. Pse? Se një njëriu i teket “unë do bëj shtet” duke trefishuar – katërfishuar tarifat për ju.

Sepse ky njeri i kapur nga klientela, barazon çmimet e publikut me privatin vetëm për të mbajtur të gjallë universitete, të cilat kurrë nuk duhen mbajtur me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Universitete të klientelës.

Në historinë e Europës, studentët kanë përmbysur qeverira demokratike dhe e kanë merituar. Historia e Shqipërisë duhet të jetë historia e përmbysjes së narko-shtetit, historia e përmbysjes së Edi Ramës, klikës së tij.

Edhe një herë një përshëndetje të përzemërt të gjithë studentëve të 90-ës, por më të përzemërt studentëve të sotëm, të rinjve të sotëm kudo që janë.!

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: fjalimet, Lulzim Basha, Perkujtohet Levizja e 8 Dhjetorit, Sali berisha

Mbështetje për aksionin opozitar dhe alternativën e PD

September 24, 2017 by dgreca

Lulzim Basha me ekipin e Kristiandemokratëve holandezë/

1 Basha

TIRANË, 24 Shtator / Kryetari i Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha priti në një takim një ekip të Fondacionit Eduardo Frei të partisë simotër KristianDemokrate Holandeze CDA, i cili përbëhej nga Wouter Hoff, anëtar bordi dhe financier i EFF; Hillie van de Streek, Sekretare e Përgjithshme e Forumit të Gruas së Partisë Popullore Europiane; Heidi van Haastert, trajnuese e EFF; dhe Alexander Arentshorst konsulent komunikimi i CDA. Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dhe asistenca ndaj Partisë Demokratike me qëllim forcimin e aksionit opozitar dhe alternativës e ofertës së Partisë Demokratike për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Me shqetësim të thellë u përcollën në takim sfidat aktuale të rritjes dhe fuqizimit të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në Shqipëri, dhe nga Shqipëria drejt vendeve të BE përfshirë Holandën. Në këto katër vite siç konfirmojnë raportet e EUROPOL dhe Departamentit amerikan të Shtetit, Shqipëria është kthyer në një bazë të veprimtarisë së grupeve të organizura kriminale.

Kryetari i opozitës vuri në dukje se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë dhe i hapur i politikës me krimin ka goditur rëndë standardet e sigurisë dhe demokracisë, e në vecanti votën e lirë, siç ndodhi ne zgjedhjet e 25 qershorit përmes presionit dhe blerjes se votës me paratë e drogës. Kapja e shtetit nga krimi i organizuar dhe bashkëqeverisja me krimin kanë kontribuar në precipitimin e një krize të rëndë në vend, cka ka rritur në rekorde historike fluksin e shqiptarëve që braktisin vendin dhe kerkojne azil ne vendet e BE e ne Holandë, per shkak se kane humbur besimin në të ardhmen e vendit nën qeverisjen e sotme.

Basha shprehu vendosmërinë e opozitës për të vijuar cdo ditë luftën pa kompromis kundër krimit, drogës dhe lidhjeve të tyre qeveritare. Kreu i opozites theksoi se garantimi i zgjedhjeve e lira janë rruga e vetme e daljes nga kriza, ndaj dhe PD do bëjë çdo përpjekje që të rikthejë votën e lirë. Bashkëbisëeduesit holandezë shprehën gatishmërinë për të ndihmuar Partinë Demokratike në kursin e reformimit dhe modernizimit të saj dhe në sfidat e përballjes dhe luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Ata e siguruan z.Basha gjithashtu per mbështetjen në sfidën madhore të garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Filed Under: Politike Tagged With: Lulzim Basha, takim me Hollandezet

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 13
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT