Nga Marjana BULKU/
Gjithçka ka mbetur kaq e ngrohtë dhe e freskët ndofta ngaqë i ruaj si të shtrenjta ato ditë e vite të shkuara. Çaji i pasdites me babin në ballkonin e shtëpisë tonë në Pejë, nën hijen dhe aromën e blinit qindravjeçar dhe me bjeshkët madhështore të Rugovës në sfond nuk më hiqen nga kujtesa e shpirtit. Kënaqësia e të bërit Pazar me nënën në tregun e Prishtinës për të përzgjedhur prodhimet nga fermerët vendas, e pastaj për të ekzekutuar së bashku nënë e bij recetat tradicionale. Memoriale janë kujtimet në lagjen tonë në Prishtinë me vëllain tim Flamurin, i cili në fëmijëri më mësoi se si të luaj futboll, vizitat në Prizrenin historik te daja Qamil dhe darkat në hotelin Therandë, ku si pesë vjeçare mësova si të vallëzoj nga grupi muzikor që performonte aty, stadiumi ku për shumë vite luajta ndeshje të hendbollit për skuadrën e Prishtinës. Kur kaloj aty akoma i dëgjoj tifozët që brohoritnin emrin m kur i shënoja golat. Shkollat dhe fakultetet ku mësova dhe ku punova më sjellin një ortek memoriesh sa herë që i shoh. Ngrohtësia që ndjej me miq të vjetër çdo herë që takohemi. Për këto arsye dhe shumë të tjera, por edhe për shkak të dashurisë së pakufij që kam për popullin dhe gjuhën shqipe, Kosova për mua ka qenë, është dhe do të jetë thesar i pazëvendësueshëm.
Lumi Hadri cila është ngjarja më e bukur që ju do të donit ta ndanit me lexuesit tanë?
Do të veçoja dy ngjarje të paharrueshme të cilat ndriçuan jetën time; së pari dua të kujtoj festimin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008 në restorantin tim ”Lumi” me aktivistë dhe lider të komunitetit shqiptaro-amerikanë. Ndër ta kujtoj kryetarin e ndjerë të Federatës Panshqiptare Vatra, zotin Agim Karagjozi sepse më lumturon fakti që ai e përjetoi këtë ngjarje historike për të cilën kontribuoi me dekada. Kremtimin e hijeshoi edhe prezenca e shumë ambasadorëve si; Dame Karen Elisabeth Pierce, Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara , Ambasadori Frank G.Ëisner i SHBA -së, Ambasadorët e Shqipërisë Lubim Dila dhe Adrian Neritani.
Së dyti dita e dasmës sime në Explores Club në Manhattan ku unë dhe bashkëshorti im Patriv Devine lidhëm kurorë dhe së bashku me familjen dhe miqtë tanë kaluam një natë feste të mrekullueshme dhe të paharrueshme.
Çfarë roli ka luajtur historia e vështirë shtetformuese e Kosovës në personalitetin tuaj si dhe në aktivitetin tuaj?
Historia e vështirë shtetformuese e Kosovës dhe roli i babait tim në këtë proces, mendoj se u bë komponent kryesor i karakterit tim. Unë duke pasur privilegjin të jem pjesë e jetës së tij u bëra në shumë raste dëshmitare dhe admiruese e guximit të tij, e në moshën madhore edhe konsulente e tij. Vëzhgova së afërmi përgjatë viteve takimet e shpeshta dhe të fshehta në banesën tonë të babait me bashkëmendimtarët e tij. Akademikët e ndjerë dhe të nderuar Fehmi Agani dhe Gazmend Zajmi. Në këto takime ngjizej ideja dhe përpjekja për Kosovën e pavarur.
Largimi juaj drejt SHBA -ve e intesifikoi rolin tuaj tashmë midis dy vendeve duke e bërë edhe më interaktiv angazhimin intelektual dhe patriotik që mbeti i pa plotë pas largimit tuaj nga Kosova?
Për mua ishte shumë e natyrshme, ashtu sikurse është frymëmarja, sepse tani më ishte pjesë integrale e formimit tim nevoja për ti kontribuar çështjes kombëtare dhe për të vazhduar në hapat e babait dhe vëllait tim pasi punët e pakryera prisnin. Kur mbrëmjen e 8 Janarit, 1987 u detyrova të nisem për në SHBA pas një “vizite” dhe marrjes në pyetje nga policia speciale e Beogradit në shkollën ku punoja si profesoreshë e gjuhës Angleze, babi më përcolli dhe kur u përshëndetëm më udhëzoi: “Bashkoju organizatës Rinia Shqiptare në Botën e Lirë”. Me të arritur në SHBA e kërkova atë organizatë, por ajo ishte shuar, prandaj unë u bëra anëtarë themeluese e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Isha shumë aktive duke marrë pjesë pothuajse në të gjitha protestat dhe tubimet. Luajta rolin e “Qytetarit Diplomat” duke organizuar në restorantin tim takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë Amerikanë dhe me aktivistët e komunitet Shqiptar para, gjatë dhe pas luftës së Kosovës 1998-1999.
Akvitetet dhe lobimi i Diasporës ishte shumë efektiv. Diaspora përmbushi me sukses misionin e saj duke bindur administratën Amerikane që ta parandalonin spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë. Gjatë viteve 2005-2008 u aktivizova përsëri në mënyrë intensive dhe organizova takime mujore në mes të aktivistëve /udhëheqësve të organizatave të komunitetit dhe Ambasadorit Frank G. Wisner, të dërguarin specialë të SHBA-së në bisedimet për statusin final të Kosovës. Ambasadori Wisner luajTI rolin krucial në negocimin e pavarësisë së Kosovës dhe do të kujtohet gjithmonë si një mik i madh i popullit tonë.
Ju keni një marrëdhënie shumë të veçantë edhe me Shqipërinë të cilën do të donim të na e përshkruanit…
Babai im ka lindur në Lushnje dhe arsimimin fillor e ka bërë në Tiranë, prandaj unë si bija e tij kam të drejtën e nënshtetësisë së Shqipërisë dhe e ndjej vetën se jam në shtëpinë time sa herë që shkoj në Shqipëri. Unë kam të njëjtën dashuri për Kosovën dhe Shqipërinë. Përgjatë vizitës sime të parë jo-politike në Shqipëri së bashku me bashkëshortin tim, pas pesë ditëve qëndrimi vendosëm ta blejmë shtëpinë tonë në Sarandë. Saranda ishte dashuri me shikim të parë.
Saranda, tre ishujt e Ksamilit, Butrinti dhe Gjirokastra për mua janë vende ku relaksohem plotësisht dhe ku trupi e shpirti më rigjenerohen. Kur shkoj në ishujt e Ksamilit jashtë sezonit turistik më duket se transportohem në kohërat e lashta, ishujt kane pamje mitologjike kur bie muzgu dhe në imagjinatën time shoh Odiseun dhe sirenat. Udhëmi vjetor për në Shqipëri dhe Kosovë është një ngjarje të cilën çdo vit e presim me padurim.
Cili është roli i komunitetit shqiptaro amerikan në mbrojtjen dhe konsolidimin e sovranitetit dhe prosperitetit të Kosovës sipas këndvështrimit tuaj proaktiv?
Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u hapën ambasadat dhe si rezultat Diaspora nuk vazhdoi të luajë rolin proaktiv në aspektin e lobimit. Fokusi u vu më tepër në investime. Përse kjo ngjau dhe kush e shkaktoi shkyçjen e Diasporës të SHBA-së është e debatueshme. Pasi që shteti i Kosovës edhe pas 20 viteve akoma nuk është konsoliduar është evidente që ekziston një vakuum dhe që përsëri Diaspora duhet të mobilizohet për të ndihmuar në përmbylljen e këtij proçesi me përkrahjen e Administratës Amerikane. Përsa i përket prosperitetit përpjekjet tona nuk kanë ndaluar asnjëherë .
Ne nuk mund të ndahemi nga Lumi Hadri pa shfletuar pak nga historia e pasur e Familjes Hadri ku ju rendisni jo një por disa çka u bënë udhërrëfyese në jetën dhe veprimtarinë tuaj.
Kur përgjatë demonstratave në vitin 1968 e pashë vëllain tim tani të ndjerë Dr.Flamur Hadrin i cili në moshën 13 vjeç protestonte kundër apartedit jugosllav duke hipur mbi autobuzin e përmbysur para teatrit kombëtar në qendër të Prishtinës nuk kam se si të mos marr frymë thellë, ndalem, përlotem dhe reflektoj thellë.
Ai kishte veshur një këmishë të kuqe me shqiponjën dykrerëshe e cila ia mbulonte krejt gjoksin, shqiponjë që ai e kishte vizatuar dhe ia kishte qëndisur nëna.
Po në të njëjtën ditë babai im i ndjerë, akademik Ali Hadri e shpalosi flamurin gjigand kuq e zi nga dritarja e katit të dymbëdhjetë të banesës sonë e cila gjendej përballë konviktit të studentëve protestues në shenjë solidariteti dhe inkurajimi për ta.
Atë kohë unë isha thjesht fëmijë por e dija dhe ndjeja instiktivisht se kjo ngjarje do ndikonte thellësisht jo vetëm ndjenjat por edhe në jetën time duke ndezur kështu dashurinë e përjetshme për flamurin tonë të ndaluar nga Jugosllavët. Pastaj kur si studente unë mora pjesë në demonstratat e vitit 1981 dhe i tregova babait, në shprehjen e syve të mi e vërejta se kjo ngjarje më kishte maturuar dhe ndryshuar thellësisht. Ai me mburrje më tha “Revolucionarja e Babit”. Gjithashtu nuk mundem pa e kujtuar ngjarjen e një nate të Fohtë dimri të vitit 1981 kur persona nga UDB -ja e Beogradit erdhën dhe morën babin tim nga shtëpia jonë kundër dëshirës së tij. Për tri ditë dhe tri net ne familjaret ishim në agoni sepse nuk e dinim se ku ndodhej dhe se a do ta shihnim përsëri.Për fat pas tri ditëve u kthye në shtëpi dhe të nesërmen përgjatë udhëtimit tonë nga Peja në Prishtinë më tregoi se kishin sjellë në malet e Sharrit në Brezovicë, aty gjatë tere kohës u munduan ta detyrojnë që të heq dorë nga veprimtaria dhe bindjet e tij. Së pari duke u përpjekur ta korruptojnë me oferta të ndryshme, kur kjo nuk punoi provuan ta frikësojnë me përjashtim nga puna dhe me gjygjsor, pasi që edhe kjo nuk pati efekt e kërcënuan duke i thënë “nëse nuk kooperoni do japim fund ardhmërisë tuaj”. Ali Hadri ju është përgjigjur “ Unë kam qenë zot i të kaluarës time, jam zot i tashmes me dhe do të jem zoti të ardhmes time, sepse unë i di shumë mirë konsekuencat e qëndrimeve dhe veprimtarisë time”. Pra Ali Hadri veproi dhe shkroi historinë në periudha kohore shumë të vështira për popullin Shqiptar brenda Jugosllavisë gjithmonë me qëllim për të avancuar çështjen kombëtare. Babai im ka pasur një vetëdijshmëri akute për misionin e tij jetësor që ishte ti shërbejë popullit tij deri në sakrificën finale. Figura e tij u bë e pavdekshme në institucionet që mbajnë emrin e tij dhe në shtatoret në sheshet e Kosovës. Ndikimi i tij ka qenë i madh, por edhe mburrja që ndjej për të. Po ashtu nëna ime Nazmije Qata-Hadri veterane e arsimit të Kosovës ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në edukimin dhe formimin e personalitetit tim. Padyshim që pasi isha e ekspozuar ndaj ndodhive të tilla, ato kanë pasur një impakt rrënjësor në formimin e karakterit tim e sidomos influenca e babait dhe nënës time që jetuan jetën dinjitetshëmi si idealistë e të përkushtuar që ia dedikuan jetën emancipimit të gjeneratave të reja dhe çështjes kombëtare. Ndikimi e tyre në jetën time është i jashtëzakonshëm dhe mënyra me të cilën më frymëzuan edhe sot janë shembull referimi dhe udhërrëfyes i qartë në rrugëtimin tim të cilin e bëj me vetëdije të lartë dhe me përkujdesje për ta ruajtur përjetë trashëgiminë e çmuar që na lanë prindërit.
Është një bekim i vërtetë.