Nga vizita e ministrit të Diasporës të Republikës së Kosovës z. Ibrahim Makolli në Montreal/
Nga Ajet Nuro*/
Ditën e shtunë më 19 prill 2014 mbrriti në Montreal, ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Z. Ibrahim Makolli. Ai filloi nga Montreali një sere takimesh me emigrantët shqiptarë që janë vendosur në Amerikën e Veriut, (Kanada dhe Shtetet e Bashkuara). Ministri Makolli, mbrriti në Montreal me qëllimin e vetëm për të takuar emigrantët shqiptarë, të vendosur në metropolin e Kebekut. “Nuk do të doja të shkoja për here të tretë në Toronto, pa kaluar nga Montreali dhe pa u takuar me shqiptarët që jetojnë këtu”, -tha ai me të mbrritur në aeroportin Trudeau të Montrealit.
Ministria e gjithë shqiptarëve…
Nuk di sa ministri ka qeveria e Prishtinës dhe sa ministri ka ajo e e Tiranës por një ministri, ajo e Diasporës më ka rënë në sy për veprimtarinë e saj në mbështetje të diasporës dhe lidhjen e saj me vendlindjen. Ndonëse ky dikaster është pjesë e qeverisë së Republikës së Kosovës ajo u shërben njëlloj të gjithë emigrantëve shqiptarë pavarësish se nga është origjina e tyre. Kështu, kjo ministri ka shpërndar abetare e libra të tjerë për fëmijë dhe për të rritur, ka ndihmuar në hapjen dhe mbajtjen e shkollave shqipe edhe aty ku vetëm shqiptarë nga Republika e Shqipërisë si në Greqi psh. Kjo më bëri që në fillim të këtij viti, t’I kërkoj një intervistë titullarit të kësaj ministrie z. Ibrrahim Makolli dhe mund t’u them se vet procesi i kësaj interviste ishte një process që rrallë e sheh në zyrat e tjera në Prishtinë apo në Tiranë. Stafi I kësaj ministrie është një staf I sjellshëm dhe i vëmendshëm ndaj kërkesave që u dërgohen.
Vizitë e papritur
Vetëm në fillim të javës, zdhënësi i Minsitrisë së Diasporës, Zgjim Gashi më bëri të ditur dëshirën e ministrit Makolli për të ardhur në Montreal për të takuar shqiptarët që jetojnë dhe punojnë këtu. Por, nga ana tjetër, shqiptarët e kanë në gjak ndjenjën e mikpritjes, kështu që vumë në lëvizje gjithë njerëzit tanë këtu dhe ndonëse fund-java ishte prej kohësh e planifiuar dhe fund-javë pashkësh, ia dolëm të planifikojmë pritjen e minitrit Makolli.
Pas pritjes në aeroport, përfitova nga disa minuta të lira për të shëtitur me z. Makolli në Montreal dhe në ishullin Saint-Hélène. Kuptohet që dimri sapo ka dal dhe pranvera është duke ardhur por, edhe kështu qyteti i Montrealit është i bukur për t’u parë.
Mbrëmje mes shqiptarësh
Ndonëse, jo të gjithë ata që do të doja të ishin në mbremje, munda t’i mblidhja, rreth njëzetë shqiptarë u ulën në restorantin « Bâton Rouge » për të respektuar mikun e nderuar nga Prishtina. Në fakt, aty kishte shqiptar nga Çamëria, Vlora, Tepelena, Shkodra, Elbasani, Korça, Kamenica, Prishtina dhe Obiliqi (Për të mos i numëruar të gjitha vendet e përfaqësuara…)Ne patëm nderin të kemi në tavolinë edhe katër përfaqësues nga Toronto, mes tyre edhe anëtaren e kryesisë së shoqatës shqiptaro-kanadeze në Toronto znj. Emiliana Anastasi dhe aktivitin e kësaj shoqate z. Leonard Zoga.
Do të desha t’i falenderoj të gjithë të pranishmit e mbi të gjitha z. Shkëlqim Tola që u tregua i papërtuar dhe në dispozicion për të pritur e nderuar mikun e veçantë nga Prishtina.
Nder për Kosovën
Duke falenderuar pjesëmarrësit për ardhjen e tyre si dhe z. Makolli, unë theksova se nderimi që ne i bëjmë mikut të lart nga Kosova i takon së pari një zonje të rëndë siç është Kosova. Kur Kosova ishte nën thundrën e serbëve dhe para pavarësisë, uronim që kjo ditë të vinte dhe ardhja e një ministri nga Kosova, është treguesi i pare e i prekshëm i asaj që Kosova sot është një vend i pavarur. Sigurisht, me këtë pritje ne nderojmë edhe mikun nga Prishtina dhe dikasterin që ai përfaqëson. Ministria e Diasporës n’a ka bërë të ndihemi se ekzistojmë dhe të vlerësohemi. Do të donim që edhe Tirana të kujdesej edhe më shumë. Ministria e Diasporës nuk flet por vepron. Edhe njëherë u kujtova të pranishmëve, se edhe fëmijët tanë përfituan në dhjetorin e kaluar nga dhuratat e dërguara nga Ministria e Diasporës së Kosovës prandaj dua t’a falenderoj z. Makolli për gjithçka që ai dhe dikasteri i tij bëjnë për ne emigrantët. Ne, emigrantët, nuk kemi nevojë për parà apo për ndihë ekonomike por për një kujdes shtetëror.
Gjuha shqipe dhe ruajtja e identitetit kombëtar duhet të n’a bashkojnë të gjithë shqiptarëve
Pasi falenderoi për mikpritjen, ministri i diasporës tha se është kënaqësi për mua të takohem menjerëzit tanë të cilët siç e dini jeni të shpërndarë në të gjithë botën dhe nuk ka vend ku nuk ka shqiptarë. Unë kam një aktivitet në Toronto por nuk mund të shkoja përsëri në Toronto pa u ndalur dhe takuar shqiptarët e Montrealit. Unë veprimtarinë Tuaj e kam ndjekur nga larg por është ndryshe ajo që e prek vetë. Nuk do t’a konsiderojmë sukses përsa kohë nuk kemi lidhje të mira mes atyre që jetojnë jashtë dhe ne që jetojmë brenda. Mërgata nuk është e Kosovës, as e Shqipërisë. Mërgata ka qenë, është dhe do të jetë një dhe çdo veprim që bëjmë e bëjmë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ne kemi bashkëpunim të mirë me Shqipërinë sikurse me ministrinë e arsimit dhe ne e plotësojmë njëri-tjetrin. Ne kemi disa objektiva për njerëzit tanë që jetojnë jashtë. E para dhe mbi të gjitha është ruajtja e identitetit . Nëse në të kaluarën është arritur që të ruhet, sot nuk është dhe aq e lehtë. Nuk është e lehtë sepse zhvillimet teknologjike e kanë bërë të vetën. Nëse ju keni ardhur në moshën 15 apo 20 vjeçare por fëmijët që lindin këtu që kurse fillojnë të flasin janë në çerdhe apo shkolla dhe krijojnë një farë identitet. Kështu me njerësit tanë që jetojnë jashtë po reagojmë për këtë çështje. Nuk jemi të kënaqur me mësimin plotësues sepse është pak për nevojat që kemi. Në këtë drejtim Suedia është më mirë sepse mësimi bënë pjesë në mësimin e rregullt. Gjatë këtyre 2 vjetëve kemi arritur të rrisim numrin e shkollave dhe të nxënësve, kemi shpërndarë mbi 260 mijë libra në shkolla por edhe në biblioteka të qyteteve dhe do të vazhdojmë kësisoj edhe në të ardhmen. Objektiv tjetër yni është të dimë numrin e mërgimtarëve tanë dhe kemi filluar të regjistrojmë mërgatën dhe këtë kemi dashur t’a bëjmë së bashku me Shqipërinë sepse kështu mund të nxjerrim edhe rezultatet se sa emigrantë ka nga Shqipëria, sa nga Kosova, sa nga Mali i Zi apo nga Maqedonia. Rëndësi i kushtojmë edhe Luginës së Preshevës pasi nëse nuk kujdesemi ne, nuk ka kush të kujdeset për ta. Kemi filluar organizimin e mërgatës në aspektin profesional të saj. Kemi organizuar rrjetin e mjekëve shqiptarë në botë, kemi organizuar një konferencë në Prishtin. Numri i mjekëve shqiptar të një profili të lartë në botë vërtitet rreth numrit 700. Po ashtu kemi punuar për krijimin e shoqatave të inxhinierëve dhe arkitektëve shqiptarë në shumë vende të Europës po ashtu edhe shoqata të juristëve dhe profesione të tjera. Gjithashtu po krijojmë edhe shoqata të biznesmenëve shqiptarë dhe kydo të jetë edhe qëllimi i një mbledhje që do të organizohet në Toronto pasnesër. Gjer më sot kemi krijuar rreth 17 rrethe të tilla. Këto organizime ndihmojnë raportet mes shqiptarëve në vendet ku ata jetojnë por kjo favorizon edhe marrdhëniet e tyre me vendlindjen. Jemi duke diskutuar me Shqipërinë për të patur një komitet për mërgatën që do të ketë autoritet këshilldhënës mbi qerveritar. Ne kemi qeveritë tona por ne kemi nevojë për një politikë kombëtare për mërgatën. Ne kemi një strategji për diasporën që nuk është një strategji e mbyllur por jnë strategji e gjallë.
Pastaj z. Makolli foli për arritjet e dikasterit të tij, arritje që siç tha ai nuk mund të realizoheshin pa bashkëpunimin e dikasterit të tij dhe komuniteteve shqiptare kudo në botë. Pastaj ai tha se jemi nga pupujt e paktë që kanë mbi dy të tretat e popullsisë që jeton jashtë kufijve të saj. Ai tha se në botë vetëm pas viteve ’60 janë mbi tre millionë shqiptarë (pa përmendur shqiptarët e detyruar që të shpërngulen në Turqui nga dhuna e klikës Rankoviç-Tito.)
Përfaqësimi i diasporës në politikën shqiptare është një nga projektet e ministisë së diasporës dhe, edhe aty z. Makolli theksoi kujdesin që disapora mos të ndahet apo partizohet dhe po punohet të gjendet mënyra më e mirë e pëfaqësimit. Në fund, miku i nderuar falenderoi të pranishmit për mikpritjen dhe u kërkoi atyre dhe gjithë emigrantëve të tjerë të ndihmojnë në misionin e ministrisë së diasporës dhe të shkruajnë të flasin madje edhe të kritikojnë por duke sugjeruar edhe zgjidhje.
Pastaj mbrëmja kaloi në një atmosferë vllazërore
Për t’u bërë një përmbledhje të atmosferës që krijoi ministri Makolli, nuk ka më bukur se shprehja që më tha një nga pjesëmarrësit të nesërmen e takimit: Me vdekjen e Ibrahim Rugovës, nuk besoja se ndonjë politikan tjetër do më ngjallte entuziazëm dhe shpresë si z. Makolli …
Të nesërmen z. Makolli pati takim me një grup emigrantësh në kolegjin Brebeuf në Montreal, takim i organizuar nga Bashkësia e Shqiptarëve të Kebekut në Montreal.
• E dërgoi për Diellin vetë autori. E falenderojmë!