
Shkup, 23 tetor 2020– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, është pritur sot me ceremoni të lartë shtetërore nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.


Në këtë takim, të dy kryeministrat konstatuan se vendet e tyre ndajnë interesa të përbashkëta në fushën politike, ekonomike dhe më tej, përfshirë këtu edhe aspiratat integruese në familjen evropiane, ndërsa fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe e konsideruan si alternativa e vetme dhe e duhur.

Duke i vlerësuar raportet e mira bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Hoti vlerësoi se avancimi i bashkëpunimit në fusha konkrete ndërmjet dy vendeve do të forconte edhe më tej zhvillimin ekonomik, politik dhe tregtar.

Ndërsa, Kryeministri Zaev theksoi se i mbështet përpjekjet e Republikës së Kosovës në rrugën e saj integruese, dhe njëherit e vlerësoi lart bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Për më tepër, Kryeministri Zaev vlerësoi se Kosova është një ndër partnerët më të rëndësishëm tregtar për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit kryeministri Hoti dhe kryeministri Zaev kanë mbajtur një konferencë të përbashkët me gazetarë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Hoti në konferencë:
Faleminderit shumë i nderuar kryeministër Zaev për pritjen shumë miqësore në Shkup.
Kjo është vizita ime e parë në Shkup, dhe i uroj edhe kryeministrit punë të mbarë në mandatin e ri që e ka marrë dhe shfrytëzoj rastin që ta përgëzoj për veprimet e jashtëzakonshme që i ka ndërmarrë në mandatin e kaluar, veprime të rëndësishme, që nganjëherë në politikë edhe mund të kushtojnë, sa i përket perspektivës dhe karrierës politike të një kryeministri ose të një qeverie, por që hapin perspektivë për zhvillim dhe normalizim të marrëdhënieve.
Në këtë drejtim arritja e marrëveshjes me Greqinë, është një sukses i jashtëzakonshëm i juaji personalisht, me mbështetje të miqve, partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe besoj që është hap i mirë se si duhet të normalizohen marrëdhëniet në mbarë regjionin.
Ju përgëzoj për avancimin e madh që keni bërë drejt integrimeve evropiane dhe në zhvillimin e nismave regjionale, për të cilat ne presim që t’iu bashkohemi dhe të punojmë bashkë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve në regjion.
Keni bërë një rrugëtim të gjatë, 30 vjeçar si shtet dhe ne, por edhe i gjithë regjioni ka shumë për të mësuar në reformat që keni ndërmarrë, në veçanti në fushën ekonomike, duke renditur vendin tuaj ndër reformatorët kryesor në nivel botëror.
Dëshiroj t’iu falënderoj në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për koordinimin e ngushtë që kemi pasur si dy qeveri gjatë këtyre muajve, gjatë luftimit të pandemisë, ku qytetarët e të dyja vendeve, duke i tejkaluar të gjitha procedurat burokratike, kanë lëvizur shpejt për t’i kryer nevojat e tyre.
Më vjen mirë që edhe me bisedën që kishim në mbledhjen e përbashkët tani kemi një dakordim që të lëvizim përpara në disa ide, në disa projekte që janë në interes të dy ekonomive tona. E mirëpres shumë idenë që të shkojmë drejt ndërtimit të pikës së përbashkët të kalimit kufitar ONE STOP SHOP, pastaj lidhjen e Prishtinës me gazin këtu në Shkup, me mbështetje edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë që do ta transformojë komplet regjionin dhe më gjerë, sa i përket furnizimit me energji dhe stabilitetit të mbarë regjionit në furnizim me energji në këtë drejtim.
Më vjen mirë që dëgjoj që keni avancuar në procedura sa i përket ndërtimit të autostradës nga Shkupi deri në kufi. Ne kemi përfunduar pjesën tonë dhe besoj që duke avancuar edhe me ndërtimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar, ne e lidhim Prishtinën me Shkupin në më pak se një orë të lëvizjes.
Gjithashtu më vjen mirë që ka gatishmëri të plotë nga ana juaj që të shqyrtojmë mundësinë e studimit të fizibilitetit për autostradën Tetovë- Prizren, sigurisht specifikat që ka regjioni atje, por duhet t’i marrim parasysh ato.
Odat tona ekonomike dhe asociacionet e biznesit do të jenë ngushtë në koordinim me odën ekonomike këtu, për të intensifikuar bashkëpunimin, por edhe për të identifikuar çfarëdo pengese që ne mund të kemi në mes të dy vendeve tona sa i përket intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik.
Bashkëpunimi ynë ekonomik nuk kufizohet vetëm me vlerën e eksporteve dhe importeve që kemi si dy vende, por tejkalon atë edhe në fushën e shërbimeve, por edhe në komplimentaritetin që kanë dy ekonomitë tona në plotë aspekte.
Unë pres që Samiti i Sofjes i cili organizohet në Bullgari, për të cilin ju përgëzoj, të jetë një sukses për regjionin me kontributin e juaj, duke i konkretizuar disa nga nismat regjionale të cilat ju i keni filluar në mandatin e kaluar, por tash mund t’i konkretizojmë dhe mund t’i çojmë përpara së bashku, si regjion mbi baza plotësisht të barabarta, si vende të Ballkanit Perëndimor.
Pres me padurim që të takohemi prapë në Samitin e Sofjes më 10 nëntor që t’i konkretizojmë këto nisma.
Është bërë një punë e mirë në përgatitjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona, kemi më se 40 marrëveshje të nënshkruara. Unë pres me padurim që sapo të krijohen kushtet të organizojmë një mbledhje të përbashkët, ku do të rishikojmë marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani për të parë zbatimin e tyre dhe të identifikojmë mundësitë e tjera të bashkëpunimit duke nënshkruar marrëveshje të reja.
Unë pres me padurim që t’ju mirëpres gjithashtu në Prishtinë.
***
Kryeministri Hoti: Kosova dhe Maqedonia e Veriut, partnerë

Shkup, 23 tetor 2020- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut u prit edhe nga Presidenti Stevo Pendarovski, me të cilin diskutoi për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe fqinjësisë së mirë, bazuar në interesat e përbashkëta politike dhe ekonomike, të cilat e begatojnë stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Hoti e potencoi faktin se Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut janë partnerë në shumë fusha.
“Ky është demonstrim praktik i principit të fqinjësisë së mirë dhe mund të thuhet se po japim kontributin tonë aktiv të ofrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në”, theksoi Kryeministri Hoti.
Në takim u konstatua se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë duke lëvizur drejt të njëjtit cak, integrimeve euroatlantike, dhe këtë rrugë do ta bëjnë edhe më të lehtë, duke e përkrahur njëra – tjetrën.
Ndër të tjera, nga Kryeministri Hoti dhe Presidenti Pendarovski u specifikua se nuk ka çështje të hapura ndërmjet dy vendeve, gjersa konkluduan se ka rezultate të dukshme të cilat janë bazë e mirë për projektet e ardhshme në të gjitha ato fusha që janë me interes të qytetarëve dhe vendeve tona.
Sa i përket dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, Kryeministri Hoti rikonfirmoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, ku tha se normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve duhet t’i paraprijë njohja reciproke.
Kryeministri Hoti ka falënderuar nikoqirin edhe për bashkëpunimin gjatë kohës së pandemisë dhe shkëmbimin e përvojave në luftimin e saj.
***
Kryeministri Hoti u prit nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi


Shkup, 23 tetor 2020- Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, është pritur edhe nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ku biseduan për zhvillimet politike në vend dhe rajon, me theks të veçantë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut ndajnë interesa të përbashkëta në fushën politike, ekonomike, legjislative dhe më tej, përfshirë këtu edhe aspiratat integruese në familjen evropiane”, ka theksuar Kryeministri Hoti, ndërsa bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve e cilësoi si shembull të mirë të bashkëpunimit fqinjësor.
Temë diskutimi në këtë takim ishte edhe procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, me ç’rast Kryeministri Hoti potencoi faktin se duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare, që nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, e cila do t’i kontribuonte paqes, stabilitetit dhe rrugës euroatlantike të rajonit.
Kryeministri Hoti dhe Kryetari Xhaferi biseduan edhe për sfidat që po përballet rajoni dhe bota, përkatësisht me luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike, ku i pari i Qeverisë së Kosovës precizoi përkushtimin maksimal dhe masat e ndërmarra për tejkalim të situatës së krijuar nga ky armik global dhe kthimit të gjendjes në normalitet.
***
Kryeministri Hoti takoi Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti

Shkup, 23 tetor 2020- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka zhvilluar takim me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme, forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe perspektiven euroatlantike të rajonit.
“Roli konstruktiv i faktorit politik shqiptar në institucionet e Maqedonisë së Veriut, si dhe bashkëpunimi i mirë ndërmjet dy vendeve tona, konsideroj se janë kontribut direkt në forcimin e paqes, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë sonë në rrugën euroatlantike”, tha Kryeministri Hoti.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se krahas bashkëpunimit aktual në fushën politike dhe ekonomike, do të rrisin përkushtimin edhe në fushën e arsimit, kulturës dhe mbrojtjes së investimeve, si dhe do të iniciojnë marrëveshje të reja në të gjitha ato fusha që janë në interes të qytetarëve dhe vendeve tona.
Kryeministri Hoti, para nikoqirit theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në luftën kundër pandemisë, masat e ndërmarra për tejkalimin e sfidave të krijuara nga ky armik global, bashkë me planin për rimëkëmbje ekonomike, me qëllim të kthimit të gjendjes në normalitet dhe zhvillimit të mëtejmë.
Ndër temat e diskutimit në këtë takim ishte edhe procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për të cilën Kryeministri Hoti tha se arritja e një marrëveshje përfundimtare, që do të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve do t’i forconte marrëdhëniet ndërfqinjësore.
***
Kryeministri Hoti takoi Kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi

Shkup, 23 tetor 2020- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut, u takua edhe me Kryetarin e partisë Alternativa, Afrim Gashi.
Me këtë rast, Kryeministri Hoti vlerësoi rolin e spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se kontributi i tyre në zhvillimin e vendit, veçanërisht në kultivimin e demokracisë dhe integrimit është tepër i rëndësishëm, pasi që shqiptarët me të drejtë konsiderohen si përcaktues në shtetndërtim.
Po ashtu, Kryeministri Hoti me nikoqirin diskutoi edhe për proceset dhe gjendjen politike në Kosovë dhe në rajon, ku specifikoi prioritetet dhe përkushtimin e Qeverisë në betejën kundër pandemisë COVID-19, si dhe planin për rimëkëmbje ekonomike.