• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARGARET THATCHER – SIMBOLI I SË DJATHTËS POLITIKE

April 14, 2013 by dgreca

“Në politikë, nëse do që të thuhet diçka kërkoja një burri, por nëse do që ajo të bëhet, kërkoja një gruaje.”  M.Thatcher/

SHKRUAN:EUGJEN MERLIKA/

Më 17 prill, në kishën Saint Paul të Londrës, në prani të 2000 të ftuarve nga e gjithë bota, zhvillohet ceremonia përshpirtëse e përcjelljes së “Zonjës së Hekurt”, Margaret Thatcher, ish Kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar (1979 – 1990), që ndrroi jetë më 8 prill në banesën e saj në Londër, e goditur nga një iktus, mbas disa vitesh gjëndjeje shëndetësore jo të mirë, si pasojë e një sëmundjeje të sistemit nervor.

“Është me të vërtetë një ditë e trishtuar për Vendin tonë. Kemi humbur një udhëheqëse të madhe, një kryeministre të madhe dhe një britanike të madhe. Besoj se do të quhet kryetari më i madh i qeverisë që Vendi ka patur.” Kështu u shpreh kryeministri i sotëm i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron, duke i u referuar një gruaje që kishte qeverisur një Vend që kishte patur si Kryetarë qeverije njerëz si Gladstoni, Disraeli, Lloyd George, Winston Churcill, Toni Blair etj. Janë fjalë që rihapin një diskutim që ka filluar në të largëtin vit 1975, kur 49-vjeçarja Margaret Roberts Thatcher, u ngjit në postin e kryetares së partisë konservatore angleze. Fakti që ende sot vazhdojnë diskutimet mbi rolin e asaj gruaje në historinë e Anglisë e të botës, është tregues i një personaliteti të jashtzakonshëm në jetën politike Perëndimore, në një periudhë ndryshimesh epokale, si ajo e viteve 80 të shekullit të shkuar.

Kjo “revolucionare” konservatore që, në ndryshim nga të gjithë shtetarët bashkëkohës, pati aftësinë t’i japë një epoke emrin e saj, kishte lindur në një familje të thjeshtë të një bakalli që tregëtonte mallrat koloniale. Kishte studjuar kimi dhe ishte futur në moshën 23 vjeçare në jetën politike. Trashëgoi edukatën serioze të një familje që hyn në numurin e atyre që përbëjnë shtyllën kurrizore të një kombi e, për të cilën, disa vlera marrin rëndësi absolute e nuk mund të jenë subjekte relativizmi. Në moshën 33-vjeçare zgjidhet deputete në Westminster e fillon kariera e saj shtetërore në kabinetet e Macmillan-it, Alex Douglas-Houme e të Edward Heath-it, në këtë të fundit në dikasterin e arsimit. Por Meggi kishte synime më të larta, jo të një kariere vetiake, por të një ndryshimi rrënjësor të filozofisë politike të Vendit të saj e madje edhe të vetë atij. Në këtë synim madhor ajo ka një kurajë të rrallë që t’i bëjë Vendit të saj një diagnozë shkencore e të pamëshirshme, të cilën asnjë koleg politikan nuk e kishte bërë : Anglia e kishte fituar luftën, por fitorja nuk ndryshonte shumë nga humbja. Më 1945, e varfëruar dhe e drobitur, ajo kishte pushuar së qëni një fuqi e madhe, duhej të bëhej diçka tjetër.

Kjo diçka tjetër ishte shprehje e një tjetër mendësie, e të tjera parimeve, e të tjera kritereve të përballimit të problemeve. Kjo tërësi ndryshimesh në botkuptimin e saj, që do të bëhej me shumë mundim edhe botkuptimi i një partie, i një Vendi, i një epoke që u quajt “liberizëm” dhe vetë kjo e fundit “teçerizëm”. Për kohën ishte një ideologji revolucionare që u fut në trupin e një partie të mësuar me një tradicionalizëm, që bazohej në mirëkuptimin dhe në miratimin. “Teçerizmi ishte, para së gjithash, një ideologji e liberalizmit, donte të zvogëlonte rolin e Shtetit në shoqëri dhe në ekonomi e të përforconte rolin e tregjeve e të individëve. Por ishte dhe ideologjia e mundësive, e vetë-sendërtimit, e meritokracisë.” Kështu e përcakton politologu i njohur Bill Emmoth mendimin zotërues të Margaret Thatcher. Me këtë bagazh ideor ajo fitoi zgjedhjet në majin e vitit 1979, duke u ngarkuar me detyrën e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.

Gjeti një Vend në prag të falimentimit, me plehrat që mbushnin rrugët, me korentin elektrik të racionuar, me një papunësi të jashtzakonëshme, me një javë pune të katandisur në tri ditë. Britania dilte nga një dimër tensionesh shoqërore, me një popull të lodhur nga grevat pa kufi, nga bllokimi i shërbimeve, nga plotfuqia e Tred Unions-eve që bënin ligjin, me një sistem ndihmash shtetërore që kishin asfiksuar financat e kultivuar parazitizmin, duke zbehur vullnetin për punë të qytetarëve. Ishin të gjitha këto pasoja të qeverisjes laburiste simbas mendësisë stataliste, për të cilin individët dhe nismat e tyre duhet të njëjtësoheshin me planet e Qeverisë dhe faktorin shoqëror.

Për shtetaren as pesëdhjetëvjeçare, që merrte mbi supe drejtimin e ish perandorisë më të madhe të botës, kjo gjëndje ishte e papranueshme. Nga mësimet e Shën Françeskut huazoi një koncept, të cilin e ktheu në një projekt, që bëhet lejt-motiv i punës së saj. “Aty ku është gabimi të sillet e vërteta, ku është dyshimi të sillet besimi, ku është dëshpërimi të sillet shpresa. Forcat e gabimit, të dyshimit e të dëshpërimit janë kaq të fuqizuara në shoqërinë britanike, sa që thyerja e tyre nuk do të jetë e mundur pa disa masa mospajtimi.”

          Zaret ishin hedhur dhe ajo, në mbledhjen e parë të Qeverisë, bën të njohur planin e saj të ndryshimeve. Përballë kishte një përkrahës dhe 17 kundërshtarë, që “revolucionin” e saj e quanin të pasendërtueshëm e, madje, të dëmshëm. Vërejtjeve të tyre i u përgjigj me një frazë lapidare : “Zonja nuk kthehet mbrapsht!”

          “Iluzioni i fundit që ndërhyrja e Shtetit do të kishte sjellë harmoninë dhe solidaritetin shoqëror, apo në gjuhën e konservatorëve “një komb të bashkuar”, u shemb në një klimë të përgjithëshme pakënaqësie, në të cilën të vdekurit mbeteshin pa u varrosur, të sëmurë rëndë nuk pranoheshin nga spitalet sepse nuk i lejonin rojet e sindikatave, dhe humori shoqëror mbizotërues ishte i një zilie sherrtare e i një armiqësie pa shkak. Të shërohej sëmundja e Anglisë me socializmin ishte sikur të kërkohej të shërohej leuçemia nëpërmjet shushunjave.” Shkruan Ajo në librin e saj “Vitet e Dawning Street”. Me një vullnet dhe energji të pashoqe punoi  për zbatimin e projektit tepër ambicioz, atë të ndryshimit të Mbretërisë së Bashkuar, në bazë të të cilit ishte parimi “të tërhiqeshin kufijtë e Shtetit”, duke u mbështetur në dy shtylla kryesore të mendimit të ri : privatizimet dhe liberalizimet.

Deri atëherë në politikën botërore termi privatizim ishte i panjohur, me Margaret Thatcher u bë politikë për t’u zbatuar në Britaninë e Madhe e, më pas, për t’u eksportuar në çdo kontinent. Gjatë viteve 80 qeveria angleze privatizoi trasportet, industrinë e çelikut, gazin, telefoninë, ujin, industrinë e naftës e dhjetra ndërmarrje të kontrolluara nga Shteti u shitën. U hap kështu epoka globale e privatizimeve, që përfshiu Indinë, Amerikën Latine, Evropën Perëndimore e, mbas 1989, edhe atë Lindore së bashku me Rusinë. Në këtë proçes të madh revolucionarizimi të Shtetit u zhvillua edhe ndeshja me Trade-Unions, që ishin fortesat më të fuqishme të statalizmit, një ndeshje që përfundoi me fitoren e rendit të ri që ishte shprehje e nismës së lirë të individëve, e rentabilitetit ekonomik, e një shoqërie në të cilën Shteti duhet të bënte vetëm atë që nuk ishte në gjëndje t’a kryente qytetari i vetëm. Në betejën e gjatë të Kryeministres me Sindikatat mbeti proverbiale një shprehje e saj : “Të kesh mundur nazistët për t’u mundur nga Sindikatat është jo vetëm marrëzi, por diçka qesharake.” Në atë vazhdë u ndërprenë pagesat për ndërmarrjet në humbje, me falimentimin e industrisë automobilistike, që u përtëri nëpërmjet kapitaleve të huaja që hynë në Angli. Në këtë kuadër lindi dhe tregu financiar  ndërkombëtar në Londër, i famshmi City. Liberalizimit të tij mjaft ekonomistë e shtetarë të së majtës sot i veshin përgjegjësinë e krizës ekonomike të viteve të fundit, nuk di sa mund të jetë i bazuar ky gjykim.

Një tjetër fushë e veprimit të qeverisë ishte shkurtimi i shpenzimeve të Shtetit. Kështu vetëm në administratën shtetërore, nëpërmjet këtyre shifrave, mund të kuptohet prirja për të patur një Shtet të lehtë e funksional. Më 1961 numuri i nëpunësve ishte 640000 (më i ulti i mbas luftës. Më 1979, mbas qeverisjes së Kallaghan-it kishte arritur në 732000. Në vitin 1983 zbriti në 630000. Një tjetër tregues i suksesit të politikës qeveritare vërehet në numurin e orëve të grevave : 30 milion më 1979, 2 milion më 1986.Reformat kishin mjaft kundërshtime, por anglezët e kuptuan se ishin rruga më e mirë për të siguruar zhvillimin e Vendit e prandaj i dhanë votbesimin tri herë rradhazi Qeverisë Thatcher

Personaliteti i Zonjës Thatcher spikati edhe në politikën  ndërkombëtare. E nderuar më shumë në SH.B.A. e në ish Commonwealth-in britanik e më pak në Evropën kontinentale, për prirjet e saj nacionaliste e qëndrimin e vendosur antikomunist e jo shumë miqësor ndaj institucioneve të Bashkimit (“Evropa është dera nga hyhet në socializëm”), Kryeministreja angleze shpaloste profilin e një shtetari, për të cilën nuk reshtën kurrë vlerësimet në të gjitha nivelet, si politike ashtu edhe mediatike. Ronald Reagani e quante “burri më i mirë i Anglisë”, Henry Kissinger “një drejtuese me bindje të forta e një personalitet të jashtzakonshëm”, James Bakeri “Meggi ka ndryshuar rrjedhën e historisë”, ndërsa Gorbaçovi shprehet për Të : “Ka qenë një politikane e madhe dhe një njeri i shkëlqyer. Fjala e saj kishte një peshë të madhe.” Nancy Reagan, bashkëshortja e Presidentit të SH.B.A. i cilëson kështu marredhëniet Reagan-Thetcher : “…Politikisht ishin dy zemra binjake, të përkushtuara për lirinë e për t’i dhënë fund komunizmit.” Në lidhje me këtë vështrim të veprimtarisë politike të Zonjës Thatcher po sjell një bisedë të Saj me ish Kryeministrin sovjetik Aleksej Kosigin, në një ndalim në Moskë të aeroplanit , që e çonte në Tokio në mbledhjen e G7, në vitin 1982. Kosigini, që ishte në një mbledhje me kryeministrat e Vendeve socialiste, ndërpreu takimin dhe shkoi në aeroportin Vnukovo për të pritur kolegen angleze. Ndërmjet argumentave të bisedimit Zonja e hekurt ngriti problemin e qindra mijra vietnamitëve të jugut që largoheshin me varka për të arritur në brigjet e Vëndeve të tjera aziatike jo komuniste. Shumë prej tyre vdisnin në det dhe Anglia kishte mobilizuar flotën për të shpëtuar mjaft prej tyre e për t’i zbarkuar në Singapor apo Hongkong. Ja si përcjell bisedën vetë Kryeministreja e Britanisë së madhe :

“ I vura në dukje Kosiginit se Vietnami ishte një Vend komunist dhe një aleat besnik i B.S. dhe që ai vetë kishte një ndikim të madh mbi Qeverinë vietnamite. Kjo që po ndodhte ishte një katastrofë e një çnderim, jo vetëm për regjimin vietnamez, por për gjithë komunizmin. A s’mund të bënte asgjë për të ndaluar dukurinë. Fjalët e tij m’u përkthyen : “Mirë,  janë të gjithë të droguar ose kriminelë”.  Nuk shkoi më tutje. Çfarë? Pyeta. “Një milion njerëz ? Komunizmi është një e keqe e tillë në të cilën një milion njerëz duhet të drogohen apo të vjedhin për të jetuar ?”

          Nuk arrita të ndaloj lumin e mërgimtarëve të përndjekur, por munda të kundërshtoj, siç do të bëj gjithmonë, gënjeshtrat me të cilat komunistët justifikonin përndjekjet e tyre…..”

Ishte ky një nga përballimet e Margaret Thatcher-it me krerët e komunizmit në një mënyrë të guximshme e jo hipokrite e ky qëndrim nuk ishte ai i të gjithë drejtuesve të demokracive Perëndimore, që shpesh mbyllnin një sy, siç bëjnë edhe sot me Kinën, para shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në ata Vende. Shqiptarët i mbajnë mënd mirë ende tufat me lule të ndonjerit prej përfaqësuesve të demokracive Perëndimore mbi varrin e Enver Hoxhës.

Këtyre vlerësimeve dua t’i shtoj edhe atë të një kundërshtari të vendosur të Zonjës Thatcher, Ken Livingston, Kryetar i bashkisë së Londrës, që Ajo e quante “një tiran komunist” : “E admiroj dhe e respektoj për pasionin e bindjeve të saj”, duke shtuar më poshtë : “Tragjedia për këtë Vend ishte se gjithshka në të cilën besonte ishte e gabuar.”

Koha vërtetoi se idetë dhe besimi i ish Kryeministres angleze ishin të drejta dhe e kryen funksionin e tyre. Një tjetër koleg i saj i së majtës, Toni Blair, e quante veten “bir të saj” sa i përket koncepteve të qeverisjes e të ekonomisë, ndërsa kujtimin e saj e nderojnë sot edhe persnalitetet më të mëdha të së majtës Perëndimore, si Barack Obama apo Francois Hollande.

Ne, shqiptarët, nuk kemi patur asnjë lidhje me këtë Zonjë të madhe. Duke vlerësuar e nderuar figurën, në filozofinë njerëzore e shtetdrejtuese të Saj mund të gjejmë pika takimi, edhe se në gjithë kujtimet e saj, nuk haset asnjëherë emri i Vendit tonë. Nacionalizmi, antikomunizmi e liberizmi janë koncepte e vlera në të cilat, një pjesë e mirë e shqiptarëve mund të gjejnë veten e përbëjnë një pasuri të vlefshme, për të gatuar fizionominë e një të djathte të vërtetë, për të cilën ka nevojë shoqëria shqiptare.

Një mësim të vlefshëm mund të nxjerrim edhe nga përfundimi i historianit, diplomatit e politologut italian Sergio Romano në lidhje me karjerën dhe përfundimin e Margaret Thatcher-it : “Na mëson se demokracitë e mira dijnë  t’i japin hapësirë reformatorëve të mëdhenj dhe dijnë t’i çojnë në shtëpi, kur bëhen më pak të dobishëm për Vendin.”

Më duket se është një mësim që duhet të marrë një vlerë, pothuaj ungjillore, për jetën tonë politike e aktorët e saj.

Prill 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, Margaret Thacer, simbol i se djathtes

MARGARET THATCHER, KAMPIONE E LIRISË

April 9, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ish-kryeministrja e Britanisë së Madhe, Margaret Thetçer – e para dhe e vetmja grua kryeministre britanike — ndërroi jetë të hënën në moshën 87-vjeçare.  Ajo shërbeu në atë detyrë prej vitit 1979 e deri në vitin 1990, si gruaja e parë që udhëhoqi një vend të rëndësishëm perëndimor në kohërat moderne, në krye të Partisë Konservatore, duke fituar tre mandate një pas një – si asnjë politikan(e) tjetër britanik në shekullin e 20-tët, madje ajo shërbeu edhe më gjatë se Uinstën Çërçilli.

Kryeminsitri i tanishëm britanik Dejvid  Kameron reagoi ndaj njoftimit se ish-Kryeminsitrja Thetçer kishte ndërruar jetë, duke thënë se, “Ne kemi humbur një udhëheqse të madhe, një kryeministre të shquar dhe një britanike të dalluar.  Ajo i shërbeu vendit tonë dhe besoj se do të konsiderohet si kryeministri(ja) më e madhe në historinë britanike në kohë paqeje.”

Margaret Thetçer, mbi të gjitha, besonte në lirinë e individit dhe në lirinë në botë. Në një fjalim që pat mbajtur vite më parë, në universitetin Ashland të shtetit Ohio të SHBA-ve, Margaret Thetçer  nënvijoi fillozofinë dhe besimin e saj në lirinë, duke thënë se, “Liria është një cilësi morale, jo vetëm një cilësi qytetare, ose një cilësi kombëtare –por ajo është një cilësi morale”, theksoi ajo duke shtuar se, “Liria është një cilësi që na e bën të mundur ushtrimin e talenteve dhe përdorimin e mundësive që na ka dhënë Perëndia – dhe si e tillë, liria është një e drejtë, të cilën asnjë qeveri nuk mund dhe nuk duhet t’ia mohojë individit.   Ajo mbrojti kapitalizmin si sistem më i mirë në krahasim me socializmin, ndërkohë që luftoi sindikatat britanike të cilat ishin kundër privatizimit  të sektorëve të mëdhej të ekonomisë britanike – masë këjo për të cilën ajo u kritikua ashpër në atë kohë, sidomos nga elementë të majtë, të cilët e cilësuan atë si një “kapitaliste primitive”.  Por, kryeminstri britanik Kameron, tha se “Margaret Thetçër, jo vetëm udhëhoqi vendin tonë,  por ajo e shpëtoi vendin tonë”,  gjatë asaj periudhe, shtoi ai.  Megjithë kritikat dhe kundërshtimet e forta, ajo sy-patrembur, ndërmori reforma ekonomike të papara deri atëherë në Britaninë e Madhe  dhe  njlkohësisht mbështëti krijimin e tregjeve të lira edhe në vendet e botës së tretë, ku socializmi  në atë kohë, shikohej si një sistem më i preferuar ekonomik.  Ajo besonte se duheshin hequr kufizimet e rregulloreve dhe të ligjeve mbi ekonominë, duke ulur taksat dhe duke ngritur entuziazmin dhe shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë, ashtuqë individi të jetë më i lirë për të marrë vendimet vet, për të mirën e vet dhe për rolin e tij në një shoqëri të lirë.   Ajo besonte  se qeveria duhet të luaj rolin sa më të vogël në ekonomi, duke lejuar tregjet të vendosin mekanizmat e ekonomisë.  Në një fjalim para udhëheqsve evropianë më 1979, ajo deklaroi se,  “Pa liri ekonomike, nuk mund të ketë as liri politike të vërtetë.”  Kryetari i Bashkisë së Londrës, zoti Boris Xhonson tha se politika dhe pikpamjet e ish-kryeministres Thetçer janë  justifkuar dhe provuar të vërteta, sidomos qendrimet e sajë në lidhje me komunizmin dhe sindikatat. Një shmebull për këtë mund të jetë Kina,   megjithse në emër komuniste, ka pëqafuar kapitalizmin si sistemin e saj të preferuar të ekonomisë, por pa lejuar liritë politike.

Ishte ekzaktërisht këjo ndjenjë dhe besim në lirinë individuale dhe në lirinë ekonomike, ajo që e bëri Margaret Thetçer  të adhuronte ish-presidentin amerikan Ronald Reagan, i cili gjithashtu ishte i vendosur në mbështetje të lirisë, demokracisë  dhe tregjeve të lira për të gjithë njerzit anë e mbanë botës.  Ishte ky besim i përbashkët në lirinë që eventualisht çoi në një aleancë e partneritet  të  jashtzakonshëm  midis dy udhëheqsve, për sigurimin e  lirisë dhe tregjeve të lira, anë e mbanë botës.

Marrëdhënjet e ngushta politike dhe përputhja e pikpamjeve të tyre filozofike, midis Presidentit Reagan dhe Kryeministres Thetçër, çuan gjithashtu në një ri-gjallërim të aleancës amerikano-britanike, në marrëdhënje që edhe sot konsiderohen si “të veçanta” midis dy vendeve.  Ajo u bashkua me Shtetet e Bashkuara për  të kundërshtuar komunizmin ndërkombëtar si dhe  shtypjet e mohimin e lirisë në ish-Bashkimin Sovjetik, por edhe përpjekjet e Moskës për të mbajtur në fuqi regjimet komuniste kukëlla sovjetike,  megjithë pakënaqsitë dhe kundërshtimet popullore ndaj tyre, anë e mbanë Evropës lindore.  Thetçër dhe Reagan ushtruan presion dhe sfiduan drejtë për së drejti përhapjen e influencës sovjetike anë e mbanë botës.

“Presidenti, Papa dhe Kryeministrja” është titulli i një libri i autorit  amerikan Xhon Sullivan, që i referohet Presidentit Reagan, Papës Gjon Palit II dhe Kryeministres Thetçër, si protagonistët kryesorë që sollën mbarimin e komunizmit në Evropë, por ata nuk ishin të vetëmit në këtë përpjekje të madhe historike.  Ata kishin mbështetjen e patundur edhe të Kancelarit të atëhershëm gjerman Helmut Kohl dhe Presidentit francez Fransua Mitterand, i cili megjithëse socialist dhe i majtë nga pikpamja ideologjike, e urrente dhe ishte i ashpër kundër komunizmit sovjetik.  Por Zonja Thetçer, përveç miqësisë dhe bashkpunimit me presidentin Reagan dhe me udhëheqsit francezë dhe gjermanë të kohës, kishte vendosur kontakte dhe lidhje të ngushta edhe me udhëheqsin sovjetik Mikhail Gobaçov.  Ish-zëdhënsi i saj, Sir Bernard, citohet në media se në takimin e parë që Kryeministrja Thetçer ka zhvilluar me zotin Gorbaçov në Londër, ajo i është drejtuar atij me këto fjalë: “Mirë se ke ardhë në Britaninë e Madhe. Dua që marrëdhënjet tona të kenë një fillim të mirë dhe njëkohësisht të mos kemi keqkuptime midis nesh –Unë e urrej Komunizmin”, i ka thënë ajo udhëheqsit të ri sovjetik.  Pas këtij takimi, Kryeministrja Thetçer i raportoi Presidentit Reagan dhe botës se Gorbaçovi “ishte një njeri me të cilin mund të punojmë.”

Vet zoti Gorbaçov reagoi me rastin e vdekjes së zonjës Thetçer ndërsa theksoi admirimin e tij për ish-kryeministren britanike, duke thënë se, ajo “ishte një politikane, fjalët e së cilës kishin peshë”.  Mikhail Gorbaçov vazhdoi komentin e tij se, “Më në fund ne mundem të arrinim në një mirëkuptim të përbashkët dhe ky mirëkuptim kontriboi në ndryshimin e atmosferës midis vendit tonë dhe Perëndimit dhe që më në fund çoi edhe në mbarimin e Luftës së Ftohtë.”

Adhurimet dhe reagimet me rastin e vdekjes së kësaj udhëheqseje frymzuese botërore erdhën menjëherë nga personalitete që kanë punuar me të gjatë viteve dhe udhëheqës që kanë qenë tepër të ri në kohën e saj.  Një ndër ta, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama në deklaratën e tij tha se, “Bota ka humbur një prej kampioneve të lirisë dhe Amerika ka humbur një mike të vërtetë…Këtu në Amerikë, ne nuk do të harrojmë kurrë qëndrimin e saj, krah për krah, me Presidentin Reagan, duke i kujtuar botës se ne nuk shkojmë thjeshtë andej kah frynë era e historisë –por përpiqemi t’i japim historisë formën e një bindjeje morale, vullneti  dhe guximi të hekurt.”  Udhëheqsi amerikan i dërgon ngushëllimet e tija  familjes së zonjës Thetçer dhe popullit britanik, ndërkohë që bën thirrje siç u shpreh ai, “të vazhdojmë punën — të cilës ajo i kishte kushtuar jetën e saj – midis dy popujve të lirë, të bashkuar dhe të vendosur të përcaktojnë vetë fatin e tyre”, përfundoi mesazhin e tij presdienti Obama.  Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Zoti Ban Ki Moon tha se bota do të ndjejë mungesën e rolit të saj udhëheqës, duke e auqjtur atë si “pionere” për kontributet e saj për paqë dhe siguri në botë gjatë Luftës së Ftohëtë”.  Bashkshortja e ish-presdientit Reagan , zonja Nenci Reagan tha se me vdekjen e zonjës Thetçer, “Bota ka humbur një kampione të vërtetë të lirisë dhe demokracisë….Roni dhe Margaret kishin zhvilluar një marrëdhënje të veçantë polititike, gjatë njërës prej periudhave më të vështira të historisë moderne, dhe ishin të angazhuar për të mbrojtur lirinë dhe  ishin të vendosur t’i dhënë fund komunizmit… si përfundim, ajo ndihmoi në shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik duke siguruar kështu lirinë për miliona njerëz”, shtoi Nenci Reagan.

Ngushëllimet dhe reagimet e shumëta nga e mbarë bota dhe  të personaliteteve të të gjitha ngjyrave politike, me rastin e vdekjes së Kryeministres së parë femër të Britanisë së Madhe, sjellin ndër mend rolin që luajti këjo grua jo vetëm në politikën dhe ekonominë e vendit të saj, por pa  rolin e saj vendimtar, një çerek shekulli më parë, sipas shumë ekspertëve dhe historianëve – bota sot mund të ishte krejtësisht  ndryshe.  Ish-Kryeministrja Thaçër jo vetëm që ka dhënë kontributin e saj të çmuar në përpjekjet që çuan në fundin e Bashkimit Sovjetik, por ajo, siç tha edhe ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker,  “ndryshoi harkën e historisë, jo vetëm në Britaninë e Madhe por edhe në botë.”

Britania e Madhe dhe bota i japin lamtumirën e fundit, sipas ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush i vjetër, “njërës prej përkrahsve më të fortë të lirisë, demokracisë dhe tregjeve të lira të shekullit të XX – një udhëheqse me karakter dhe bindje të forta, parimet e së cilës më në fund kontribuan drejtë një bote më të lirë dhe më të mirë.”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, kampionia e lirise, Margaret Thacer

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT