• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBAS SHTERNGATES

April 22, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
■NË 100 VJETORIN E NJË YLLI TË KULTURËS SHQIPTARE…/
Mbas një shiu që ra mbramë sikur, dikur në Shkoder, kur dola n’ oborr pashë se qielli ishte mbushë me yje… I shikova per pak minuta e menjëherë mu kujtuen disa Yje që shtërgata e vitit 1944 në Shqipni, nuk na lejoi me ua pa as xixllimin e tyne plot dritë…
A dishroni me u shmallue me burimet e gurrat e Gegënishtes Letrare të Shqipnisë ?
Çoni sytë nga qielli e në sejcilin Yll do të lexoni emnat e Guljelm Dedës, Nikollë Dakës, Henrrik Lacës, Mark Demës, Et’hem Haxhiademit etj., Emna të cilët as hetuesitë, as torturat dhe as burgjet e kampet e interrnimit, nuk mujtën me ua errësue shkelqimin e artë të Tyne shpirtnuer, shoqnor dhe kulturor me një persekucion gjysëshekullor.
■E pra, bashkë me Ata letrarë asht edhe Dedë Gajtani (Kola), që asnjëni nuk njiheshin as “profesora” dhe as, “akademikë”… sepse, shkruenin e flisnin Gegnisht e per pasojë u interrnuen, u burgosën dhe u trajtuen nga “lufta e kllasave” të “pakënaqur” e nënza… “reaksionarë të kulturuar në shkollat klerikale të Shkodres”! Sigurisht, “jo shumë kohë” po, nga 1944 e derisa mbyllën sytë e Tyne plot dritë që shkelqenin kulturen Shqiptare Europjane Perëndimore! Një brez intelektualësh i papersëritshëm në Shqipni!
■Dedë Gajtani asht le në Gajtan të Shkodres me 7 Qershor 1915. Shkollen e mesme e perfundoi në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër. Ishte nxanës i Don Ndre Mjedjës, i vlersuem gjithmonë në letersi me notën 10. Në vitin 1935 vazhdoi studimet e nalta në Romë, ku edhe i perfundoi në Propaganda Fide në vitin 1941. Ishte student kur filloi me shkrue poezi të cilat u botuen edhe në revistën Cirka. Kur ishte Deda student në Romë, shkoi për vizitë At Gjergj Fishta. Me atë rast prof. Mark Dema recitoi një poezi që kishte shkrue Deda. At Fishta pyeti se kush e kishte shkrue atë poezi? Shokët i thanë: Dedë Gajtani. At Gjergji ju drejtue Dedës tue i thanë: Të lumtë, të këshilloj me vazhdue me shkrue! Vlersimi dhe levdatat e asaj kohë i dhanë krahë muzës së Tij poetike, gja të cilen e kujtonte gjithnjë Deda. Kishte pasion per gjuhët e hueja dhe zotnonte shumë mirë latinishtën, italishtën, frengjishtën, spanishtën, gjermanishtën, anglishtën, dhe hebraishtën. Porsa u kthye në Atdhe filloi përkthimet e botimet në revisten “Kumbona e së Diellës”. Punoi nga viti 1941 deri në 1945 në Institutin e Studimeve dhe Biblioteken Dante Aligeri, në Tiranë. Në vitin 1945 emnohet arsimtar në Fier. Ishte tue shetitë në Manastirin e Ardenicës në vitin 1946 kur e arrestojnë për disa muej në burgun e Beratit.
Me nderhymjen e nje shoku të tij, në Institutin e Studimeve, e lirojnë nga burgu. Ajo nderhymje ishte vendimtare që e çveshi nga akuzat e shpifjet si agjent i Vatikanit…etj.
Porsa u kthye në Tiranë, u dëbue politikisht dhe u emnue arsimtar në Maqellar të Peshkopisë deri në 1950. Prej këtej e transferojnë në Krujë, ku mbas një viti në 1951, e pushojnë nga puna me motivacion: “I pa denjë për të edukuar brezin e rinj”.
Detyrohet per kafshatën e gojës të punoi punë fizike në hidrocentralin Karl Marks, Ulzë, deri në 1954. Nga 1954 deri 1958 emnohet persëri mësues në shkollat fillore të Oroshit e Malaj të Mirditës… Deda nder ato Malësi të egra, kishte përkrahu edhe zonjën e Tij të Nderueme Maria, një Burrneshë e daltueme nga Vetë Dora e Zotit, me të gjitha tiparet që pak gra Shqiptare i ruejnë prej rracës sonë Ilire… Një Fisnike, e gjatë, por gjithmonë me buzë në gaz dhe madhështore, aqsa i ka hije një grueje intelektuale. Në vitit 1958
ishin me 4 fëmijë kur i transferojnë në Dukagjin, kohë në të cilën i njoha edhe unë… Detyrohen me i ra kryqeterthuer edhe Malësisë së Dukagjinit… Abat, Gimaj, Theth…
Po, gjithmonë Ai Deda i thjeshtë, i dashtun, buzagaz e optimist: “E ban Zoti mirë…!
Ai na ka në kujdes!”… Gjithmonë i “heshtun” e me një shprehje fëtyre plot dritë… ■Kultura botnore që kalonte nder duert’ e Tij, kishte ba punën e vet! Ajo kishte depertue thellë në Shpirtin e Dedë Gajtanit, që mërrijti me pa vetem pak ditë shpresdhanëse të asaj deshire të madhe sa vjeçare, per të cilën punoi gjithë jetën e vet pa ju ndigjue zani.
Bash atëherë kur një rreze drite e një Lirie mendimi e fjale të andrrueme filloi me freskue shpresën e mberthyeme nder prangat e heshtjes, atëherë, kur filloi me pa frutin e punës 47 vjeçare nder revistat e porsa daluna nga shtergata… Deda iku në Mbretninë Qiellore!
Me datën 7 Dhjetor 1993, Dedë Gajtani heshti përgjithmonë…Edhe né ashtu kujtuem!
■Po veprat e Tij në gjuhët e mbarë Europës, u zgjuen e na treguen se Dedë Gajtani asht i pranishem në sofrat e shkodranëve të Tij, nder sofrat e miqëve në Fier, nder ata gurë historikë të Bjeshkëve të Nemuna ku, dora e Dedës, gjithmonë e lëmueme nga një dashuni e thellë e Marijës, arrijti me daltue nder ata shkambijë dashuninë për Atdhe!
Aty nder ata male do të gjeni pranë krojeve nder Kryqat e pushimit perjetsisht tue folë në Gegnishten e bukur të At Fishtës dhe Don Ndre Mjedjës, në ambelsinë dhe rreptësinë e Don Lazer Shantojës e Don Ndre Zadejës, ase në rizat apo xhubletat shekullore të atyne Viseve, të shkruem per Ju o Rini Shqiptare: Poetët e Mëdhej Dante Aligeri, Viktor Hygo, G.Volfango Goethe, Federik Schiller, Aleksander Manxoni, Carducci, Leopardi, Marradi, Torquato Tasso, Ada Negri, G.Pascoli, Artur Graf, Zanella, Aleardi, Henrik Heine, G.Giusti, G.Caparozzo, Giovani Prati, Chateubriand, E.Longfellow, Domenico etj…, etj… E fëmijët e vegjel do të dëgjojnë përrallat e Ezopit e Fedrit në gjuhen Shqipe!
■E zemra e Madhe e Poetit të heshtun, aty ku prangat e robnisë u këputën, aty Ajo… shpertheu si vala e Drinit apo rrebeshi i Cemit, ashtu si dikur Ato Vise të Kastriotit nuk njohën turp dhe robni, ashtu edhe Shpirti i paster i Dedë Gajtanit na dhuroi poezitë e Tija origjinale si biluri: Malli, Ave Maria, Andërrime e vegime, Nanë Lamtumirë…
■Po, mbi të gjitha Dedë Gajtani sot në librin e Tij, na thotë mbas shtërgatës: Këtu jam!
Nuk jam ma Firsi…Nuk kam ma pseudonime! E as, nuk do të heshtë! Këtu jam!
■A dishroni me më ndigjue zanin tim tue këndue? Per Ju, o Shqiptarë, sot do t’i këndoj…
KALASË ROZAFATIT
O mure të vranta të Rozafatit!
Që tash sa shekuj, ju besnikë mbrojës,
I patë sa orla të zezë mësyen këtij shpatit,
Çerdhen e shqiponjës.

Sa ushtri turke këtu e barbarë erdhen!
Sa herë o shqipe, me luftë të kanë mësy!
Por s’ muejt asnjeni, ta prishi çerdhen
As të pushtojë ty.

E njikëtu motit shqipet rromake
Fishkëlluen rreth teje, me të shkye me skjepa.
Por ti, o shqipja shqiptare i flake,
Copë, copë në këto shkrepa.
Sa herë t’ u sulen ndër kohna të vjetra!
Sa herë t’ u sulen ndër kohna të reja!
Ti, o shqipe ilire, i shkjeve me kthetra,
Mu té foleja.
***
Vullkan kalaja thonë ka kenë motit,
E ke asht afrue e ka djegë mbrendë.
Vullkan kalaja asht dhe në ditë të sotit
E ka për të kênë.

U lëshuen të grabisin sa herë vandalët,
Rromakë e turq e serb, venedikë,
Por té, i to ledhe, u thyene valet,
Porsi té, i digë.

Ledhet hijeranda, të kalasë madhështore
Të kujtojnë të kaluemen, trime e luftare.
Porsi ma e bukra sot përmendore,
E tokës shqiptare.

O njato mure, e njato rrenime!
Mbulue prej myshqesh e shermashekut,
Përmbi ballë të tyne ruejnë sa kujtime,
Të kohës Skanderbegut.
***
Po qeshi Shkodra, e bukur fare,
Rrethue prej malesh zbardhue prej bores.
Kur kënduene të lira vashat shqiptare
Kangët e fitores.

Kënduen fushat, malet dhe valet e Drinit,
Kur valoi flamuri mbi të lire Rozafen.
E ushtritë e hueja përtej kufinit
E thyene qafen!

Té ti, me njome të veta përdore,
Vijnë sot të mejtueme nanat shkodrane.
E u tregojnë fëmijve njimijë histore,
Mbi kalanë tande!
***
■Ishim me duer të shterngueme si burrat…
Ah Dedë Gajtani, si sot më kumbon zani Yt “nën za”… “Fritz, mos na ndigjoj kush!..”
– Vetem Rozafa!
Vetem Ajo, do të daltojë nder Gurt’e Saj… Emnin Tand për shekuj të shekujve!
Melbourne, 2015.

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, mbas shterngate

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT